E premte, 02.05.2025, 09:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Faik Shkodra: Tregime të shkruara me përjetim dhe estetizëm të natyrshëm

E premte, 24.09.2010, 09:58 PM


TREGIME TË SHKRUARA ME PËRJETIM DHE ESTETIZËM TË NATYRSHËM

 

Autori e krijon librin, shoqëria e pranon atë ose e hedh poshtë.

Krijues i librit është autori, krijues i fatit të tij është shoqëria.

Viktor Hygo

 

Nga Dr. sc. Faik Shkodra

 

Pasqyrimi i ngjarjeve, i dukurive dhe i problemeve, pasqyrimi i vlerave të njeriut dhe botës së tij etnopsikologjike, sjelljeve dhe veprimeve, shqetësimeve e vlimeve shpirtërore dhe emocionale nga krijuesit e artit letrar zë vend të veçantë, jo vetëm në letërsinë shqipe, por edhe në letërsitë e shkrimtarëve të hapësirës botërore.

 

Artikulim mjeshtëror i mendimeve

 

Pata kënaqësinë që këto ditë, gjatë leximit të vëllimit me tregime “Jetë në ikje” të Dibran Demakut, të përjetoja çaste të këndshme dhe të mësoja se fjala është për një talent që fjalën artistike dhe procesin e krijimtarisë artistike i ka për zemër dhe për shpirt.

Brenda tregimeve të këtij vëllimi Demaku rrok në trajtim e syzim tema e motive, ngjarje e personazhe, sa aktuale e të rëndësishme aq edhe interesante e me vlera të shumta ideoarstistike, ideoemocionale, ideoedukative dhe ideoestetike.

Kur lexon tregimet e Dibran Demakut, të shkruara me frymëzim, tregime ku rrezatojnë elementet më funksionale artistike, estetike dhe psikologjike të njeriut kosovar dhe fatit të tij në kohë dhe hapësirë - atëherë s’ka arsye që krijuesin e tyre të mos e çmosh e adhurosh për mjeshtërinë, për mënyrën e artikulimit të mendimeve, për aspektet e mbarështimit të lëndës marrë nga realiteti jetësor, shoqëror dhe historik, të cilin me të menduarit krijues, me imagjinatën e zhvilluar dhe me përjetimin shpirtëror, deri në imtësi të çdo detaji, në laboratorin krijues e shndërron në realitet artistik, duke i dhënë nga të gjitha aspektet të vërtetat që, kuptohet, janë manifestuar e zhvilluar në kohën jo aq të largët të historisë sonë të dhimbshme kombëtare.

Duke shkruar për vlerat e gjithëmbarshme të tregimeve të përfshira në vëllimin me titull metaforik e ironik, shpreh bindjen se autori i tyre ka arritur të dëshmojë pjekurinë e talentin e veçantë, si në aspektin e përmbajtjes ashtu edhe të origjinalitetit krijues e artistik, që u bën temave e ngjarjeve, të cilat i ka bërë objekt të trajtimit artistik e estetik.

Kur lexon tregimet me subjekte shumë tërheqëse e të shtjelluara me ndjenjë të thellë shpirtërore, kupton qëndrimin kritik e të drejtpërdrejtë që u bën situatave dhe karaktereve të njerëzve, që, me veprimet dhe moralin, edukatën dhe formimin e tërësishëm të personalitetit që kanë, i ngre në një parim krijues karakteristik. Themi karakteristik, ngase autori në subjektet e disa tregimeve me temë atdhetare pasqyron sjelljet, veprimet dhe marrëzitë e disa njerëzve që janë mashtrues, dyfytyrësh, janë njerëz të rrezikshëm për lirinë nacionale, që nuk e kishim, dhe për fatin e Kosovës, që ishte nën kthetrat e Serbisë fashiste. Dibrani me të drejtë ndaj tyre shpreh ndjenja të mllefit, ndjenja që realizohen me gjuhë të revoltës. Shpërthimi i revoltës më mirë se është shprehur në disa nga këto tregime të vëllimit të sipërthënë s’ka si bëhet ndryshe. Kjo vërtetohet përmes gjuhës ironike, metaforike dhe njerizuese, një gjuhë që përshkohet nga një ligjërim sa poetik aq edhe funksional, që prek ndjeshëm karakteret e disa njerëzve të zhveshur nga çdo virtyt, nga çdo vlerë kombëtare dhe atdhetare dhe pikërisht të tillët i kanë dhënë fuqi krijuese që autori shprehjen dhe mendimin artistik t’i ngarkojë me refleksione të fuqishme vetironizuese.

Për më tepër, tregimet e librit “Jetë në ikje” sjellin të vërteta të shumta për luftën që u bë në Kosovë, sjellin personazhe që shquhen për stoicizëm, për ideale të larta, për ndjenja të çiltra morale e njerëzore, njerëz me vlera etike të panjollosura, në një anë, dhe personazhe që s’kanë kurrfarë marifeti, kurrfarë burrërie e vlera morale, sepse janë vënë në shërbim të ushtrisë pushtuese, asaj ushtrie e atij vendi që bëri gjenocid të paparë mbi popullin e Kosovës, në anën tjetër.

 

Realizim i mrekullueshëm nga të gjitha nivelet

 

Në vëllimin “Jetë në ikje” janë përfshirë këto tregime: Jetë në ikje (Balona), (Ikje nëpër natë), (Sytë), (Shtëpia në shpat mali),(...Dhe ikën vitet), Patrioti, Ku ishe, ti, babi?!, Rrëfim eshtrash, Ikje nga incesti, Më e fortë se vdekja, Dashuri e gabuar, Dilema, Moshë djalërie dhe Një ndodhi në plazh.

Tregimet ngërthejnë ngjarje interesante, të cilat autori i trajton dhe i përudhë me mjeshtëri e me të dhëna të vërteta, të dhëna që tregimeve u japin vlerë të veçantë, edhe ideore edhe artistike. Janë, pra, tregime që të shumtën e herës karakterizohen dhe transponohen me frymën e kontrastit, të antitezës dhe të metaforës.

Tregimi “Jetë në ikje”, me të cilin hapet vëllimi, është një realizim vërtet i mrekullueshëm nga të gjitha nivelet e artit të fjalës. Tërë subjekti i tij sjell ngjarje, situata dhe nota që shprehin nostalgji, dhimbje, lot, hidhërim, sepse personazheve të tregimit s’u ka mbetur tjetër, pos të braktisin vendin, të ikin nga vendlindja, nga atdheu, nga Kosova legjendare, që është goditur nga lufta dhe njerëzit e saj, kush si mundet, ikin në drejtim të vendeve të panjohura, drejt një drejtimi pa drejtim, ku nuk i dihet fillimi as fundi. Subjekti i tregimit na i sjell para vetes ditët e vështira të luftës së fundit, asaj lufte që trazoi të gjithë shqiptarët e Kosovës e më gjerë, asaj lufte që u mori jetën shumë vëllezërve e motrave tona, shumë pjesëtarëve të UÇK-së. Në qendër të vëmendjes autori ka trajtimin e fatit të Visarit, Dafinës, Drinit dhe fëmijëve të tjerë të kësaj familjeje. Me nota të dhimbshme në tregim është dhënë figura e Visarit, i cili pa dashje detyrohet ta braktisë qytetin ku është rritur dhe formuar. Po ashtu edhe bota shpirtërore e Dafinës, gruas së tij, shoqërohet me dallgë shqetësimesh ngjashëm me ato të detit të trazuar. Ndjenja e ikjes është e rëndë dhe është mbytëse. Ndonëse fëmijët nuk e kanë pjekurinë për të kuptuar se ç’po ndodh në ato çaste ankthi,  shkrimtari arrin të japë aspekte nga bota e tyre, sepse edhe ata nuk ndihen mirë pse po shkoqen pa dashje prej qytetit të tyre.

Në këto momente të dhimbshme, Visari përdor tërë fuqinë intelektuale dhe mendore që në ato çaste të tretjes, si në botën e ëndrrave, të Dafinës, ta qetësojë atë duke  sjellë mendime me vlera të rëndësishme nga filozofia e popullit, nga thëniet e mendimtarëve të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe botërore, duke thënë “Shpresa mund çdo vështirësi, çdo pengesë”. Në këto thënie gruaja nuk sheh asgjë reale. Natyrisht, edhe pjesët e tjera të këtij tregimi, që është më voluminozi, i ndarë në pjesë të veçanta, dëshmojnë për mënyrën se çfarë jete, me çfarë realiteti përballen personazhet, ku lufta për jetë nuk ishte gjë tjetër, pos luftë, sakrificë dhe përpjekje për jetë apo vdekje. Shkrimtari, duke qenë njohës e përjetues i realitetit të kohës, i luftës që bëhej në Kosovë, gjithkund e rrëfen të vërtetën edhe për çastet e rënda të refugjatëve gjatë kalimit të kufirit, mashtrimet që u bënin disa matrapazë të agjencive turistike. Vërtet ngjarjet rreth ikjes janë dhënë me antiteza të qëlluara, sepse sa shtohet shpresa se do ta kalojnë kufirin, ku i priste doganieri dhe kontrollimi i dokumenteve, ngjet diç tjetër dhe kjo shpresë venitet. Krejt kjo i ngjan një ëndrre, një përralle fantastike. Krejt ëndrra do të bëhet realitet, do të bëhet zhgjëndërr, falë një balone që mbante djali i Visarit e Dafinës dhe loja që bënte ai para doganierit e prek shpirtërisht atë, i cili duket se e përjetonte ikjen e tyre si diçka tragjike dhe djaloshit, që e quante princ, i dëshiron rrugë të mbarë në atdheun e Dante Aligierit.

U mor vesh, edhe rrëfimet e tjera, si: Ikje nëpër natë, Sytë, Shtëpia në shpat mali, ...Dhe ikën vitet, sjellin të dhëna të bollshme për realitetin dhe për dramën që përjetojnë anëtarët e kësaj familjeje, e cila në mënyrë të figurshme simbolizon tërë atë numër të madh të shqiptarëve të Kosovës që marrin botën në sy për shkak se pushtuesi serb ishte aq i egër sa vrau, masakroi, dogji, dhunoi, plaçkiti e shkatërroi fshatra të tëra dhe fëmijë, gra, pleq, burra në mënyrën më shtazarake. Brenda këtyre rrëfimeve endësohen ndjenja të zjarrta, ndjenja që i kushtohen jetës së lirë, jetës në atdhe, jetës në vendlindje.

 

Motive që mbeten realitet historik

 

Plaga e kurbetit sikur i ka lodhur shqiptarët gjatë shekujve. Autori, duke sjellë vargje të këngëve popullore mbi kurbetin, duke dhënë në përmasa të gjera jetën e njerëzve në vendet e huaja, arrin t’i thurë himn Kosovës, lirisë, vendlindjes dhe popullit. Tërë subjekti i tregimit “Jetë në ikje” na i kujton vlerësimet e shkrimtarit amerikan Teodor Drajzer, paraqitur në romanin “Xheni Gerhard”, kur thotë: “Çdo gjë është e pasigurt - edhe jeta, edhe natyra, edhe mundësitë jetësore - dhe çdo gjë mund të kthehet edhe në të mirë edhe në të keq, por një krijesë kështu e pafajshme nuk sheh të keqen derisa mos të ngjajë ajo”. Po shqiptarëve u ndodhi ajo që nuk e dëshironin - lufta. Atë ua imponoi Serbia me regjimin kriminal e diskriminues që u bënte shqiptarëve të Kosovës e që këtë diskriminim vazhdon tani ta bëjë mbi shqiptarët e Kosovës Lindore.

Edhe në tregimet e tjera autori trajton tema e motive që mbeten realitet historik. Dibran Demaku në tregimet: Patrioti, Ku ishe, ti, babi?!, Rrëfim ështrash, Ikje nga incesti, Më e fortë se vdekja, Dashuri e gabuar, Dilema,  Moshë djalërie dhe Një ndodhi në plazh, na del të thuash fare i natyrshëm. Ai asnjëherë në këto rrëfime nuk flet për vete, po për të tjerët, për tipa karakteresh të ndryshme të njerëzve. Ngjarjet që bëhen objekt trajtimi paraqiten në dritën e një njohësi dhe vrojtuesi me prirje dhe gjithë lëndën e shtjellon, e vlerëson dhe e gjykon pa patetizëm. Gjatë analizës së subjekteve të tregimeve shihet se lënda aktuale dhe mënyra e dhënies brenda fabulës - sjellin elemente me rëndësi. Themi kështu ngase shkrimtari ka ditur të japë vetitë psikologjike për të gjitha personazhet dhe këto veti janë të nevojshme për kërkime në fushën e karakterologjisë, psikologjisë si dhe për vlerat e njerëzve në një kohë të caktuar. Këto dhe shumë aspekte të tjera janë dhënë me një mjeshtëri dhe kulturë letrare e artistike, kulturë që flet për frymën, talentin, fuqinë vrojtuese dhe mjeshtërinë e transponimit të ngjarjeve.

Në tregimin Patrioti autori ka sjellë shembuj konkretë se ç’është patrioti, ç’është tradhtari, që bëhet dorë e zgjatur e pushtuesit, e organeve të sigurimit shtetëror, flet se si u ka përgatitur grackën njerëzve të gjakut të vet, flet se sa i pamoralshëm tregohet ndaj shokëve e shoqeve të veta. Është ky tregim me vlera të shumta, tregim që sjell përpara një kohë jo aq të largët dhe që njerëzit e shitur te armiku për interesa personale i marrin në qafë shumë studentë e të rinj, sepse ky farë “Patrioti” i vetëshpallur për çdo ide kombëtare që flasin dhe kanë, i informon sigurimcat shtetërorë, në mesin e të cilëve, mjerisht, kishte edhe shqiptarë.

“Ku ishe, ti, babi”?! shpalos tragjeditë e popullit të Kosovës gjatë luftës së vitit 1999. Autori flet për vrasjet e masakrat që ushtria pushtuese e barbare e Serbisë kryente mbi shqiptarët. Djegiet e shtëpive, nëpër fshatra e qytete, vrasjet, dhunimet, plaçkitjet dhe ekzekutimet para anëtarëve të familjeve ishin të tmerrshme. Një atmosferë të trishtë trajton pikërisht ky tregim, kur paramilitarët vrasin gruan me tre fëmijët në shtëpinë e saj.

Në tregimin “Rrëfim eshtrash” trajtohet ideali i pjesëtarëve të UÇK-së. Në tregim ndeshim tri personazhe: Udhëheqësin e njësitit, Vjollcën, që u ishte bashkuar pjesëtarëve të UÇK-së dhe ushtarin e ri.

Është ky një rrëfim karakteristik, tregim kuptimplotë dhe i realizuar me shumë mjeshtëri e vërtetësi. Janë të tmerrshme veprimet tradhtare të ushtarit të ri, i cili edhe ishte bashkëpunëtor i ushtrisë serbe.

Simbolika e tregimit është sa e fuqishme aq dëshmiplotë për kohën dhe hapësirën konkrete, kur njëra këmbë është e një mashkulli dhe tjetra na del se është e Vjollcës, pasi ata janë të vrarë. Pra, kemi përzierje kufomash, përzierje eshtrash, përzierje gjinish. Shembujt konkretë janë realitet i përjetuar dhe se për lirinë e Kosovës shumë njerëz derdhën gjakun, shumë prej tyre kaluan nëpër rrathët e ferrit të Dantes dhe shumë prej tyre luftuan trimërisht dhe vdiqën krenarisht.

 

Gërshetim mënyrash dhe formash të komunikimit artistik

 

Rrëfimi “Ikje nga incesti”  sjell të dhëna shqetësuese, sjell botën psikologjike të njerëzve të deformuar mendësisht, njerëzve që kanë humbur çdo gjë të moralshme, të ndershme dhe të njerëzishme. Personazhi i tregimit, pasi viziton shtëpinë publike disakatëshe dhe pasi sheh sa e sa vajza të bukura brenda, me gjithë ofertat që ka nga disa prej tyre për marrëdhënie seksuale, nuk pranon. Njëra prej atyre bukurosheve të asaj shtëpie, nga pamja dhe nga shumë elemente të tjera, ka ngjashmëri me motrën e tij. Ai, si një psikolog e si një individ që ka karakter të fortë, e di se për shkak të divorceve, për shkak të martesave që shqiptarët i kanë bërë dhe vazhdojnë t’i bëjnë me motivacion vizash për punësim me femra të shteteve të Evropës, sikur e ka të qartë se brenda kësaj shtëpie publike ajo mund të jetë motra e tij. Në këtë kontekst ai gjykon e vlerëson se është kjo kohë krizash në moral, në sjellje, kohë kur shumë njerëz kanë humbur virtytet më të domosdoshme dhe të tillët lehtë i kanë braktisur edhe fëmijët e vet dhe për këtë shkak edhe i quan të ligj, qoftë edhe të farefisit më të afërt të tij. Në fund, Ariana, për të cilën djaloshi dyshonte se ishte motra e tij nga babai, që tani jetonte në Gjermani, bindet së vërtet ishte motra, të cilën nuk arrin ta marrë me vete.

Dibran Demaku ngjarjen e tregimit e ka mbështetur në kriteret edhe të të vërtetave edhe në ato të artit letrar.

Tregim mbresëlënës nga të gjitha pikëpamjet mbetet “Më e fortë se vdekja”. Vlerat kryesore të tregimit janë paraqitur me vërtetësi dhe njohje të thellë të një dukurie që lidhet me pamundësinë e realizimit të dashurisë së dy të rinjve. Këta dy të rinj, ndonëse dashurojnë njëri- tjetrin, nuk arrijnë që ëndrrat dhe shpresat t’i bëjnë realitet për shkak të konservatorizmit, mentalitetit patriarkal dhe kanuneve të pashkruara të maleve tona. Në fund, duke dëshiruar që jetën ta bëjnë njëri pranë tjetrit, vendosin ta përfundojnë jetën në mënyrë tragjike, duke pirë helm. Është kjo një plagë e njohur dje dhe që, fatkeqësisht, aty-këtu vazhdon të ndeshet edhe sot.

Si në tregimet e sipërthëna, ashtu edhe në tregimet: Dashuri e gabuar, Dilema, Moshë djalërie dhe Një ndodhi në plazh, autori nëpërmjet subjekteve të thjeshta arrin të riprodhojë çështje e dukuri të mprehta dhe me një zotim prej krijuesi të pasionuar e të vullnetshëm ia deli në krye t’i shpërfaqë me forcë emocionale, jo vetëm situatat në të cilat ndodhen personazhet vepruese, t’i dëshmojë e forcojë ndjenjat e përjetimet e tyre, por, mbi të gjitha, i operacionalizon dhe i endëson të gjitha momentet me të cilat ballafaqohen ata.

Nuk janë vetëm temat e problemet që trajton autori Demaku që do t’i përcaktojnë vlerat e tregimeve, por kujtojmë që vlerat kryesore të tyre caktohen nga niveli artistik i tyre dhe përdorimi i mjeteve shprehëse nga autori.

Gërshetimi i mënyrave dhe formave të shumta të komunikimit artistik, përpjekja për të depërtuar sa më natyrshëm në botën mendore e ndjenjore të personazheve, prekja e ndriçimi i karaktereve të personazheve nga shumë aspekte, të gjitha këto shtojnë vlerat e tregimeve, që në përgjithësi përvijosin ngjarje të përcaktuara në kohë dhe hapësirë, e që Dibran Demaku i ka trajtuar me vërtetësinë e vetë realitetit dhe se nëpërmjet subjekteve të thjeshta e tërheqëse, me një kulturë gjuhësore e stilistike ka arritur ta paraqesë edhe individualitetin krijues, duke dëshmuar në këtë plan talentin dhe dashurinë që ushqen për letërsinë. Vepra “Jetë në ikje” edukon brezin e ri dhe e pajis me ide patriotike, ngre lart ndjenjat ndaj atdheut, shton përgjegjësinë dhe vetëflijimin për lirinë, freskon mendjen me vlerat e çmueshme të traditës sonë kombëtare dhe vetëdijeson lexuesin për ta kuptuar mirë e drejt rrugën e gjatë deri te pavarësia e Kosovës,

Tregimet janë shkruar me gjuhë të qartë, me mjete të pasura stilistike, metafora, ironi, personifikime, antiteza, simbole, krahasime etj. Edhe gjuha e personazheve është e nivelit të lakmueshëm dhe kjo gjuhë i ka shërbyer autorit që më gjithanshmërisht të bëjë konkretizimin dhe emotivizimin e gjendjeve dhe të përjetimeve shpirtërore të personazheve, që jo rrallë janë të ndërlikuara. Me të drejtë është thënë se “Individualiteti artistik është gjithëkahësh: në përmbajtje e në formë, në tematikë e në personazhe, në stil e në gjuhë”. Vetë përmbajtjet e tregimeve janë zëri i protestës kundër krimit, kundër dhunës, kundër shtypjes, kundër padrejtësisë, kundër robërisë, kundër moralit të ulët, kundër zakoneve që i ka shkelur koha, kundër sjelljeve që dëmtojnë personalitetin e njeriut, në një anë, dhe janë zëri i kushtrimit për liri, për dashurinë e pastër midis njerëzve dhe zëri për çdo gjë të bukur, të ndershme dhe njerëzore, në tjetrën anë.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx