E merkure, 01.05.2024, 02:24 AM (GMT+1)

Kulturë

Zyhdi Morava: Askush nuk sjell më lule

E diele, 18.07.2010, 07:57 PM


Zyhdi MORAVA

 

ASKUSH NUK SJELL

MË LULE

 

 

Burg i dëshiruar

Jo, burgun s'e dashka njeriu...

Burgosur mes sisëve të tua,
Do donte të plakej, Zyhdiu!...

 

 

Çastin kur...

E di kur do më vijë vdekja
Dhe përjetsisht do bie n'errësirë?
Çastin kur do të më thuash:
- Ika, lamtumirë!...


 

Sa më tepër


Sa më tepër vite prej jetës sime shkunden,
Si te një lis i lartë fletët i shkund vjeshta,
Në moshën kur gjithkush e njihka humbjen,
Dhe kërkesat bëhen më të thjeshta,
E flokëve sa më shumë thinja marr,
Aq më tepër u bëkam sqimatar...

Veçanërisht atje ku shumë më ka dhembur,
Te gratë që i doja sa shpirti im e di,
Tani që bukurinë koha ma ka shembur,
Për t'mos ma kthyer kurrë përsëri,
Te gratë që më deshën sa veç ato e dinë,
Njësoj unë e lakmokam bukurinë...

Njësoj e pak më tepër, kështu më duket mua,
Të rri s'ma paska ënda me femra dosido.
Sa kohë të kam ty, sa kohë ty të dua,
Ato në qofshin qumështi, ti ajka je mbi to.
Sado të mira qofshin, me bukurira larë,
Përpara teje duken si fushat ngricëtharë...

 

 

S'do kish më keq

Mos ndodhte ah, mos ndodhte kurrë,
Teksa mes pritjes rri dhe pres,
(e liga rente mbi gurë, drurë)
Sikur pa pritur un' të vdes!...

S'do
kish më keq e më të hidhur,
Në këtë bot' vdekje s'do
kish...
Më ruajtshin Zoti dhe e Mira,
Gjer atë çast kur ti do t'vish!...

Gjer atë çast kur buzët tona,
Ta ndezin prapa një zjarr që patën,
Pastaj në vdeksha, punë e madhe!
Në gojë të vdekjes shkoj me mjaltën...

 

 

Mallkimet e saj

 

Mallkimet e saj
Dikur me thosh:
- Ta bëfsha gropën!
- Ku? - e pyesja ngazëllyer.
-Në gjoksin tim, përgjigjej ngrohtë,
midis gjinjëve të kërcyer.....

Më thosh dikur:
Ta bëfsha gropën!
- Ku? - e pyesja shend e verë
- Në fund të barkut, thosh gazmore,
atje ku s’qas burra të tjerë....

- More vesh! Ta bëfsha varrë,
Më mallkonte shpesh ajo.
- Ku? - e pyesja si i marrë.
Thosh: - Mes buzës që do....

Po më pas, si varr i rëndë,
Hyri ndarja midis nesh.
Pa "mallkimet" që më jepte
Syri qan, shpirti s’më qesh.

U bë kohë, s’e shijoj botën
More vesh? (ta bëfsha gropën)
Endem vetëm si qyqar,
Pa një gropë, pa një varr...

 

Korçë 04 qershor 2006

 

 

Merrini

 

Merri gjithë vitet që më mbetën,
ngarkuar me shëmtime pleqërie,
e më ketheni veç një javë të  humbur,
ah, një jav` me vrulle dashurie.

Merrini, iu them, i ndrroj fët e fët,
pa pyetur për fitime apo humbje,
më jepni pra një javë dashurie
t`u jap gjithë vitet me sëmundje!...

 

 

Ky qerpik i shpirtit

 

Vanë javë e muaj fare pa të parë,

Loti im qerpikut, gjithë në të shkarë,

Ky qerpik i shpirtit,  s’më paska të tharë…

 

Rri si dru pa fletë, udhës ku fryn era,

Pranë meje shkojnë vajza, gra të tjera,

Midis tyre s’je, tkurret zemër mjera.

 

Thahet shpirti im, si e vjeshtës fletë,

Gra e vajza venë poshtë dhe përpjetë,

Në mes tyre s’je me çapin e lehtë…

 

Ky qrpik i shpirtit, s’më paska të tharë,

Mbeta shtrirë ditëve, si të jem i vrarë,

Ty duke të pritur, të vij ndër të gjallë…

 

11 prill 2008

 

 

Gjej një tjetër

 

Po mësove se vdiqa krejt papritur,

Mos mendo që zemra i kish fajet,

Mrekullisht në ‘të, të kam skalitur,

Hajmali, më mbroje nga gjynahet.

 

Po, shpirti, që pas teje si i marrë

Bënte vazhdimisht, humbi durimin,

Trupin ma la dru e trung të tharë,

Pranë teje ndali fluturimin.

 

Gjithsesi, për mua të mos qash,

S’dua asnjeri pra, të më qajë,

Ditëve që do vinë paskëtaj,

Gjej një tjetër, mua të më ngjajë…

 

19 prill 2008

 

 

Kur verë pi vetmuar

 

Sa herë që pi verë, kur jam fare vetmuar,

Mbi tryezë, në shtëpi, e ndez edhe një qiri.

Dhe gota i mbush dy, për vete dhe për ty,

Me tënden e përplas dhe ngremë një dolli.

 

“Gëzuar shpirti im, kjo është për dashurinë!”

Ty të them gazmor, sytë pa t’i ndarë.

