| E hene, 19.07.2010, 09:41 PM |
Biblioteka
Poezi
Recensues
Dibran Demaku
Hasan Qyqalla
Radhitja me kompjuter
Autori
Disenji
Arben Berisha
Poet i lindjes e rilindjes!
Kur i lexoj vargjet poetike realiste e shpesh edhe rebeluese të z. Ali Sh. Berisha më bën të shestoj nëpër mote, mbase edhe nëpër dekada, të cilat i shprishë fije për fije duke përdorur laryshi figurash letrare.
Poeti “Muzën e dhembjes” e ndanë në njëmbëdhjetë cikle dhe atë në aspektin kohor, si një ditar. Veçanti e kësaj vepre janë miniaturat si formë vargnimi.
Te të gjitha poezitë në “Muza e dhembjes” mbretëron një vokacion i thellë poetik.
Që në fillim hasim vargun shpërthyes kur i ndalohet fjala e lirë e me këtë edhe vargnimi. Por, kryeneçësia e tij nuk thyhet, vazhdon të përballet me furtunën e terrin, duke e ngritur gjakimin për Dheun, Flamurin e Alfabetin në hullinë parësore të ngritjes së qenësisë së tij në rrafshin kryengritës karshi rrjedhave të pamëshirshme historike që nga rinia e hershme duke e përdorur lapsin me mjeshtri të hollë në gërshetimin e humanitares dhe atdhedashurisë e herë herë duke e kthyer në plumb. Këtë guxim poeti e shprehë pa drojë duke e ngritur poetikën në rrafshin vertikal dhe atë horizontal.
Poeti e sfidon terrin e zisë duke e vënë rënd shputën mbi sfondin e të keqes se: “Mëngjesi do të nxjerrë Diellin, ... do të fshijë terrin përgjithmonë” që brezi i vet dhe brezat që vijnë të kenë dashuri, liri e mirëqenie..
Me dellin ëndërrues dhe shpirtin engjëll e ngrehë në piedestalin real familjen e me këtë edhe bashkëkombasit duke lëshuar ofshamë të thellë “Të një barku jemi...!”, duke shprehur qëndrimin e tij rreth gjeografisë kombëtare e historike me mbështetje në idealin, shpresën, qëndresën e pathyeshme karshi stuhive rrënimtare.
Poeti ndjenjën e dashurisë e qëndisë me dimensionet e bukurisë dhe për të hapëron rrugës së mundimsh nëpër mote të liga, andaj nuk hamendet të sfidojë me tërë qenien, të luftojë e flijojë për të si në vargjet “... Dikush që deshi t’ia vras Diellin, he e vraftë veten...!”, duke e nxjerrë parësor optimizmin.
Krejt në fund do të ngelem i mangët po s’e thashë troç se poeti Ali Sh. Berisha lind, gjegjësisht rilindë sa herë që boton vepër të re. Uroj që të rilindë më shpesh, mbase e kërkon letërsia, lexuesi dhe kritika.
Hasan Qyqalla
Brohl, 04.04.2009
Zemërhekur
Këngë e pakënduar
Këngë e pakënduar
Që brenda meje digjeshe zjarr
Shpërthe me bukurinë
Me guximin që etjet
N’gjelbërim përtrinë
Ti po kthehesh gjallë
Gjallë t’jehosh
Në kopështin tim
Ëndrra si dikur të mbëltosh
Nuk është Komuna e Parisit
Nuk është Komuna e Parisit
Është Prishtina
Nëntori i festës së Nëntorëve
Flijimi për flamurin e bërë shoshë
Është gjaku i ngjizur në dhe
Në eshtrat e gurëzuara
Është jehonë kushtrimi
Për ditë të gëzuara
Ne kemi fuqi
Ne kemi fuqi
Shkëmbin ta bëjmë arë
Dhe syrin liqe
Ta kthejmë shkrumin n’gjelbrim
Hidhërimin në këndim
Errësirën në dritë
Urrejtjen në dashuri
Do të dëshiroja
Do të dëshiroja
Sonte të thithi buzët tua
Nën dritën që s’e fikë era
Pranë burimit që gurgullon
E koha s’e thanë
Malësi
Paja jote është mali e kodra
Kreshta e përhitur
Rrafshi e vegjetimi
Kroi e lumi
Liqeni i dremitur
Është Flamur
Qëndresë nëpër shekuj
Lindje e vdekje e dhembshme
Heronjë për t’i falë nënëlokes
T’mos përsëritet ditë e djeshme
Paja jote janë zogjtë e qiellit
Janë shqiponjat
Rrezet e përjetëshme të diellit
Odë e shkollë
Gjumë në njërin sy
Dimër e verë hapur tjetrin
Pushkë nën kry’
Një këngë që përfundon
Tjetra të lind
Dashurisht zemrave n’gurgullimë
Për të mbjellë dritë
Me terrin për t’u grindë
1969
Të ëndërroj çdo natë
-Babait Sherif Berisha-
Digjem si digjeshe ti
Kur ndizje qiellin
E në gishtërinjtë e mi
Skalitje fytyrën tënde
Diellin zbrite në ballin tim
Kur filluan të ndërrohen ngjyrat
Të zënë rrënjë mënxyrat
Dhe fushat i puthe
Malet i përqafe
Me diell në gji
U bëre ag
Tashti dhembja kafshon Lisin
Dardhën ujce në oborr
Dhe qershinë në varre
13.08.1970
Bukë e zemrës
(Elegji babait që vdiq në korridor të spitalit)
S’më shkoi mendja te fundi i jetës
Por vetëm te përlindja
Shtatë herë m’u rrotullua toka
Kur ia rrëmbeve flakën qiriut
Dhe u dogje
Sa herë do të më lagen mollëzat
Mbi sfondin akull të amshimit
Të më shkojë mendja bri oxhakut
Tek hiri që mbështjellë ka
Bukën e zemrës
Mëngjeset tek i shpalosje
E s’frikësoheshe nga thikat
Që nxirnin sy e mbillnin errësi
Sa herë do të më kujtohet guximi
Tek shkëmb midis urrejejteve
Bëje nga gjaku lulet të mbijnë
Në vatrat e shuara
Ata që t’kishin mbytur përbrenda
Thanë se vdiqe
Ata që të deshën të përlindën brenda vetës
Me plot dashuri
Fto agimin
Fto agimin
Tingëllimën me elegji
Laureshë e cfilitur
Bashko etjet
Rigat intime
Shtrriçje ankthi
Kur brejnë erërat
Fërgo ashtin tim
Idhull malli egërsire
13.11.1971
Qeshja e syrit tënd
Ngrit qepallet
Syri të të qeshë
Që pjesë e botës sime
Edhe ti të jesh
Qeshja e syrit tënd
Dridh zemrën
Gufon këngën
Lind një strofë të re
1.12.1971
Vrapo Maraton
Vrapo Maraton
E sotmja të jetë jona
Bjeshkët e shiluara në errësi
T’i shalojmë n’dritë
Të jemi rilindje
Të nisemi flamurtar
Të bëhemi Uliks
Polifemin ta vrasim
Pastaj t’ia ndezim qiriun
Që floçkat të qetësohen
Vrapo Dante
Vrapo pa pushuar Dante
Unë jam Virgjili
Për ty do të hapi rrugët
Nga skëterra në dritë
Vrapo Dante
E dashura po të prèt përtej
Ti duhet vetë ta gjesh urën
Për në parajsë
2.12.1971
Sydritë
-Dr. Xheladin Dedës-
Njeriu që u kthente të verbërve
Dritën e syve
Që përzinte errësirën
Dhe shpaloste dritën e diellit
Sot po ikë
Thirrjet heshtjen trazojnë
Fytyrat kthehen nga qielli
Që t’i miklojë dielli
E në zgavrat e tyre
Të futen yjtë
27.11.1971
Përcëllimë
Me flakë më përcëllon
Me zjarr më djeg
Dhe më përvëlon çdo natë
Vezuf i mallkuar
S’pushojnë Sirenat mashtruese
As Polifemët që hanë krahët e mi
Brenda anijes sime të lashtë
Me emrin tim
Të vjetër sa vetë Toka
Tutje etjes sime
Një flamur trengjyrësh
I fëlliqur e i grisur
Grindet me kohën
Grindet edhe me hapat e mi
Që shqyejnë netët me terr
Për të pasur pranverë
Në oborrin e gjyshit tim
4.12.1971