E merkure, 01.05.2024, 09:03 AM (GMT+1)

Kulturë

Ali Sh. Berisha: Muza e dhembjes (I)

E hene, 19.07.2010, 09:41 PM


Biblioteka

Poezi

 

Recensues

Dibran Demaku

Hasan Qyqalla

 

 

Radhitja me kompjuter

Autori

 

Disenji

Arben Berisha

 

Poet i lindjes e rilindjes!

 

Kur i lexoj vargjet poetike realiste e shpesh edhe rebeluese të  z. Ali Sh. Berisha më bën të shestoj nëpër mote, mbase edhe nëpër dekada, të cilat i shprishë fije për fije duke përdorur laryshi figurash letrare.

Poeti “Muzën e dhembjes” e ndanë në njëmbëdhjetë cikle dhe atë në aspektin kohor, si një ditar. Veçanti e kësaj vepre janë miniaturat si formë  vargnimi.

Te të gjitha poezitë në “Muza e dhembjes” mbretëron një vokacion i thellë poetik.

Që në fillim hasim vargun shpërthyes kur i ndalohet fjala e lirë e me këtë edhe vargnimi. Por, kryeneçësia e tij nuk thyhet, vazhdon të përballet me furtunën e terrin, duke e ngritur gjakimin për Dheun, Flamurin e Alfabetin në hullinë parësore të  ngritjes së qenësisë së tij në rrafshin kryengritës karshi rrjedhave të pamëshirshme historike që nga rinia e hershme duke e përdorur lapsin me mjeshtri të hollë në gërshetimin e humanitares dhe atdhedashurisë e herë herë duke  e kthyer  në plumb. Këtë guxim poeti e shprehë pa drojë duke e ngritur poetikën në rrafshin vertikal dhe atë horizontal.

Poeti e sfidon terrin e zisë duke e vënë rënd shputën mbi sfondin e të keqes se: “Mëngjesi do të nxjerrë Diellin, ... do të fshijë terrin përgjithmonë” që brezi i vet dhe brezat që vijnë të kenë  dashuri, liri e mirëqenie..

Me dellin ëndërrues dhe shpirtin engjëll e ngrehë në piedestalin real familjen e me këtë edhe bashkëkombasit duke lëshuar ofshamë të thellë “Të një barku jemi...!”, duke shprehur qëndrimin e tij rreth  gjeografisë kombëtare e historike  me mbështetje në idealin, shpresën, qëndresën e pathyeshme karshi stuhive rrënimtare.

Poeti  ndjenjën e dashurisë e qëndisë me dimensionet e bukurisë dhe për të hapëron rrugës së mundimsh nëpër mote të liga, andaj nuk hamendet  të sfidojë me tërë qenien, të luftojë e flijojë për të si në vargjet “... Dikush që deshi t’ia vras Diellin, he e vraftë veten...!”, duke e nxjerrë parësor optimizmin.

Krejt në fund do të ngelem i mangët po s’e thashë troç se poeti Ali Sh. Berisha lind, gjegjësisht rilindë sa herë që boton vepër të re. Uroj që të rilindë më shpesh, mbase e kërkon letërsia, lexuesi dhe kritika.

 

Hasan Qyqalla

Brohl, 04.04.2009

 

 

Zemërhekur

 

 

Këngë e pakënduar

 

Këngë e pakënduar

Që brenda meje digjeshe zjarr

Shpërthe me bukurinë

Me guximin që etjet

N’gjelbërim përtrinë

Ti po kthehesh gjallë

Gjallë t’jehosh

Në kopështin tim

Ëndrra si dikur të mbëltosh

 

 

Nuk  është Komuna e Parisit

 

Nuk është Komuna e Parisit

Është Prishtina

Nëntori i festës së Nëntorëve

Flijimi për flamurin e bërë shoshë

Është gjaku i ngjizur në dhe

Në eshtrat e gurëzuara

Është jehonë kushtrimi

Për ditë të gëzuara

 

 

Ne kemi fuqi

 

Ne kemi fuqi

Shkëmbin ta bëjmë arë

Dhe syrin liqe

Ta kthejmë shkrumin n’gjelbrim

Hidhërimin në këndim

Errësirën në dritë

Urrejtjen në dashuri

 

 

Do të dëshiroja

 

Do të dëshiroja

Sonte të thithi buzët tua

Nën dritën që s’e fikë era

Pranë burimit që gurgullon

E koha s’e thanë

 

 

Malësi

 

Paja jote është mali e kodra

Kreshta e përhitur

Rrafshi e vegjetimi

Kroi e lumi

Liqeni i dremitur

Është Flamur

Qëndresë nëpër shekuj

Lindje e vdekje e dhembshme

Heronjë për t’i falë nënëlokes

T’mos përsëritet ditë e djeshme

 

Paja jote janë zogjtë e qiellit

Janë shqiponjat

Rrezet e përjetëshme të diellit

Odë e shkollë

Gjumë në njërin sy

Dimër e verë hapur tjetrin

Pushkë nën kry’

Një këngë që përfundon

Tjetra të lind

Dashurisht zemrave n’gurgullimë

Për të mbjellë dritë

Me terrin për t’u grindë

 

1969

 

 

Të ëndërroj çdo natë

-Babait Sherif Berisha-

 

Digjem si digjeshe ti

Kur ndizje qiellin

E në gishtërinjtë e mi

Skalitje fytyrën tënde

 

Diellin zbrite në ballin tim

Kur filluan të ndërrohen ngjyrat

Të zënë rrënjë mënxyrat

Dhe fushat i puthe

Malet i përqafe

Me diell në gji

U bëre ag

 

Tashti dhembja kafshon Lisin

Dardhën ujce në oborr

Dhe qershinë në varre

 

13.08.1970

 

 

Bukë e zemrës

(Elegji babait që vdiq në korridor të spitalit)

 

S’më shkoi mendja te fundi i jetës

Por vetëm te përlindja

Shtatë herë m’u rrotullua toka

Kur ia rrëmbeve flakën qiriut

Dhe u dogje

 

Sa herë do të më lagen mollëzat

Mbi sfondin akull të amshimit

Të më shkojë mendja bri oxhakut

Tek hiri që mbështjellë ka

Bukën e zemrës

Mëngjeset tek i shpalosje

E s’frikësoheshe nga thikat

Që nxirnin sy e mbillnin errësi

 

Sa herë do të më kujtohet guximi

Tek shkëmb midis urrejejteve

Bëje nga gjaku lulet të mbijnë

Në vatrat e shuara

 

Ata që t’kishin mbytur përbrenda

Thanë se vdiqe

Ata që të deshën të përlindën brenda vetës

Me plot dashuri

 

 

Fto agimin

 

Fto agimin

Tingëllimën me elegji

Laureshë e cfilitur

 

Bashko etjet

Rigat intime

Shtrriçje ankthi

 

Kur brejnë erërat

Fërgo ashtin tim

Idhull malli egërsire

 

13.11.1971

 

 

Qeshja e syrit tënd

 

Ngrit qepallet

Syri të të qeshë

Që pjesë e botës sime

Edhe ti të jesh

 

Qeshja e syrit tënd

Dridh zemrën

Gufon këngën

Lind një strofë të re

 

1.12.1971

 

 

Vrapo Maraton

 

Vrapo Maraton

E sotmja të jetë jona

Bjeshkët e shiluara në errësi

T’i shalojmë n’dritë

Të jemi rilindje

 

Të nisemi flamurtar

Të bëhemi Uliks

Polifemin ta vrasim

Pastaj t’ia ndezim qiriun

Që floçkat të qetësohen

 

 

Vrapo Dante

 

Vrapo pa pushuar Dante

Unë jam Virgjili

Për ty do të hapi rrugët

Nga skëterra në dritë

 

Vrapo Dante

E dashura po të prèt përtej

Ti duhet vetë ta gjesh urën

Për në parajsë

 

2.12.1971

 

 

Sydritë

-Dr. Xheladin Dedës-

 

Njeriu që u kthente të verbërve

Dritën e syve

Që përzinte errësirën

Dhe shpaloste dritën e diellit

Sot po ikë

 

Thirrjet heshtjen trazojnë

Fytyrat kthehen nga qielli

Që t’i miklojë dielli

E në zgavrat e tyre

Të futen yjtë

 

27.11.1971

 

 

Përcëllimë

 

Me flakë më përcëllon

Me zjarr më djeg

Dhe më përvëlon çdo natë

Vezuf i mallkuar

 

S’pushojnë Sirenat mashtruese

As Polifemët që hanë krahët e mi

Brenda anijes sime të lashtë

Me emrin tim

Të vjetër sa vetë Toka

 

Tutje etjes sime

Një flamur trengjyrësh

I fëlliqur e i grisur

Grindet me kohën

 

Grindet edhe me hapat e mi

Që shqyejnë netët me terr

Për të pasur pranverë

Në oborrin e gjyshit tim

 

4.12.1971

 



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora