E diele, 28.04.2024, 11:17 AM (GMT+1)

Kulturë

Xheladin Mjeku: Ninullat e lirisë

E shtune, 11.12.2010, 07:35 PM


NINULLAT  E LIRISË

 

Hasan Hasani: “PRINCESHA E SHALËS”, poezi për fëmijë, botoi SHB “FAIK KONICA” - Prishtinë, 2010

 

Nga XHELADIN MJEKU

 

Me të marr në dorë këtë përmbledhje vjershash për fëmijë të Hasan Hasanit, kisha bindjen se, ashtu siç jemi mësuar të shtegtojmë gjatë në lojën e fjalës poetike me këngën, heroizmin dhe mesazhin e atdhedashurisë përmes figurave të ndryshme historike, legjendare apo edhe fytyra të botës kulturore – kombëtare do të rrugëtojmë vazhdës së tematikës dhe stilit të njohur të tij, por   këtë herë ndesha në atmosferë tjetër, duke prekur tema e ngjarje të shumta nga periudha e pasluftës heroike të UÇK-së dhe filleve të ndërtimit të jetës së re.  Hasan Hasanin e njohim si njërin ndër kontribuesit më të çmuar të letërsisë për fëmijë, i cili deri më tash botoi këta libra  për fëmijë: “Ajkuna e Rugovës”, “Rilindja”, Prishtinë, 1978; “Mici e topi”, “Rilindja”, Prishtinë, 1980; . “Tali i Budalinës”, “Rilindja”, Prishtinë, 1986; “Vallja e shkrimtarëve”, “Pionieri”, Prishtinë, 1993; “Ezopi e breshka”, “Pionieri”, Prishtinë, 1995; “Ylberi i shkronjave”, NGB “Druekart”, Prishtinë, 2000;  Shqipet e shqiponjës”, “Vatra”, Prishtinë, 2000; “Abetarja e UÇK-së”, “Vatra”, Prishtinë, 2005; dhe përmbledhjen në shqyrtim “Princesha e Shalës”, SHB “Faik Konica”, Prishtinë, 2010. Ky rrugëtim me vjershat e përmbledhura këtu na hap një faqe të re me tematikë të ngritjes së botës së re pas çlirimit, duke synuar ta adaptoj jetën e fëmijës me të renë dhe ndryshimet e jetës në ambiente të lirisë, gjithnjë duke kaluar mbi gërmadhat e luftës dhe me evokimet e një të keqeje të kthyer në histori, që trasoi rrugën e lirisë.

 

 

Komunikimi poetik me zërin e  Erjonës kurreshtare

 

          Ndonëse i shkruar me një frymë, pa ndarje ciklesh dhe ndonjë laramani temash pothuajse e tërë lënda poetike e këtij libri është e ndërtuar në formë poeme. Poezitë kanë një rrjedhje të ndërlidhur nga një ngjarje ne tjetrën, por që komunikojnë me gojën rrëfimtare të Ejonës. Edhe kur i këndon heronjëve, kur i viziton vendet historike të atdheut, edhe kur është me gjyshin, me shokët e shoqet në lojë, etj. ajo hareshëm e krijon ambientin e lojës së vargut poetikisht të realizuar nga dora mjeshtërore e Hasan Hasanit. Gjyshi në funksion të lojës është katalizator i proçeseve të zhvillimeve nëpër situata e ambientime të ndryshme, që në fakt është ngjyrimi më i këndshëm poetik në botën fëmijërore, duke i lidhur ngushtë me njëri-tjetrin, dy botërat më të bukura që krijojnë botën e gëzimeve, buzëqeshjeve, lojës e këngës së fëmijës.

          Bashkëbisedimi i vogëlushëve për luftën, vizitat e shumë vendeve të luftimeve të UÇK-së etj., e konstruktuar mbi bazën e  vizitave të Erjonës kurreshtare, bashkë me gjyshin e saj, nëpër disa vende të Kosovës, nëpër fshatra e qytete, ku u zhvilluan luftëra të ashpra me serbët gjatë viteve 1998 – 1999, ku kishin rënë shumë dëshmorë, por edhe shumë viktima të shkaktuara nga forcat serbe, të cilët të tmerruar  nga humbjet që pësonin nga forcat e UÇK-së, hakmerreshin ndaj civilëve të pambrojtur duke vrarë pleq, plaka, gra, fëmijë dhe të sëmurë; duke djegur e shkatërruar fshatra e qytete të shumta; duke i rrafshuar me tokë. Kështu, rrëfimi poetik ndërtohet mbi bazën e vizitave dhe dialogut,  duke krijuar mundësinë e përjetimit të çasteve  tepër interesante dhe mbresëlënëse.     Ajo ndërkohë këto mbresa i përcjell te shokët e shoqet e saj, si  Dreni, Olta, Dafina dhe Eriti, duke u dhënë tablo reale dhe një pasqyrim imagjinativo-poetik për Luftën Çlirimtare të UÇK-së dhe luftës heroike të saj.  Vjershat “A i ke vizituar shqipet”, “Erjona e gjyshi nëpër Kosovë”,Djepi me shqiponjë”, etj. dëshmojnë për këto ngjarje dhe protagonistët – çlirimtarët, si Adem Jashari, Baca Shaban dhe Hamza, Pastaj Fehmi e Xhevë Lladrovci, Luani, Shkëlzeni, Enveri, etj.  

 

 

Gjyshi në funksion të lojës dhe ndërtimit të mesazhit

                

        Nipërit dhe mbesat janë shumë të dashur për gjyshin  dhe gjyshen. Përrallat, shëtitjet me  ta,  përqafimet  janë fryma më e mirë e edukimit dhe afrimit shpirtërisht mes tyre, si një lidhje e fortë e pandashme as edhe për joshjet më të lezeçme me lloje çokolatash, siç jemi mësuar të përdorim fjalët në raste të këtilla. Në raste të veçanta mundet që gjyshi apo gjyshja të jenë shkrimtar, ku do të shkruajë vjersha e tregime për ta, siç ndodh edhe me autorin e librit “Princesha e Shalës”, Hasan Hasanin, i cili si ninulat kur këndohen për gjum të ëmbël, u thur vargje të shpirtit njomak dhe dashurisë prindore prej shumë dekadash, që bëjnë të ndihen të lidhur shpirtërisht edhe fëmijët-lexues, mbesat, nipërit dhe gjithë ata që takojnë këtë bukuri poetike. Ai në këtë libër si asnjëherë tjetër, u thur ninulat e lirisë, të ardhmërisë dhe jetës së re që po fillojnë pas një lufte të tmerrshme që kishte përfunduar.

        Vjershat e kësaj tematike, ku poeti  shkruan në cilësinë e gjyshit, ku mbesën e tij Erjonën, herë e quan princesha Erjonë, herën tjetër si  princesha e Shalës, i gjejmë në përmbledhjen “Princesha e Shalës”, të lidhura njëra pas tjetrës, që kujtojnë një poemë, përmes së cilës shëtit nëpër trojet e Kosovës heroike, për të mësuar për gjithçka rreth zhvillimeve të luftës së fundit dhe, në vigjilie të fillimeve të ndërtimit të atdheut, të takoj shokë e shoqe që po gatiten ta gëzojnë jetën në liri. Në funksion të këtyre frymëzimeve  poetike citojmë ardhjen  e Erjonës nga Shala në Prishtinë: “U gjallërua pallati/ Që erdhi Erjona,/ Gëzimi hyri n’shtëpi/ Gjer në orët e vona.” (“Nga Shala në Prishtinë”).

          Reflektimi i  dashurisë së gjyshit ndaj mbesës, shqetësimet e tij, pastaj telefonatat me celular, kur gjyshi e thërret Erjonën dhe anasjelltas Erjona flet me gjyshin e saj, etj. vijnë si rrjedhojë e vargjeve  të preferuara për fëmijë, që përkojnë realitetin kohor që tashmë po jetojmë.

        Në këtë libër  takojmë edhe pjesën e dhimbshme të pasojave të kësaj periudhe të përjetuar; diçka të dhimbshme,  prekëse dhe shtytëse për një mendim ndryshe për veset dhe defektet që mund të ndodhin në çdo shoqëri. Kjo temë tashmë e njohur edhe botërisht si një vepër e rëndë e dorës barbare, në këtë libër vjen përmes poezisë “Elonë, moj Elonë”, kushtuar voglushës Elona Krasniqit,  e rrëmbyer nga dorë kriminele dhe e vrarë në mënyrë barbare, ku autori shpreh  mllefin deri në mallkim, e herën tjetër të bënë kurioz që të përballesh me tërë forcën në evitimin e këtyre vetive të këqia. Fenomene të papara në shoqërinë tonë, por që edhe mund të ndodhin. Këto ngjarje doemos duhet të izolohen me të gjitha mjetet, pse jo edhe me edukimin dhe këshillimin e brezave edhe përmes komunikimit letrar zhanresh të ndryshme. Këtu takojmë një digë të ngritur mjeshtrisht nga pena e shkathtë dhe vigjilente e Hasan Hasanit.

         Kjo përmbledhje reflekton mënyrën e komunikimit të drejtpërdrejtë të gjyshit  me mbesën e tij, që shpreh afërinë midis tyre, komunikim të përditshëm e kuptimplotë, me mesazh të qartë, me gjuhë të kuptueshme të fëmijëve, kushte dhe detyra që duhet t’i plotësojë krijuesi  i letërsisë për fëmijë, në çdo gjini dhe tematikë të kapshme për imagjinatën e tyre.

 

 

Përmbyllja si vlerë që premton

 

       Mund të përfudojmë me vlerësimin se poezia për fëmijë e Hasan Hasanit karakterizohet me tematika të qëlluara dhe artistikisht të realizuara, qoftë nga historia, apo edhe nga përditshmëria, me frymëzime spontane, të rastit, por që koinçidojnë me faktet e përkatësisë së asaj periudhe që  shtjellohet. Përmes këtyre vargjeve, fëmijëve iu jepet mundësia që ta kuptojnë të kaluarën tonë, të largët dhe të afërt, të transmetohet edhe kujtimi i hidhur i një populli të robëruar me shekuj, siç ishte populli ynë. Këto poezi kanë edhe rolin e tyre edukues dhe mesazhe të shumta për botën fëmijërore, të realizuara  me një përkujdesje artistike. Duhet theksuar se Hasan Hasani vazhdimisht i qaset kërkimit të temave dhe  frymëzimeve të reja, të realizuara me pedantëri dhe sukses.  

      Veprat e Hasan Hasanit përshkohen me vlera të shumta ideo-artistike, ideo-estetike dhe  edukative.     Varësisht nga tematika, takojmë figurat stilistike, si: krahasimet, metaforat, simbolet, personifikime, rimat, etj. Edhe metafora, simboli e personifikimi janë të theksuara në krijimtarinë poetike për fëmijë të Hasan Hasanit. Përdorimi i figurave stilistike dhe metrikës arrijnë efekte të kënaqshme artistiko-letrare dhe bëjnë që të shquhet bukuria e vargut të këtij krijuesi të dëshmuar prej vitesh.

               Poezinë e Hasan Hasanit për fëmijë,  e kuptojmë si një begati letrare-artistike ku bashkëjeton tematika interesante dhe vargëzimi spontan dhe me një ngjyrim të ëmbël poetik e të kapshëm lehtë tek çdo shtresë e lexuesve, duke siguruar besueshmërinë e vazhdueshme të lexuesit.

                Shumllojshmëria tematike dhe motivore, imagjinata e poetit në kërkimin dhe  zbulimin e  botës së brenshme imagjinative dhe të virgjër të fëmijëve, stimulojnë edhe kritikën letrare për t’i studiuar dhe mbarështruar në rrafshin studimor  vlerat e  veprave të  shkrimtarit të mirënjohur , që shqyrtuam edhe këtu.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora