E merkure, 01.05.2024, 05:50 AM (GMT+1)

Kulturë

Shahbaze Vishaj: Studim i thellë e i gjithanshëm monografik për bohemin e letrave shqipe

E diele, 18.07.2010, 07:08 PM


Studim i thellë e i gjithanshëm monografik për bohemin e letrave shqipe

 

(Prend Buzhala: “Gjenitivi i lirikës – poezia e Mirko Gashit”, botoi Rozafa, Prishtinë 2009, fq. 216.)

 

SHKRUAN: SHAHBAZE VISHAJ

 

Prend Buzhala tashmë është profilizuar si studiues e kritik letrar i zellshëm, që ka bërë emër në gjithë hapësirën shqiptare. Veprat e tij studimore e kritiko-letrare janë botuar në Prishtinë, Shkup, Tiranë e gjetiu dhe janë pritur me respekt e kureshtje nga lexuesit dhe nga njerëzit kompetentë të letrave shqipe. Vetëm vitin e kaluar ky studiues botoi dy studime monografike që dallohen për nga thellësia e qasjes e për nga gjerësia e hapësirës studimore në trajtimin e lëndës së mbarështuar: e para “Kode poetike të mbijetesës shpirtërore – mbi romanet për të rritur të Anton N. Berishës” (botim i Argeta LMG, Tiranë) dhe e dyta “Gjenitivi i lirikës – poezia e Mirko Gashit” botim i “Rozafës” së Prishtinës).

Studimi i fundit monografik “Gjenitivi i lirikës – poezia e Mirko Gashit” dallohet për nga

leximi i thellë, i plotë, i mbështetur e i arsyetuar gjithanshëm nga dora e studiuesit,.kështu. ky studim mbështetet në një zbërthim e përgjithësim të shumanshëm të lëndës së trajtuar, kësaj radhe, të poezisë së Mirko Gashit, mbasi autori i zë me themel vlerat e kësaj poezie.

 

1.

Mirko Gashi ka qenë krijues e poet bohem, që e kishte zërin e vet poetik jo të rëndomtë, jo të zakonshëm. Kjo veçanti e poezisë së tij buron edhe nga mënyra e veçantë e të jetuarit, ku jeta shndërrohet në art të veçantë, në art bohemist. Libri ndahet në nëntë kapituj apo LEXIME, kurse struktura e librit e ngërthen edhe një ndarje tjetër: pjesëza e lexime prej numrit 1 e deri në 45 e që përbën një nivel tjetër shtresimi e strukturimi mjaft origjinal të lëndës që merret në lexim. Leximi del si një krye-nocion studimor, i zënë teorikisht nga shumë anë, po edhe i zbatuar praktikisht nga shumë anë te kjo monografi. Në kapitullin e parë “Lexim mitopoetik (Nga gjenitivi i krijimit të kozmosit)” studiuesi Prend Buzhala e analizon kryesimbolin e Mirko Gashit, simbolikën e ujit, të cilin autori e quan Ideal Poetik, nga i cili ideal rrjedhin edhe kuptimet tjera të,poezisë e të poetikës së Mirko Gashit, siç janë raportet mes poezisë, artit e realitetit, miti i krijimit osmologjik e kozmogjenetik i kënduar në artin e poetit tonë bohem. Folësi lirik është i mishëruar në sferat e artit, në nivelet e irracionales, duke krijuar esencat poetike, qenësinë e artit vetë si dhe raportet fenomenologjike me jetën, ku në këso rastesh, lirika bëhet  biolirikë, biografi e shpirtit: Kush je këngë e lashtë, fjalë-fishek për kokën time, fjalë-gjyle për zemrën time, fjalë-murtajë për dashurinë time, te ‘’Gjarpri i shtëpisë’’, faqe 26. Liriku, Mirko Gashi, idealizon sfilitjet e tij të brendshme përballë fatumit kolektiv e personal. Vizioni i tij është disa burimesh i jashtëm , që përplaset me realitetin e shprishur të viteve  80 dhe i brendshëm, ku Shpirti i Epërm i Gjërave i ligjëron ndryshe nga jeta e përditshme: I thanë lumit

Je: më i kthjellët se loti, më i bukur se liqeni, më i thellë se deti, sa keq e shanë, shumë keq e shanë. Te ‘’Arbor vitae- Druri i jetës’’ , faqe 46. Po te poezia: ‘’Gjarpri i shtëpisë’’, në vargjet: Në  atë lumë, vdekja dhe jeta, shëtisin dorë për dore, si binjakët që shkojnë në shkollë yjore, falsin për idealin e atyre që vërtet duan të jenë vetvetja, që duan të jenë të lirë. Pra, qenia njerëzore  përgjithësisht dhe veçanërisht poeti pikësynojnë thelbin e ekzistimit të vet, përsosmërinë dhe mirëkuptimin, synojnë  ndritje, mëshirojnë të bukuren dhe të mirën, dëlirësinë, kthjelltësinë e mendjes, shpirtgjerësinë etj. 

Kapitulli i dytë e që e mban titullin “Lexim kontekstual (Kulti i bohemës)” i kushtohet konteksteve kohore kur u krijua kjo poezi, vendin që zë kjo poezi në poezinë tonë përgjithësisht, si dhe fenomeneve social-kulturore, politike, letrare etj që ndërlidhen me këtë kontekst letrar. Del si kapitull jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe me vlerë. Kurse kapitujt “Lexim akvapoetik (Në vorbullën e ujit)”, “Lexim në intermedium (Hapësira eternale e akvapoetikës), “Lexim situacional (Netët e bardha)”, Lexim i subverzionit  estetik (Gjarpëri i shtëpisë)”, Lexim paradigmatik”, (Arbor vitae)”, “Lexim fenomenologjik (Reinkarnimi im)”, merren me interpretimin e leximit, të cilin Buzhala e quan polimorfizëm të leximit, i përkufizuar nga shumë dijetarë e teoricienë bashkëkohorë. Pra lexohen të gjithë librat poetikë të Mirko Gashit veç e veç deri te libri në dorëshkrim “Reinkarnimi im”. Kapitulli i fundit mban titullin “Lexim estezik Requiem për poetin Mirko Gashi/ poezi kushtuar Mirko Gashit nga poetët tanë”. Estezë krijuesi e quan lidhjen artsitike të ndërsjellë në mes veprës, autorit dhe receptuesve e krijuesve të artit. Poezitë përkushtimore për Mirko Gashin janë të  poetëve tanë, si  Sabit Rrustemi, Tahir Desku, Beqë Cufaj, Mexhid Mehmeti, Milaim Berisha, Esat Loshaj, Kalosh Çeliku, Ramadan Mehmeti, Muhamet Mavraj e  Bardh Frangu.

 

2.

Në këtë monografi autori merret edhe me krijimtarinë letrare për fëmijë të Mirko Gashit, i cili thekson se poeti bohem, duke jetuar thellë dëshpërime, mosbesime sfilitëse, megjithatë, ai, në tri dashuritë e tij të mëdha nuk e humbi besimin,- te populls- illyricus-i i tij, te  fëmijët dhe te lirika e tij. Ja si këndon te poezia, ‘’Fati im’’ : Shyqyr Zotit, asnjë unazë, s’ e pata, asnjë nuse, me velin e bardhë, ( shyqyr Zotit, kalorës i ylberit isha), shyqyr Zotit, më të katërta, tre fëmijë i pata, shyqyr Zotit, që poezinë e pata.

Në fund me interes është edhe bibliografia e veprave të botuara, e krijimeve për fëmijë, e përkthimeve, e shkrimeve kritiko-letrare për veprën e Mirko Gashit, e shënimeve për jetën e veprën e poetit, e intervistave të Mirko Gashit, e roleve teatrore e filmike që i ka realizuar Mirko Gashi, e përfaqësimit nëpër panorama e antologji etj.

Do theksuar se studiuesi Buzhala përdor një ligjërim kritik modern, të vjelë nga shumë dije e disiplina bashkëkohore jo vetëm letrare, teorike-letrare apo kritiko-letrare, po edhe nga fushat jashtëletrare studimore e që e ndihmojnë për të zbërthyer e sintetizuar fenomene e dukuri letrare. Prandaj kjo monografi e përbën risinë e vet studimore në letrat shqipe.



(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora