E shtune, 27.04.2024, 08:31 PM (GMT+1)

Kulturë

Flet telekronisti i RTSH-së, për 25 vjet, mësuesi letërsisë, gazetari Xhelal Marku

E diele, 12.12.2010, 04:35 PM


TVSH-së, i duhen rreth 2-vjet, për të transmetuar filmimet e mia

Ja si këndoi me çifteli, minoritari nga Saranda

Takimi me Sali Berishën ndër më të bukurit

Koha për xhirim në minierë zgjaste aq sa ajo e një turni pune,pra 8-orë,

Ditët më të vështira dëbora e madhe e vitit 1985 dhe përmbytjet në vitin 1992

Kur dilnim nga galeritë pas kronikës,ishim të nxirë vetëm dhëmbët kishim të bardhë

Pse më pushuan kur nuk filmova një Antar të Byrosë Politike, Pali Miskën

Ç’farë ndodhi në rivarrimin e 15 viktimave të Qafës së Valmirit

Një burrë i qetë, i dashur i apasionuar pas kameras dhe gazetarisë. Mbi 25 vjet punë në këtë sektor, ai ka një fond xhirimesh që do tja kishte zilinë çdo television privat. Për çerek shekulli ai ka xhiruar  për rrethet Mirditë-Pukë në vendet më të vështira.

Nga Albert ZHOLI

Z. Xhelal, ju mbaruat për mësuesi, por u punësuat si telekronist në RTSH..Si erdhi ky emërim?

Kur u emërova në detyrën e telekronistit për rrethet:Mirditë-Pukë më 16 dhjetor te vitit 1974,isha vetëm 25 vjeç.Ky emërim më gjeti në fillimet e një pune plot pasion e përkushtim si mësues i letërsisë në gjimnazin ‘Bardhok Biba’ të qytetit të Rrëshenit.Ishte viti i dytë i punës në këtë profesion të bukur e fisnik,që e kisha nisur fill pas diplomimit në Fakultetin:Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës dhe sigurisht  në fillim nuk e prita mire këtë emrim, që më detyronte të lija profesionin e mësuesisë, për të cilin kisha investuar 16-vjet shkollim të pandërprerë . Do të niste kështu një punë e re për mua dhe në një profesion të ri-atë të gazetarit të RTSH-së me të cilin u lidhëm aq shumë, saqë e harrova mësuesinë . Dimensioni i kësaj pune më rrëmbeu me artin e vet, por dhe me peshën e përgjegjësinë e fjalës, që përfaqësonte në opinionin e kohës. Dhe, ecëm bashkë dorë për dore, për një çerek shekulli, përmes vështirësive,duke u ngjitur në lartësitë e profesionit të mrekullueshëm të gazetarit të televizionit.Nga lartësia e këtyre viteve, shoh një jetë përmes ekranit, ku lëvizin plot gjallëri, personazhet e kohës: minatorë e gjeologë, metalurgë e sharrëtarë, pemëtarë e barinj, mësues e mjekë të palodhur, por dhe sportistë e sportiste të dalluara. Një arkiv i gjërë e i pasur, që zë një vend të merituar në pasurinë me vlera të çmuara kombëtare të RTSH-së, ku tashmë njihem në opinion edhe si themelues i arkivit të Mirditës për TVSH-në, përgjat 25-viteve të punës në këtë Institucion . Është një pasuri arkivore e tillë, që sipas një përllogaritjeje, këtij Televizioni i duhen rreth 2-vjet, për ta transmetuar atë. Ndaj kam të drejtë të them :`` Pata fat,që isha gazetar dhe që kontribuova në një Media Kombëtare,siç është TVSH-ja``. Në këtë Institucion,unë u rrita,u kualifikova dhe u edukova me përgjegjësinë e punës së gazetarit e të kameras.Ndaj faleminderit RTSH ! Janë këto lidhje,që kanë lënë mbresa të forta tek unë.Mirënjohje dhe për Mirditën,që me aq dashuri më trajtoi,ndaj kam të drejtë ta konsideroj atë si vendlindjen time të dytë,pasi të parën e kam në Reç të Dibrës.

Vështirësitë e filmimeve në miniera, ku konsistonin dhe si realizoheshin?

Kisha  dëgjuar për punët e vështira në  miniera, por dhe kisha parë  disa procese  pune, që kryheshin jashtë galerive.Kureshtja ime ishte të filmoja punët brenda në galeri,ndaj planifikova një kronikë në Minierën e Kurbneshit.Ishte dimër i ’75-ës dhe në Kurbnesh si zakonisht bënte shumë ftohtë. Pasi zbrita nga autobuzi i linjës,biseda nisi me drejtues e specialistë të minierës,të cilët më ndihmuan për të filmuar në thellësitë e galerive.Ishte një përvojë e re për mua kjo, ndaj planifikova kronika edhe për minierat e tjera të Mirditës e të Pukës,që në atë kohë numroheshin plot 13 të tilla si:Kurbneshi,Spaçi, Tuçi, Qafë-Bari, Gurthi, Derveni, Kaçinari, Thirra, Maja e Madhe,Perlati e më vonë u rihap edhe Rubiku.Pranë e pranë minatorë e gjeologë, metalurgë, sharrëtarë e shoferë, që i jepnin jetë e gjallëri krahinës. Këta ishin personazhet e kronikave, reportazheve dhe emisioneve të mia,me të cilët u njoha dhe u miqësova duke bashkëpunuar me ta, gjatë gjithë kohës si korrespondent i RTSH-së, disa prej të cilëve i kujtoj edhe sot bashkë me detajet interesante të jetës së tyre.Më ka ngelur në kujtesë një episod nga një festë në mes të pyllit me gjeologët e Pukës,në Ditën e gjeologut,ku pata kënaqësinë të isha i ftuar prej tyre.Aty pranë punës,tek kampionet e mineraleve, krahas drekës, që e kishin përgatitur ata vetë,nisi edhe një shfaqje e improvizuar nga gjeologët, që e rriti atmosferën e festës së tyre.Por më interesantja e ditës ishte, kur një gjeolog nga Saranda, një mesoburrë, emrin e të cilit e kam harruar, mori në dorë një çifteli dhe filloi të luante mrekullisht,  si të ishte vetë Ndue Shyti.Ai kishte mbi 20-vjet,që punonte e jetonte me gjithë familje në Fushë-Arrëz të Pukës,ku ishte ambientuar e përshtatur aq shumë, sa ishte vështirë ta dalloje nga  vendasit.Në Sytë e tij lexohej jo vetëm përkushtimi për profesionin,por dhe dashuria

 për Pukën dhe pukjanët.Të tillë njerëz pasionantë e të sakrifices dhe pa pretendime i takoje kudo, në çdo sektor të jetës. Ata ishin frymëzimi ynë,ishin personazhet dhe miqtë më të mire të ekranit,të cilët do t`i ndiqnim edhe në majë të malit, pa përfillur vështirësitë dhe pengesat, që dilnin gjatë punës. Është  kënaqësi për mua, që nga karakteri i tyre i qëndresës përballë vështirësive, kam mësuar vazhdimisht, pasi puna jonë kishte plot lodhje e vështirësi si:ecje të gjata në këmbë dhe shpesh edhe përmes bores e shiut,sepse siç dihet ne ishim gazetarë,por që bënim edhe punën e operatorit me kamera.E thashë këtë fakt,sepse kam dëgjuar të flitet me habi nga ndonjë kameraman , se çfarë kanë bërë më shumë se ne telekronistët?! Po zotëri, kanë bërë. Kanë bërë regjinë dhe gazetarinë,që ty t`i bënin të tjerët,kanë bërë shpesh dhe ecjet në këmbë ,kur ti nuk lëvizje pa të ardhur makina tek shkallët e TVSH-së;e pse jo, kanë bërë edhe shkollë më shumë se ti.Është kjo arsye,që asnjë korrespondent i RTSH-së, nuk e ka filluar punën në këtë Institucion si marangoz apo si hidraulik,që më pas të mund të bëhej ndonjë;``Artist i Merituar`` apo ndonjë: ``Mjeshtër i Madh``-duke marrë tituj pa vepra, pa krijimtari.Është për t`u theksuar kjo, sepse ende s`kanë marrë tituj të tillë, mjeshtrat e vërtetë të  Ekranit të TVSH-së si: Virgjil Kule, Dhimitër Gjoka, Kiço Fotiadhi, Alfons Gurashi, Tefta Radi,Gazmir Shtino, Xhelil Aliu, Ndue Ukcama etj., të cilët opinioni i gjërë i publikut brenda e jashtë kufinjëve, i ka njohur dhe i respekton si ``Mjeshtra të Mëdhenj`` ,që me veprën e tyre i kanë  dhënë emër Radiotelevizionit Shqiptar në vite . Mirënjohje dhe për shkollën, që ata i kanë dhënë Medias shqiptare,gjatë gjithë kohës nëpërmjet Ekranit të vogël.Unë, por besoj dhe të gjithë të tjerët,kemi mësuar dhe kemi ç`të mësojmë nga përvoja e arti i punës së tyre të urtë e krijuese,që i ngjan atij kallirit plot kokrra,model i thjeshtësisë dhe kulturës qytetare.

Ku ishin vendet kryesore që ju xhironit apo zhvillonit intervista?

            Unë kam një jetë në media,plot 36-vjet,por më duhet të pohoj se mbresat e mia si telekronist përgjat 25-vjetëve në TVSH, me aktivitet në 7 rrethe të zones verilindore,si në: Mirditë, Pukë, Lezhë, Mat, Kurbin e Krujë, kanë qënë dhe mbeten vitet më mbresëlënëse, për vetë hapsirën që më krijonin njohjet dhe marrëdhëniet e mia me personazhet e punës dhe objektet e punës , pra : Minierat, fabrikat dhe uzinat e përpunimit të mineraleve, sektorët e përpunim-drurit e të gjeologjisë.Prioriteti që kishte industria nxjerrëse e përpunuese në atë kohë në jetën ekonomike të vendit,më detyronte  t`u rikthehesha shpesh këtyre sektorëve.Ndaj i kam njohur nga afër shumë minatorë,metalurgë e gjeologë,me të cilët pas kronikës apo reportazhit edhe kam festuar me ta,sidomos për festat e vitit të Ri,të cilët edhe në kufirin ndarës të viteve gjithmonë gjëndeshin në punë.Kështu, për çdo vit të Ri,pas ores 12-të të natës,kur derdhej llava e bakrit,përherë unë do të lija tavolinën time familjare për të filmuar metalurgët, që festa i gjente në punë.Saldatorë të viteve i kemi quajtur këta njerëz,që ishin modeli më perfekt  i sakrificës.Dhe pas kronikës,ishin metalurgët që më ftonin, për të vazhduar festën bashkë me ta,aty në mjediset e punës, me ushqimet që ata kishin marre nga shtëpia e tyre.Kështu i kishim festat ne telekronistët,larg tryezës familjare.Kujtoj që në mjaft raste për arsye pune ,jemi detyruar të lëmë edhe dasmat e shtëpisë.Ky ishte profesioni i telekronistit,me sakrifica të shumta,që kishin mall fëmijët të na shihnin në tavolinën familjare në ditët e festave.Por, kishte dhe kënaqësinë që të jepte ekrani me punën e bërë,me urimet që na jepnin herë pas here shikuesit e shumtë..Për të kuptuar këtë , po sjell në kujtesë vetëm punën,që duhej për të realizuar një kronikë në minierë.Koha për xhirim zgjaste aq sa ajo e një turni pune,pra 8-orë,sepse ishin shumë procese pune, që nga ndriçimi në frontin e prodhimit e deri tek shpimi i lagur dhe transporti nga thellësitë e galerive.Ndaj,kur dilnim nga galeritë pas kronikës,ishim të nxirë njëlloj si minatorët, ku vetëm dhëmbët kishim të bardhë.Në këto kushte,pas punës  trajtoheshim gjithmonë si minatorët : Bënim dushe,pinim qumështin e normës,merrnim rrezet e nevojshme etj. Dhe më pas kishte vlerat e veta edhe një drekë bashkë me minatorët,këta njerëz të sakrificës,që lanë jetën galerive,sepse sëmundja profesionale e silikozës ju preu jetën në mes (mosha mesatare e tyre nuk i kalonte të 40-tat ).Nderim për punën , kontributin dhe përkushtimin e tyre në zhvillimin e  ekonomisë së  vendit.

Si trajtoheshin gazeatët e televizionit në regjimin komunsit dhe si ishte përgatitja e tyre?

            Megjithse kushtet në përgjithësi ishin të vështira,duhet të pranojmë se kishim edhe trajtime . Për shembull telefonin dhe shtypin e përditshëm i kishim falas, paga ishte e mirë dhe kishim djeta të mjaftueshme për shërbimet. Kohët e fundit filloi të zgjidhej edhe problem i vështirë i transportit për disa rrethe.Duke vlerësuar terenin e vështirë që kisha,në vitet 80-të TVSH-ja mua më pajisi me motor tricikël, për të udhëtuar, që padyshim ishte një favour për punën dhe një trajtim ndryshe nga të tjerët . Kjo ndikoi edhe në cilësinë, sasinë dhe shpejtësinë e punës në television, ç`ka vërtetohet edhe me vlerësimet e larta ,që kam marrë në ato vite,si dhe me shkallën e lartë të kualifikimit, që fitova mbi bazën e punës së bërë . Padyshim që hop në punën time kanë qënë pasqyrimi me cilësi i ngjarjeve të mëdha si: zhdukja e pasojave të tërmetit në Lezhë në vitin 1979,ndërtimi i hekurudhës Milot-Rrëshen-Klos etj., për të cilat dhe jam dekoruar me urdhrin `Naim Frashëri`. Do të veçoja si momentet  më të vështira në punën time si gazetar : Izolimin e Mirditës nga dëbora e madhe e vitit 1985,si dhe Përmbytjet në këtë rreth në vitin 1992,ku u këputën ura,u prishën rrugë dhe furnizimi i popullsisë bëhej me kafshë ose me elikopter. Kujtoj se për arsye të bllokimit të rrugëve u vonua edhe informacioni në televizion,por të habit fakti që edhe kur shkoi kronika,redaktori dezhurn i ditës e transmetoi atë vetëm një herë në orën 16 dhe pastaj e hoqi nga transmetimi,duke e zhdukur si kronikë,që për shkak të tij, nuk u bë pjesë e arkivit të TVSH-së,duke humbur kështu një ngjarje të madhe!?Të tillë njerëz të  papërgjegjshëm i kemi pasur edhe drejtues në televizion,të cilët nuk njihnin as gjeografinë e Shqipërisë.

Pse më pushuan kur nuk filmova një Antar të Byrosë Politike

Duke sjell ndërmend këta tipa tipik të paaftëshish,që vetëm miqtë e tyre në Partinë e Punës i mbanin me nga 20 a 30 vjet pa lëvizur në institucione,dua t`ju kujtoj lexuesëve një ndodhi,që për sytë e qorrit desh u pushova nga puna.Bëhet fjalë për fillimet e viteve `80-të . Ishte koha kur qorrat e pushtetit të at`hershëm bënin ligjin për më të vegjëlit,siç ishim ne, që bënim punë të vështira . Një zv.shef redaksie kishte harruar të më njoftonte mua, për të shkuar në Pukë, për të pasqyruar veprimtaritë e një anëtari të Byrosë Politike Pali Miskën në këtë rreth , ndaj kur u analizua mospasqyrimi i këtyre veprimtarive,shefi pa sy, preferoj të më sakrifikonte mua,duke arsyetuar si sadist, se gjoja unë ishem njoftuar,por që nuk paskam dashur për të shkuar në detyrën e caktuar dhe kaq . Por, kur unë nuk paskam dashur të shkoj atje,pse nuk more masa të tjera ti dhe pastaj më analizo për përgjegjësitë që kisha?! Kuptohet ,ky qëndrim ishte sa tinzar aq edhe sadist për të shkarkuar përgjegjësitë mbi mua,që i përkisja një shtrese të pambrojtur.Në analizën, që u bë pa praninë time ,merret një masë ekstreme: Pushim nga puna.U përpoqa të takoja drejtorin e përgjithshëm të asaj kohe Thanas Nano,i cili i mbushur me informacion të rremë, nuk pranoi të  më dëgjonte në argumentet e mia për akuzën që më bëhej . Kështu mora pushimin nga puna,që do ta mbaj mend, si ngjarjen më të hidhur të jetës time.Çudia ndodhi më pas: Redaksia pranoi të bashkëpunonte me mua,megjithse marrëdhëniet financiare ishin ndërprerë.Kështu, vazhdoi situata për dy muaj : ku unë punoja,kronikat transmetoheshin me autorësinë time,shpërblehesha dhe me djeta,por që  isha i pushuar nga puna.Madje, unë punova aq shumë sa honoraret që merrja ishin gati sa një rrogë.Pra në ekran nuk ndjehej mungesa ime,përkundrazi shikuesit ndiqnin kronika dhe reportazhe mjaft cilësore,për të cilat merrja çdo ditë vlerësimet e tyre të sinqerta.Pas dy muajsh, unë pata fatin të takohesha vetë me Anëtarin e Byrosë  Politike, Pali Miskën në një aktivitet kombëtar për gjeologjinë, pasi ky ishte politikani, që  nuk u pasqyrua  në TVSH  gjatë veprimtarive që zhvilloi në rrethin e Pukës për festën e 28 Nëntorit.Pas prezantimit ,që bëri ish sekretari i parë i rrethit të Mirditës  Koço Orgocka,ai më falenderoj për punën e mirë që bëja në përgjithësi , por veçanërisht vlerësoi një reportazh për gjeologët , që kishte ndjekur   një natë më parë  në  televizion , por  kur mori vesh se unë isha i pushuar nga puna u habit . Si ka mundësi-u shpreh ai , kur ti  e çave ekranin me kronika çdo natë  ç`është kjo lojë-tha ai  dhe foli në telefon me ish drejtorin e përgjithshëm: Çajup Rusmali , i  cili zv. në ato ditë Thanas Nanon të saposhkarkuar nga detyra .Porosia e tij ishte që të kthehesha urgjent në detyrë dhe të shpërblehesha me një rrogë plus për punën që kisha bërë, në kushtet e ndërprerjes së marrëdhënieve financiare. Kështu mori fund poshtërsia e sajuar,ndërsa autori i këtij skenari, mori rrugët e fshatrave të malësisë,tashmë i larguar nga RTSH-ja.  

Çfarë do të veçoje tjetër nga puna juaj në RTSH?

Por, çudia përsëritet : Në vitin 1997, , Qorri bëhet drejtor i TVSH-së dhe atë që nuk e realizoi at`herë e bëri realitet duke qënë drejtor : Më largoi nga puna pa motivacion , me argumentin qorrazi, se unë paskam mundësi ekonomike të përballoj papunësinë!? Dhe që nga ajo kohë ,unë punova në televizionet private,që ishte një përvojë e re për mua ,ku unë shfaqa vlerat e mia profesionale , tashmë si konkurent i TVSH-së.Në vitin 2005 kërkova të kthehesha në TVSH,ku kisha punuar për 25-vjet , por më kot . Kësaj here e kishte zënë portën një tjetër merhum , ai që qorri e mori zv. të tij në 1997-tën , ekonomisti që më pas u bë drejtor kulture në Ministri nga miku i tij Edi Rama.Një njeri që ishte mësuar të digjte karta politike pas 90-tës . Më vjen keq për hallet me të cilat drejtues të tillë e kanë mbuluar këtë Institucion Gjigand Mediatik , që sot e konkurojnë  edhe ``kioskat mediatike`` . Pas 90-tës, veç Skënder Buçpapajt e Qemal Sakajevës e them me bindje se drejtori në RTSH, ka munguar,ndaj  gjëndja rëndohet vazhdimisht : punonjësit shtohen artificialisht për korrupsion  dhe puna bie çdo ditë, duke humbur shikueshmërinë në publik . Aty, tanimë, punojnë të paaftit , ata që i merr gjumi mbi kamera ,  apo gjatë drejtimit të emisionit , të cilin pa pikë modestie e vetvlerësojnë si më të shikuarin në TVSH ; punojnë gazetarë që janë pushuar më parë nga puna për dizinformim të opinionit publik , por dhe që janë dënuar nga drejtësia për aksident me pasojë vdekje; punojnë dhe drejtojnë ata, që lajm konsiderojnë atë që paguhet . Sjell një shembull : në lajme, një libër me kujtime të ish sekretarit të pare të një rrethi ,nën komentin e një shqipfolësi të rëndë , zë një hapsirë kohore dy herë më të madhe se sa një koment për veprën e kadaresë ! Tjetër : Një kronikë për gjuetinë , pranohet vetëm kur premtohet pagesë për të , bile atëherë drejtuesi thotë :`` Të bëhet speciale ``! Edhe një shembull tjetër : Në dy raste , që janë organizuar veprimtari  në vlerësim të punës time shumvjeçare në RTSH , ku nderohej së pari logo : ``TVSH``- Dejtoria e Aktualitetit nuk i është përgjigjur fare  ftesës së bërë nga organizatorët . Habi , por dhe keqardhje për formimin e tyre , sepse veprimtaritë u pasqyruan gjërësisht nga Mediat  e tjera të shkruara e vizive . Keqardhje për këtë institucion edhe për faktin , që këtu nuk e njohin fjalën : ``Reformë``. Ndaj , 50 përqind rrinë nëpër kafene , 20 përqind bëjnë sikur punojnë dhe vetëm  30 për qind janë të angazhuar në punë . Ky realitet tashmë dihet nga të gjithë , por anashkalohet , sepse drejtuesit kryesorë nuk kanë kurajon dhe aftësinë për t`u marrë me reformimin e RTSH-së . Ata kanë tjetër preokupim ...! Është kjo arsye , që sot figurat e njohura dhe më të shquara të këtij institucioni, janë larguar për të gjetur përshtatshmërinë profesionale .        

Dhe vitet e tranzicionit. Si ju gjetën dhe çfarë hapësirash nju ofruan nnë punë?

 Kujtoj këtu kronikën për zhvarrimin dhe më pas meshën e parë pas `67-tës , në shkurt të vitit 1992 , si dhe rivarrimin e 15 viktimave të Qafës së Valmirit , të pushkatuar me rastin e vrasjes së Bardhok Bibës , ku unë shmanga presionet dhe realizova një kronikë të vlerësuar për kohën . Ky mund të ketë  qënë dhe shkaku që më larguan nga puna në vitin 1997,sepse nën zë më kanë klasifikuar si autorin e parë të rivarrimeve ne Shqipëri . Në qoftë se është kështu ,  atëherë unë këtë  e  vlerëoj si nder që më është bërë dhe e theksoj se ka qënë zgjedhja ime e duhur . Po kaq i saktë kam qënë edhe në përpunimin e lajmit politik , si kur filmoja Berishën , Fatos Nanon apo ndonjë politikan tjetër . E megjiatë , duhet ta pranoj, që tranzicionin  e kam  vuajtur me dënime të padrejta : Në vitin 1997 , pushteti i së majtës më largoi nga puna pa motivacion , ku për 8 muaj deri sa u hapën TV-të private, isha pa punë . Pas kësaj kohe, kam punuar në televizionet private si : TVA,Koha Televizion etj.,ku fitova një përvojë të re pune , por që humba 6-vjet vjetërsi  , kur lekët për sigurimet në punë i kishin mbajtur rregullisht . Që nga viti 2005 e në vazhdim , unë kam kërkuar të kthehem në RTSH , ku kam punuar për rreth tri dekada , por nuk u arrit . Në këto kushte , jam detyruar të punoj me projektet e mia private , ku falë profesionit dhe aftësive të mia, jam ndjerë vazhdimisht  mirë . Kam qënë i  angazhuar  për relizimin e një dokumentari për vendlindjen time Reçin e Dibrës , të cilin e kam në përfundim , po punoj për sistemimin e shkrimeve të mia në vite,që do ti botoj në një libër, si dhe po punoj për  përgatitjen e një libri tjetër, që trajton figura të shquara të Reçit e të Dibrës . Pra , kuptohet që kam pasur plot punë dhe nuk jam ndjerë aspak i fyer nga refuzimi i RTSH-së lidhur me kërkesën time për t`u punësuar në këtë institucion . Madje kujtoj për lexuesit se gjatë kësaj periudhe , jam shpallur fitues i çmimit të pare në konkursin e krijimtarisë dibrane 2007, si dhe jam nderuar me titullin : ``Mirënjohje`` nga Bashkia Rrëshen për punën e bërë gjatë 25-viteve  si ish  korrespondent i saj në TVSH . Tani punoj në një Institucion qëndror , në profilin e punës së gazetarit  e të medias dhe jam shumë i kënaqur me vendin e punës që kam , por dhe me punën që bëj . Faleminderit !



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora