E merkure, 01.05.2024, 07:58 AM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Ukaj: Një monografi me vlera të shumëfishta

E diele, 18.07.2010, 07:56 PM


Një monografi me vlera të shumëfishta

 

Nga Ndue Ukaj

 

Libri monografik, ” Migrimi - Plagë shumëshekullore”, i shkruar me një përkushtim prej hulumtuesi, dokumentuesi, analitiku, nga penda e mirënjohur dhe kreative e Marjan Sebajt-Sopit, është një vepër e një rëndësi, gjithsesi të veçantë, së pari për komunitetin që paraqet, së dyti për literaturën shqiptare, së treti për historinë dhe krijimin e një tradite të shkrimit të dokumentuar, traditë kjo, e cila zaten i ka munguar dhe vazhdon t’i mungoi kulturës shqiptare, famullive tona dhe komunitetit tonë. Si rezultat i kësaj mungese, ne sot kemi shumë pak të dhëna për të kaluarën, për famullitë tona, për kishat tona, për mënyrën se si jetuan paraardhësit tanë. Në këtë formë, kjo monografi, përveç se plotëson një boshllëk jo të vogël, është një lloj grishje për të filluar dokumentimin kohës, në forma dhe variante të ndryshme. Dhe, mënyra më e mirë, absolutisht më e mirë, për të bërë këtë, është përmes librit, si përjetshmëria e ngjarjeve dhe fenomeneve të gjithfarshme. Me punën e tij, aspak të lehtë, por të dobishme në këtë monografi, Marjan Sebaj-Sopi ka çelur rrugë edhe për shumë famulli, fshatëra e vendbanime tjera, që të ndjekin shembullin e tij të vyer dhe domethënës.

 

Në të vërtetë, ky libër monografik, me të dhëna të shumta që ofron, me fakte interesante dhe tejet të dobishme, tejkalon përmasat e zakonshme të një monografie dhe bëhet, një libër inspirues që i shërben lexuesit të interesuar, për të kaluarën, për proceset historike, për religjionin, për mënyrën se si jetuan të parët, për kontekstet politike, për motivacionet që detyruan migrimin masiv të besimtarëve dhe shqiptarëve në përgjithësi, për mënyrën se si jetojnë ata në kushte dhe rrethana të reja në vende të huaja, etj.

 

Marjan Sebaj-Sopi në këtë monografi, ka trajtuar shumë çështje, duke ja filluar prej dimensioneve historike, që lidhen me famullinë Binçë, rrënjët e së cilës, sipas shumë të dhënave, historike, toponimike dhe arkeologjike, autori i kërkon dhe i gjen në lashtësi, pikërisht në kohën ilire. Në këtë aspekt, autori i bënë trajtim të mirë etimologjisë së emërtimit të fshatit, tipareve të vjetra që lidhen me traditat gojore, fetare dhe toponimet e caktuara, që sugjerojnë një konkuldim për autorin se: Binça është një fshatë me lashtësi të lavdishme ilirike.

 

Një aspekt karakteristikë i kësaj vepre është paraqitja e një informacioni mjaft domethënës për fillimet e krishterimit ndër shqiptar, përkatësisht lashtësinë e tij të dokumentuar biblike dhe historike, që është një vlerë e jashtëzakonshme, e admirueshme për çdo komb. Pikërisht në këtë frymë, ka jetuar nëpër kohë edhe komuniteti katolik në këto hapësira  për të cilët shkruhet kjo monografi.

 

Nga këndej, autori një vëmendje i kushton procesit të islamizimit të shqiptarëve, duke ofruar mjaft të dhëna informuese për çështjen në fjalë, për mënyrën se si shqiptarët konvertuan, për rrethanat e reja të krijuara nga konvertimi. Duke mbetur në çështje të religjionit, autori Marjan Sebaj-Sopi paraqet edhe të dhëna për religjionin në kohët bashkëkohore, duke paraqitur faktet të nevojshme për gjendjen e religjionit ndër shqiptarë, për tolerancën dhe bashkëjetesën e mire që kanë shqiptarët.

 

Duke specifikuar tiparet karakterizuese të kësaj famullie, Marjan Sebaj-Sopi sjell të dhëna për Martirët e Karadakut (1846-1848), disa prej të cilëve ishin nga famullia e Binçës. Më tej, një vëmendje të posaçme i kushton edhe rrethanave në të cilat ka jetuar ky komunitet gjatë luftës së dytë botërore, duke e zgjeruar interesimin sidomos për rrethanat që u krijuan në Kosovë nga vitet e 80-ta, vite këto që ndërruan kahen e historisë në Kosovë dhe Binçë, sepse këtu filloj emigrimi më masiv.

 

Duke folur për famullinë në fjalë, autori përshkruan mjaft mirë objektet karakterizuese të saj, sidomos Kishën e Shna Ndout në Bincë, e cila njihet kudo në Kosovë për pikturat morale në Kishë, të cilat zënë gjithë hapësirat e saj dhe që kanë motive të fuqishme kombëtare e fetare. Ato u bënë një inspirim i fuqishëm për lëvizjen politike të viteve 90-ta në Kosovë. Mbase, ato janë pikturat më karakterizuese në ndonjë objekt fetar në Kosovë. Në të vërtetë, ato piktura janë simbioza më e mirë e historisë shqiptare, një simbiozë që formulën e fuqishme e pati nga binomi Atme e Fe. Po në këtë binom, priftërinjtë e shumtë, për gjatë gjithë historisë dhanë kontribute të shumëfishta dhe gjithashtu, ata të cilët shërbyen në Binçë, të cilët autori i përmend me pietet. Në këtë kontekst, ai flet edhe për rolin që pati ordinanca e motrave pranë Kishës gjatë kohës së vështirë të helmimeve në Kosovë, pranë të cilës ordinancë dhe me një përkujdese të shkëlqyer gjetën trajtim të mirë gjithë njerëzit në nevojë.

 

 Autori bënë një përshkrim për aktivitet që bënë sot famullia e Binçë, për jetën religjioze e kulturore, në krye me famullitarin e zellshëm Don Albert Demaj.

 

Librin monografik ” Migrimi - Plagë shumëshekullore” të autorit Marjan Sebaj-Sopi e karakterizon edhe një dimension interesant, përshkrimi mjaft me interes i proceseve detyruese të emigrimit të shqiptarëve, me një theks të përqendruar te Binça, Kabashi dhe Vitia, hapësira këto të cilat gravitojnë rreth famullisë së Binçës. Në këtë kontekst, autori bënë një analize gjithëpërfshirëse, duke përmendur motivet që detyruan këtë fshatarë të marrin rrugën e migrimit, për faktorët politikë që ndikuan gjatë gjithë historisë, që shqiptarët gjithmonë të kërkojnë shpëtimin jashtë, nëpër gjithë botën, por kryesisht, në atë perëndimore. Në këtë aspekt, monografia në fjalë, shoqërohet me të dhëna mjaft interesante dhe të dobishme për politikën represalës serbe kundër shqiptarëve, por edhe për pushtimin e mëhershme barbare, si ai aziatik turk, pastaj për komunizmin, që detyroi të largohen mijëra shqiptarë për gjatë gjithë historisë. Në këtë kontekst, vlera e kësaj monografie shtohet sepse krijon lidhje fizike e shpirtërore me gjithë besimtarët e kësaj famullie të shpërndarë nëpër gjithë botën, që nga Amerika deri në Skandinavi, pastaj Gjermania, Zvicra, Italia, Franca, Austria, Kroaci, Sllovenia. Autori me shumë mund e angazhim ka ofruar edhe të dhëna të dobishme për qdo qytetar për shtet përkatëse, për rregullimin e tyre shoqëror-politikë, për tiparet dalluese në ekonomi, kulturë, religjion, etj. Në këtë kontekst, autori flet për procesin e integrimit të shqiptarëve në vende përkatëse, për historinë e emigracionit, për gjendjen e besimtarëve katolik shqiptar në vende përkatëse. Dhe çdo shtet përkatës, autori nxjerr të dhëna për numrin e banorëve që jetojnë. Në këtë formë, ky ndihmon jashtëzakonisht shumë që ky komunitet në të ardhmen të gjejë forma për të ruajt identitetin, kulturën, gjuhën, besimin. Për këtë qëllim, ndihmon shumë kjo punë e vyer e Marjan Sebajt-Sopit.

 

Libri në fund ka një paraqitje mjaft sintetizuese për figurat dhe personalitet me rëndësi universale kombëtare që i ka dhënë botës shqiptare ky vend, si për Ipeshkvin e ndjerë Imzot Mark Sopin, për profesorin e nderuar, të ndjerin Dr. Engjëll Sedajn, aktivistin e palodhshëm të çështjes kombëtare e fetare, të ndjerin Gjon Llukën.

 

Librin monografik ” Migrimi - Plagë shumëshekullore” të Marjan Sebajt-Sopit fund e krye e karakterizon një ligjërim i çiltër, i një të foluri dashamirës, të drejtpërdrejtë, përmes të cilit autori shpeshherë merr rrolin e bariut, duke sugjeruar kurdoherë bashkëfshatarët, bashkëkombësit, që atdhe është atdhe dhe se ai nuk guxon asnjëherë të harrohet.

 

Autori Marjan Sebaj-Sopi, me ngulim kërkon nga mërgimtarët shqiptar, të kudo ndodhur, të ruajnë traditat, të kultivojnë gjuhën, identitetin e tyre, të ndërtojnë lidhje të fuqishme me mëmëdheun, me tokën e të parëve. Ai kërkon edhe integrimin në vendet përkatëse, për gjithnjë duke ruajtur traditën, duke kërkuar me ngulim përtëritjen e saj. Prandaj, ai integrimin nuk e pranon si shkëputje, por si mundësi për të ndërtuar një perspektivë të re, në dritën e trendëve të reja globale.

 

Në këtë synim, kjo monografi jep një kontribut të çmbushëm, për të cilin duhet përgëzuar.

 

(Ky shkrim është shkruar si parathënie e librit “Mërgimi-Plagë shumëshekullore, të autorit Marjan Sebaj-Spopi)



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora