E premte, 02.05.2025, 08:41 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Kultura shqipe në një emision në TVR Cultural të Bukureshtit

E premte, 10.12.2010, 10:58 PM


VLERA TË REJA SHQIPTARE NË GJUHËN RUMUNE

 

Kultura shqipe në një emision në TVR Cultural të Bukureshtit

 

Nga Baki Ymeri

  

Më 30 nëntor 2010, në postin televiziv TVR Cultural, kanal i televizionit publik rumun, u transmetua një emision kushtuar poezisë shqipe. Emisioni i quajtur "Identitete", kishte të ftuar studiuesin, përkthyesin dhe diplomatin, dr. Luan Topçiun, i cili foli mbi poezinë lirike shqipe, duke u ndalur veçanërisht tek manifestimet lirike të ndjenjës së dashurisë dhe mallit. Emisioni u ilustrua me recitimin mjeshtëror të aktorit dhe poetit të njohur rumun, Adrian Munteanu, i cili recitoi vargje nga poetët Ismail Kadare, Lasgush Poradeci, Visar Zhiti, Zef Serembe, si dhe vargje nga lirika popullore shqiptare. Duke nënvizuar elemente te përbashkët si dhe dallimet mes poezisë lirike shqipe dhe asaj europiane, Luan Topçiu vuri në dukje ndjenjat e stërholla e delikate të një prej popujve më të vjetër të Europës, për mënyrën sesi përkthehen në kulturën shpirtërore të popullit shqiptar ndjenja universale si dashuria dhe malli.  Emisioni u realizua nga Maria Cika, producentë janë  Iuliana Constantin dhe Ilinca V. Ciobanu, të cilët e dinamizuan këtë emision me imazhe nga natyra shqiptare. Përkthimi i poezive në rumanisht i takon Luan Topçiut. Ky emision kushtuar letërsisë shqipe, përmes një prezantimi shkencor, ndihmon, pa dyshim, në njohjen e kulturës së pasur shqiptare jashtë kufijve, duke krijuar një imazh te denje të vlerave të  vërteta të kulturës shqiptare dhe duke mbajtur gjallë një dialog të vazhdueshëm me kulturën europiane.

      * * *

Përndryshe, revistat letrare rumune edhe gjatë kësaj vjeshte i hapën shtyllat edhe për kulturën shqiptare. Kështu, në kuadrin e rubrikës Një libër i gjallë, në numrin në të ri të revistës Climate literare botohet fjala e ambasadorit amerikan Wiliam G. Walker që e shoqëron (si parathënie) monografinë e Sanije Gashit (Histori të tmerrit, 1998-1999), një vepër monumentale me dosje krimesh të luftës dhe me rrëfime grashë mbi masakrat dhe dhunën serbe në Kosovë. Në faqet e të njëjtës revistë (nëntor 2010) botohen edhe 5 poezi të Remzi Limanit nga Kosova, ndërsa në numrin e parafundit të revistës Impact literar, në kuadrin e rubrikës Poezie albaneza din Germania, botohet një faqe me 9 poezi të Sadik Krasniqit, të shoqëruara me fotografinë e autorit dhe shënime bibliografike të shkëputura nga vëllimi i tij Lacrima lunii (Loti i jetës). Sadik Krasniqi është prezent me 10 poezi, si Tre miniatura për Kosovën etj., edhe në numrin më të ri të revistës Oglinda literara (Pasqyra letrare). Në këtë spektër prezantimesh vlerash shqiptare në gjuhën rumune inkorporohet edhe Kozeta Zylo nga Amerika me poezitë Mjellmat do të vijnë dhe Si një drenushë, botuar në numrin e fundit të revistës Dunarea de jos (Danubi i Poshtëm).

Këto ditë e pa dritën e botimit në letër edhe numri më i ri i revistsë Shqiptari, kushtuar Ditës së Flamurit, i dinamizuar me një album historik dhe disa artikuj, reçensione dhe një fragment nga dorëshkrimi i Lazim Rexhepit (M-ai convins c? e?ti un albanez adev?rat / Më ke bindur se je një shqiptar i vërtetë). Pas botimit të vëllimit bilingv të Vezir Ukajt nga Kosova (Camera num?rul patru-Dhoma numër katër) dhe dy librave të Luigj Shkodranit nga Danimarka (Një poezi për Ty dhe Porta e shpirtit), një risi tjetër që ndërlidhet me afirmimin e vlerave shqiptare në gjuhën rumune është edhe botimi i tre projekteve letrare brenda një jave, duke filluar që nga dita e hënë: Monografia Histori të tmerrit e Sanije Gashit, revista Kosova (shqip/rumanisht) dhe suplimenti i saj, Kosova letrare, poashtu në të dy gjuhët, të gjitha këto duke pasqyruar promovime vlerash në nivel evropian. Bota ka nevojë për vlera, identitet dhe portret, madje edhe për portretin e Kosovës letrare, të diasporës shqiptare dhe  Shqipërisë historike, në një vend ku egziston një etje e hatashme për ta njohur kulturën shqiptare në totalitetin e saj.



(Vota: 13 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx