E enjte, 08.05.2025, 08:12 PM (GMT+1)

Mendime

Shaban Peraj: Mozaik pothuajse i njëjtë

E hene, 18.10.2010, 09:58 PM


Mozaik pothuajse i njëjtë

 

Shkruan: Shaban Peraj

 

Kaluan edhe këto zgjedhje lokale për parlamentin lokal të Ulqinit dhe tash çdo gjë dihet. Dihet se sipas rezultateve preliminare Forca e Re Demokratike-Forca ka fituar 11 mandate, koalicioni UDSH-PPD, 10 mandate, PDS, 7 mandate, partitë proserbe 2 mandate, SDP, 2 mandate dhe Lëvizja Qytetare-Perspektiva 1 mandat.Edhe në këtë fushatë elektorale beteja më e madhe në mes të këtyre subjektteve politike u zhvillua në Anë të Mali, territor ky i banuar kryesisht me popullatë autoktone shqiptare.Shikuar nga përfaqësimi i këtyre subjeteve politike mozaiku politik duket pothuajse i njëjtë me atë të zgjedhjeve të 23 majit ku prijësit e këtyre subjekteve nuk arritën të formojnë pushtetin e ri. Si do të pozicionohen tani pas këtyre zgjedhjeve të përsëritura mbetet të shohim në ditët në vazhdim pasi këtu mund të ndodhin edhe befasi. Ajo që duhet analizuar në analet e politikës vendore është:  kush çka premtoi, kush sa shpenzoi dhe mjetet e kujt, kush luajti me dinjitetin e votuesit, kush...? Do të ishte e ndershme dhe korrekte për ata që gjatë fushatës elektorale dhanë çimento, drita, asfalt e para që të dalin me hesape të qarta para opinionit duke sqaruar se ka i kanë marrë mjetet për të mbuluar shpenzimet pa kritere. Për të gjitha këto duhet dhënë përgjigje dhe i takon kuvendit të ri  që menjëherë të kërkojë sqarime e për t’i dhënë zgjidhje kësaj dukurie aspak pozitive në një shoqëri që pretendon të përqafojë demokracinë. Ky është tashmë realitet i krijuar nga kokat e atyre që vepruan, e atyre që njollosën këtë tokë të bekuar me çimento, asfalt, drita, premtime boshe për vende të punës, duke lënë anash për momentin probleme të ndryshme e të pazgjidhura arsimore, ekonomike, sociale, tek e fundit edhe morale që nuk përkojnë me traditën tonë.

Të gjithë ata që folën, që premtuan kanë barrën  kryesore për të ndryshuar diçka, ndryshe votuesve (ashtu siç votuan) u mbetet vetëm të shpresojnë e t’u gëzohen premtimeve, premtime që nuk do të realizohen kurrë nga fakti se nuk do të kenë mjete, se ata i shpenzuan gjatë fushatës elektorale, por një gjë dihet, të punësuarit vështirë të shohin ditë më të mira, vështirë të besojnë në udhëheqësit e rinj të cilët luajtën me mjete të taksapaguesve dhe pa dhimbje shkelën çdo gjë, ndaj pasojat e një krize të krijuar pikërisht nga ata vetë nuk do të eliminohen kurrë. Ky është realiteti ynë, këtë realitet duhet shikuar në sy, dhe për këtë duhet diskutuar e debatuar ata që do ulen në parlamentin e ri lokal, ndryshe na kanë zhytur në gënjeshtra dhe vështirë të dalim nga kjo situatë.Gënjeshtra na është bërë pjesë e pandashme e realitetit tonë, dhe kjo shprehi negative na përcjellë tash e 20 vjet të pluralizmit politik. Tani votuesit kanë rastin të binden se nga premtimet e ndihmat e dhëna nuk ka asgjë. Jeta vazhdon dhe duhet jetuar edhe pas zgjedhjeve tashmë me një realitet të njëjtë, sikur edhe para zgjedhjeve. Të gjithë këta, të prirur nga principet e dallavereve suksesin më të madh  e arritën me ndarje e përçarje, ani pse gojët e tyre ishin plotë fjalë për bashkim. Po kush me ke të bashkohet në këto rrethana, kur të gjithë kërkuan votën për të qenë të parët, kush kujt t’i besojnë për të lëshuar privilgjet e ëndërruara, këta janë dëshmuar për gjithçka, vota e qytetarit i vendosi aty ku i vendosi dhe ne duhet të rënkojmë, të presim e të vajtojmë për vitet në vazhdim! Tani, me ose pa fajin tonë të bëjmë sehir për sukseset e paqena e për mrekullitë që duhet të presim e të shpresojmë se do të ndodhin nga pushtetarët që do të vendosën në parlamentin e ri. Është kohë dimri dhe kjo na lejon të jemi më komodë për biseda, për të analizuar premtimet e dhëna për zbutjen e situatës së mjerueshme ekonomike të qytetarëve, sa janë zvogluar dukuritë e shëmtuara në shoqëri, dhe kur këtë ta bëjmë, rezultati do të na dalë zero. Zero produktivitet, zero investime, zero kulturë,zero... dhe këtë situatë do ta ndjejnë vetëm qytetari nga këta pushtetarë që nuk lanë gurë pa lëvizur e lëmoshë pa kërkuar vetëm e vetëm të qëndrojnë në poste të pameritura. Kjo është klasa politike e jona e cila mbi vuajtjet e qytetarëve të rëndomtë ndërton lumturinë e saj. Si do që të jetë, jemi të vetëdijshëm se ka edhe shumë argumente të tjerë që na bëjnë me dije se gabimet paraprake do t’i paguaj populli, ndaj jemi të detyruar të jemi të dënuar, këtë e bëmë ne me dorën tonë. Në jetën politike të Ulqinit ka deformime ku gjetja e mekanizmave që realisht do të ndihmojnë për të zvogluar këto fenomene mvaret nga qasja që do të bëjë legjislacioni i ri. Një rrugë për të dalë nga kjo situatë duhet gjetur, dhe ate nuk mund ta bëjë kaska e vjetër, por brezi i ri për të ndryshuar kulturën politike të shqiptarëve të këtueshëm. Për këtë duhet pasur durim, këto janë procese afatgjate. Dështimi që u ndodhi subjekteve politike shqiptare kërkon analiza, transparencë me argumente për gjetjen e të vërtetës nëse arrihet ndonjë koalicion i mundshëm paszgjedhor. Tani që fushata elektorale ka përfunduar, tani që zgjedhjet e përsëritura përfunduan është normale që të dëgjojmë nga bartësit e listave fjalë miradie për votuesit, nga ata që fituan, por edhe kritika, vërejtje për mënyrën se si rrodhi procesi zgjedhor nga ata që janë të pakënaqur me rezultatin e zgjedhjeve, dhe ky përfundim do të bëhet nga liderët e partive politike (nëse i bëjnë ndonjëherë) për të nxjerrë shkaqet dhe përgjegjësitë.



(Vota: 6 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx