Kulturë
Vullnet Mato: Ngjyrat zhgënjyese
E merkure, 27.10.2010, 05:42 PM
Vullnet Mato
 
NGJYRAT ZHGËNJYESE
 
Kur isha kec  
në moshën e bardhë, 
thosha, dil mjekra ime,
të bëhem burrë! 
Të marr një faqemollë
me cicat dardhë,
ta bëj manare,
të mos më ndahet kurrë.
 
Të më flenë buzët
brenda frymës së saj, 
të bëj përnatë eklipsin
hëna nën diell.
Të bëj si fytyrën time,
tre kalamaj,
të më thonë, o babi !,
t’u them, o yje !...
 
Kur i bëra të tëra
këto marifete,
thosha, më ndihmo fat,
të ngop bijtë e uritur,
t’i vesh si prilli
lastarët me gjethe,
të bëhem lumë i tyre
për t’i vaditur.
 
Por fati nuk m’i dha
qeset me të holla,
ndonëse u rropata
për letra të ndershme,
duke rendur pas diplomave
nëpër shkolla,
kur paraja tinëzare
u bë më e vlefshme.
 
Dhe i zhgënjyer
në vjeshtën e moshës,
thosha, duhet shembur
ky kodosh shteti.
Po kur u shtrinë urat
mbi oqeanet e botës,
m’i rrufiti bijtë  
magnet kurbeti.
 
Pasi brodha kohët  
me ndryshime ngjyre,
dhe ndërrime emrash,
por huqet njësoj,
them, sa keq të vdes 
me kusarë mbi krye,
dhe me fatin koprrac
që më bojkotoi !...

 Facebook
 Facebook Twitter
 Twitter Google+
 Google+ Digg
 Digg