“Gëzuar më përgjigjesh, kjo është për Zyhdinë,

I çuditshëm burrë, dashuror i marrë!”

 

Dhe gllënjkë pas gllënjke, trokitje pas trokitje,

Na kalojnë çastet, flurë, fol e qesh.

Shpirti ngazëllen në ripërtëritje,

Fërgëllonjës, digjet, qiriri midis nesh.

 

Kështu pra, kur pi verë, nuk ndihem i vetmuar,

Mbi tryezë, në shtëpi, e ndez dhe një qiri,

Dhe gota i mbush dy, për vete dhe për ty,

Gjer dehem tërësisht, hare dhe verë pi.

 

Në tryezë, midis gotash, vetmon gjith’ një qiri…

 

17 prill 2008

 

 

Me hijen përbri

 

E kuptova që pata humbur gjithçka,

Ditën kur ma ktheve shpinën.

 

Sa shumë zvogëloheshe në ikje!

 

Në udhëkryq mbeta vetëm,

Me hijen përbri

Dhe këtë këngë që më mbante për dore…

 

3 maj 2008

 

 

Shko

 

Ti shko pra, shko! Të qoftë udh’ e mbarë!

I miri fat të pastë zënë pritë…

Kjo s’është dashuria jonë e parë,

As nga ato që ndodhin dit’ përditë.

 

Tani që ikën, shtrij krahët, të shtrëngoj,

Çiltërsisht më dhe aq ditë dashurie.

Pa ty, i mbetur vetëm, heshtazi lëngoj,

Si fryt pa diell, rritur ndënë hije…

 

Ç’fatlum ka dalë para? I lumi, nuk e di,

Se fati ia ka nisur të rrallëzën dhuratë!

Shpirti më rënkon e zemra thell’ në gji.

S’do të t’kem një çast, tjetri dit’ e natë…

 

Eh, dreq o punë! Me fatin s’mund të lozim.

Në mbrëmje jemi mbretër me lavde dhe kurorë,

Mëngjesi shpesh na gjen mardhur prej të ftohti,

Me ca thërmija mbetur, paksa, në njërën dorë…

 

Vlorë. 06 gusht 2006

 

 

Me djalin  dhe nipin, pas vitesh

 

Im bir ka filluar të thinjet,

Mua ende më duket vetja i ri.

Mosha me dëshirat gjithë më grindet,

Për pak dashuri, për pak dashuri.

 

Im nip, sigurisht, e ka një të dashur,

Një të dashur e paskam dhe unë.

Ajo më ka bërë rinor e të pasur,

Të pasur në këngë dhe punë.

 

Im bir më flet për jetën e tij,

Në vendin e largët, si edhe qysh.

Fërgëlloj gjer në palcë kur nipi më thotë,

-          Të lodhi rruga, o gjysh?

 

Sa inat e kam pas këtë fjalë!

Më dukej e largët, shëmtirë,

Por atë çast u përlota ngadalë,

Dhe s’di pse më erdhi aq mirë.

 

Im bir ka filluar të thinjet,

Vetja i ri, mua, ende më ngjan

Mosha me dëshirat më grindet,

Djalosh si dikur nuk jam…

 

Po jetën e dashkam rinore,

Me atë që e dua, kam dëshirë ta ngrys,

S’ka gjë se im bir ka filluar të thinjet,

S’ka gjë se nipi më pyet: - U lodhe, o gjysh?

 

 

Shumë vjet më pas

 

Kur mbi tokë, këmba ime, do harrojë që të shkelë,

(Tjetër botë, Zot, për mua, dyert’ e errta do t’i çelë,)

Ti s’do jesh kështu siç je, kaq e mir’ si pëllumbeshë,

Si të bëra nëpër këngë, si të shfaqa nëpër vjershë;

 

Do jesh plakur, do jesh rrudhur, do jesh bërë kot më kot,

Kur mendoj se do të prishesh, lotin vrer, s’e mbajtkam dot.

Për më keq, gjith’ çdo të vinë, kësaj bote, Zot, ç’e bukur,

Do lexojnë këto këngë, kur nga dheu të jem zhdukur,

Dhe trishtuar do të thonë, tek të shohin krejt të plakur,

“Sa hajvan që paska qenë, këtë plakë paska dashur?”

 

Njëqind herë kësaj bote, unë të vija – ti të vije,

Njëqind herë do të t’doja, me aq zjarr prej dashurie,

Siç të desha, siç të dua, gjer të jem në këtë jetë,

Se je femër për t’u dashur, trëndafil me tridhjetë fletë…

 

Milano, qershor 2008

 

 

Askush nuk sjell më lule

 

Stoli për shpirtin tim, mbaj vlerat e tua,

Në krejt gjuhët e botës, them: Të dua!

 

Në petale trëndafilash shndërrohen,

puthjet e mia të uritura,

që ta mbulojnë butësisht,

çdo pjesëz të trupit tënd,

prej meje aq i dëshiruar.

 

Bilbil u bëfsha dhe këndofsha vetëm për ty,

këngën e dëshirës përvëluese për një prekje,

për pak fjalë,

për të puthurat e ëmbëla që kam zënë t’i harroj…

 

Më bëhet se larg teje, jetoj si një i vdekur,

mbi varrin e të cilit askush nuk sjell më lule,

as retë nuk sjellin më shi,

veç kukuvajka e vetmisë,

herë pas here vajton,

për atë që s’është më,

për atë që s’është më,

për atë që s’është më…

 

4 shtator 2008

 



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora