E hene, 29.04.2024, 08:08 AM (GMT+1)

Kulturë

Kujtim Agalliu: Konkurencë

E hene, 27.09.2010, 08:14 PM


KUJTIM AGALLIU

 

KONKURENCË

 

Tregim

 

Ne e lamë pas aeroportin “Nënë Tereza” ende pa u nisur avioni. Ora ishte pesë pa një çerek. Agimi ishte ende larg. Shihja sytë e tim biri që ishin zvogëluar nga pagjumësia. Më erdhi keq për të se kishim udhëtuar gjithë natën pa vënë gjumë në sy.

- Si thua, - e pyeta. – duron dot deri në Tiranë e të ulemi e të pimë ndonjë kafe që të marrim veten?

- S’ka problem, - m’u përgjigj. – pak rrugë kemi për të bërë dhe ja, arritëm.

- Kam merak, or bir, se nga pagjumësia çfarë nuk mund të ndodh, larg qoftë!

Ai vuri buzën në gaz dhe vazhdoi të ec i qetë, pa e përfillur merakun tim. Në më pak se një gjysmë ore, hymë më kryeqytet.

- Mundohu të na gjesh ndonjë lokal nate. - e porosita. – Çlodhemi sa të të kalojë gjumi ty dhe nisemi për në shtëpi.

Djali tundi kokën dhe ndërsa unë prisja t’i binte rrugës drejt e nga “Zogu i Zi”, ai ktheu djathtas për nga Tirana e Re. Nuk më erdhi mirë se mendoja që ajo zonë e kryeqytetit është e fjetur në këtë orë të hershme. Por ai e njihte mirë këtë anë se kishte punuar vetë dikur. Pasi mori kthesën në krye të rrugës, u kthye përsëri në të njëjtën rrugë, por në krah të kundërt. Ishim me fat: dy lokale pranë e paranë ishin të hapur. Te i pari kishte mjaft kallaballëk dhe ai gumëzhinte nga një grup të rinjsh që nuk e mora vesh pse ndodheshin aty kaq herët, ndaj u ulëm në atë biçim verande që kishte pushtuar trotuarin, tek tjetri, pranë tij.

Unë porosita një raki dhe një kafe, kurse im bir, thjesht një ekspres. Filluam të pimë ngeshëm me mendje që të prisnim sa të zbardhte dita. Isha ulur përballë banakut me shpinë nga rruga. Djalin e kisha përballë vetes me vështrim nga rruga. 

Edhe pse ishim në kryeqytet, përreth asgjë nuk pipëtinte veç zërave të klientëve të paktë dhe uturima e ndonjë makine të rastit. Ndërsa ishim duke rrufitur kafetë në qejfin tonë, pas shpinës sime erdhi një ulërimë therëse e një qeni rrugësh që grisi agsholin. Isha me kurriz nga rruga dhe veç ulërimës nuk kisha parë asgjë, ndaj kur ktheve kokën andej vura re një goxha qen që ecte me kokën ulur dhe me këmbët që i kalamendeshin.

- Ç’pati? - pyeta djalin ngaqë ai ishte përballë rrugës.

- E qëlloi një mbledhës mbeturinash me shqelm, - ma ktheu ai pa asnjë farë interesi.

Hoqa sytë nga qeni që po largohej i dëshpëruar dhe vërtetë pashë një burrë të veshur keq që me një çengel teli tërhiqte sende i kërrusur mbi kazan. Me sa kuptova ulërima e qenit ishte një revoltë ngaqë e kishin dëbuar nga kazani ku shuante urinë.

“Eh, kjo konkurrenca!”, thashë me vete dhe vazhdova të gjerbë kafenë ngeshëm.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora