E diele, 28.04.2024, 03:40 PM (GMT+1)

Kulturë

Eugjen Merlika: 28 nentor 1911, Një lojë e fshehtë e Turqisë me gjuhën shqipe

E shtune, 11.12.2010, 03:30 PM


28 nentor 1911, Një lojë e fshehtë e Turqisë me gjuhën shqipe

 

Nga Eugjen Merlika

 

Në rubrikën tonë të për javëshme, sot botohet një letër që mbandatën 28 nëndor 1911, që niset nga Stambolli, nga "Qendr'e Klubevet' Ditunis Shqip" dhe firmoset nga kryetari i asaj qendre, atdhetari Abdyl Ypi. Letra i drejtohet Mustafa Krujës, në Durrës, ku ai ushtronte detyrën e mësuesit të matematikës në Gjimnazin e atij qyteti e, njëkohësisht, ishte një veprimtar i zellshëm i çështjes kombëtare. Abdyl Ypi, nëpërmjet kësaj letre, njofton me kënaqësi vendimin e Qeverisë së Turqvet të Rij për shkollat fillore në Shqipëri, ku do të lejohet mësimi në gjuhën amtare. Entuziazmi i shqiptarëve për këtë vendim ishte më se i ligjshëm, mbasi po arrihej synimi i shumëpritur që fëmijët të mësonin në gjuhën e tyre. Por n'atë vendim kishte një dozë të fuqishme demagogjie, prapa së cilës fshihej një plan djallëzor për të manipuluar vullnetin e shumicës së paditur të popullit, nëpërmjet formave të ndryshme të mashtrimit, ku rolin kryesor do t'a kishte ndiesia fetare e shqiptarëve myslimanë.

"Vëndim i qeverisë është që gjuha shqip të mësohet me ato shkronja që të dojë populli; do me thënë me shkronja shqip atje ku e duanë kështu dhe me arabisht në qoftë se e duanë dhe me këto shkronja." Mbas fasadës gjoja "demokratike" të këtij vendimi qeveritar fshihet një strategji e rrezikëshme dhe me pasoja tepër të dëmshme për t'ardhmen e shkollave, t'arsimit, t'edukimit të fëmijëve shqiptarë në frymën kombëtare. Synimi ishte të krijohej një sistem arsimor në formën e lëkurës së leopardit, i ndarë në fshatra, qytete apo krahina që do të bënin zgjedhje të ndryshme në lidhje me shkronjat, dukuri që do të krijonte një gjëndje të përherëshme kundërshtie brënda shtetit e shoqërisë shqiptare. Këtë gjëndje do t'a mbarështonin qeveritarët turq, për të vazhduar politikën e vjetër "përçà e sundò", duke bërë dallimet ndërmjet shqiptarëve "të mirë e besnikë" që donin shkronjat arabe dhe atyre "të këqinj e të pabesë", që ishin bërë "vegla" të kishës e të Austro-Hungarisë.

Duhej një punë e madhe për të shmangur këtë rrugë të rrezikëshme që mund të merrnin vendimet e ndryshme të bashkësive shqiptare. Prandaj Qëndra e Klubeve Shqiptare në Stamboll kërkon që të bëhet e pamundura për të bindur të dërguarit e Qeverisë turke se vendimi i shqiptarëve është një i vetëm, i marrë pa mëdyshje, në përputhje me vullnetin e të gjithëve, me veçoritë e gjuhës, me traditën shumëvjeçare të kulturës e të botimeve. Ky është koncepti i letrës së dytë që përpilohet nga Mustafa Kruja e shpërndahet në të gjithë prefekturën e Durrësit, që ka për synim bindjen e të dërguarve të qeverisë turke se zgjedhja e shqiptarëve është bërë, se gjuha e tyre do të shkruhet me gërmat latine, se ky është interesi i përbashkët i tyre dhe i Mbretërisë. Thelbi i impiantit mbrojtës të kësaj teze përmblidhet në frazat e mëposhtëme:

" Na jemi krejt të bindun se kombsija shqiptare mund të qëndrojë vetëm tue u pështetun në mbretnín othomane, se qëndrimi i ksaj mbretnije n'Evropë âsht i mundshëm vetëm me përparimin e kombit shqiptar, se ky përparim nuk mund të vije veçse prej arsimit e se mâ në fund arsimi mund të përhapet ndër Shqiptarë vetëm me anën e gjuhës shqipe të shkrueme me shkrolat e veta qi po përdoren ka tash 40 vjet e këndej. Âsht për t'u gzue pra qi Qeverija, sado vonë, sod po duket sikur e ka kuptue këtë të vërtetë e këtë nevojë të madhe tue marrë masa me futun ndër shkolla t'ona fillore si gjuhë mësimi atê të vêndit.... "

Në pamje të parë argumenti i përdorur duket në kundërshtim me frymën dhe qëllimin e dokumentit, mbasi niset e shtjellohet në funksion të interesit të Mbretërisë turke n'Evropë. Në fakt është një formë e stërholluar demagogjie, që i përgjigjet flakë për flakë synimeve të këqija e tinzare të autoriteteve turke, që shprehen në mjegullnajën që ofron vendimi i Qeverisë. Ajo e din mirë se shqiptarët në Manastir, tre vjet më parë, kanë marrë një vendim të miratuar në nivel elitar e mbarë kombëtar. Turqit e Rinj kërkojnë t'i veshin qyrkun "demokratik" synimeve të tyre aspak demokratike. Ata e dinë mirë se, edhe në demokracitë e përparuara, çështje madhore të qenësisë së një kombi, siç është gjuha, nuk vendosen me vota populli, por me gjykime të peshuara kompetentësh. Këto gjykime shqiptarët i kanë shtjelluar e miratuar në Kongresin e Manastirit, por Qeveria turke kërkon të riverë gjithshka në lojë, për t'i përmbysur ato në dobi të projektit të saj. Kësaj mbrapaskene qëllimore ishte e drejtë t'i përgjigjej me të njëjtën demagogji, për të arritur synimin, jo nëpërmjet kundërshtimit të hapur, që mund të instrumentalizohej si kundërshtetëror e kundër mysliman, por mbrojtjes së projektit shqiptar, duke e paraqitur atë si një mburojë të interesave të larta të Mbretërisë.

Nuk mund të ketë fitore politike pa vënë në punë me zgjuarsi diplomacinë; mendoj se është ky mesazhi më i fortë që na vjen nga këta dy dokumenta që botohen sot.

28 nânduer 1911

 

Mustafa Kruja për misjonin e dërguem prej Stambolli. Koncept deklarate. Tyrqisht. Mbi shkrolat shqipe.1

 

Z. Inspektorit

Zotní i ndershëm,

Kur ndëgjuem se Z. e Juej do t'urdhnojshi deri ndër këto viset t'ona për me ndie drejtpërdrejt me veshët t'Uej e n'emën të Qeverís nji deshir të madh t'onin, nji deshir qi për né âsht përmbi gjithça në këtë botë, edhe u gzuem edhe -me thânë të drejtën e Zotit- nuk mundëm t'a ndalim veten nga dyshimi. Ndodhít e mëndershme të djeshme pikturojshin para syvet t'anë kadra të zeza ku shihshim vorrimin e gjithë shpresavet të shpërthyeme prej zêmravet t'ona me shpalljen e Kushtetís, qi patëm kujtue se ishte nji me legalitet; kadra qi na bâjshin me e qujtun rrênse çdo gjâ qi të na ndiejshin veshët e të na shihshin swt për me na ngjallë prap ato shpresa. Por mbasi na e dijmë e jemi të bindun se durimi âsht nji vërtyt i madh, le të besojmë edhe nji herë në nji sinqeritet e në nji vullnet të mirë, le të shpresojmë edhe për do kohë qi deshiret e drejtat t'ona kanë me u ndëgjue e me u çue në vênd.

Zotní i ndershëm! Nji ndër të mirat mâ të çëmueshme qi vetë natyra i ka falë njeriut âsht fjala, e pra nji ndër të drejtat e natyrshme mâ të shênjta qi ka njeriu âsht lirija e gjuhës amtare. Sikurse e dijni edhe Z. e Juej, nji gjuhë nuk mund të jetë e sigurtë se rron në qoftë se nuk shkruhet, as qi mund të shërbejë ndryshe si nji mjet qytetnimi. Kjo âsht arsyeja për të cilën na, qyshë ditën qi e quejmë veten të lirë, po bërtasim: "Mos të na preket gjuha! Mos të na dhunohet lirija e shkrimit e e mësimit të saj...."

Zotní i ndershëm! Sadoqi mënyra e shkrimit të gjuhës s'onë ka zânë vênd kryekëput ka gati nji gjymsë shekulli e sadoqi me atë shkrim deri tashti janë hartue e përpilue sa e sa vepra, fakte këto qi provojnë se ai âsht për gjuhën t'onë mâ i përshtaçmi, mâ i lehti, me gjthë këtê me të shtymen e anmiqvet t'anë e të Mbretnís e si tue dashun me u tallë me ndiesít fetare të popullit të thjeshtë e të padijshëm, dikush na qiti përpara edhe shkrolat arabishte, tue i quejtun me këtë emën absurd: "shkrola islamike"! Neve s'na çudit as aktiviteti i atyne qi na duen të keqen, as fakti qi të gjindet nji qeverí, e cila tue u bâmë viktimë e atij aktiviteti, t'u hapë anmiqvet dyert e nji pjese të madhe t'atdheut të dashun. Ajo qi na shtyn neve në deshprimin mâ të plotë âsht vazhdimi i ksaj gjêndjeje.

Zotní i ndershëm! Na jemi krejt të bindun se kombsija shqiptare mund të qëndrojë vetëm tue u pështetun në mbretnín othomane, se qëndrimi i ksaj mbretnije n'Evropë âsht i mundshëm vetëm me përparimin e kombit shqiptar, se ky përparim nuk mund të vijë veçse prej arsimit e se mâ në fund arsimi mund të përhapet ndër Shqiptarë vetëm me anën e gjuhës shqipe të shkrueme me shkrolat e veta qi po përdoren ka tash 40 vjet e këndej. Âsht për t'u gzue pra qi Qeverija, sado vonë, sod po duket sikur e ka kuptue këtë të vërtetë e këtë nevojë të madhe tue marrë masa me futun ndër shkolla t'ona fillore si gjuhë mësimi atê të vêndit. Tash po shpresojmë e po urojmë qi premtimi të bâhet sa mâ parë vepër e qi vêndimi i Qeverís të zbatohet pa tjetër në vjetin shkolluer qi kemi përpara.

Zotní i ndershëm! Zotnija e Juej e ka marrë vesht hollë deri këtu se na shqipen t'onë duem t'a shkruejmë me gërmat latine, qi tashmâ për né janë bâmë kombtare. Por neve na e ka ânda me Ju diftue Z. s'Uej, sado shkurt, edhe arsyet e këtij pëlqimi e vêndimi. Këto arsye janë:

1. Shkrolat t'ona janë përdorun ka pothue nji gjymsë shekulli dhe sod gati se kanë mbërrîmë në nji shkallë të përsosun. Mb'anë tjetër edhe vetë kundrështarët t'anë e pohojnë se gërmat arabike ashtu siç janë nuk i përshtaten gjuhës s'onë. Âsht për t'u dyshue fort mbandej në se mund të bâhen krejt të përshtaçme për tê edhe tue u ndryshue e reformue. Por edhe sikur kjo t'ishte nji punë qi bâhet, merret vesht lehtë se ka nevojë për nji kohë tepër të gjatë e kjo provohet edhe me gjêndjen e mjerueshme në të cilën ndodhet sod orthografija tyrke me nji jetë shekullore.

2. Gërmat t'ona janë të dame e uniforme. N'atë kohë qi kishte me i u dashun nxânsit t'onë për me i hwmë në trû qinda formash të shkrolavet arabishte, me të vetat ai kishte me nxânë me këndue mâ së miri.

