Kulturë
Baki Ymeri: Shpirti shqiptar në një festival ndërkombëtar
E shtune, 17.07.2010, 09:58 PM
SHPIRTI SHQIPTAR NË NJË FESTIVAL NDËRKOMBËTAR
Të gjithë shuhen, siç u shua edhe Napoleni, por poezia dhe poetët nuk shuhen kurrë.
Nga Baki Ymeri
Organizuar nga Akademia Internacionale Orient-Oksident, e drejtuar nga poetët Dumitru M. Ion dhe Carolina Ilica, këto ditë (7-13 korrik 2010), në një zonë të bukur turistike të Rumanisë, u mbajt edicioni i XIV-të i Festivalit Ndërkombëtar “Netët e Poezisë në Kurtea de Arxhesh”. Misioni i këtij tubimi kulturor ishte më se fisnik: njohja, krijimi i miqësisë, bashkëpunimi dhe afirmimi vlerave letrare në gjuhë të huaja. Në festival ishin të ftuar pjesëmarrës nga rreth 20 vende të botës, ndër të cilët edhe dy shqiptarë, autori i këtij shkrimi dhe poetesha Elona Zhana nga Belgjika, drejtore e serisë së re të revistës së famshme të Faik Konicës, “Albania”, që del në Bruksel (www.albaniainfo.be). Përndryshe, kohë më parë, miq të këtij festivali prestigjioz kanë qenë edhe disa krijues tjerë nga trojet shqiptare: Visar Zhiti, Natasha Lako, Luan Topçiu, Resul Shabani, Flutura Açka, Xheladin Asani, Shaip Emërllahu, Olimbi Velaj, Jeton Kelmendi etj.
Festivali i sivjetshëm u zhvillua nën devizën “1001 Poema * Netët e Korrikut”, duke qenë i gërshetuar me recitale plurilingve, koncerte ekstraordinare me muzikë tradicionale rumune, ekspozita dhe lansime librash, vizitë bukurishë natyrore dhe monumentesh historike, ndër të cilët shquhet manastiri mesjetar “Me?terul Manole” (Mjeshtri Manole), një kishë impozante, konform legjendës, e ngritur nj?soj si Ura e Fshenjtë, përmes sakrifikimit të gjakut të gruas në themelet e saj, atje ku sot prehen eshtrat e mbretërve të Rumanisë, ndër të cilët gjendet edhe varri i mbretëreshës rumune Elisabeta, e njohur si poete përmes pseudonimit Carmen Sylva, filoshqiptare e ndezur dhe autore e një broshure kushtuar Princ Wiedit dhe bashkëshortes së tij (1914). Manifestimet qëndrore u mbajtën në Sallën e Madhe të Bashkisë së Kurtea de Arxheshit dhe Shtëpinë e Kulturës “George Toparceanu”.
Të gjithë pjesëmarrësit qenë dekoruar me nga një Diplomë mirënjohjeje, ndërsa në mbrëmjen e fundit u ndanë çmimet e festivalit në adresë të poetit Horia Badescu (Çmimi i Madh për Letërsi Rumune), Elchin Iskenderzade (Çmimi i Madh Internacional për Poezi), Nicole Barriere (Çmimi i Madh Evropian për Poezi). Nga poetët e huaj shquheshin Colette Mart nga Luksemburgu, Maksim Zamshev nga Federata Ruse, Elisabeth Wandeler/Deck nga Zvicra, Dimitris P. Kraniotis nga Greqia, Sonia Manoilovic nga Kroacia, Dolan Mor nga Kuba, Danica Nain-Rudovic nga Bosnja, Juri Talvet nga Estonia, Nabela Zubari nga Mbretëria e Bahreinit, Kostadinka Gheorghevska nga Gjermania, Ahmet Emin Atasoy nga Turqia etj. Të gjithë, poetë, eseistë, përkthyes dhe botues, mbetën të mahnitur nga mikpritja, ngrohtësia dhe përzemërsia me të cilën qenë pritur në këtë qendër të lashtë të Basarabëve, njëri nga pjesëmarrësit duke deklaruar se “të gjithë shuhen, siç u shua edhe Napoleni, por poezia dhe poetët nuk shuhen kurrë.”
![]() |
Para Shtëpisë së Kulturës në Kurtea de Arxhesh |
![]() |
Manastiri mesjetar Mesterul Manole (Mjeshtri Manole) ne Kurtea de Arxhesh |
![]() |
Kujtime nga ekskursioni |
![]() |
Kujtime nga Festivali |