Kulturë
Stavri Trako: Rreth infinitivit (paskajores) të Shqipes
E diele, 26.09.2010, 07:58 PM
Rreth infinitivit (paskajores) të Shqipes
Nga Stavri Trako
Trajta e mënyrës së infinitivit të Shqipes, shkruan profesor K.Cipo, është ajo e participit (pjesores) me parafjalën (me ) përpara, e gegërishtes.Toskërishtja e zëvendëson këtë mënyrë me koniuktivin (lidhoren). Por, mund të përdorim, veç koniuktivit, me një nuancë të vogël kuptimore, edhe emrin foljor asnjëanës të pashquar me parafjalën (për ) në krye P.sh. Kam ardhur këtu, në Korçë, për të blerë ca fasule e ca mollë; Kish ardhur në Tiranë për të kërkuar një punë më të mirë. Format:për të blerë, të kërkuar zëvendësojnë infinitivin duke përciellë edhe nuancën e qëllimit. Infinitivi me formën: për të, plotëson edhe emra për të treguar një veprim të pritshëm: gjilpërë për të qepur, kartë për të shkruar, kohë për punë.
Duke qasur kuptimin e këtyre dy formave të paskajore së Shqipes do të vërejmë se nuk janë plotësisht me kuptim të njejtë. P.sh:
Shkoi me punue dhe shkoi për të punuar
Kohë me punue dhe kohë për të punuar
Të dyja këto forma i hasim në përdorimin e përditshëm, dhe pjesorja është kallëzuesor i veprimit që shfaq folja ose emri asnjëanës i dukurisë... Po t’i analizojmë si shprehje frazeologjike, kuptojmë ndryshimin në nuancën kuptimore të tyre:
-Tek pjesorja me parafjalën (me) veprimi është i padiskutueshëm që kërkon të përmbushet;
-te pjesorja me shprehjen parafjalore (për të) ky veprim është në vartësi situatës a të vendit ku do të kryet veprimi, pra tregon një mundësi, por edhe pasiguri dhe dyshim tek vepruesi.
Nga sa kuptojmë, forma e paskajores së Shqipes me parafjalën (me) dhe pjesoren e shkurtuar ka kuptim të përcaktuar domosdoshmërie, ndërsa forma me shprehjen parafjalore (për të) me pjesoren e plotë ka funksione më të kufizuara kuptimore dhe të ndërvarura nga rrethanat.
Lidhur me këtë pohim, profesor Aleksandër Xhuvani në “Vepra 1” shprehet kështu: Shqipja ka pasë nji infinitiv me kuptim indoeuropjan, me qënë se gjithë kategoritë e tjera gramatikore i ka analoge me të gjuhëve indoevropjane 2. Ky infinitiv mund të ketë qenë identik me nji nga trajtat e ndryshme, me të cilat na paraqitet participi në shqipet.
3.Ky infinitiv vërtet u zhduk dhe u zavendësue me një infinitiv perifrazik, si përmbledheje logjike e fjalive te ndryshme që formohen me parafjalën (me)
4. Infinitivi perifrazik ka qenë i përgjithshëm në Shqipet, se ka qenë përdor lashtazi dhe në toskërisht, por me kohë u zavendësue, në tokërisht, me fjali të varme prej influences së greqishtes së re. (1980:262)
Aktualisht, në Shqipe përdoret padyshim infinitivi, që është më i afërti me atë të gjuhëve indoeuropiane, që është baza e gjallimit të lidhjeve Shqipes me këto gjuhë. Vlera e infinitivit, të ruajtur mrekullisht në gegënisht, është se me të mund të shprehen koncepte identike metonimike, që përdoren në gjuhët e tjera në shprehjen e kulturës dhe të shkencës.
Sot, në gjuhën e gjallë përdoren, pa përjashtim, edhe të gjitha ato forma që përbëjnë zhvillime të brendshme historike të kësaj forme, që ndihmojnë përdoruesit në përsosjen dhe saktësinë konceptuale të mendimit.
Funksionet kryesore të infinitivit (paskajores) së Shqipes sipas “Albanische Gramatic“ të Buchholz dhe Fiedler janë:
1.Në ndërtime pyetëse :
Ma mirë ?me e krye ?punën apo me fjetë?
Intonacioni i fjalisë tek infinitivi (paskajorja) është i dallueshëm. Kjo qartësohet po ta kthejmë këtë fjali në formën lidhore (konjuktive):A është më mirë të punosh apo të fleshë? Por, me pak vëmendje, kuptojmë se, edhe në formën lidhore, folësi është i ndërvarur nga rrethana apo gjendja e bashkëbiseduesit.
2.Si pjesë e predikatit foljor
P.sh.Lypi me hangër = lipi të hajë (jo-për të ngrënë)
Due me i harrue të gjitha=dua t’i harrojë të gjitha
Më nep me pi - më jep të pi (jo - për të pirë)
Filloi me u interesue=filloi të interesohej (Jo- për t’u interesuar).
3.Në ndërtime kryefjalore:
-Asnjanit nuk ja mbante me folë –asnjërit nuk ja mbante të fliste (jo –për të folur)
-Asht e kotë me folë me të = Është e kotë të flasësh me të (jo- për të folur me të)
Me një qëmtim më të vemendshëm, forma më e afërme dhe e pranueshme e infinitivit, është ajo e lidhores standarte dhe jo paskajorja e standartes, kjo edhe për faktin, se: infinitivi i shqipes duhet të ketë funksion kryefjalor si në shumë gjuhë simotra, ndërsa forma standarte, që përdoret sot, ka kuptim kundrinor.
4.Rrethanor kohe të paraprirë nga- para se:
Matu mirë para se me folë. = Matu mirë para se të flasësh. (Jo –për të folur)
5.Në ndërtime kushtore:
Ban me ngri deti, do të shkojshim në çarapa leshi në Itali
Bëri të ngri deti, do të shkojmë me çorape leshi në Itali.
Bo me e pa keni me u habit
Po ta shihnit do të habiteshit
6.Në ndërtimet rrjedhore:
Shprazi sa mujti ujë rreth e rreth, aq sa me u ba nji liqe.
Zbrazi sa mundi ujë rreth e rreth, aq sa të bëhej një liqen.
7.Në ndërtime qëllimore:
Sytë janë me pa – sytë janë për të parë; vetëm në këso rastesh ka një përputhje të pasakajores së vërtetë me atë standarde.
8.Në ndërtimet krahasore: Nuk asht aq i prapët, sa mos me i xan besë = nuk është aq i prapë, sa të mos i zesh besë.
9.Në ndërtime përcaktore:
Nuk e ka fort zakon me u sjellë zyrave = Nuk e ka fort zakon të sillet zyrave (jo-për t’u sjellur)
Asht koha me u ngrit në kambë = Është koha të ngrihemi në këmbë (Jo- për t’u ngritur)
10.Në disa ndërtime të së ardhmes, në disa forma modale ka përqasje, si:
-Kam me punue - do të punoj - Kam për të punuar
-Nuk mundem me ardhë – Nuk mundem të vij
-Duhet me ja ba Kristit një dhuratë për ditëlindje
-Duhet t’ja bëj Kristit një dhuratë për ditëlindje
-Atij s’asht me i folë me gojë
-Atij s’është për t’i folur me gojë.
Paskajorja standarde e ka fushën kuptimore më të kufizuar dhe veprimi i shprehur është në vartësi të situatës dhe të vendit ku do të kryet veprimi. Ajo shpreh një veprim që përfshihet në të ardhmen, ndërsa infinitivi me parafjalën me shpreh një veprim që ndodh shumë afër çastit të ligjërimit.
Në përfundim: forma e lashtë e infinitivit të shqipes, ajo veriakja, është me parafjalën (me) bashkë me pjesoren lakonike të ruajtur më së miri në gegërisht. Kjo formë nuk është e mundur të shmanget qoftë dhe si formë stilistike shkrimore në gjuhën e personazheve në letërsinë artistike, nga që individualizon gjuhën e personazhit veriak dhe evidenton larminë jetësore të shprehsërisë së Shqipes në dialogun njerëzor. Pra, s’duhet të harrojmë se me të identifikohen vendasit e krahinave veriake të Shqipes. Kështu, përdorimi i pjesores së shkurtuar me parafjalën me, nuk u mund të përjashtohet nga gjuha e letërsisë artistike, më së paku. Ajo gjasë, qe një përjashtim kategorik dhe që nuk përkonte me zhvillimet historike të gjuhës së folur, sidomos në krahinat veriake të trevave të tjera shqiptare që folësit e shqipes e përdorin natyrshëm. Për më tepër forma e paskajores me parafjalën (me) gjallon masivisht, sot e gjithditën në gjuhën e folur të të gjitha trevave shqiptare, dhe sot, vështirë se mund të gjesh zona qytetare dialektikisht “të pastra”.
Mendoj se rigjallja e infinitivit të lashtë të shqipes dhe përdorimi i saj në gjuhën e shkruar është një domosdoshmëri dhe një obligjim shkencor veçanërisht, për lëvruesit e gjuhës: artit, gjuhëtar e sidomos mësuesit e gjuhës shqipe, për vetë faktin se hapsirat metonimike të gjuhës shqipe nuk mund të limitohen e të mbyllen edhe pse rregullat e gjuhës standarte mund ta kenë përjashtuar përkohësisht infinitivin.
Ligjërimi në shqip bazohet në dy dimensione stilistike, që shprehen me: pjesë të ndryshueshme të ligjëratës dhe pjesë të pandryshueshme të ligjëratës; që njëherëshi studiohen edhe si kategori gramatikore, me anën e të cilave përshfaqet me saktësi dhe qartësi mendimi.
Duke hulumtuar, termat dhe kategoritë standarte të shqipes, kam vënë re se ato gjenden në format e ngurosura apo të mermerizuara, po e quaj kështu. Ajo kategori gramatikore, që realisht është standarte e emërtojmë: pjesë të pandryshuashme të ligjëratës, tek të cilat nuk identifikohen, pra nuk ekzistojnë ose u janë bjerë, kategoritë: të vetës, të numërit, të kohës dhe të mënyrës, por që janë vendimtare në shprehjen e qartë të mendimit.
Funksioni pjesëve të pandryshueshme të ligjëratës, dihet: është organizues, njësues, por së bashku me pjesët e ndryshueshme të ligjëratës janë përftueset e qartësisë së mendimit. Ato janë formësueset përmbajtësore të gjuhës dhe ëvetësueset e kuptimit të saktë të mendimit. Për faktin, që: infinitivi i shqipes me parafjalën me dhe me pjesoren e shkurtuar na shfaqet si një formë e mermerizuar, s’ka pse të mos e përdorim, aq më tepër kur duam të shprehim qartë mendimet. Këtë do ta kuptojmë po të pranëvemë të dy këto forma P.sh:
•Aftësia me u përshtat = me u njësu, të njësohesh;
Aftësia për t’u përshtatur = për t’u shndrruar si, me shndërrue
•Kemi nevojë me u eduku = se na mungon
Kemi nevojë për t’u edukuar = për ta plotësuar
•Kam dëshirë me u kthye në Atdhe = vendim për t’u kthyer
Kam dëshirë për t’u kthyer në Atdhe = ka mall të kthehet
•Është herët me e lan punën = nuk ka mbrit ora (çasti)
Është herët për ta lënë punën = nuk ka përfunduar procesi
•I zoti me qeverisë = e bën punën mirë
I zoti për të qeverisur = është kandidat për post;
•Asht me qesh e me qa = më vjen keq, bëj kujdes
Është për të qeshur e për të qarë = është bërë jo mirë;
•U munduen me hap derën = nuk mundën me e hap
U munduan për ta hapur derën = ju desh kohë për ta hapur;
•Kam ardh me u regjistru = dua ta përfundoj regjistrimin.
Kam ardhur për t’u regjistruar = po qe se ka vend;
•Më vjen me qa == më vjen keq
Më vjen për të qarë = për të lotuar;
•Nuk kena me e pranue fajin = është imponues – e tashme
Nuk kemi për ta pranuar fajin = kërkon bashkëpunim – e ardhme
Dallime kuptimore kanë në vetvete këto pjesore të shqipes. Kështu:
•Kam punue në Ministri = Kam ba punë me kualitet
Kam punuar në Ministri = Kam qënë i punësuar;
•Tuj punue = këshillë e mjeshtrit të punës
Duke punuar = këshillë nga përvoja e të tjerëve
•Pa punue = provë e vetë folësit,
Pa punuar = këshillë;
•Bjeshkët e Namuna == e mistershme, që u ka dal zani për ndodhi;
Bjeshkët e Nëmura == të përgojuara ( përfoluna) nga dikush.
Nga shembujt e mësipërm na bëhet e qartë, se: trajta e infinitivit me pjesore të shkurtuar është një pasuri e shqipes dhe mundet dhe duhet të përdoret si një formë stilistike e shkruar me anën e së cilës arrin të shprehet qartë mendimi dhe sqarohet pozicioni i folësit në relacion me veprimin.
Gjuhëtari, At Nikollë Gazuli ka përvijuar në fjalorin e tij të gegënishtes, mes një pune të lavdëruar hulumtuese (dhe falë interesimit të Profesor Nobert Joklit për gjuhën shqipe) sjell dëshmi të gjalla që na bindin për domosdoshmërinë e përdorimit të infinitivit të gegenishtes si pasuri gojore që i shkon natyrshëm shqipes, në një kohë që po përdoren ose duhen përdorur, si:
Me e true, me vendue, me ndërhy, me e shujt, me pshurrë, me bëza, me zhbi, me e shmek (shfry), me shpërdhos, me shpërdoru, me shpërthy, me tëhollue, me tëkurr, me tëfundu, me tfillue, me tndy, me tfurk, me tërbu, me vagullue, me vegue, me shtërzy, me ndërzy, me hyp, me palue, me rrokëllue, me thumbat, me davarit, me kobue (vjedh), me agu, me bijue (lind), me cekue (me mbërri në fund), me josh, me brit, me u lbyr, me marr frym, me cërkue (me mjelë), me u batue, me ndy, me mbrru, me randu, me rendue, me ndërkambë, me ndërkry, me ndërliku, me ndërmjet, si dhe format përcaktore: i pagjamë, i parod, i pamëshirshëm, i panjeri, i përba, i përtha, etj.
Duke qenë përbërëse e sistemit foljor të gjuhës shqipe, infinitivi merr vlera unikale dhe nuk duhet të shinjestrohet, e të përjashtohet kategorikisht e aq më tepër duke dhunuar me forma standarte, që shpërfillin stilin e komunikimit gojor dhe artistik, e aq më keq qartësinë e mendimit në shqip.
Gjuha formale në vetvete është metonimi, abtraksion dhe sado të mundohemi, si studiues, nuk mund të vendosin bariera standarte, mesa mund ta ndalojmë Kostandinin e legjendës të ngrihet nga varri me përmbush amnetin. Gjuha- thotë F.De Saussure- është një prodhim i frymës kolektive të grupeve gjuhësore. E për këtë arsye, Shqipes nuk mund t’i vihen kufijë dialektorë apo krahinorë, edhe për faktin se rrënjët e saj të lashta janë dhe mundet të gjenden edhe përtej këtyre kufijve të saj natyror, në gjirin e Familjes së Madhe të gjuhëve indeoeuropjane. Është detyrimi ynë të përsosim dimensionet e saj si në gjërësi dhe në thellësi të shtrirjes.
Tiranë, më 19 Dhjetor 2009