3. Gjith ky ndryshim në mes të dy sistemeve të shkrimit shfaqet edhe në shtyp.

4. S'ka asnji dyshim se shkrolat arabishte, të quejtuna për mâ tepër edhe islamike, nuk mund t'u pëlqejnë Shqiptarvet të krishtênë. Pasojat qi kishin me rrjedhun prej këtij fakti janë shumë të këqija për mbretnín othomane. Këto pasoja Ju i kuptoni vetë fare bukur e na po kufizohemi në nji të cekun të vetëm në lakmít e popujve fqinj për krahinat t'ona të banueme me të krishtênë në sheshin e voliçëm qi do të përgatitte për ta nji grindje e kotë shkrolash.

Qe, Zotní, këto janë arsyet mâ kryesore e mâ të fuqishme të pëlqimit t'onë ndaj shkrolat kombtare. Qëllimi i ynë me këto spjegime âsht vetëm me Ju diftue se çâshtja e jonë pështetet në nji bindje të vërtetë me themela të patundëshëm. Urojmë pra qi Qeverija e jonë të qëndrojë në kët'udhë, sikurse e lypin e drejta, drejtija dhe interesat e vërteta t'atdheut, e sidomos qi Z. e Juej të ketë nji sukses të plotë në këtë barrë qi ka marrë përmbi vete.

 

" Qendr' e Klubevet' Diturís shqip", nga Stambolli, Mustafa Krujës, në Durrës. Qarkore zyrtare. Shqip. Mbi nji Misjon qi dërgon Qeverrija në Shqipní për të hetuem se me cilat shkrola i don populli shkollat shqipe.

 

QENDER' E KLUBEVET DITURIS SHQIP - STAMBOLL

 

I dashur Zot,

Me anë të ksaj letre vij t'u ap një lajmë që do t'u mbushnjë zëmrën plot gas. Qeverija në këshillët të Ministorëvet vëndosi që shkollat e para (ibtidaije) që jan në Shqipëri t'i kthenjë në gjuhë shqip.

Për këtë qëllim dy zotërinj, Xhevdet dhe Hamid bejër, po nisenë këto dit, njëri prej tyre do të vejë në Shqipëri të poshme dhe tjatri në Shqipëri të sipërme.

Vëndimi i qeverisë është që gjuha shqip të mësohet me ato shkronja që të dojë populli: do me thënë me shkronja shqip atje ku e duanë kështu dhe me arabisht në qoftë se e duan dhe me këto shkronja. Mësonjësit e shkollës do të kenë një rrogë që më 300 e gjer më 600 grosh. Në për shkollat do të ketë dhe një hoxhë veçan për mësimet fetare.

Me qënë se sot për sot s'do të gjënden aqë mësonjës sa duhen qeverija do të zgjedhë zotërinj që të venë të mësojnë gjuhën shqipe më një resht të veçantë që do të çelet në shkollat normale të vilajetevet, këta mësonjës gjersa të stërviten në gjuhët shqipe do të ushqehen prej Qeverisë.

Këshill e Ministorëvet ka vëndosur që të bëjë godí (bina) të ra për shkolla atje ku nuk ka fare, dhe të ndreqnjë të vjetratë.

Pas vendimit gjithë shkollat do të kenë një program të vetëm edhe libratë shkollorë do t'u epenë pa të holla nxënëset. Qeverija po merr masa për të shtypurë një orë më parë librat e nevojshime.

Me qënë se këta dy zotërinj, pas rregullores q'u është dhënë kanë fuqi të plottë dhe do të merenë ata vetëm me këtë punë të shkollavet, u lutem që t'i epni gjithë rëndësinë që ka kësaj pune dhe të përpiqi me gjithë shpirt duke pjekurë me të dërguarët e qeverisë që të muntnjë të marë një funt të mirë kjo punë që na mbush shpresatë dhe dëshirat e kaqë kohe.

Pritni u lutem të falat e mija me nder

Stamboll 28 Vjesht e tretë 327-911

Kryetar i Klubit Qentral

Abdyl Ypi

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora