E enjte, 01.05.2025, 11:21 PM (GMT+1)

Kulturë

Agron Tufa: Shpërfillja e poezisë shqipe në Strugë

E shtune, 25.09.2010, 02:53 PM


Shpërfillja e poezisë shqipe në Strugë

 

Nga Agron TUFA

 

I

Mbi poetin dhe rolin e tij në shoqëri është folur shumë, që në antikitet, madje deri në paradokse. E paharueshme mbetet, për shembull, metafora e (keq)kuptuar e Platonit, i cili në rastin më të mirë i vë poetit një kurorë nderi dhe e përzë atë nga Shteti Ideal. Përpos paradokseve të tilla ka patur himnizime të figurës së poetit, përkufizime nihiliste e konjukturale, përpjekje për ta instrumentalizuar domethënien dhe rolin e tij, duke u larguar nga një e vërtetë, e cila sipas Josif Brodskijt citoj: "poeti edhe nëse diçka përfaqëson, kjo është vetja e tij dhe, më së shumti - në rastin më fatlum - ai përfaqëson Gjuhë".

 

E nëse e pranojmë këtë postulat (siç më pëlqen dhe mua ta pranoj), atëherë duhet të shtojmë, se përfaqësimi i Gjuhës, është përfaqësimi më i gjerë dhe më universal i domethënies së poetit (në rastet fatlume, sigurisht). Por nëse poeti ka mbërritur të përfaqësojë Gjuhë, atëherë poezia është shkalla më e epërme e idealitetit të gjuhës. Së këndejmi vjen pashmangshëm një e vërtetë tjetër: Gjuha e sociumit nga hedh shtat ekzistenca e poetit vetëprojektohet në hipostazën më të epërme të saj, pasi, siç ka thënë Odeni,"poeti është ai, përmes të cilit mbahet gjallë Gjuha".

 

Poeti herëdokur ia kthen shoqërisë gjuhën e saj në shkallën  më të lartë të idealitetit. Sepse nuk ka ndodhur ndryshe: që poeti të flasë në gjuhën e popullit; përkundrazi: populli do të flasë më vonë me gjuhën e poetit. Në këtë kuptim shihet rëndësia e poetëve të mëdhenj që kanë reformuar gjuhët kombëtare: Dantja, Shekspiri, Gëtja, Mickjeviçi, Pushkini, Naimi e Fishta janë trajektoret e rrugëtimeve që u kanë paraprirë gjuhëve kombëtare.

 

Kthjelltësinë më të madhe në raportet e poetit me shoqërinë, më duket se e ka mbërritur nobelisti Josif Brodskij në një ese, mendimin e të cilit po e sjell të zgjeruar: "Nëse poeti ka ndonjë detyrim para shoqërisë, atëherë detyrimi i vetëm është: të shkruajë mirë! Duke qenë se ai i përket pakicës përballë shoqërisë, ai nuk ka alternativë tjetër.

 

Por nëse nuk e shlyen këtë borxh, poeti kridhet në harrim. Shumica, pra, shoqëria, përveç leximit të poezive, mund të ketë dhe qindra punë të tjera, sado mirë qofshin shkruar ato. Por duke mos i lexuar poezitë, krijimtarinë e shkrimtarit të saj të mirë, shoqëria katandiset deri në nivele të mjera ligjërimi, sa të bjerë lehtë pre e demagogëve dhe tiranëve. Dhe pikërisht një shoqëri e tillë është ekuivalente me harrimin, prej të cilit, sigurisht, përfiton tirani. Mos ndodhi ndryshe me përvojën tonë të pasluftës së Dytë?

 

Duke iu kthyer rolit të poetit në shoqërinë tonë të sotme, gjendesh i braktisur edhe në referencat e mendimit. Ndoshta atmosfera vicioze ku ka hyrë sot ( e jo vetëm sot), jo vetëm roli i poetit, por i letërsisë në përgjithësi, të shkurajojnë të vizatosh peizazhin e shkretuar. Asnjë komunikim brendakulturor të letërsisë tonë mesvedi, asnjë lidhje me kulturat e huaja, asnjë periodik - revistë, almanak, gazetë - asnjë formë alternative organizimi! Gjithçka priret në dorë të rastësisë më të rastësishme. Të vetmet forma gjëllimi janë sektet guerrile të forumeve, vrunduj të trashë mllefi, që i përngjet banditizmit anonim me çorape në fytyrë: kapërthime e kacagjelime hijesh anonime.

 

Mua nuk më kanë pëlqyer ndonjëherë zgjidhjet e këtyre problemeve "me shtet", zgjidhjet "vertikale", por ka sa të duash përvoja ku shteti financon politika, të cilat nxitin një klimë dhe atmosferë kulturore, qofshin këto platforma, projekte individuale, grupore, alternativa artistike jo klienteliste, me qëllim që t'i largohen dhe pamundësojnë dhelpërinë e monopolit. Jemi shumë larg kësaj fryme, andaj më e mprehtë kjo "shkretëtirë" kulturore m'u ngjall gjatë pjesëmarrjes në Festivalin Ndërkombetar të Poezisë në Strugë.

 

II

Me 18-14 gusht u mbajt për të dyzetë e njëjtën herë në Strugë Festivali Ndërkombëtar i Poezisë. Nuk janë të shumta ato kultura kombëtare, që përkrahen nga politikat shtetërore përkatëse në një Manifestim kaq të gjerë, kaq këmbëngulës e kaq jetëgjatë. Festivali Ndërkombëtar i Poezisë në Strugë, i nisur dhe i mbështetur prej ish-Federatës së Jugosllavisë para 41 vjetësh ka patur një prestigj të madh me tubimin e poetëve më të njohur nga të gjitha kulturat poetike të botës.

 

Suksesi i tij ka qenë, padyshim, jo vetëm nga përkujdesjet në realizimin e përformancave leximore të poeteve të huaj apo nga prezantimet speciale të poezive kombëtare, por edhe me dhënien e çmimeve të merituara. Poetët laureatë të Strugës, fituesit e "Kurorës së artë", kanë qenë shpesh individualitete të spikatura poetike me ndikim të madh në rrjedhat e poezisë bashkëkohore në botë. Mjafton të përmendim disa fitues të "Kurorës së artë" të Strugës, si Uinstën Hju Oden, Ted Hjuz, Josif Brodskij, Shajmus Hini, Zbignjev Herbert, Horhe Husto Padron, Nikita Stenesku, Hans Magnus Ezensberger, Tomas Trastromër, Visllava Shimborska, Derek Uollkot etj, që të bindesh për seriozitetin e këtij Festivali.

 

Pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, edhe Festivali Ndërkombëtar i Poezisë së Strugës, i cili kishte krijuar tashmë një traditë solide, i mbeti trashëgim republikës së Maqedonisë, e cila e ka shfrytëzuar këtë trashëgimi për të forcuar lidhjet dhe njohjet e saj çdo vit me poezinë dhe kulturat ndërkombëtare. Dhe ka përfituar jo pak prej këtij Festivali. Sigurisht Festivali do të kishte degraduar me kohë nëse nuk do t'i kishte qëndruar besnik, në  radhë të parë, nderimit të vlerave të spikatura të artit poetik. Politika kulturore e shtetit maqedonas ka ditur ta përfshijë në strategjitë e njohjes dhe propagandimit të vlerave të veta këtë Festival poetik, duke intensifikuar kështu njohjen e këtij shteti në krizë identiteti nëpërmjet kolanës së librave që botohen çdo edicion, çmimeve dhe poetëve të ftuar anekënd botës.

 

Përfaqësimi i poezisë shqipe në "Netët e Strugës" për një kohë të gjatë, deri në fund të viteve tetëdhjetë, ka qenë i vazhdueshëm vetëm nëpërmjet poetëve kosovarë. Poetët nga Shqipëria e kanë filluar pjesëmarrjen pas rënies së komunizmit. Për një kohë të gjatë ky përfaqësim ka qenë monopol i Lidhjes së Shkrimtarëve edhe pas rënies së kësaj shoqate, kur ajo nuk funksiononte më, çka do me thenë, ka qenë një monopol i dy-tre poetëve. Edhe pjesëmarrja në përfaqësimin e poezisë shqipe nga Shqipëria endej zakonisht në një rreth shumë të ngushtë 3-4 emrash.

 

Në vitet e fundit, Kryesia e Festivalit Poetik të Strugës ka filluar të njihet vetë me krijimtarinë e të ftuarve nga poezia shqipe e Shqipërisë, çka ende nuk siguron një garanci të nivelit artistik të të ftuarve për shkaqe të vetëkuptueshme. Gjithashtu viteve të fundit nuk kanë munguar edhe incidente mes poetëve shqiptarë të Maqedonisë, anëtarë të Kryesisë së Festivalit, deri në braktisjen, largimin dhe mandej, polemikat e tyre në shtypin maqedon. Por një gjë duhet thënë me siguri: pjesëmarrja dhe përfaqësimi i poezisë shqipe në Festival ka qenë gjithnjë gjerësisht i pranishëm, si me poetët nga Kosova, ashtu dhe me poetët nga Shqipëria dhe Maqedonia.

 

Këtë vit madje përveç regjioneve shqiptare, poezia shqipe kishte dhe përfaqësues nga arbëreshët e Italisë. Tekefundit nuk është pak një përfaqësim kaq i gjerë gjeopoetik në një Festival Ndërkombëtar prestigjioz, duke llogaritur performancat individuale leximore të poezisë, ashtu edhe leximet në grup, pa harruar edhe pjesëmarrjen në poetëve shqiptarë në faqet e Antologjisë së përvitshme. Tjetër është problemi i cilësisë së përfaqësimit, i cili menjëmend do të duhej dhe mund të paraqitej më mirë. Një ndër poetët e njohur maqedonas, anëtar i bordit të Festivalit, Nikola Maxhirov, na tha se kriteri i ftesës së poetëve, bazohet në njohjen e krijimtarisë së të ftuarit nëpërmjet përkthimeve nga anglishtja, ndërsa një pjesë tjetër të ftuarish mbetet ekskluzivitet i anëtarëve shqiptarë të bordit.

 

Këtë vit në mesin e shumë poetëve nga mbarë bota të pranishëm ishin poetët shqiptarë: Agron Tufa, Alma Papamihali dhe Mimoza Sali nga Republika e Shqipërisë, Eqrem Basha nga Republika e Kosovës, Pino Caccoza nga arbëreshët e Italisë dhe shumë poetë shqiptarë nga Maqedonia.

 

III

 

Poeti fitues i "Kurorës së artë" të Strugës u shpall bullgari Lubomir Levçev. 75-vjeçari Levçev është autor i 50 librave poetike në gjuhën bullgare dhe i 70 librave të caktuar në 34 vende në botë. Është fitues i 17 çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare për poezi pothuajse në të gjitha kontinentet. Në mbrëmjen e Manifestimit kryesor të recitimeve mbi urë, poeti bullgar shoqërohej nga Presidenti i Republikës së Bullgarisë, i cili, së bashku me trupën diplomatike të ambasadës bullgare në Maqedoni, nderimin për poetin fitues të vendit të vet e shprehu edhe në një koktejl të posaçëm, në ambientet e hotel "Drini".

 

Ishte kënaqësi e shumëfishtë të shihje atë shkallë prekëse nderimi të poetit nga figurat kryesore të shtetit. Ishte kënaqësi edhe për poetin që përfaqësonte simbolikisht poezinë bullgare, të kishte përkrah në atë gëzim simbolin qendror të shtetit. Mbase ky është thjesht gjest dhe ritual, krejtësisht formal e diplomatik, para se të jetë ndjeshmëri e vërtetë... unë nuk marr përsipër të paragjykoj e as të himnizoj. Por prania e shtetit, krah poetit që lartëson kulturën e tij dhe, sidomos, prania e pavënëre, jo impozante, na ndërmend shpesh shpërfilljen tonë cinike me të cilën sillet shteti ynë me kulturat dhe politikat kulturore.

 

E kujtova praninë e presidentit bullgar në natën e shpalljes së "Kurorës së artë" të Strugës për 75-vjeçarin Lubomir Levçev, edhe për një shkak tjetër kontrastues. Para dy vitesh të njëjtin çmim - "Kurorën e artë" të Festivalit Ndërkombëtar të Strugës e mori për herë të parë për shqiptarët, poeti 80-vjeçar nga Shqipëria, Fatos Arapi. Ata që kanë qenë të pranishëm natën e marrjes së çmimit tregojnë se poeti ynë ishte krejt i vetmuar, mezi pëshpëriti dy fjalë falënderimi dhe u hoq shpërfillshëm mënjanë.

 

Ai nuk u shoqërua nga asnjë përfaqësues i shtetit shqiptar, as i lartë e as i mesëm, të paktën nga ata që drejtojnë politikat tona kulturore dhe çirren me pathos për integrimin e Shqipërisë në Evropë. Dikush mund të mendojë, se mbase nuk është fare e nevojshme të shoqërohet poeti në këtë mënyrë, siç e bënë Bullgarët, qoftë kjo festë më shumë e kulturës poetike nacionale, se sa e poetit vetë. Mbase kanë të drejtë. Por shkalla e shpërfilljes se një poeti të nderuar me një çmim aq të madh (mos harrojmë se shumica e laureatëve të këtij çmimi janë nderuar më vonë edhe me çmimin Nobel), ishte një shpërfillje dhe harresë, që shenjon më së mirë braktisjen e plotë të artit dhe kulturës shqiptare në moskokëçarje.

 

Dhe kjo moskokëçarje (t'i lëmë ritualet me pjesëmarrje të figurave shtetërore) veproi në të gjitha rrafshet: lajmi, se një poet shqiptar fiton për herë të parë "Kurorën e artë" të Festivalit të 39 Ndërkombëtar të Strugës nuk u pasqyrua në asnjë kronikë të telekanaleve private apo publike, në asnjë lajm informativ, në asnjë gazetë të përditshme apo forum virtual.

 

Dhe mendoj se rrallëkush nga komuniteti asketik i poetëve e di, se poeti Fatos Arapi ishte para dy vitesh fituesi i Kurorës, se ekziston një libër i vëllimshëm e luksoz me poezitë e tij në maqedonisht, siç botohen rëndom poezitë e poetëve fitues. Në pikun e retorikës politike për integrimet tona, në kulmin bumit të teknologjisë informative askush s'e mori vesh sensacionin kulturor, që i bën nder letërsisë shqipe. Në vend të tyre - tejpërtej ekraneve e faqeve të gazetave, me një tmerr psikotropik, na shfaqen patësosur fytyrat e pacensuruara të politikanëve tanë. Dhe media shndërrohet çdo ditë tek ne, pak e fije, në festë kainësh. Kush ia ka ngenë kulturës...!



(Vota: 6 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx