Kulturë
Poezi nga Janaq Pani
E diele, 24.10.2010, 12:40 PM
 Janaq Pani
Janaq Pani
MOS LYP MË SHUMË
 
Mos lyp më shumë mik nga poeti
me fije zemre vargun e thurr
të mençurën fjalë qëmtoi e gjeti
ta veshë mendimin gjithë nur.
 
Me miq e shokë është i rrethuar,
por ndodh kur Muza i vjen pranë
larg botës rri krejt i veçuar
si i burgosuri në hapsanë.
 
Për vete Muza e do të tërin
e rob i saja ai do mbesë
për t'i dëgjuar zemrës zërin
si vetëtima në bark të resë.
 
Në ndodhtë fjala t'i zvetënohet
sa thellë e ndjen atë poeti,
gjithçka në shpirt nis i rrënohet
porsi gërmadhat e një rrëmeti...
 
 ME MALL FËMIJE DO TROKIT
 
Sa kishte mbushur të dhjetë vitet
e rritej porsi një lastar
që lartësisë kërkon të ngjitet
me shpirt të dlirë qelibar.
 
Dhe librin kishte shok të mirë
e linte mendjen mbas një poeti,
se varg i tija ëmbëlsirë
në krah e mirr si fllade deti.
 
Mërgoi poeti, eh atë ditë
plot miq e shokë u ndjenë zhgënjyer,
por vogëlushes iu mbushën sytë
e mërmëriti e ngashëryer:
 
"Do na mungosh, xhaxhi, sa shumë,
si çerdhe zogu që zogj nuk rrit,
te kjo dritare do vij shpesh unë
me mall fëmije do të trokit..."

 Facebook
 Facebook Twitter
 Twitter Google+
 Google+ Digg
 Digg










