E diele, 28.04.2024, 12:29 PM (GMT+1)

Kulturë

Fan Noli: Rroftë Shqipëria! Rroftë kabineti i saj i parë!

E shtune, 11.12.2010, 08:02 PM


Letër Ismail Qemalit

 

(Dhjetor, 1912- shkurt 1913?)

The Norfolk Hotel

Surrey Street

Strand.W.C.

Fort të Nderçmit president të Guvernës provizore të Shqipërisë

Ismail Qemal Beut në Vlorë

 

Fort I nderçim Zot,

I dërguar si delegat i Shqiptarëve Ortodoksë t'Amerikës, qëndrova ca ditë në Londrë që të punoj sa të munt për Shqipërinë tonë të mierë, e cila ndodhet në çastet më kritike në histori të saj. Kur dolla në Londrë, kërkova nër gazetat lajmet gazmore të proklamatës s'indipendencës. Ju dërgova menjëherë një telegraf përgëzimi dhe tani e njoh për detyrë t'ju bëj një raport të përpjekjeve në metropojen e Inglisë si një krej të zgjedhur dhe të njohur prej popullit shqiptar.

Vajta te gjithë ambasadat dhe përhirova përfaqësojësit e fuqive mike të Shqipërisë dhe u bëra të njohur përfaqësonjësve të fuqive kundërshtare që një Shqipëri e lirë është një nevojë absolute për paqen e Ballkanit. Në ministori të Punëve të Jashtëme të Inglisë më priti nga ana e Ministrit z. Norman, të cilit i dëfteva dëshirën e gjithë popullit shqiptar dhe iu luta guvernës inglize të mos përmetojë mbytjen e një kombësie në këtë shekull qytetërie, por të ndihmojë për një Shqipëri të lirë, e cila do të jetë e vetëma shiguri për paqen e Ballkanit. Z. Norman, pas cesa fjalëve të mira, mu zotua që do ti bëjë një raport për pjekjen tonë Ministrit të Punëve të Jashtme Z.Sir Edward Grey. Si mbarova vizitat zyrtarishte, mora me rradhë gjithë zyrat e gazetave me rëndësi dhe fola më të djathtë e më të mëngjër. Veçanërisht u prita mirë në zyrë të gazetave "Daily Graphic" ku punon i njohuri shqiptarofil Z.Lucien Wolf, "Evening News" ku më priti me krahë hapur ish-konsulli inglis Z.h.C.Woods dhe "Times" ku një nga editorët e lajmeve më mbajti afro një orë duke më pyetur për punët e Shqipërisë.

Nukë do t'ju loth, dyke ju treguar vizitat e tjera nëpër njerës të veçantë.

Tani gëzohem shumë t'ju thom me shiguri që përshtypjet e mia nga këto vizita qenë më të mira se sa prisja. Natyrisht në vizitat zyrtarishte nuk dëgjova veç përgjigje të errëta që munt t'i kuptosh si të duash dhe s'kanë asnjë rëndësi. Po vura re edhe një gjë, e cila më dha shumë shpresa. Kudo që vajta i gjeta dyert të hapura, ndonëse s'jam veç një delegat i ca punëtorëve të Amerikës. Nga ana tjatër, në Ministori të Punëve të Jashtme të Inglisë Z.Norman më priti e më porcolli me një fisnikëri dhe një buzëqeshje e cila më theshte: "Më ndje që s'munt t'ju thom gjë prej gjëje sakt: po mos kij frikë. Jemi miq të Shqipërisë dhe do të përpiqemi ta çlirojmë".

Sa për vizitat e mia në zyrat e gazetave , munt t'ju them ato që dëgjova me veshët e mia. Dhe nga këto të gjitha përmblodha këto: Inglizët përgjithësisht nuk i duan serbët dhe grekët dhe simpathitë e tyre me pak përjashtime janë nga ana e shqipëtarëve. "Times" -i i të dielës që shkoi thoshte me fjalë të prera dhe të çkoqura: "Inglia kurrë do mos luftojë kundër Gjermanisë, Austrisë dhe Italisë për hatrin e serbëve, të cilët duan të robërojnë shqiptarët, se kjo luftë do të jetë kriminale për Englinë. Politika inglize që nga koha e Lord Salisbury-t dhe Lord Goschen-it qe indipendeca e Shqipërisë". Munt t'i shtoj këto shembëlla, po më duket që arrin t'ju them që janë aq shumë ata që shkruajnë mirë për Shqipërinë sa nuk di cilin të përhiroj më parë. Gazeta "Daily telegraph" botoi një korispondencë të gjatë ku përshkruante ceremoninë e proklamatës së indipendencës që më bëri të derdh lotë prej gazit.

Shkurt, gjeta aq mirëdashës këtu që më përkëdhelë veshin dyke më thënë që i duan shqipëtarët, se janë një racë e hieshme dhe fisnike sa nuk më iket së këtejmi, ndonëse Londra është një qytet i mvrojtur, ku s'sheh kurrë diellin me sy. Nga ana tjetër, ish-konsulli inglis Z.H.C.Woods, më tha që të pres dhe të piqem me delegatët e paqes. Besoj që kabineti juaj të ketë biseduar nevojën e një delegati zyrtar të guvernës provizore të Shqipërisë në Londrë në këto rasjera.

Nofta orën që shkruaj delegati të jetë nisur. Në u nis nonjë do të rri që t'i ndih me atë Inglishte të pakë që di. Në mos u nis, niseni menjëherë dhe telegrafisni të dal ta pres. Në mos kini njeri për të dërguar, s'pres veç të më urdhëroni dhe do ta kem për nder dhe do t'jua di për të mirë që t'i shërbej vendit tim në një luftë për jetë a vdekje. Në është nevojë të ndodhem në Shqipëri, ju lutem shumë epmëni zë që të nisem menjëherë. Do të pres gjersa të më urdhërojë guverna e atdehut ç'udhë të marr.

 

Dyke përgëzuar nxehtësisht Zotërinë tuaj, si dhe gjithë Zotërinjtë shokë të kabinetit të parë të Shqipërisë për veprën tuaj patriotike dhe historike të shkëlqyer, thërras "Rroftë Shqipëria! Rroftë kabineti i saj i parë!" dhe mbetem

 

Shërbëtori juaj

+F.S.Noli

Norfolk Hotel, Surrey St.

Strad, W.C.

London

 

Mid'hat Frashëri

Si u bë kongresi i Vlorës

 

(Letër nga Vlora)

 

I dashur Kristo,

 

Nga Shkupi të shkrova, them ta kesh marrë. Dola nga ay qytet ditën që filloi luftën Serbia d.m.th., më 3 (16) të muajt që doli dhe shkova nga Mitrovica në Ipek (Pejë), Gjakovë, Has, Tejdrin, Mirditë, Kurbin, Tiranë, Durrës, Elbasan dhe nga Elbasani arthçë këtu. Në Kosovë (d.m.th.,prej Peje, Gjakove, Gucie dhe Plave me tre shokë të tjerë mora letër me nënshkrime të parësisë për të treguar që jemi mëkëmbësit e tyre për çdo gjë që bëjmë për Shqipërinë. Kur erthmë në Tiranë, qëllimi ynë ish të bënim një kongres kombiar me ndihmë të Abdi bej Toptanit, se kishim bërë fjalë edhe me kapidanin e Abatin e Mirditës. Por kur arritmë ne, gjetëm letrën e Surja be Vlorës, i cili e kish ftuar parësinë më një mbledhje. U gëzuam se kështu e gjenim gati punën. N'Elbasan donja që të bëhej ay qytet si vent i mbledhjes, po atje na erdhi tejshkrimi i Ismail Qemalit, që na lajmëronte se do të dalë në Vlorë dhe ftonte botën me një mbledhje. Edhe pas pakë ditësh arriti në Durrës, bashkë me delegatët e Bukureshtit dhe Gurakuqin. Nga Durrësi, gjithë delegatët e ardhur dhe t'atyre viseve, vanë në Vlorë, ku dhe unë vajta me shokët e Elbasanit.

Kongresi u çel më 15/28 të këtij muaji dhe ishin 47 delegatë nga çdo anë e Shqipërisë, vise të shkelur e të pashkelur. Sot jemi 67, se kanë ardhur dhe nga vende të tjerë.

Atë ditë, pra ora 11.1/2 allaturka (2.1/2 allafrënga) me zë të përgjithshëm u proklamua Indipenedenca e Shqipërisë dhe flamuri u çel në portë të shtëpisë ku ishim mbledhur (shtëpi e Xhemil Beut).

Ngjarjet që kanë rrjedhur q'atëhere do t'i kesh kënduar në gazetat. Sot kemi pushim lufte me të tre shtetet. Vetëm Greqia po lufton në Janinë, ka nxjerrë dhe ushtarë në Sarandë, po tanët kanë zënë Delvinën dhe është shpresë që ata të mos përparojnë; edhe në Himarë janë nja 400 grekë, po shqiptarët kanë zënë Dukatin, Vranishtin e Kuçin dhe grekët s'bëjnë dot asnjë çap.

Qeverisja shqiptare është në tërë Gjirokastrën dhe gjer në Durrës Kongresi zgjodhi me zë të fshehtë kabinetin më 21 të muajit dhe fituan: Ismail Qemali kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, Mehmed pashë Kallkandeleni- Ministër i Luftës; P. Poga Gjirokastra-Ministër i Drejtësisë, Myfit bej Libohova- i.P. të Brendëshme, L.Gurakuqi- i Arsimit, Abdi bej Toptani- i Financës, Pandeli Cale - i Bujqësisë, Mid'hat Frashëri - i P.të Përgjithëshme, Lef Noni- i Postavet.

Atë ditë u zgjodh edhe një Këshill' e Kombit prej 18 vetash, të cilët do t'i ndihin qeverisë dhe do të kontrollojnë.

Për dy a tri ditë do të nisen delegatët për n'Evropë që të mbrojnë të drejtat e qeverisjes së re.

 

Vlorë, 10 dhjetor 1912

Të fala, L.S 



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora