E hene, 05.05.2025, 11:47 PM (GMT+1)

Kulturë

Hysen Këqiku: Në ty e kam shpirtin (II)

E shtune, 25.09.2010, 03:56 PM


HYSEN KËQIKU

 

NË TY E KAM SHPIRTIN

 

 

HAPAT E MI NË RELIEV

 

 

L U T J E

 

Shiu

e ka harruar

vetveten

është shndërruar

në vërshim rëre

 

diellit

i është ngjitur

në rreze

një ferrë

 

në vakumin

e  oqeanit qiellor

si në pasqyrë

shikohet

Luboteni

dhëntë Zoti

e nuk i ka harruar

rrënjët

në rrëzën

rreshkur

 

NË TY E  KAM SHPIRTIN

 

 

Saherë

e kam vështruar

livadhin

përballë shtëpisë së vjetër

asnjëherë

nuk më është dukur i njëjtë

 

në mëngjes

si loti i ndarjes

 

si loti i ndarjes

lot mbi baladë

 

pas mëngjesit

i etur

në hulajë erërash

 

në mesditë

i heshtur fare

 

pas dite valë-valë

nga një frymë

as e ngrohtë

as e ftohtë

e padefinuar

në mbrëmje

po të mos rrinin zgjuar

karkalecat

fare i heshtur

 

II

livadhi

para shtëpisë sime të vjetër

nuk fle me orë

me lindje dhe perëndim të diellit

 

përkundër dëshirës

o livadh

asnjëherë nuk kam guxuar

të futem në ty

këmbë zbathur

në mes asaj bukurie

struken

shumë lloj ferrash

fletëgjera

rrethuar me ferra majëmprehta

truplarta

me ferra të gjata

 

III

Sfidojnë bukurinë tënde

o livadh

me atë blerim aq bujar

 

me atë madhështi

aq fisnike

i tëri më shëmbëllen

në një dhembje

 

si unë

kur eci në anën e djathtë

dikush më thotë

ec në anën e majtë

 

kur eci në anën e majtë

tjetri e imiton

- ec në të djathtë

 

kur eci

drejt një synimi virgjin

i njëjti 

- pse ma more idenë

 

kur bëj hap të ngadalshëm

prapë dikushhiçi ...

 

- e ke zënë rrugën

kur kollitem me dorë në gojë

përsëri  i njëjti

- e ke pështyrë hedhurinën time -

urrejtjen.....

 

Kur  flas vetë me vete

Të njëjtit

-“sa mirë paska devijuar”

 

KA EDHE MË KEQ

 

Aty në fushë të bardhë

i thashë - shporre urrejtjen

se bilbili më lirshëm do të

cicërojë

në shelgun

në fund të livadhit

para shtëpisë sime të vjetër

 

e di livadhi është një botë

shëmbëllen

me përditshmërinë time të ronitur

bari i butë

i shtrirë mbi tokën time atdhe

ferra me ferra ther

bari i njomë hesht

ferra ngrit kokën

me një kurorë luleje

trupi saj iriq me ferra

ka më keq -më tha

një aromëmbël

ferra e shtrirë përtokë

pa kurorë luleje

nuk të lë të futesh këmbëzbathur.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

TË PËRKULEM ATDHE

 

 

 

Hapma derën të të përkulem, në pragun tënd

Ta puthi si faqen e nënës fytyra të më qeshë,

Të hapëroj lëndinave, ta çikë me dorë çdo kënd

Ta shijoj kushtrimin në vendlindjen trimëreshë

 

E di se sa më  mungon kur jam, larg Teje

E di sa lot kam derdhur për të hapëruar në ty

I mba mend përshëndetjet të ardhura prej meje

O për besë vetëm në TY më kënaqen këta dy sy.

 

Hapma derën të futem në atë bukuri të rrallë

Ta shijoj erën e bukës që bëri ai dhe i bekuar

Ta përtyp me shije ashtu sikur për herë të parë

Të qetësohet njëherë ky shpirti im i trazuar

 

Hapma, hapma derën dorën të ta shtrëngoj

I kthyer nga larg me mall e brengë ngarkuar

Me mallë e brengë jam turr ty të të përqafoj

Edhe plagët e së kaluarës të këtij vendi të bekuar.

 

Dua t’i futi duart thellë në dheun erëgjaku

Nuk kursehem dot, le të pikojë loti im në ty

E di përkushtimin e të parëve të të hiqet laku

Të nxorën në log të gjerë – nuk të lan ndry.

 

Dua të t’i përkëdhel plagët e qëndresës d u a

Të t’i mikloj  faqet e bardha të konaqeve

Më mundëso o atdhe të eci rrudhave tua

Të t’i mbylli plagët  e kanunit  e të gjaqeve

 

Nuk mund ta marrësh me mend sa i madh je

Për mua je çdo gjë që kam mësuar në jetë

Do të shkrihem për ty, për ty lë gëzim e hare

Nuk t’i kujtoj rëniet vetëm rritjet deri te retë

 

 

SHTËPIA NË VENDLINDJE

 

Hesht shtëpia ime e vjetër

diçka bluan në heshtje

i sheh

të kam sjell lule

- te jazi i mblodha

janë të freskëta

 

ti nuk flet

po unë të kuptoj

je shurdhuar për zhurmë njeriu

për teshtitje

për kollitje

për grindje

rragata e heshtjes

të ka shurdhuar

ka hyrë në moshën thinjore

 

m’u duk se më erdhi një zë nga

themeli

 

sillma hingëllimën

e kalit të shaluar

trokun e kalit të harlisur

 

o kob i larë me vesën e shpërlarë

as një fyell përtej nuk jehon

 

 

 

 

JETON ME HESHTJEN

 

Në faqe ograje

është strukur

ajo shtëpi

vetmia ia ka grabitur

gjuhën time

pëshpërit me hënën

ia thotë fshehtësitë

të ngjyrosura

me dyll të mylltë

 

në dritaret

pa asnjë shikim

 

vazhdon

heshtjen

në heshtje

të heshtur

 

një vis i  bukur

me eshtra

gurëzuar

në heshtjen e vetmisë

shurdhuar

 



(Vota: 3 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx