E premte, 02.05.2025, 01:05 AM (GMT+1)

Kulturë

Sali Bashota: Serbia na shkatërroi librat, nuk bëhemi pjesë e rrjetit të saj

E premte, 10.12.2010, 08:48 PM


Oliverta Lila, Gazeta Shqip

 

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare Universitare të Kosovës i bashkohet denoncimit të drejtorit të BKSH-së, Aurel Plasari, ndaj atyre që i quajnë presione për t’u bërë pjesë e programit slloven COBISS të rrjetit të bibliotekave. “Nga 17 shkurti i vitit 2008 Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, prandaj edhe zhvillimin e institucioneve të veta kombëtare do ta bëjë me frymë kombëtare dhe nuk do të hyjë në “rrjete bibliotekash”, me ata partnerë siç është Serbia, në këtë rast, në kuadër të sistemit bibliotekar COBISS, e cila me regjimin e saj pushtues në Kosovë vetëm në periudhën midis viteve 1998-1999 me forcat ushtarake dhe paramilitare ka shkatërruar dhe djegur mbi 175 biblioteka me një fond prej 1.665.496 ekzemplarësh
Sali Bashota, drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, e bashkon opinionin e tij në mbrojtje të sulmeve ndaj Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Për këtë qëllim, nesër do të dalë në një konferencë shtypi për të sensibilizuar opinionin kosovar. Bashota e quan skandal përplasjen publike që ndodhi në Tiranë mes Tomaz Seljak, drejtor i Institutit të Shkencës së informacionit(IZUM) me qendër në Maribor të Sllovenisë, drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Serbisë, Sreten Ugriçiç, dhe drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, z. Aurel Plasari, i cili i akuzoi dy nënshtetasit e huaj për presion ndaj institucionit që drejton. Gjithçka lidhet me aplikimin e programit COBISS për përfshirjen e bibliotekave shqiptare në rrjetin e bibliotekave të vendeve ish-jugosllave. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, drejtori i BKUK-së, Sali Bashota, thotë se tashmë ata aplikojnë një program të tyrin dhe kjo është normale në një shtet sovran si Kosova. “IZUMI-i dhe satelitët e tij duhet të heqin dorë nga presionet që ua bëjnë dy bibliotekave kombëtare, të Shqipërisë dhe Kosovës”, thotë ai, duke u shprehur se nëse do të ketë të tjera presione në vazhdim, do t’u drejtohen organeve ligjore.

Zoti Bashota, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, z. Aurel Plasari, ka akuzuar dy nënshtetas të huaj për sulm e presion ndaj Bibliotekës Kombëtare. Publikisht deklaroi se edhe Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës ka të njëjtin presion. Sa e vërtetë është kjo?

Reagimi i drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, z. Plasari është i drejtë dhe shumë i qëlluar. E mora dy ditë më parë këtë informacionin nga kolegu im. Një skandal i tillë, i ndodhur në një konferencë shkencore në Tiranë, duhet të ndëshkohet nga i tërë komuniteti bibliotekar, si në Shqipëri, po ashtu edhe në Kosovë. Nesër në Bibliotekën Kombëtare Universitare të Kosovës do të organizohet një konferencë për shtyp me gazetarët, lidhur me këtë rast dhe institucioni ynë do të dalë me qëndrim zyrtar për të informuar opinion e Kosovës. Institucioni i quajtur IZUM  (Institut Informacijskih Znanost, Maribor) nuk duhet të insistojë që me çdo kusht t’u diktojë dy bibliotekave kombëtare, të Shqipërisë dhe të Kosovës, produktin e sajesës ish-jugosllave COBISS, për t’i futur këto biblioteka nën ombrellën e vet. E kanë gabim zotërinjtë dhe tashmë e kanë tepruar me insistimet e tyre të vazhdueshme. Sa i takon BKUK-së, ky institucion e kishte të instaluar programin COBISS, në kuadër të rrjetit jugosllav në periudhën e administrimit serb. Kur ia ndërruan funksionin këtij institucioni, ia asgjësuan fondet duke i shndërruar librat shqip në kartuç, madje i vendosën emrin “Ivo Andriç”, emrin e hartuesit të memorandumit për shfarosjen e shqiptarëve. Asnjë e dhënë e këtij programi nuk është në BKUK. Nga 17 shkurti i vitit 2008, Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, prandaj edhe zhvillimin e institucioneve të veta kombëtare do ta bëjë me frymë kombëtare dhe nuk do të hyjë në “rrjete bibliotekash”, me ata partnerë siç është Serbia, në këtë rast, në kuadër të sistemit bibliotekar COBISS, e cila me regjimin e saj pushtues në Kosovë vetëm në periudhën midis viteve 1998-1999 me forcat ushtarake dhe paramilitare ka shkatërruar dhe djegur mbi 175 biblioteka me një fond prej 1.665.496 ekzemplarësh.

A ndiheni të kërcënuar?

Presioni dhe trysnia e vazhdueshme, natyrisht që është një lloj kërcënimi.

Cili ka qenë kontakti juaj me drejtuesit e Institutit të Shkencës dhe Informacionit (IZUM) në Slloveni?

Unë i kam të ruajtura të gjitha letërkëmbimet zyrtare me drejtuesin e IZUM-it, Tomaz Seljak. Takimi im i parë me të ka qenë në zyrën time në BKUK, më 13 shkurt 2003. Në ato vite BKUK nuk e kishte ende sistemin e automatizuar bibliotekar dhe ishte në kërkim të programeve më të avancuara në fushën e bibliotekave dhe unë punoja bashkë me Dr. Kenneth Obrembt, ekspert nga SHBA, i cili ishte drejtor i përkohshëm i BKUK-së dhe e hartonte planin strategjik për bibliotekat e Kosovës. Në vitin 2004, BKUK me një tender të hapur ndërkombëtar, në bazë të ofertave të ofruara, zgjodhi programin më të përshtatshëm nga kompania “EXLibris”, “Alep
500”, program i cili përdoret me sukses në institucionin tonë. Edhe pse nuk mori pjesë me ofertën e tij në tenderin publik ndërkombëtar, megjithatë drejtuesi i IZUM-it vazhdimisht bënte kërkesa, por edhe trysni të ndryshme, jo vetëm në BKUK, por edhe në institucione tjera qeveritare për të hyrë në sistemin bibliotekar në Kosovë.

A ju kanë ofruar ata përfshirjen në rrjetin e bibliotekave rajonale përmes programit COBISS dhe cili ka qenë qëndrimi juaj? 

Na e kanë ofruar. Qëndrimi ynë ka qenë: një JO e madhe, nga  Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, por edhe nga shumë institucione tjera.

Shihni qëllime të dyshimta në veprimtarinë e këtij Instituti?

Në Kosovë është krijuar një zyrë e këtij instituti. Edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës e ka informacionin për hapjen e kësaj zyre. Është zyrë private. Nuk e di se kujt i shërben dhe cila është veprimtaria e saj?!

Ishte e ftuar Biblioteka Kombëtare e Kosovës në konferencën e organizuar më 2-3 dhjetor në Akademinë e Shkencave në Tiranë?

BKUK nuk është ftuar në konferencën e organizuar në Tiranë, por  edhe po të kishim ftesë, nuk do të merrnin pjesë.

Do të kryeni ju nga ana juaj ndonjë kërkesë për veprim ligjor  ndaj këtij instituti apo drejtuesve të tij?

Me ligjet në fuqi, të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës udhëheq në mënyrë profesionale të gjitha llojet e bibliotekave në Kosovë. Kjo është e qartë dhe nuk do koment. Nëse zyrtarët e IZUM-i dhe satelitët e tij vazhdojnë edhe më tutje të bëjnë presione për të shkatërruar rrjetin e krijuar bibliotekar në Republikën e Kosovës, atëherë fjalën do ta kenë organet ligjore të shtetit të Kosovës.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx