Kulturë
Bardhyl Demiraj: Camaj i panjohur, ende në arkiva
E diele, 26.09.2010, 02:32 PM
Camaj i panjohur, ende në arkiva
Nga Bardhyl Demiraj, Gazeta Shqip
Së shpejti do të promovohet kolona e plotë e veprës së Martin Camajt. Në nder të 85-vjetorit të lindjes, Qendra e Studimeve Albanologjike mbajti dje në Akademinë e Shkencave konferencën shkencore “Martin Camaj në kulturën shqiptare”. Qe një takim i gjatë mes studiuesve, të cilët parashtruan sa tema letrare, aq edhe gjuhësore për Camajn shkrimtar
Në nder të 85-vjetorit të lindjes, Qendra e Studimeve Albanologjike mbajti dje në Akademinë e Shkencave konferencën shkencore “Martin Camaj në kulturën shqiptare”. Qe një takim i gjatë mes studiuesve, të cilët parashtruan sa tema letrare, aq dhe gjuhësore për Camajn shkrimtar. Bardhyl Demiraj, drejtuesi i degës së Albanologjisë në Universitetin e Munihut ka folur pikërisht për këtë aspiratë të Camajt. Ai tregon se së shpejti del në shtyp korpusi i plotë i veprës së shkrimtarit në 10 vëllime. Në të njëjtën kohë, Demiraj flet për mundësinë e ekzistencës së dorëshkrimeve të panjohura të Martin Camajt që flenë ende arkivave.
Prej disa kohësh po punohet për botimin e plotë të veprës së Camajt në 10 vëllime. Do të ketë së shpejti një ceremoni promovimi?
Projekti i degës së Albanologjisë në Universitetin e Munihut mundi të realizojë botimin e veprës së plotë të Martin Camajt në 85-vjetorin e lindjes. Çdo gjë është në përfundim, pritet vetëm dalja në shtyp. Në zanafillë ishte planifikuar që kjo vepër të prezantohej në këtë konferencë, por kjo ceremoni është shtyrë për më vonë, kur Presidenti i Republikës t’i akordojë Camajt medaljen “Nderi i Kombit”.
Çfarë është përfshirë në këto vëllime? A ka dorëshkrime të panjohura më parë?
Nuk mund të flasim për një vepër tërësisht të re, por mënyra se si këto vepra do të komunikojnë me publikun është një aspekt i ri. Projekti ka synuar të përfshijë gjithë prurjen letrare: si prozator, si poet, por edhe si narrator që ka trajtuar prozën e shkurtër, tregimet dhe novelat. Janë botime të bëra prej kohësh dhe në një periudhë kur Camaj nuk ka pasur akses në rrethet e lexuesve në hapësirën kompakte etnike shqipfolëse, pasi në Shqipëri, por edhe në Kosovë, nuk ka qenë i dëshiruar. Është një vepër monumentale në 10 vëllime, ku përfshihet gjithë vepra e botuar dhe ajo që ka lënë në dorëshkrim autori, por që në një mënyrë apo në një tjetër është botuar. Në këtë kolanë nuk kemi përfshirë vetëm tekstin letrar, por edhe një hyrje serioze nga kritikë letrarë jo vetëm shqiptarë, por edhe njohës shumë të mirë të veprës së Camajt dhe ish-nxënës të tij.
A mendoni se pas viteve ‘90 Camaj është rehabilituar si figurë letrare?
Për Camajn po punohet dhe do punohet akoma. Rehabilitimi mund të bëhet edhe me një akt të thjeshtë zyrtar, por rehabilitimi te lexuesi shqiptar kërkon pak kohë. Nga perspektiva e lexuesit të sotëm shqiptar, Camaj mund të quhet si diçka e pazakonshme, por nuk është i pamundur për t’u lexuar. Një nga qëllimet e projektit ishte që t’ia bëjmë publikut sa më të kapshme veprën e Camajt, e cila ka karakteristikat e veta jo vetëm nga ana e nivelit artistik-letrar, por edhe perceptimit gjuhësor. Camaj ka shkruar në variantin letrar gegë dhe e ka përpunuar vazhdimisht me vetëdije sistemin ortografik të gjuhës së tij, duke dashur t’u afrohet sa më shumë kërkesave të lexuesit të sotëm shqiptar. Leksiku që përdor Camaj, ndonëse e pasuron gjuhën shqipe, është i vështirë për lexuesin e sotëm shqiptar. Për këtë arsye, në çdo vëllim është parashikuar një glosari fjalësh të rralla dhe fjalëformash dialektore me shpjegimet përkatëse, në mënyrë që edhe lexuesi ta ketë më të lehtë për të kuptuar përmbajtjen e një fjale, fjalie, ashtu siç duhet dhe përmes saj të jetojë edhe vetë artin e Camajt.
Ju drejtoni aktualisht degën e Albanologjisë në Universitetin e Munihut. Sa të interesuar janë të rinjtë europianë të njihen me gjuhën shqipe?
Unë jam njëri nga pasardhësit e Martin Camajt. Albanologjia është një degë studimore e veçantë në Europë, që forcon dhe diplomon albanologë të rinj. Është një nga realizimet e idealeve jetësore të Camajt. Interesi është gjithmonë në rritje. Si faktor ndihmës ka qenë hapja e Shqipërisë pas viteve ‘90 dhe çlirimi i Kosovës në fund të këtyre viteve. Kjo i dha mundësi lëvizjes në Europë të shqiptarëve. Deri më tani ka shkuar deri në 30 numri i studentëve dhe pothuajse çdo vit kemi të diplomuar në Albanologji.
Keni pasur njohje personale me Camajn?
Nuk kam pasur fat që ta njoh Camajn personalisht, por e njoh mirë, sepse për arsye nga më të ndryshmet jam marrë me arkivin e familjes Camaj, në qytetin e Munihut, ku është depozituar e gjithë korrespondenca në origjinal e tij, por edhe me dosjen “Camaj” në universitetin ku ai ka punuar. Kam krijuar një lloj imazhi se si duhet të ketë qenë.
Ka ende në arkivin e familjes dorëshkrime të panjohura?
Janë dorëshkrime që kanë të bëjnë më shumë me korrespondencën, veprimtarinë epistolare. Duhet të ekzistojnë edhe dorëshkrime që ende bota albanologjike nuk i njeh. Kohët e fundit është zbuluar se Camaj në rininë e vet studentore është marrë intensivisht me fjalorin shqip-greqisht të Kostandin Kristoforidhit. Është ai i pari që ka bërë transkriptimin e këtij fjalori, por nuk ka gjetur dritën e botimit. Më vonë ne kemi transkriptimin e Aleksandër Xhuvanit, por duhet ta gjejmë këtë transkriptim që duhet të ndodhet në ndonjë familje shqiptare në Beograd.
Sa i pranishëm është Camaj shkrimtar në lexuesin gjerman?
Qe një periudhë kur Camaj pati një rreth jo të vogël lexuesish. Madje menjëherë pas vdekjes, me informacionet që kam ndjekur, ishte edhe bestseller, të paktën në zonën e Bavarisë, ku ishte i shtëpisë. Ende nuk ka hyrë në atë letërsinë e ashtuquajtur klasike të qytetit, për arsye se edhe ata botues që kanë marrë përsipër botimin e veprës së tij në gjermanisht, kanë qenë jo të atij niveli që mund ta prezantonin Camajn vet. Ka probleme mes lexuesit, botuesit dhe tregut.
Ardian Klosi: Një përshëndetje e shkurtër nga Camaj
Ardian Klosi, i cili referoi gjatë konferencës me rastin e 85-vjetorit të lindjes së Martin Camaj temën “Gegënishtja e Camajt, traditë dhe perspektivë”, solli ndër të tjera edhe një incizim të vitit 1992, me zërin e shkrimtarit.
Tema që ju referuat ishte “Gegënishtja e Camajt, traditë dhe perspektivë”. A mendoni se ishte pikërisht gegërishtja që e pengoi shkrimtarin të ishte më i popullarizuar?
Natyrisht që ishte edhe pengesë gjuhe, sepse ju e dini që në vitin 1972 u vendos standardi i gjuhës shqipe, ajo që quhet gjuhë e njësuar. Kaluan 20 vjet deri kur ra muri shqiptar i diktaturës dhe kur ishte koha për t’u popullarizuar vepra e Martin Camajt, gegërishtja ishte pothuajse e huaj nëpër shkolla e universitete, ndaj edhe depërtimi vazhdon të zgjasë edhe sot.
A është i rivlerësuar Martin Camaj pas viteve ‘90?
Pa asnjë dyshim. Unë kam qenë ndër të parët që e kam prurë veprën e tij këtu. Martini më pat dhënë disa qindra libra për t’i shpërndarë. I shpërndamë në shkrimtarë, të rinj, studentë e të tjerë, kështu që ai filloi të hyjë. Dalëngadalë është shtrirë sidomos në tekstet e fakultetit, në tekstet e gjimnazit, duke zënë vendin e vet, e megjithatë Camaj nuk është shkrimtar popullor. Por kjo ka të bëjë edhe me natyrën e poezisë dhe prozës së tij, e cila është elitare. Në fund të fundit është për një rreth të ngushtë njerëzish.
I shkon me këtë rast citimi “prozë, poezi moderne”?
Patjetër që i shkon, por fjala modern përfshin praktikisht gjithë shekullin XX. Pa asnjë dyshim që Camaj është modern, sa në traditën e qarqeve letrare katolike kulturore të Shkodrës, aq është edhe në shtratin e modernizmit europian, sidomos të poetëve italianë e anglezë të shekullit XX, të cilët ndikuan më shumë tek ai.
Ju sollët një incizim të vitit 1992 të zërit të Martin Camajt. Me ç’rast ishte marrë?
Ishte një përshëndetje e tij. Së bashku me disa miq të tjerë organizuam në Institutin e Arteve një mbrëmje për Martin Camajn. E dija që profesori ishte shumë i sëmurë, thuajse në fund të jetës së tij, ndaj edhe iu luta të na jepte një përshëndetje të shkurtër për këtë takim dhe ai e dha. Fraza e fundit e këtij incizimi, e cila në fund u bë edhe më e famshmja: “Unë jam i juaji, ju jeni të mitë”.