E merkure, 01.05.2024, 02:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Remzi Limani: Poezia e një kohe të lodhur

E diele, 18.07.2010, 07:37 PM


POEZIA E NJË KOHE TË LODHUR

 

(Dëshmi e një force krijuese)

 

Shtjellimi poetik, metaforat e zgjedhura dhe të natyrshme, gjuha lapidare, dukshëm e lartësojnë këtë krijimtari interesante. Në këtë konteskt, Ukaj, heshtjen e natës memece e shndërron në këngë drite dhe para agmisë i bie burizanit të kushtrimit…, për plagën e malcuar që kullonte  në pritje të diellit dhe zogjve fluturakë mbi shkrepa, ku lindin agimet e bardha me aromë e  ëndërr drite dhe shpresat që flasin shqip – sepse lirinë e presin shumë dasmorë – thotë poeti.

 

Nga Remzi Limani

 

Të shkruash për poezinë e krijuesit tonë letrar - Vezir Ukajt, të botuara në përmbledhjen “Barrë e vrarë” (1996), të këtij vëllimi të shkruar në vitet e largëta (1960-1970), prapa grilave të hekurta të kazamateve serbe të bajlozit të zi, që atëbotë Ukaj ishte i burgosur politik, në moshën 22-vjeçare, nuk është lehtë. Nuk është lehtë të ndahesh nga formulimet e tipareve themelore të një gjuhe të pastër poetike, në mënyrë që të mos shqitet nga vlerat artistike, ku vargu i tij kullon gjak me emrin e lidhur në pranga.

Përmbledhja “Barrë e vrarë” është dëshmi e fuqisë së tij shprehëse që e shtron realitetin kaotik shoqëror si të vërtetë jetësore – është një dritare e re që ajo botë shihet nga shumë kënde që nuk kemi mundur ta shohim.

Deri te përmendorja vdiset rrugës, thotë një varg i tij. Dhe, vërtet, Ukaj bëri rrugë të lodhur, ndaj të bësh një vështrim kritik për krijimtarinë e tij poetike, për barrën dhe për peshën e ngarkuar mbi supet e tij, është përgjegjësi intelektuale dhe rrezik të rrëqasësh pa dashje në humnerë… Në kohën kur në pikë të ditës prehej mesdita dhe vishej errësira mureve të lara me gjakun shqiptar, Ukaj dhe ëndrra e tij për liri, vazhdimisht udhëtonte në prehërin e vet. Në poezinë dhe mendjen e shëndoshë të shkrimtarit në fjalë, që e thithte zjarrin thellë në fytin e ngusht të natës nëpër zemrën e lënduar, shkrihej poezia e dhembjes dhe shkëputej nga vargu që del nga fortifikata e shpirtit dhe e qëndresës për të mbijetuar jetën në humbellë – prapa atyre grilave, ku qielli pikon lot, si nëna kur varros syrin së bashku me të birin. Mirëpo, poeti ynë, edhe pse me pezëm në zemër, mbante durimin fuqishëm; me urti i kthehet vargut dhe mendjes për ta shqyer këmishën e çmendisë, që barbarët ia veshën hënës dhe diellit për të mos llamburit drita mbi Arbëri, duke u munduar ta fundosin këtë tokë në errësirën misterioze.

Shtjellimi poetik, metaforat e zgjedhura dhe të natyrshme, gjuha lapidare, dukshëm e lartësojnë këtë krijimtari interesante. Në këtë kontekst, Ukaj, heshtjen e natës memece e shndërron në këngë drite dhe para agmisë i bie burizanit të kushtrimit… për plagën e malcuar që kullonte në pritje të diellit dhe zogjve fluturakë mbi shkrepa ku lindin agimet e bardha me aromë e ëndërr drite dhe shpresat që flasin shqip – sepse lirinë e presin shumë dasmorë, thotë poeti. Ai, i goditur nga ngjarjet tragjike dhe kërcënimet e jetës, lirika e tij ngel simbol pastërtie, krenare, shumë e fuqishme dhe interesante, herë-herë i shpalos imazhet e rinisë së heshtur, me gjilpër i shtie në pe kujtimet, nën kokë me letrat e dashurisë e zë gjumi me kohë të kurdisur…

Tërësia e ideve, e bindjeve dhe e pikëpamjeve të z. Ukaj, ishte kredoja politike në konspiracion për kauzën kombëtare, pa u dorëzua asnjëherë edhe pse gjendja e tij shëndetësore ishte në një konvaleshencë të një periudhe që i duhet një të sëmuri për të marrë veten. Çështjen e madhe dhe të drejtë e mbronte me këmbëngulje pa u trembur asnjëherë nga vdekja që në vazhdimësi i rrinte pranë. Prandaj, krijimtaria e tij në letërsinë shqipe ka një forcë kohezioni ideologjik, politik me kohën dhe hapësirën në të cilën ai frymonte asokohe, duke e ngritur çështjen kombëtare në panteonin e njerëzve më të shquar të kombit tonë më të vjetër në Evropë. Dhe, pa dyshim, në këtë pikëpamje poeti ynë ka një sedër krijuesi dhe njeriu që bëri një punë me cilësi kombëtare patriotike. Këtë krijues, në planin jetësor e priste burgu, ndërsa në planin krijues anatema, kështu që këtë fat e përjetoi, siç shkruan poeti Faruk Tasholli, edhe me “shkrimtarët e tjerë, si Adem Demaçi, Teki Dërvishi, Rexhep Elmazi, Murteza Nura, Zeqir Gërvalla e ndonjë tjetër.” Poezia e Vezir Ukajt,  për kohën kur është shkruar, është interesante dhe karakteristike, për mendimin dhe qëndirmin e guximshëm, posaçërisht nga aspekti i veçantë i një parimi specifik dhe origjinal, ngase çdo varg i tij ka kuptim e shije të posaçme, me fuqi shprehëse e vlerë artistike – është e shkruar pa sekrete, pa enigma – ajo është e shprehur me mjete origjinale letrare.

Vezir Ukaj e recitoi jetën e tij deri buzë varri, pikturoi vargjet me bojë qielli, sepse vargjet këndellin qiellin dhe mendjen e krijuesit. Vjershat e këtij vëllimi flasin me gjuhën e një lirike të veçantë për dashurinë universale dhe dhembjen e shpirtit për të thurur fole mbi Dardani. Ukaj, në mënyrë metaforike, ruan yjet e varura në sfondin e qiellit blu, për të nesërmen e ndritur, duke e bartur shpresën mbi kurrizin e thyer. Ai, vazhdon të shkruajë vargje me efekte prekëse, duke e vënë në skenë melodramatikën. Ndaj, shprehja figurative në poezinë e Ukajt pikon vetë, nga ditët e rënda, jeta dhe fati i poetit që rrinte i mbështjellë me tela pikëllimi, i myllur në shikimin e lodhur së bashku me ndjenjat, shqetësimet, dëshirat e përjetimet e tjera, duke u munduar ta mund pikëllimin dhe vetminë me “vdekjen” e tij. Me një lirikë artistike dhe patriotike, me zjarrin e prushtë, por për dashurinë dhe për lirinë, nuk e ndali zërin për ta mbrojtur identitetin kombëtar dhe pagëzimin e dhembjes me emrin shqip…

Vezir Ukaj, si njeri, si publicist, si poet, në përgjithësi si shkrimtar e gazetar, ka shumë veti specifike, sikur në përmbajtje ashtu edhe në stilin e tij, sepse rrëfimet e sinqerta burojnë nga jeta e njerëzve të vegjël dhe të shkelur të fatit tonë tragjik…

Vezir Ukaj u lind në katundin Dobrajë e Madhe të komunës së Lipjanit. Është mësues i gjuhës shqipe. Ka mbaruar studimet e larta universitare (letërsinë dhe gjuhën shqipe) në Prishtinë. Si veprimtar i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, me Adem Demaçin në krye, ka qenë i dënuar politikisht dhe, për disa vjet, dënimin e ka vuajtur në burgun më famëkeq të Serbisë – në Nish. Edhe pas vuajtjes së këtij dënimi, është arrestuar disa herë.

Vezir Ukaj është shkrimtar dhe ka botuar tri përmbledhje me poezi. Jeton dhe punon gazetar e redaktor i kulturës në gazetën e mësuesit “Shkëndija” në Prishtinë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora