Kulturë
Poezi nga Janaq Pani
E shtune, 25.09.2010, 02:42 PM
Janaq Pani
NË TOKËN E TË PARËVE
Desha ta përkëdhel thjesht me një vështrim
baltën që shkel e s'jam më unë i zoti,
po thellë shpirti ndjeu sëmbim
e qerpiku nuk mundi ta ndalë lotin,
do plaste zemra mos qe ai shfrim.
HIJA
Na ish dikur një "prind" zemërak
shpirtkazëm i lindur me marrëzitë,
gradienti i dashurisë pak e nga pak
fundosej tek të tijët përditë.
Dhe ishte thanë nga tjetër gjak
e i pa shpirt qe prej natyre,
në shpirt të njerëzve përditë nga pak
urrejtja bënte vend në mes tyre.
Ky "prind" i mbrapshtë bënte aktorin
me buzqeshjen karafil mbirë në buzë,
sa ish në këmbë mbolli terrorin,
kur qafën theu la pas tërkuzë
hijen e tij te çdo lloj horri.
Ky ëndrravrasës pa anë e kufij
edhe pse balta do e ketë tretë,
na endet kudo fryma e keqe e tij,
nuk dashka jo, të na lerë të qetë.
MEDITIM PARA NJË PEISAZHI NË QEPARO
Nga lartësia e Mbetjeve Antike
përmbi Karos e Shën Thanas
të shfaqet një bukuri magjike
sa zemra në gjoks ngre tallaz,
ku vemi, e kë lemë pas?
KUR SHUHET NJË MIK POET
Përse këto lajme të trishta, përse
na bëjnë të mbajmë frymën,
e nuk dimë për kë lotojmë ne
më parë, për kë të vemë ulërimën
për miqtë që shuhen,
a për TY ATDHE,
që dot nuk e ndal rrokullimën.
NATË DURRSAKE
Shtroi hëna plafin
e artë mbi det,
Durrësi - gur zmeraldi
me gjuhë dritash flet.
Pa ngrihet puhiza
nga deti me valë,
pallate, shtëpiza
përkëdhel ngadalë.
Drita zbret prej yjesh
e drita fanarësh,
përkundje anijesh
këngë peshkatarësh.
Pa puthen e ndahen
dhe valët me brigjet,
një yll që këputet
hapësirash digjet.
Kjo natë e ëndërrt
po na fton: "Guxoni
nën krahët e mia
mund të ëndërroni."