Kulturë
Istref Haxhillari: Helena
E premte, 24.09.2010, 08:53 PM
Istref Haxhillari
Helena
(Tregim)
Helena mbante me qira një dyqan parfumesh në rrugën e Volorekës. Kur frynte erë, nga dritarja e pasme dëgjohej pa pushim shushurima e liqenit si kollitje plaku. Klientët rrallë trazonin qetësinë e lokalit, ndërsa miqtë e ngushtë e vizitonin shpesh. Helena kishte zemër të ndjeshme, ca para në bankë, burrin kumarxhi dhe djalin që nuk mësonte në shkollë. E mbanin për grua disi të paturpshme, po kjo nuk i prishte punë askujt. Thjesht dinte ta vërtiste dhe nëse merrte një barrë përsipër jepej e gjitha pas saj.
Mëngjesin e një dite shtatori, rrahur prej erës tinëzare të jugut, bashkë me të shoqin qëndronin në sheshin e gjelbëruar përpara shkollës. Koli trupvogël, me flokë të rrallë ngritur përpjetë, rrinte në krah të saj. Flladi i lehtë vjeshtarak ja lëkundte favoritet e gjata ngjyrë lajthie të zbërdhylur. Gjethet e para të vjeshtës rrëzoheshin ngadalë, përkundeshin një copë herë në ajër derisa preknin me trishtim tokën. Zërat e largët të zogjve treteshin nëpër zhurmat dhe poteren e nxënësve.
Në kthesën e rrugës kryesore u shfaq një burrë i pashëm me çantë nën sqetull. Ecte ngadalë zhytur në mendime. Një sy i stërvitur vinte re se çalonte pakëz nga këmba e djathtë.
-Erdhi, - tha Helena dhe i doli përpara e buzëqeshur.
Pasi i dha dorën, bëri me kokë nga i shoqi.
-Burri, - e paraqiti.
E pati takuar një herë mësuesin e djalit prandaj u suall si me një mik të njohur prej kohësh. Rrezëllinte e tëra nën fustanin e hollë ngjyrë jargavani. Xhaketa verore me supe të ngritura dhe këpucët e lehta gri i jepnin hijeshi të veçantë. Leshrat gështenjë, thurur bukle të gjata përmbi faqe, i shkonin shumë zbehtësisë së fytyrës. Llërës së majtë varej rripi i çantës së vogël prej kamoshi vishnjë. Në pamjen, lëvizjet, mënyrën e të folurit dhe aromën e saj ndihej femra e shpenguar.
Profesori mezi e mbante mend këtë grua të hijshme, madje nuk kujtonte as bisedën e atëhershme.
-Ka probleme, - tha.
-Ne e dimë, bëtë shumë për djalin tonë, - ndërhyri Helena dhe psherëtiu e brenguar tërë merak. Një rrudhë e lehtë iu përvijua ballit të sedeftë.
-Janë edhe tre vite të tjera, - mërmëriti ngadalë.
Profesori shikoi nga oborri i shkollës mbushur me thirrje gazmore. Nxënësit po grumbulloheshin në hyrje.
-A mund t’ju them një fjalë në vesh? - e pyeti Helena dhe shikoi tinëzisht nga i shoqi.
Burri i vogël me flokë të rralluar qeshi lehtë vetëm me cepat e buzëve.
Cigarja po i digjte gishtërinjtë kur pëllëmba e vogël i ngjeshi një zarf kaltërosh me vija të zeza anash, pastaj pëshpërima e saj si këngëzim laureshe. U larguan me shpejtësi.
Në hyrje të shkollës ai ktheu instiktivisht kokën. Koli seç thoshte me lëvizje energjike të trupit dhe duarve, ndërsa ajo mospërfillëse çapitej në krah të tij.
Profesorin e mësynë parandjenja të errëta aspak të këndshme.
Zënë me orët e mësimit dhe një mbledhje nervoze të këshillit pedagogjik, e harroi gruan elegante me gjithë burrin e saj të vogël. Në shtëpi, i rregullt si përherë, hoqi xhaketën, kontrolloi xhepat, gjeti zarfin bojëqielli. Asgjë tjetër veç letrës palosur më katërsh shkruar me kaligrafi të pjerrët femre.
“ Dyqani kozmetik në rrugën e Volorekës”.
Shkrimi i ndezi thellë së brendshmi një flakëz të ndrojtur, po sakaq e largoi, përngritur nga dyshimi brejtës i atij takimi. Sidoqë mundohej të përligjte veten, zuri të shqetësohej gjithnjë e më shumë.
Bëri gjumë të trazuar atë natë. U përpëlit gjatë në shtrat pranë së shoqes. Mendime kondradiktore e shponin si turjelë. Në ëndërr ju shfaq Koli me celular në dorë. Ekranit të aparatit farfurinte zarfi i kaltër me vijat e holla anash.
-Një milion, - zgërdhihej.
-Jo, - i tha, - adresa.
-Ha, ha, ha! - qeshi burri i vogël, - përse e mbajte adresën e gruas sime? Të pëlqeu ë?
U zgjua mbytur në djersë.
Silueta elegante e Helenës vegoi ledhatare e ëmbël. Shikimi i bebëzave bojëmjalti e joshte me forcë të parezistueshme. Ajo vazhdonte ta zhbironte me sy që nuk mund të thoje se vështronin, po depërtonin thellë. E gjithë qenia nën fustanin e lehtë të tejdukshëm e tundonte.
-Fli - dëgjoi zërin e së shoqes.
-Më doli gjumi, - mërmëriti.
-Sikur të kanë rënë hallet e botës.
-Të lutem, - i tha
-Se ç’thoshe i sëndisur.
-S’e di.
-Përmende një femër.
Ai mbeti topitur. E shikoi i hutuar si fajtor.
-S’e di, - tha përsëri.
Ndërsa vështronte i përngritur profilin e gruas së cingërisur, u përpoq të kujtonte hollësira.
Helena e gjatë, me sytë e bukur të lëvizshëm, belin e hollë prej balerine dhe këmbë të mrekullueshme, iu ngulit në tru. Kur fliste i luhateshin vetiu flegrat e hundës, ndërsa në gushë formohej një gropëz e vogël. Shprehja sensuale e fytyrës, e folura me “s” të theksuar sikur fishkëllente, ngaqë nuk e thoshte dot “sh” dhe vështrimi i ngrohtë e turbullonin. Koli i pakët me pamje prej djali nursëz qëndronte i trembur nën hijen e saj, po buzëqeshja e errët me cepat e buzëve i rrinte vazhdimisht përpara syve.
Të nesërmen doli ngadalë prej shkollës, hyri në rrugën e zhurmshme të Korçës. Pamja e kësaj ane të qytetit mbuluar me pluhur, jepte një kolorit të përhimtë në ngjyrën grizho të çimentos përzier me të kaftën e tullave, damka e ndërtimeve masive vitet e fundit.
Eci trotuarit të majtë drejt kryqëzimit të Volorekës. I dukej se të gjithë e dinin ku shkonte ndaj jepte përgjigje të tymta pa e pyetur askush. Teksa afrohej i ndizeshin ca ndjenja të ngatërruara, që nuk arrinte t’i përimtonte tamam. Më shumë i ngjante dashnorit në agun e vegimit të dëshiruar. Çuditërisht frika e natës firoi.
Mes një kundërshtie mendimesh dhe ndjenjash të ngatërruara arriti. Dyqani në katin e parë të pallatit shumëkatësh zinte sipërfaqe të gjerë. Artikujt kozmetike mbushnin vitrinat e ekspozuar hijshëm mureve lyer në ngjyrë pane. E nurshme si në takimin e shkollës, Helena e priti me sigurinë e femrës së parezistueshme. Fytyrës nazike, pushi i mëndafshtë mori ngjyrën e purpurit.
-Dyqani juaj? - e pyeti.
-Vetëm parfumet, - Helena çapkëne u përdrodh lehtë, pastaj shtoi.
-Kam menduar për ju.
Pasoi një pauzë ngashënjyese. Të dy e shikuan me kërshëri njëri-tjetrin. Ai me një lloj simpatie dhe droje të fshehur ndërsa ajo rrezatonte ëmbëlsinë e syve bojë mjalti. Kur kthente kokën mënjanë për t’ju shmangur vështrimit të tij, pikaste përskuqjen e faqes, këndin ngashënjyes të syrit këndellur, luhatjen e lehtë të flegrave që fërgëllonin.
-Jam lindur në këtë vend të humbur, - uli sytë e pezmatuar Helena
Profesori buzëqeshi lehtë.
-Natyra të ka mbajtur me hatër, - i tha.
-Jo tim shoq, - u përgjigj.
-Burrit nuk i shikohet pamja, - deshi ta qetësojë ai.
-Nuk është puna vetëm aty, po karakteri i tij. Kujt nuk i ka borxh. Vinë ca karikatura si puna e tij e kërkojnë, thërresin, kërcënojnë.
Profesori nuk e besoi, po u ndje mirë. Nata e trazuar mbeti pas.
Helena shkëlqente. Format e harmonishme të përkryera projektoheshin sfondit të parfumeve paketuar në shishe dhe kuti me ngjyra të çelura. Ulur këmbë mbi këmbë, aq sa dalloheshin përkitas mbathjet e zeza tendosur poshtë kofshëve të plota, pinte cigare njërën pas tjetrës. Duhani i shkonte.
Sqima dhe fodullëku e bëjnë më tërheqëse gruan, teksa urtësia i heq diçka prej feminitetit. Veset dhe mangësitë shpirtërore nxjerrin në pah fshehtësira drithëruese ashtu si pikat e vogla ndriçuese theksojnë errësirën e një nate të mahnitshme.
E përkëdheli lehtë me dorë të dridhur. Në qetësinë e lokalit mbushur me aroma, i zbërtheu xhaketën, ledhatoi kraharorin e ngrohtë, vuri buzët mbi gjirin e hatashëm. Gruaja e tërhoqi në kthinën e fshehtë me dritaren nga liqeni që gulçonte andej tutje. Gjysmëerrësirës së dhomëzës rrezet e diellit derdheshin si rrymë e verdhë fashitur nëpër xhamat e vagëlluar. Ndriçimi i mekur nuk i davariste hijet dhe sendet dukeshin të njëllojta. Qelqurinat zunë befas të jetojnë, sikur donin të vërtetonin se gjithçka në botë merr kuptim vetëm në lidhje me njerëzit kur bëhet pjesë e lojës së tyre.
Ndërsa ai përkëdhelte kofshët e lëmyshkura, Helena e uli në krevatin portativ, i hoqi të gjitha rrobat, e mbajti tërë naze nga kravata. Pasi e tërhoqi një copë herë ngadalë si në një shfaqje striptizmi, papritur e shtyu fort. Profesori lëshoi një ulërimë të zgjatur dhe mbeti ndehur mbi shtrat. Nuk i tha se vuante nga sponteliartroza.
Pas një ore mori rrugën e kthimit duke çaluar më shumë se zakonisht. Ecte me lëvizje të ngadalshme dhe përjetonte zbrazëti shushuritëse si imazh të një ëndrre. Puhiza ledhatare e jugut përpëlitej pa pushim nëpër degë, rrëzonte gjethet e thara, ia zhvendoste kollaren e zhubrosur përmbi këmishë. Shtatori e vishte natyrën me jeshilen e zbehtë, larushitur aty-këtu nga njolla ndryshku të kuqërremtë. Qielli i pastër midis pemëve të rrugës e bënte të merrte frymë thellë, sidoqë dhimbja e ngacmonte pareshtur. Dielli i shtatorit, përthyer nëpër retë e trëndafilta që endeshin copëzuar në një vargan të gjatë, krijonte ca figurina të buta majave të blireve gjethegjërë.
Kur iu duk se e kaloi sprovën i doli përpara Koli. Në dallim nga një ditë më parë, i qeshur, miqësor. Profesori i befasuar nxitoi hapin.
-Ej! - thirri burri i vogël, - kaq shpejt na harrove?
Profesori kërkoi ndjesë dhe qëndroi në cep të trotuarit.
-Nga? - pyeti Koli
-Tek një nxënës, - ia ktheu dhe shtoi për mirësjellje.
-Po ju?
-Këtej rrotull, - Koli u mendua pak.
-Pimë një kafe? - i tha.
-S’kam kohë, - u ngut Profesori dhe shikoi orën.
Tjetri e zuri për krahu.
-Sa të këmbejmë një fjalë.
-Tani fillon mësimi, - i largoi butësisht dorën.
-Mos ma prish, - u lut.
-Nuk mundem.
-Të them diçka mes nesh?
-Urdhëro, - u përgjigj i hutuar Profesori.
-Një milion janë shumë.
Burri i Helenës e shikoi me shprehjen lutëse prej djali të vogël këmbëngulës.
Pogradec, e djelë 12 shtator 2010