Kulturë
Sabile Keçmezi-Basha: Këtë duhet parë
E marte, 07.12.2010, 10:58 PM
Sabile Keçmezi-Basha
Sabile_basha@hotmail.com
KËTË DUHET PARË
(Vajzës sime)
MË THOSHE
Më thoshe
Atje ku shkon ti
Është festë për zemër
Fluturat qelin lule
Fontanat shpërlajnë
Mëkatet globale
Vrushkujt e ujit
Bien në dashuri
Me hijet e demave
Më thoshe
Piktoret pikturojnë
Dëshirat e çmendura
Të toreadorëve
Në veranda prej metali
Thënë të drejtën
Deri diku të besoja
Më thoshe
Në Ak-Barin fantazmagorik
Përdridhet ëndrra
E pa ëndërruar
Korbi i Lorkës
Të flenë në qepallë
Të besova
Kur të kërkoja
Rrugës La Rambla
ku skulpturat e gjalla
Animonin jetën
Në njëmijë e një pamje
KËTË DUHET PARË
Më the
Këtë duhet parë
Dhe gjithsesi
Duhet të ishe hije
E kipcit tim
Vogëlushja ime
Që të jesh me mua
Lëkurë të mbaja
Në shuplakat e djegura
Duke të treguar
Se këpuca e qorton këpucën
Për ecejaket e tepërta
Bëhem nervoze
Se më mungon
Ëndrra e lulet
Nga flokët e tua
Dhe flutura mbi buzë
Që përcjell mesazhin
me yje galaktikë
vogëlushe prej dielli
KUDO JE ME MUA
Kudo je me mua
Edhe me erën
Kudo je me mua
Edhe me ëndrrën
Kudo je me mua
Vogëlushe prej ëndrrave
Duke të treguar
Përrallën për Gaudin
Në Sagrada Familia
PSE S’JE ME MUA
Siluetën time
Pengë ia lash diellit
Nëpër botë
Çadrën e grisur
E përdora
Të mbrohem nga rrufet
Dhe për Ty
Ëndërroja
Zot, o zot
As një grimë
Nuk më dhimbset
Pse gjinkëllon gjinkalla
Në folenë e qyqes
E kur jam larg
Nuk e vëngërojë
Se shpella e akullt
Banon në kafkën e paformuar
Të atdheut të premtuar
Dhe edhe më tej
Ti je me mua
7.08.2010, Barcelonë
Ç’TË BËJË ME KUJTESËN
E me kujtesën
Ç’farë të bëjë
Që mos të ma shkërmoqin
Ardhacakët e harruar
Ti nuk e di se
Historia e historisë
Ka fillua
Shumë më herët
Se sa vet lashtësia
Nuk ka memorie
Në arkat e atdheut
As obeliskë
Kujdes
Këtu kanë kalua
Çobanë me ngjyra-hije
Dhe kanë mbarsur netët
Me ëndrra të trishta
DEKLARATË
Atdhe
Të dua
Dhe më fal që të dua
Se kur jam larg teje
Nuk jam vetvetja