E enjte, 01.05.2025, 03:29 PM (GMT+1)

Kulturë

Halil Zendeli – fitues i çmimit “Nëna Terezë”

E shtune, 17.07.2010, 09:58 PM


Dje, e mërkurë (14.07.2010), u njoftua se fitues i sivjetmë i çmimit shtetëror për humanizëm dhe aktivitet shoqëror është edhe shkrimtari Halil Zendeli. Ky çmim u jepet personaliteteve të jetës shoqërore, që e vazhdojnë traditën e humanizmit të emrit të këtij çmimi, pra të Nënës Terezë.

            Halil Zendeli është i lindur në f. Llakavicë të Gostivarit. Ka kryer studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe, ndërsa nga viti 1975 e deri në vitin 2003 ka punuar në redaksinë e gazetës “Flaka”. Aty ka ushtruar edhe disa funksione udhëheqëse, si redaktor përgjegjës i revistës për fëmijë “Fatosi”, redaktor përgjegjës i revistës për kulturë, art dhe shkencë “Jehona”, si dhe zëvendësredaktor dhe redaktor përgjegjës i gazetës “Flaka”. Këtu është bërë i njohur si autor i shumë reportazheve, komenteve dhe analizave, që edhe sot përmenden në opinionin shqiptar në Maqedoni. Ai po ashtu është i njohur edhe si shkrimtar i respektuar në Maqedoni dhe më gjerë. Ka botuar disa libra me tregime, romane, novela dhe drama, disa nga të cilat janë përkthyer dhe botuar edhe në gjuhën maqedonase dhe angleze.

            Pas vitit 2003 Halil Zendeli hapi Shtëpinë Botuese “Vatra”, ku përveç botimeve cilësore që ia ka ofruar lexuesit shqiptar, si dhe shumë veprave kapitale që do të jenë pronë e gjithmbarshme e kulturës shqiptare, e ka dëshmuar veten edhe si dashamir i kulturës, arsimit dhe edukimit. “Vatra” disa herë ka organizuar donacione për nxënës të familjeve të varfra, ndërsa mbase për herë të parë ai e ka filluar kultivimin e traditës që në fund të vitit shkollor t’i shpërblejë nxënësit e shkëlqyeshëm të shkollave fillore dhe të mesme te ne. Për këtë dëshmojnë edhe dhjetëra mirënjohje e falënderime që ka marrë ai nga shumë shkolla.

            Shpirtin e tij human dhe personalitetin e tij prej humanisti e kanë zbuluar edhe shumë artdashës të tjerë, disa nga të cilat madje e kanë zgjedhur të jetë personazh i veprave të tyre.

            Ndërkaq humanizmi dhe solidariteti që e përshkon personalitetin e tij shfaqet edhe në krijimet e tij, që para së gjithash shkëlqejnë me afirmimin e qenies njeri dhe të vlerave të mirëfillta të njeriut.

            Sot Halil Zendeli është thuajse i vetmuar në kryeqytetin e Maqedonisë, i cili e mban gjallë librin shqip në Shkup, duke qëndruar në mesin e lexuesve në sallonin e librave “Vatra”, ndërsa kjo librari tashmë është bërë edhe çerdhe e të gjithë dashamirëve të librit dhe prehje e të gjithë atyre që kanë nevojë për dije, dashuri dhe humanizëm.

            Çmimi do t’i dorëzohet më 26 gusht 2010, në ditëlindjen e 100-të të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë. 

 



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx