E enjte, 24.07.2025, 09:57 PM (GMT+1)

Kulturë

Çerkin Ismaili: Ethe të trishta (VII)

E shtune, 25.09.2010, 01:46 PM


Çerkin Ismaili

 

Ethe të trishta

 

(Roman)

 

4

 

Dielli i mëngjesit ishte ngritur goxha lart në horizont, ndërsa Lushi e Bubulina  fjetur, si dy engjuj,  zoti e di se ç’ëndërronin në gjumin e mëngjesit. Ajri i freskët dhe vesa e ftohtë kishin hyrë nëpër portën e bunkerit dhe kishin nxjerrë jashtë monoksidin e karbonit dhe kundërmimin e lagështirës së bunkerit që me ditë e netë të tëra, duke   ngulfatur të ngujuarit kishte kërcënuar t’i vriste , por nuk ia kishte dalur. Jashtë bunkerit, ekstazën idilike të qetësisë e shprishnin vetëm cicërimat e zogjve dhe kënga vajtuese e ndonjë qyqeje, që këndonte diku mbi ndonjë gur varri , e cila  duke u thyer greminave e honeve të Pashtrikut, si zë  rrugëhumbur , vinte nëpërmes derës së hapur të bunkerit. Qyqet kurrë nuk kishin pasur më shumë varre të reja për të qarë qyqarisht! Kohë shqiponjash dhe qyqesh ishte... !

Sikur mos t’i zgjonte  uturima e motorit të një makine të vjetër,  Lushi e  togere Bubulina sigursisht që atë ditë nuk do të zgjoheshin fare nga gjumi. E para u zgjua togerja, e cila duke  fërkuar sytë, nga bebëzat fshiu lëmashkun e përgjumësisë dhe ashtu e përgjumur doli jashtë portës së bunkerit kur pa një grup prej dhjetë çlirimtarësh tek ngjitej ograjës së malit drejtë bunkerit. Në fillim dyshoi të jenë ushtarë të armikut dhe gatësoi automatikun, por kur  flamuri u shfaq duke valuar, u kthye  prapë në bunker dhe thirri Lushin me një zë gulçimi që jehoi  maleve:

-O, zgjohu Lush Rebeli! Zgjohu! Zgjohu , he burrë se ia behën çlirimtarët! O, hej, Lush Rebeli  arritën shokët e luftës! Erdhi liria Lush Rebeli! Hapi sytë e shihe lirinë dhe bindu se  nuk do të vdesësh me sy hapur, ore hej...!

Lushi i dërmuar në bunker  vetëm u rrotullua në krahun tjetër sikur nuk dëshironte t’i prishej ëndrra e gjumit  të mëngjesit. Pas shumë thirrjeve , Lushi prapë nuk u zgjua, ndërsa Bubulina dyshoi  mos kishte vdekur i plagosuri që thoshte se po të vdiste  pa e parë me sytë e vet  lirinë, sytë do t’i mbeteshin  hapur, por sapo iu afrua dëgjoi frymëmarrjet fare ritmike të Lushit,  por gjumi nuk i doli dot . Komandanti, një burrë me mjekër të gjatë deshi ta kapte për hunde Lushin  për ta zgjuar , por togere Bubulina nuk e lejoi.

-Lëre të flejë, zoti komandant! Mbrëmë ka parë ëndërr të keqe! Kur ma rrëfeu edhe unë sa nuk u çmenda! Ëndërr të trishtë i gjori ka parë , dhashtë zoti e mos iu bëftë zhgjëndërr! Tash ndoshta ëndërron diç të mirë! Ja, shikoje zoti komandant, sa ëmbël qeshet në ëndërr Lush Rebeli. Më ka thënë se kurrë në jetë nuk i ka buzëqeshur fati. Nuk i ka buzëqeshur as goja, as fytyra, as shpirti...

Qeshu, Lush Rebeli , qeshu se nuk do të mbeten sytë hapur kur të vdesësh!- shprehu emocionet e veta togere Bubulina për ëndrrën e Lushit dhe të vetmen buzëqeshje të tij në jetë.

Burri me mjekër të gjatë dhe të thinjur që e quanin komandant , bashkë me ushtarët tjerë e morën  nga krahët të plagosurin, e nxorën jashtë dhe e hipën në një makinë të vjetër, të pluhurosur, të rreckuar dhe të bërë shoshë nga plumbat. Parafangoja  e makinës , zoti e di në cilën betejë ishte thyer, por kryesorja makina i kishte shpëtuar luftës sikurse Lush Rebeli!

Tek pasi  e nxorën nga bunkeri, që ndodhej në mes të kreshtës, flladi i mëngjesit pranveror i nxori gjumin Lushit që nisi të përqafohej  pareshtur  me komandantin mjekërgjatë dhe  çlirimtarët që  paralajmëruan për finalen e luftës.

-Si qentë i përzurëm përtej kufirit. Si hijenat para se të ngordhin ulurinin ushtria e gjeneral Gexhës. Aq u bënte për bythën, kur u kërcënohej koka atyre pisave !- tha komandanti  gjatë rrugës dhiare në malet e Pashtrikut  që shpie në kryeqytet. Era që hyri nëpër parafangon e makinës  i mori kapelën edhe togere Bubulinës edhe komandantit me nofkën Gurra. Rruga e vështirë me plot gurë dridhte këmbën e  të plagosurit    rridhte gjak, por Lush Rebeli, togere Bubulina , komandant Gurra e shoferi i makinës, një djalosh, të cilit akoma brisku i rrojës nuk i kishte prekur fytyrën, nuk e ndalën këngën . Ison e këngës së tyre e mbante kolona e makinave , që u vente prapa, kurse jehona  thyhej nëpër shkrepa,humnera e hone të maleve të Pashtrikut. Ishte kënga e fundit çlirimtare me të cilën përshëndeteshin malet që çlirimtarëve u kishin dhënë dy vjet strehën  , bukën e besën. Togere Bubulina duke i lidhur plagët Lushit  ia mori një kënge çlirimtarësh.

-Këngë e gjak!- tha togerja, që herë pas herë i rrokulliseshin lotët.

-Gjak , lot e këngë!- ia ktheu Lush Rebeli

-Krenari, këngë, lot e gjak!- plotësoi komandant Gurra.

-Edhe dhembje! – ndërhyri shoferi i ri.

-Të lutem djalosh, sot mos m’i përmend dhembjet. Nesër mundesh. Sot kam festë. Hej, male dëgjoni, more, hej... sot ka festë Lush Rebeli, oooo  heeej! Qe një qind vjet as gjysh as babë, as katundi as qyteti  im nuk ka pasur festë as këngë, more, heeej!

-Kur derdhet gjaku nuk di ç’është festa as pikllimi, zoti Lush. E di se e ke shpirtin sa këto male, por trupi pa gjak nuk bën . Gjaku është jetë, zoti Lush!- fliste infermiere Bububulina, ndërsa përpiqej t’i ndalte cërcallën e gjakut  këmbës së të plagosurit. Edhe komandant Gurra ndali këngën, shoferi i ri ndali makinën, por Lushi nuk pushoi së kënduari. Kush nuk e dinte  autorësinë e këngës, madje as Lushi nuk dinte kush ishte i pari që kishte kënduar këngën  e tij dhe pasi që mbaroi këngën e mori me të mirë togeren, lotët e së cilës përziheshin me  gjakun e Lush Rebelit:

-Mos u merakos motra Bubulinë!  Lush Rebeli kagjak sa një det! Lush Rebeli kadhembje sa  gjithë bota! Mos paske harruar se të kam thënë se Lush Rebeli nuk do të vdesë pa e hedhur një valle lirie në qendër të kryeqytetit. Zemra do t’u pëlcasë xhehenemve dhe Lugatit kur ta dëgjojnë këngën time dhe kur ta shohin vallen time. Kënga dhe vallëzimi im do t’i vrasë nëse nuk i ka vrarë lufta. Lufta i ndjek spiunët si kokrra e plumbit gjarpërin! Edhe po nuk i more spiunët  në thumb  , plumbi sillet e pështillet dhe e gjen ballin e spiunit pa e porositur njeri!

-Mos e ndal këngën Lush Rebeli pash dhembjet e kësaj toke!- reagoi komandant Gurra  që dridhej i tëri.

-Jo, jo , nuk vdes Lush Rebeli edhe sot, ndërsa nesër nuk ka rëndësi edhe nëse vdes. Syt  nuk  do të më mbeten hapur  si Isufit, Fazliut, Metushit, Hilmiut... Nëse vdes nesër, sytë do të më mbyllen akoma pa dhënë shpirt, kurse  shpiri im, pastaj, si engjëll prapë do të shetisë nëpër malet e Pashtrikut! Po, po, syt e mi vetë do të mbyllen. Edhe syt e Isufit, Fazliut, Metushit, Hilmiut... besoni deri sot ishin të hapur, kurse  sot kënga dhe vallja ime në kryeqytet do t’i mbyllë edhe syt e tyre!

Ju , ndoshta nuk e dini se shpirtërat që kanë lënë sytë e hapur vigjëlojnë, dëgjojnë, vuajnë si ne të gjallët...?! Sytë e tyre shohin! Vetë i kanë lënë sytë  hapur! Ata sot e shohin lirinë dhe e dëgjojnë këngën time! Sot do të pushojnë edhe ethet e trishta dhe zjarmia e  kryeqytetit! Fëmijët më nuk do të lëngojnë nga ethet e  vdekjeve me sy hapur! Prandaj... Sot ka festë Lush Rebeli! Hej e vrafshin sytë e hapur të dëshmorëve atë njeri që sot nuk ma uron festën mua dhe dëshmorëve,  që vdiqën me sy hapur për lirinë!

Kur rrotat e makinës shkelën asfalltin në Landovicë, gjaku  i këmbës së Lush Rebelit pushoi së rrjedhuri. Gruri nëpër ara sapo kishte filluar t’u nxjerrë kokë kallinjve. Edhe kallinjtë dukeshin krenarë. Tek i valëviste era, dukeshin sikur përkuleshin dhe përshëndetnin kolonën e makinave që në asfallt lerte pika gjaku, gjurmë që nuk do të fshihen kurrë. Kallinjtë më nuk druanin se kur të piqen do t’u vë zjarrin gjeneral Gexha dhe ushtria e tij. Nuk e fshehnin kokën, por zgjateshin e zgjateshin të shihnin kolonën çlirimtare dhe përkuleshin para tyre, qeshnin si foshnja  në djep  kur nëna e merr në gji. Sikur të kishin gojë edhe ata do t’i mbanin ison këngës së Lush Rebelit, sikur shkrepat e maleve të Pashtrikut, por edhe pa këngë kallinjtë e  grurit ndihesshin krenarë.

 

 

 

 

*    *     *

 

 

Rruga deri në qytet Lushit, infermiere Bubulinës e komandant Gurrës iu duk fare e shkurtër. Dëshironin që rruga të zgjatej e stërzgjatej.  Edhe shoferi i ri dëshironte që rruga të zgjatej. Edhe kolona e makinave me  të plagosur dëshironte që rruga të zgjatej. Pa dashur kolona arriti në kryeqytet, derisa  kryeqyteti priste me ankth kolonën e përgjakur. Në hyrje të kryeqytetit Te rreth” kolona  u ndal . I pari nga makina   zbriti Lush Rebeli, pastaj komandant Gurra e togere Bubulina që e mbanin Lushin nga krahët. Edhe të plagosurit tjerë të kolonës para se ta shkelnin tokën e kryeqytetit u përkulën dhe e puthën.  Pastaj u rreshtuan, ashtu si rreshtoheshin maleve kur niseshin në beteja .

-Hej, ku mbeti flamuri, more?- thirri me zë Lush Rebeli. Pa flamur nuk e hedh një hap në kryeqytet!

-Do ta mbajë togere Bubulina !- tha komandant Gurra

-Ani, por e para duhet të prijë me flamur! - u  pajtua Lushi.

-Jo, le ta mbajë komandant Gurra!- reagoi togerja! Atij i takon flamuri. Ai e mbajti në luftë e morde, ai duhet ta mbajë edhe në kremte.

-Lëreni tash bajraktarizmat!- deshi të tallet Lush  Rebeli. Mbajeni kush të mundeni, po mbajeni si i ka hije! Me flamur nuk luhet!

-Me flamur  do të prijë Lush Rebeli !- urdhëroi komandant Gurra. Urdhëri është i prerë!  Për mua  akoma  vlen rregulli ushtarak. Të gjithë u pajtuan që kolonës së të plagosurve t’i printe Lush Rebeli.

-Po e marr flamurin, por po druaj mos do të na përqeshë turma anës rrugës. Ka budallenj të papërmirësuar në këtë qytet, që mezi presin të  përgojojnë.

-Punë e madhe nëse të përqeshin zagarët e Lugatit dhe Akunit !- ia ktheu komandant Gurra. Nisu Lush Rebeli se si ti kush nuk i njeh këto rrugë! U rrite e u plake në këto rrugë duke demostruar. Sa dajaku ka krisur si rrufe mbi shpinën tënde këtyre rrugëve ?! Asnjë pëllëmbë e saj nuk ka mbetur pa u  shkelur nga këmbët tuaja ! – i dha zemër komandanti Lush Rebelt.

Lushi i vari automatikun krahut, mori njërën kukzë të mbahej në të, ndërsa në dorën e djathtë ngrehte lartë e më lartë flamurin. Në krahun e djathtë i vinte togere Bubulina, ndërsa në të majtin komandant Gurra. Kolona e të  plagosurve ecte ngadalë. Kujt i rridhte gjak nga këmbët, kujt nga duart, kujt nga koka... Turma që përbëhej , kryesisht, nga gratë qëndronte fare e heshtur dhe vëzhgonte kolonën e gjakosur që vinte e molisur. Të plagosurit shikonin anash dhe kur shihnin ndonjë të njohur e përshëndesnin, ndërsa Lush Rebeli, pasi që kolona ndërpreu këngën  luftarake pa ndërprerë përshëndeste turmën me valimin e flamurit në erë.

Një plake me shami të bardhë në kokë i dridhej në dorë një buqetë lulesh që e mbante. Nënë Naza!- tha Lushi dhe ndaloi midis rrugës, aty para godinës së universitetit.

Plaka  doli nga turma e grave dhe pasi puthi flamurin e përgjakur që e mbante Lush Rebeli e shikoi Lushin drejt në sy dhe  i dorëzoi tufën e luleve. Edhe Lushi e shikoi plakën drejt në sy, por kuptoi se nuk ishte nënë Naza.

-M’i përngjave nënë Nazës, loke!- i tha Lushi plakës shamibardhë.

- Edhe ti,  im bir, m’i përngjave djalit tim, Agimit! Më rrejtën syt, biro! E njeh ti djalin tim, Agimin, biri im?!

- Cilin Agim?- pyeti Lushi

- A shumë Agima paska, a?- pyeti plaka e ndruajtur .

Lush Rebeli u mvrejt. Uli kokën  dhe nuk foli asnjë fjalë.  U zbeh edhe komandant Gurra. Togere Bubulina deshi të fliste , por Lushi i dha shenjë të përmbahej. Si duket plaka e zverdhur i kuptoi të gjitha, por qëndroi.  Kolona e molisur vazhdoi rrugën mespërmes qendrës së kryeqytetit, të cilin togere Bubulina e shihte për  herën të parë. Plaka shamibardhë doli përsëri në rrugë, duke përcjellë parakalimin e kolonës, në mos po shihte të birin. Ndoshta plaka  gëzohej që i biri  nuk ishte në mesin e të plagosurve , ndoshta  brengosej që nuk ishte edhe i biri, së pakut, me të gjallët .

Parakalimi nëpër kryeqytet Lushit  i  ngjalli emocione për rininë. Tinëz, fare pa i vërejtur, ca pika lotësh i ngrohën mollzat e faqeve.Togere Bubulina që e mbante për krahu pa lotët e mallëngjimit të Lushit. ”Le të çmallet! Lotët fisnikërojnë shpirtin!”- mendoi togerja , ndërsa Lushi filloi t’i rrëfejë togeres.

-Ja, këtu në të 1968 –tën  ata katilët na patën zënë rrugën. Ujë të valë nga autobotat na hodhën. U bë llakërdi e madhe. Atë natë kishim festë. Festën e flamurit e kishim... Dhe.... Flamuri atë natë edhe njëherë u la me gjak...! Dikur krisën edhe armët...!  Murat Mehmeti u vra...! Mua më zuri Akuni! Akun Bishti atëherë ishte  lugati më i madh i kryeqytetit  ...! Kur përmendej emri i tij ,fëmija në bark të nënës dridhej. Edhe shumë të tjerë i zurën Akuni e Haruni... Tërë natën nuk pushuan  britmat në burgun e kryeqytetit, ndërsa Akuni e Haruni talleshin me festën tonë, me flamurin dhe pasi lodheshin  duke na rrahur ngrisnin dolli ! Edhe në të 1981-tën  prapë këtu krisi  kijameti dhe prapë Akuni e Haruni...! Kësaj radhe u doli në ndihmë edhe kurvëRahilë   ... Edhe herave të tjera  këtu kriste belaja ...! Më beso, togere, kjo rrugë sikur nuk di të ngopet gjak. Rruga më e namun e botës është...! Dhe, prapë, ndoshta për herë të fundit, po përgjaket nga gjaku i çlirimtarëve të maleve !

Togere Bubulina vetëm dëgjonte dhe shikonte herë Lushin e herë turmën që nuk mbante asnjë lule në dorë sa për t’u dëshiruar mirëseardhje çlirimtarëve . Pa e ditur se lulet, gjurmët e të cilave kishin mbetur në asfalt, një ditë më parë u ishin hedhur ushtarëve të NATO-s,-mendoi: ”Sa turmë budallaqe qenka   turma e këtij kryeqyteti, që nuk ditka t’i respektojë çlirimtarët e vet?! ”

Kur balli i kolonës arriti para platosë së teatrit të kryeqytetit, togu i nderit i ushtrisë së NATO-s,  nën komandën e gjeneralit gjerman, mori qëndrimin gatitu dhe përshëndeti kolonën e përgjakur. Edhe Lushi mori qëndrimin gatitu dhe salutoi ushtarakisht togun e nderit, që e priste . Togere Bubulina i përkthente herë Lushit e herë komandant Gurrës fjalët e gjeneralit:

- Konflikti mbaroi, zoti komandant, tash e tutje duhet të jetoni në paqe dhe ta krijoni paqen! Paqja duhet të vijë pas konflikteve , ndërsa konfliktet lindin paqjen!

- Ushtria jonë dhe populli im, zoti gjeneral i respekton aleatët e vet në luftën çlirimtare. Çdo të huaj që ka derdhur madje vetëm  një pikë gjak, një pikë lot apo djersë  ose që ka ndier dhembje ose ka folur një fjalë të mirë për popullin tim do t’i shpërblehet me respekt, ndërsa të rënët tuaj në këtë luftë , zoti gjeneral, populli im do t’i qajë si bijt e vet...! Por, unë L:ush Rebeli kurrë nuk do të pajtohem as nuk do të bindem se ishim në konflikt me okupatorin tonë. Nuk mund të quhet konflikt lufta që mori njëzet mijë jetë njerëzish, zoti gjeneral! Nuk mund të quhet  as të mendohet konflikt lufta që dëboi një milon njerëz nga vatrat e veta! Nuk mund të quhet konflikt, lufta që dogji treqind mijë shtëpi! Nuk mund ta quaj konflikt luftën në të cilën u desht që edhe NATO-ja e fuqishme të ndërhyjë! Po e quajtët kështu, do të lëndohen shpirtërta e të rënëve  dhe shpirtërat e kësaj kolone të përgjakur që ranë për t’u mbetur sytë hapur për  liri! Ne bëmë luftë e jo konflikt , zoti gjeneral! Sa e sa herë luftërat tona gjatë historisë Evropa i  ka tëkurrur në konflikte e si konflikte i ka hudhur në harresë...!  Lush Rebeli kishte edhe për shumë çka t’i fliste gjeneralit gjerman, por gjaku përsëri filloi t’i rrjedhë nga plaga ...! Gjenerali gjerman u habit nga gjeturia e Lush Rebelit dhe më nuk foli . Tupanxhinjtë e zurnaxhinjtë  e  djeshëm ia behën në bulevard. E para në valle u hodh togere Bubulina, e cila nuk njihte artin e vallëzimit  në kryeqytet, pastaj Lush Rebeli, komandant Gurra...  Edhe Rahila që gjendej bashkë me Akunin , Harunin e Lugatin në mesin e gjeneralëve të NATO-s, në shkallët e teatrit të kryeqytetit, deshi të hynte në valle, por e ndaloi Akuni:

- Ndalu , mori e poshtër ku po shkon?! Mos po mendon se Lush Rebeli është çmendur, a? Të njeh edhe ty, më njeh edhe mua , e njeh edhe Harunin mirë, e njeh edhe Lugatin! Ne që i hangrëm jetën  tash të vallzojmë me Lushin,a?!  Vallja e lirisë u takon atyre që e kanë merituar. Fshihu kurva ime diku midis turmës se ditë tona ngordhën...!

- Kemi NATO-n me veti!- reagoi Rahila me zë fare të ulët, ndërsa kur shikoi anash pa se Lugati, si rëndom, në momente kritike, ishte avulluar.

- NATO-ja nuk është as si komiteti i partisë  së Titos, as si gjeneral Gexha! Po na zbuloi kush jemi, na i fut nga njëqind vjet në gjyqin e Hagës!

-Ne nuk jemi kriminelë!- reagoi Rahila .  Unë nuk kam vrarë njeri, ndërsa Gjykata e Hagës sigurisht që nuk merret me kurvërinë e kurvave! Ke dëgjuar, në mos, Gjykata e Hagës ta ketë dënuar dikë për kurvëri?Burri im, ti mirë e di se kurvë isha para luftës e kurvë gjatë luftës! Nëse më jep Zoti shëndet, zanatin tim do ta vazhdoj edhe pas luftës! Ju jeni ata që më konvertuat në kurvë!

-E puna e maunave me kufoma ? ! – pyeti Haruni.

- Argatë të shkretë ishit, more budallenj! Ose... robër  lufte!- u përgjigj Rahila . Pastaj nuk ishit vetëm ju argatët e vetëm që ngarkuat kufomat në kamion. Argatë ishin edhe Ziban Zi e Haram Harambashi me të bijt. Ti Akun dhe Lugati, madje, as një kufomë nuk e ngarkuat në maunë. Ju vetëm i numruat kufomat dhe kontrolluat  mos ndonjë i mbetur  gjallë po përvidhej të ngarkohej në kamion. Pastaj, tekefundit, juve askush nuk mund t’ju fajsojë pasi që gjeneral Gexha iku pa ju paguar mundin!- u përpoq Rahila t’i arsyetonte ekipin e argatëve që ngarkuan kufomat në maune.

- Nuk i shitet Lush Rebelit dushk për gogla , nusja  ime!- tha Haruni. Nuk mund ta mashtronim kur e kishim në birucë burgu e lëre më tani që ka pushtet sa një det.

- E kuptoj se tani Lush Rebeli do të ketë pushtet, por nuk ka shtet!- reagoi  Ziban Ziu. Pushteti pa shtet  është si peshku në rërë!  Kërcen, përpëlitet... mundohet...por pas pak çastesh ngordh i etur! Marrëveshja e Kumanovës dhe Rezoluta 1244 e OKB-së edhe njëherë ua nguli dhe do t’i lërë  me  pushtet, por pa shtet! Do të lodhen me pushtetin e tërë botës që u çukat rrashtën e kokës si korbi ngordhësirës! Këta nuk mundën ta durojnë pushtetin e gjeneral Gexhës e lëre të krejt botës! Do të ngriten në kryengritje , ndërsa ne dhe Mëhalla e Xhehenemëve do të kalojmë ,si rëndom , në taborrin e NATO-s.

- Nuk e besoj të jenë aq të marrë sa të luftojnë me NATO-n- reagoi Akun Bishti.

- Do t’u binden urdhërave të NATO-s- ndërhyri Haruni, zëri i të cilit nuk dëgjohej larg sa nga daullet  e zurnat sa nga zhurma e gjeneralëve të NATO-s që komentonin parakalimin triumfal të kolonës dhe cakëronin gotat për fitore. Ndërkaq, Lush Rebeli me një këmbë dhe një kukzë nuk e ndiente rrjedhën e gjakut, por hidhej nga një kënd në këndin tjetër të rrugës pa e ndalur  vallen. Fare pa pandehur, ndërsa vallzonte, në mesin e gjeneralëve pa Akun Bishtin. Pastaj pa edhe Rahilën , Harunin... Lugati nuk dukej. Lushi ndali vallen. U step. Pastaj vallzimin e ndali edhe togere Bubulina. Me turmën vallzonte vetëm komandant Gurra, I cili kur pa Lushin që ishte ndalur iu afrua  dhe  e luti ta vazhdonte vallzimin.

- Hë! U ngope me valle Lush Rebeli, a? Hajde, more ngjitju valles se për të ke ëndërruar njëqind vjet! Atje në male më flisje aq gjatë për vallen dhe festën e lirisë e tani bën ojna!- dhe e zuri për krahësh Lushin të ngjitej në valle.

- Nuk u ngopa  me valle , komandant  Gurrë. As nuk i bëj hile valles së lirisë, por nuk mundem më. Këmba më lëshoi. Sytë më janë lëbyrur. Më beso, komandant nuk kam më fuqi ta hedh asnjë hap. Komandant, hudhi një sy kopesë së gjeneralëve dhe shiko Akunin, Rahilën, Harunin...  si sillen me fodullëk në mesin e tyre , sikur ata të ishin vërtetë çlirimtarët! Pa shih...! Shih edhe Ziban Ziu e Haram Harambashi po mbështillen në mesin e gjeneralëve! Edhe doktor Zebeku me fallxheshën e me Dudie kurvën...!

-Do t’i vras! – tha i indinjuar komandant Gurra duke gatësuar automatikun.

- Mos të lutem, komandant! Mos!Nuk bën t’i ndotësh duart!- ia ktheu Lush Rebeli. Ato ngordhësira nuk i paska hëngër as lufta, medet! Era e tyre do ta ndotë krejt botën ...!

-Rrufeja nuk vret çufrra, thotë një urti indase!- reagoi togere Bubulina.

- As hithra! – e plotësoi Lushi togeren.

- Rrufeja vret  lisa të fortë, që nuk dinë të përkulen në shtrëngata. Lisa që u qëndrojnë stuhive , përfundoi komandant Gurra dhe e zuri Lushin nga krahu e togeren për dore dhe përsëri u ngjitën në vallen e turmës. Jehona e tupanave  dhe zurnave  thehej në muret e godinave të larta të kryeqytetit . Për  çudi të Zotit askush nga banorët e rrokaqiejve nuk u ankua se turma , tupanat e zurnat po u pritshin qetësinë. Në të kundërtën, banorët e rrokaqiejve, kësaj radhe, kishin dalë në balkone  me veshje solemne dhe nën ritmin e tingujve të tupanave e zurnave edhe ata festonin.Gra e burra, të rinj , të reja e fëmijë nëpër balkone vallzonin me flamuj në duar. Ndonjë trim i balkoneve zbrazte nga një karikator fishekëh në qiell, ndërsa ndonjë hero i balkonit karshi,  i fyer intimisht se balkoni tjetër po imponohej më patriotik e shurdhonte  bulevardin me nga dy e tri batare autoamatiku.  Ishte  hera e parë që soliterxhinjtë të shikonin turmën në bulevard apo të vallzonin. Kur demostrohej në bulevard, banorët e rrokaqiejve lëshonin perdet në dritare, errësonin dhomat , mbyllnin veshët me pambuk dhe ia krisnin gjumit derisa hafijet e Lugatit dhe  Akunve të kryeqytetit e pastronin bulevardin nga rebelët  që betoheshin se do të vdisnin  syhapur për lirinë. Disa banorë të kryeqytetit mburreshin se nuk u frikoheshin Lugatit e Akunëve, por arsyetoheshin se i  frikoheshin lëngatës së etheve të trishta  që nuk i shqiteshin dot kryeqytetit.

 

 

 

*       *       *

 

 

 

 

 

 

 

Gjeneralit françez që me kureshtje shikonte spektaklin festiv në kryeqytet i  la mbresa të veçanta vallzimi i Lush Rebelit dhe i tha gjeneralit anglez:

- Sa i  përçudshëm qenka ky  popull! Sa shumë e dashka lirinë, ndërsa ka ngelur  populli i vetëm i Evropës pa liri! Shikoje atë njeri me kukzë që hedh vallen , më duket tamam si  Zhan Valzhani i  të madhit Ygo. I këtillë ishte edhe vallzimi i Zhan Valzhanit, por vetëm me tjetër flamur!

- Thonë se  është komandant! – u përgjigj gjenerali anglez

- Mua më duken si Don Kishoti e Sanço Pança me Dylçinjën e Tobozës!- ndërhyri gjenerali spanjol.U mungojnë vetëm mullinjtë e erës!

- Me çlirimtarët nuk është e ndershme të tallesh!- reagoi gjenerali gjerman. Heroit të luftës i kanë hije plagët... edhe gjaku... edhe festa e fitores!

- Këta nuk e fituan luftën, zoti gjeneral. Luftën e fituat ju të NATO-s- ndërhyri në bisedë gjenerali rus, i cili në ceremoninë festive mori pjesë sa për sy e faqe, ndërsa  shikohej nën vetulla me gjeneralët tjerë të NATO-s shkaku i asaj zënkës rreth aeroportit të kryeqytetit,  që gati u shndërrua në bela ndërkombëtare.

- Sidoqoftë, këta e nisën luftën vetëm, prandaj fitorja u takon këtyre! Ne ishim aleatë të këtyre të gjorëve, kurse  armata jote ishte aleate e atyre okupatorëve !– nërhyri gjenerali italian.

- Po ajo thëllëzë me uniformë e grada amerikane kush na qenka, more ?!-   gjenerali anglez e pyeti gjeneralin spanjol, disi i habitur si dinte të kërcente valle vendase një femër amerikane?!

- Nuk di! Nuk po kuptoj gjë!- tha gjenerali spanjol , duke rrudhur supet dhe duke u ndier i turpëruar për krahasimin që bëri pak më parë.

- Bubulinë  e quajnë!- tha Rahila me gjysmë zëri. Trup delfine paska !

- Dhe syshkabë ! e plotësoi Haruni.

- Si the se e paska emrin ?- pyeti Lugati i habitur.

- Bubulinë! Ose togere Bubulina ! Infermiere Bubulina, i dëgjova  kur e  thirrën  ai komandanti hijerëndë dhe ai komandanti çalaman!-  shpjegoi Rahila që nisi ta xhelozojë togeren.

- O, Zot, a është e mundur të jetë këtu motra ime !- tha Lugati, i cili doli nga kopeja e gjerneralëve të NATO-s dhe u nis drejt  rrugës për t’iu afruar  togere Bubulinës, që vallëzonte dora- dorës me komandant Gurrën dhe Lush Rebelin.

- O, ikni njerëz se u shfaq Lugati! Hej, njerëz ! Po vjen Lugati ! U ngjall Lugati! Ikni se Lugati...! Lugati...!- u dëgjua një zë i çjerrë që doli nga mesi i turmës, i cili mezi dëgjohej nga krismat e daulleve , zurnave dhe breshëritë e automatikëve që zbrazeshin nga balkonat .Derisa njeriu i turmës   i lemeritur nuk ndalej së çjerruri se po shihte Lugatin, disa të rinj menduan se njeriu që bërtiste ishte çmendur ose ishte njeri që kishte mbetur me trauma lufte dhe e zurën për krahësh, i lidhën edhe duar e këmbë! U munduan t’i mbyllnin edhe gojën, por njeriu i turmës nuk ndalej së bërtituri , por ishte e kotë ta   bindte turmën se nuk ishte  çmendur , por po e shihte Lugatin që i afrohej togere Bubulinës.

- Mbajeni fort, se qenka çmendur rënd i gjori!- tha një djalosh i djersitur që në supe mbante emblemën e çlirimtarëve .

- Sa i fuqishëm që qenka thiu!- u ankua një  i ri tjetër që përpiqej t’i mbyllte gojën.

- More, ndoshta ky i krisur po sheh diçka, që i përngjet lugatit!?- dyshoi një djalosh tjetër.

- Lëri ato fjalë,  budalla, mos u bën supersticioz t’u besosh dokrrave të kryeqytetit !- ia ktheu  djaloshi me emblemë.

Ndërsa të rinjtë merreshin me të çmendurin e supozuar të turmës, nga turma dolën edhe britma të tjera që  tërhiqnin vërejtjen për shfaqjen e Lugatit, të cilin e njihnin mirë:

- Lugati! Hej...! Lugati... more ! Ikni se Lugati...! Vrani Lugatin, ore! Por, britmat prapë nuk u dëgjuan larg nga zhurma e turmës së çakërdisur.

Derisa gjeneralët dhe Akunët e Mëhallës së Xhehenemit bluanin mendjen se kujt i përngjanin vallet e  Lush Rebelit, komandant Gurrës dhe togere Bubulinës, Lush Rebeli u rrëzua për tokë! Lugati  iu afrua  Lushit të shtrirë në asfaltin e bulevardit të qytetit dhe togere Bubulinës dhe thirri me zë të lartë togeren duke ngulur këmbë se togere Bubulina ishte motra e tij, ndërsa   togeres nuk i lërte asnjë përshtypje  lugati që e thërriste motër!  Togere Bubulina  përpiqej ta kthente në vete Lush Rebelin që kishte derdhur edhe pikat e fundit të gjakut në vallen e lirisë, por ishin të kota përpjekjet e saj.

Autoambulanca e NATO-s dhe ekipi mjekësor mezi shpëthyen turmën  për të arritur deri te i plandosuri në asfalt , ndërsa as sirenat lemeritëse të autoambulancës nuk mund t’i hapnin rrugë. Turma e brengosur donte të mësonte  saktësisht për gjendjen shëndetësore të të plagosurit, shkulma e gjakut të të cilit avullohej në asfaltin e bulevardit .

Lugati sa hap e mbyll sytë u zhduk pa e vërejtur njeri, ndërsa turma  e lemeritur mbeti e shtanguar me sy të hapur kah qielli duke shikuar nga u tret Lugati, duke druajtur mos do të shfaqej përsëri !

Kush nuk mori vesh nëse tupanxhiu apo zurnaxhiu që ishin nga Mëhalla e Xhehenemit dhe që i njihnin mirë jo vetëm Akunët, por edhe Lugatin fët e fët komponuan një këngë të cilën filluan ta këndonin, ndërsa turma  i mbante  ison:

 

 

O, Lugat –o,  ore thi-e

Mblidh Akunët- o, ik n’Serbi-e

Merr me veti kurvën Rahilë

O Lugat- o, ore rezil!...

 

 

Tingujt e këngës parodike të turmës u ngjitën lart deri në balkonet e soliterave të lyer me polikolor përbri bulevardit. Sapo soliterxhinjtë kuptuan se kënga e turmës vinte si parodi për Lugatin dhe Akunët ndalën vallzimin , hyrën në dhoma dhe përsëri, si rëndom herat tjera, i mbyllën veshët me pambuk që të mos  dëgjonin e mos të shihnin të përdhosur autoritetet e Aknve dhe Lugatit.

- Sa turmë budallaqe!- tha në errësirë Tatlije Bozaxhia.

-Inshalla nuk i dëgjojnë Lugati e Akunët se e qesin fare kryeqytetin .Këta mendojnë se vdiq koha e Lugatit, a? Eeeh...! Nuk vdes Lugati leht, mori motër!-tha Lalush Teneqexhia. Ai i mallkuar Lugati me Akunët qe tridhjetë vjet ha koka njerëzish! Nuk besoj të dorëzohet aq shpejt, jo! I majmur është thiu! Nga ky balkon e kam shikuar  tridhjetë vjet ç’të zeza i bëri këtij qyteti!  Poshtë në bulevard është derdhur një det gjak. Kam pa gishtërinj të prerë që kërcenin si peshqit në rërë! Ujë të valë që nga cisternat derdhej në kokat e studentëve! Kam dëgjuar britma rrënqethëse të të rinjve! Ama , si të rinj që ishin nuk e ndalnin këngën! Por kënga e tyre nuk ishte si kënga e sotme e kësaj turme të ç’orientuar! Ajo këngë të ngjethte lëkurën, ta ngrohte shpirtin, zemra bëhej sa një mal, por unë i mjeri, edhepse e gjakoja atë turmë, nuk guxoja t’i bashkangjitesha. I kisha një tufë kalamajsh që prisnin  në do të shisja ndonjë kusi apo kazan për t’u sjellë një kafshatë buke në shtëpi.

-Lëre usta Lalush pash Zotin, si Lugati nuk kish njeri të mirë në qytet! Veç Zoti ka pasë rahmet e na e dërgoi të na mbroj! Tridhjet vjet e mbrojti qytetin nga sytë e mbetur hapur pas vdekjes së rebelëve , nga lëngata e etheve , nga shkrimtarët, nga studentët! Është gjynah prej Allahut të harrohen të mirat e Lugatit dhe Akunëve! Sa shpejt harrove se po të mos ishin Lugati me Akunët, gjeneral Gexha kurrë nuk do ta mbushte spic trenin humanitar dhe ta fuste në Korridorin e Gligorovit. Zot shpëtoje Lugatin ! Zot shpëto Akunët! –përfundoi Tatlije fallxhesha duke hequr shaminë e bardhë nga koka dhe duke u lutur   me duar të shtrira kah yjet. Pas një heshtjeje të shkurtër  shqiptoi fjalën ”Amin!” dhe fërkoi fytyrën me shuplaka .

Usta Lalushi u habit me gjestin e komshikes së vet dhe  për inat të saj   u  ngrit në këmbë, shtriu duart kah qielli dhe filloi mallkimin për Lugatin dhe Akunët e Mëhallës së Xhehenemit: ” Amin , o Zot ! Theja qafën Lugatit me fis e me farë! Akun Bishtit i daltë briri në ballë ! Harun Bixhozxhia vraftë veten me dorën e vet! Rahilë kurvën e pafsha të varur në litar! Haram Harambashin, o Zot, e pafsha tek zihet në katranin e xhehenemit! Ziban Ziun e pafsha duke brejtur gjunjtë e vet! Dudie hanmi u bëftë shërbëtore imja! Gjeneral Cexhën e pafsha të hajë kafkat e fëmijëve të vet ! Amin , o Zot! I qofsha falë hirësisë tënde, mirato këto lutje të mia! O, Zot ose fali lirinë këtij mileti e nxirre nga zullumi i gjeneral Gexhës, Lugatit e Akunëve  ose zhduke fare! Amin!”- përfundoi mallkimin usta Lalushi.

Lutjet dhe mallkimet e Tatlije hanmit dhe  usta Lalushit dhe grindjet e komshinjve të vjetër i ndërpreu ezani i hoxhës që vinte nga minareja e Xhamisë së Madhe që ftonte xhematin e vet për namazin e akshamit.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx