E merkure, 01.05.2024, 09:21 AM (GMT+1)

Kulturë

Bilall Maliqi: Humanistja (nënëmadhja) nëpër kohë

E diele, 18.07.2010, 07:58 PM


 

Vështrim

 

HUMANISTJA (NËNËMADHJA) NËPËR KOHË

 

(Engjëll Koliqi “Ylli i Dardanisë rrezaton tokë e qiell”)

 

Nga Bilall Maliqi

 

Mërgata shqiptare me sukses të madh po vepron në rrafshin kulturor, në zhanre të ndryshme letrare artistike duke dhënë një dimension të duhur letrave shqipe nga diaspora.Unë në këtë rast do ta përmendja Engjëll Koliqin i cili jeton në Itali dhe është mjaft aktiv në shkrime siç janë edhe disa figura të tjera që veprojnë në diasporë si Baki Ymeri, Sokol Demaku, Adnan Mehmeti etj., të cilët në lloj-llojshmëri të shkrimeve pasurojnë letërsinë tonë, përkthejnë vepra të ndryshme etj.

Kësaj radhe shkrimtari, pedagogu dhe gazetari Engjëll Koliqi para lexuesve doli me një vepër shumë të rëndësishme dhe me vlerë të madhe. Është fjala për librin kushtuar Nënës Terezë me titull “Ylli i Dardanisë rrezaton tokë e qiell”…

 

“Me gjak jam shqiptare, me nënshtetësi- indiane. Për sa i përket besimit tim jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes sime, i përkas botës. Por për  sa i përket zemrës sime, krejtësisht i përkas zemrës së krishtit”

 

(Nënë Tereza, derisa pranonte Çmimin Nobel për Paqe- Oslo, 10 dhjetor 1979).

 

Me këtë thënie të Nënës sonë të Madhe, Nënë Terezës definicion të cilën e publikoi me rastin e pranimit të Çmimit Nobel për Paqe në Oslo në dhjetor të vitit 1979, po e filloj këtë vështrim me të cilin do të shpaloset figura madhore që la gjurmë të pashlyera në mbarë rruzullin toksorë, humanistja e mbarë njerëzimit Nëna Terezë, të cilën personalietet me mjeshtri , punë të palodhshme dhe me dashuri të madhe i mblodhi të gjitha të dhënat dhe i botoi në këtë libër të veçantë intelektuali, pedagogu, shkrimtari e gazetari Engjëll Koliqi me titull “Ylli i Dardanisë rrezaton tokë e qiell”, botuar nga Sh.B. “Rugova art”, Prishtinë 2010.

Ky libër i shkruar me përkushtim të madh nga Engjëlli, jep të mendojmë dhe të krenohemi të gjithë shqiptarët anekënd botës që patëm këtë personalitet me rëndësi për të gjitha kohërat dhe si i till libri botohet me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Nënës Tereze, dhe në brendinë e saj shoqërohet me një gamë të gjerë të shkrimeve, e përkushtimeve nga autorë të ndryshëm…

 

Gonxhja nëpër kohë

 

Engjëll Koliqi skeletin e këtij botimi aq me vlerë, aq interesant dhe aq të këndshëm për lexim e mveshë me ecejakjet e protagonistes dhe humanistes së mbarë njerëzimit Nënës Tereze nëpër kohë, shpalos fëmijërinë e saj, pastaj për të vazhduar për rininë e saj sukseset dhe rrugëtimin drejt një figure aq të madhe të njerëzimit.

Data e 26 gushtit 1910 solli në jetë voglushen Anjeze Gonxhe nga babai Kolë Bojaxhiu dhe nëna Drane Bojaxhiu, lindur 20 km. në veri të Shkupit, e që në të ardhmen do të bëhet një Nënë e mbarë njerëzimit, një humaniste që ndihmoi skamnorët, ishte bashkë me ta, në çaste më të vështira duke u ndihmuar dhe duke ndikuar tek autoritetet botërore për ndihmë skamnorëve.

Përpos shënimeve për Nënën Terezë, autori jep disa të dhëna biografike edhe për prindërit e saj të cilët e sollën në jetë këtë misionare  të njerëzimit.

Rrugëtimi i Nënës Tereze nga Shkupi dhe ku fillon edhe misioni bëmirës i saj prej 25 shtatorit 1928, mbërrinë në Zagreb, për të vazhduar kështu për Dublin, pastaj më 06 janar 1929 mbërrinë në Kalkutë për t’u ndihmuar të sëmurëve, skamnorëve etj…

Rrugëtimin e saj nga Shkupi e shoqëruan edhe vargjet e një poezie të shkruar nga ajo e që titullohet “Lamtumirë”, vargjet e kësaj poezie aq të bukur, aq me shumë art dhe aq domethënëse preken në shpirt autoren sepse po e len vendlindjen, ndjen mall për të në njërën anë dhe dëshira dhe dashuria e saj t’i shërbej së pari krishtit dhe njerëzimit në anën tjetër. Ja edhe disa vargje të kësaj poezie:

 

“Pranoje këtë flijim, o Zot

Dëshmi e përbetimit që të dashuroj,

Ndihmoi gjallesës Tënde sot

Që emrin do ta madhëroj”

 

Pra pas shkuarjes së saj në Indi, tek ajo gjetën prehje shumë fëmijë bonjakë, varfanjakë dhe raste të tjera të cilat i ndihmoi me shpirt e zemër…

Në vazhdim të leximit të librit autori ka mbledhur edhe ka paraqitur në libër edhe çmimet e saj të marra gjatë karrieres së saj si Misionare e Botës e që janë diku 30 sosh, e shumë shkrime të saja…

 

“Fryti i heshtjes është lutja

Fryt i lutjes është feja

Fryt i fesë është dashuria

Fryt  i dashurisë është shërbimi

Fryt i shërbimit është paqja”

Nënë Tereza (kartivizita e Nënës Terezë).

 

Nëna Terezë këtë kartëvizitë me këto vargje mjaftë domethënëse ua jepte personaliteteve që i takonte.

 

Përkushtimet

 

Përveq poezive, lutjeve, kujtimeve, porosive e që me krenari mund mburremi se ajo ishte edhe një shkrimtare e poete e mirë, kjo shihet qartë se janë gjetur një mori shkrimesh të saj në çastin e kalimit të saj në amshim, kemi edhe përkushtime në vargje të shkrimtarëve dhe poetëve të ndryshëm nga mbarë etnikumi shqiptar, poezi këto të kushtuara Nënës sonë Terezë me një kolorit arti e vlere, me një lloj-llojshmëri përkushtuese të penave të njohura të letërsisë shqiptare të të gjitha trojeve, e që Engjëll Koliqi i mblodhi dhe i sistemoi në këtë libër mjaft interesant.

Këtë libër e shoqërojnë edhe shumë mendime të personaliteteve të shumta shqiptare, si të rrafshit fetar, por edhe figura me ndikim si politikanë, njerëz kulturor etj., të cilët e madhërojnë figurën e Nënës Terezë dhe njëherit e bëjnë edhe më tërtheqës për lexim librin.Vepra është i shoqëruar edhe me një mori fotografishë të Nënës Tereze me të cilat libri bëhet edhe ma tërheqës për lexim.

 

Vlera

 

Libri  Yll i Dardanisë rrezaton tokë e qiell”, i shkrimtarit Engjëll Koliqi, ka një vlerë të madhe sepse shpalos jetën dhe veprimtarinë e humanistes së mbarë njerëzimit Nënës sonë të Madhe –Nënë Terezës dhe ate në mënyrë shumëdimensionale .Këtë vlerë artistike që ka ky libër e dëshmon edhe në parathënie Dr. Dom Lush Gjergji , redaktor dhe recensent, i cili në pika të shkurtra dha mendimin e tij për këtë libër.

Kujtojmë se ky libër së shpejti do të bëhet pronë e shumë lexuesve të cilët kanë dëshirë ta kenë në bibliotekat e tyre.

Vepra në fjalë  është në përkthim në gjuhën italiane e që së shpejti do ta sheh dritën e botimit.

Krejt në fund mund të themi se ky botim është vepër me rëndësi në letrat shqipe, në këtë libër shumë poetë e veprimtarë të tjerë derdhën mendime, kujtime dhe vargje poetike për Nënën tonë, Nënën Terezë, dhe si i tillë begaton letërsinë tonë në përgjithësi…



(Vota: 14 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora