Kulturë
Christophe Mercier: “E penguara”, romani i fundit i Kadaresë?
E diele, 26.09.2010, 08:58 PM
“E penguara”, romani i fundit i Kadaresë?
Ky lexim i mitit në dritën tragjike të Shqipërisë nën diktaturë mund të jetë romani i fundit i shkrimtarit të madh shqiptar
Nga Christophe Mercier
“Mbasi i vuri pikën përfundimtare romanit ‘E penguara’, mbaruar në vitin 2009, me një ton të qetë, që të shtinte frikën, Ismaili më njoftoi se ai do të ndalojë së shkruari romane”, shënon Helena Kadare, bashkëshortja e tij, në “Koha e pamjaftueshme”, libri i saj i kujtimeve, që do të dalë së shpejti, më 13 tetor, nga shtëpia botuese “Fayard”. Prandaj, me një kureshtje të veçantë ne hapim romanin “E penguara”, që nëse besojmë autorin e tij, i vë një pikë përfundimtare një ndërmarrjeje romaneske të zënë fill në Shqipëri në fund të viteve pesëdhjetë, para se të vazhdohej në Francë, ku që nga përkthimi i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ka ngjallur admirimin edhe të lexuesve të mirë si Gilles Lapouge ose Julien Gracq: A është fjala pra për përfundimin e një evolucioni romanesk? Për një libër testamentar?
As njëra, as tjetra: “E penguara” është një libër i bukur, me rëndësi, që ngjan shumë me romanet më të vonshëm të autorit dhe paraqitet më pak si një konkluzion definitiv i veprës së tij, sesa si një variacion i ri mbi motivet e njohura. Ne e njohim shijen që ka pasur që prej një kohe të gjatë shkrimtari shqiptar, për romanet e gjatë që nën mbulesën e një afresku historik ofrojnë shumë pista leximi, gjë që i lejoi atij në kohën e diktaturës t’i bëjë një kritikë të maskuar shtetit policor të Enver Hoxhës. Në romanet e tij të mëvonshme, shumë më të shkurtër, Kadare ka hequr dorë nga fiksioni historik dhe kritika e tij ndaj Shqipërisë bashkëkohëse është më direkte, pa rënë megjithatë në reportazh.
Një Hades që nuk e thotë emrin e tij
I familjarizuar me mitet antike, ai i përdor ato për të interpretuar si poet, që ai është gjithashtu, realitetin e një regjimi komunist të rrëzuar. Një nga përkryerjet e tij të mëdha, romani “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, botuar në vitin 2002, që tregon historinë e një aktori të ri të rekrutuar kundër dëshirës së tij në ushtri, dhe i dërguar në një bazë për të mbikëqyrur arratisjen drejt Greqisë të shqiptarëve të pakënaqur me fatin e tyre, ishte një rishkrim i mitit të Eneas, të rënies së Trojës dhe të instalimit në brigjet e Epirit. Me romanin “E penguara”, ai aktualizon historinë e Orfeut dhe të Euridices. Linda-Euridice është një gjimnaziste, familja e së cilës është “internuar” në një qytet provincial. Internimi, ky është një ekzil i brendshëm, një paradhomë e vdekjes: duhet që çdo javë të shkosh “të paraqitesh” në një rajon policie, dhe nëse vihesh re në Tiranë, rrezikon burgun, apo edhe dënimin kapital. Shokët e saj e trajtojnë Lindën si ta kishte zënë murtaja dhe ajo e di që nuk ka asnjë të ardhme, që ajo është e dënuar të vdesë ngadalë, në një Hades që nuk e thotë emrin e tij. Për ta shpëtuar, ajo ka nevojë për një Orfe. Ky do të jetë Rudian Stefa, një dramaturg në modë, që ajo e admiron me shumë pasion. Migena, gjimnaziste si ajo, e cila duke qenë bija e një “patrioti” është e lirë të shkojë në Tiranë, i shërben asaj si një ndërmjetëse, si një “ndihmëse”. Për Lindën, ajo arrin të marrë një dedikim nga Rudiani, për njërën prej pjesëve të tij, pastaj bëhet e dashura e tij. Kur zbulohet trupi pa jetë i Lindës dhe kur gjendet ndërmjet gjërave të saj vëllimi i dedikuar, Rudiani vihet në dyshim që të ketë pasur marrëdhënie me një të “internuar”. Përtej shqetësimit të të marrit në pyetje dhe të ndalimit të pjesës së tij, dramaturgut nuk i hiqet nga mendja vajza e re e vdekur:
Gjatë leximit të kopertinës së prapme, ne jemi, siç ndodh shpesh, pakëz mosbesues. Ne frikësohemi që romani të mos jetë tepër “cerebral”, sa të mos arrijë të kapërcejë parakuptimin e tij intelektual. Por në mbarim të disa faqeve ne jemi të qetësuar. Kadare është kaq natyrshëm romancier, saqë rileximi i mitit në dritën tragjike të Shqipërisë së diktaturës (dhe e kundërta) funksionon përsosmërisht, dhe ai arrin të veshë bukur me poezi dhe me magjinë e legjendës pikturën e një realiteti të zymtë e dëshpërues.
”E penguara” është një roman që nuk harrohet. Ne jemi të prekur, dhe shpresojmë që Kadare do ta vazhdojë akoma këtë vepër unike, që ngre lart realizmin më të rëndomtë në nivelin e universales, duke depërtuar deri në sekretet e mëdha antike.
Botuar në gazetën franceze, “Figaro”
Përktheu Fatmir Alimani