E merkure, 01.05.2024, 08:36 AM (GMT+1)

Kulturë

Gjergj Marku: Kullat e vjetra të Veriut, në pritje të vizitorëve dhe turistëve

E hene, 19.07.2010, 09:10 PM


Kullat e vjetra të Veriut, në pritje të vizitorëve dhe turistëve

 

Nga Gjergj Marku

 

"Një burrë i moshuar me duart që i dridheshin e kyçi derën e jashtme të kullës që i kapërcente të 200 vjetët për ta lënë në mëshirë të fatit.


Iku kjo familje nga Selita e Mirditës dhe u vendos në Bathore në një shtëpi dërrase, atje "ku gjendet qytetërimi" e një mundësi më shumë për të jetuar. Prapa la të bëhet gërmadhë një tjetër qytetërim, ai i vjetri, tradicionali.


MIRDITË - Kulla, kjo banesë tipike e malësive të Veriut shqiptar,është një resurs turistik krejt i virgjër, i pashfrytëzuar, por për fat të keq ende "i paftuar" në strategjitë e zhvillimit të turizmit shqiptar. Në platformën turistike të vitit 2008 MTKRS, shpalli si projekt risi "turizmin e 40 haneve", të cilin e vlerësoi si çelësin e suksesit të turizmit shqiptar.

Gjithsesi, sot e kësaj dite nuk ka një statistikë të saktë se sa joshës u bë ky lloj turizmi, por ka një fakt që në disa rajone si në Theth a Valbonë, morën formën e tyre disa bujtina të ngritura nga vetë banorët e atjeshëm, edhe pse nuk i'u dha emrin hane. 

Ndërkohë që u la në harresë bujtina tipike, kullë e Veriut, që gjendet në çdo të trevave veriore. Por çfarë kanë pikasur ndër mote në kullat e Veriut të huajt e studiuesit
vendas? 

Dy antropologë amerikanë, bujtës në kulla

Studiuesi korçar Stavri Frashëri, së bashku me dy bashkëshortë antropologë amerikanë, në dimrin e vitit 1930 kalojnë fshat më fshat në Mirditë prej Zadrime e deri në Pukë. Ecin në majën e Velës, në Ungrej, në Frekë, ndjekin ujin e Dibrrit, dhe flenë në një han. 

Aty kalojnë një natë magjike mes bisedave me të zotin, të pritur me mish të kuq të skuqur, mollë, arra, me lugë prej druri, një e ngrënë shqiptarçe. Pas disa ditësh kalojnë në Rras, ku flenë në një kullë. Në odën e burrave mblidhet thuajse tërë fshati që shikon me kureshtje të madhe amerikanin, dhe sidomos gruan e tij, që ishte e veshur me rroba burri. 

Frashëri kujton se "për darkë, nusja e re na solli koritën dhe ibrikun që të lanim duart, i zoti i shtëpisë solli rakinë, ushqimin e pasur deri tek petullat me mjaltë". 

Kulla mirditore 
E rrethuar nga një copë toke e mbjellë qëndron shtëpia e mirditasit. Për t'u bërë ballë luftrave është e fortë prej guri, dritaret i ka të vogla, përmbi portë përgjithësisht është "çikmaja" me një dritare të vogël dhe me disa frëngji për të bërë luftë. 

Nëpër qoshet e shtëpisë vërehen vrima të tjera të cilat e mbrojnë shtëpinë nga të gjitha anët. kullë, mbulojën e ka me plloça, me qeramidhe. Ato shtëpi që kanë pyje pranë mbulojën e kanë me
pishë. 

Aty këtu ka dhe shtëpi përdhese prej guri ose prej dërrase të mbuluar me qeramidhe, me dërrasa, me plloça ose kashtë. Këto janë të shtresave të fundit. Kulla mund të ketë tre, katër ose më shumë oda. Atje ku mungon kasollja, oda përdhese përdoret për bagëtinë. 

Një shkallë e ngushte posa hyn tek dera të shpie në odën e burrave ku priten miqtë. Sapo hyn Brenda vëren oxhakun. Në shtëpitë përdhese vatra ndodhet në mes të odës dhe buariu për të hequr tymin mungon. Mbi zjarr qëndron poçja prej balte me zinxhir. Pishtari, një lloj rrjete prej teli, varet nga tavani dhe shërben për të vënë pishën e ndezur që ndrit përreth. 

Oda nuk ka shumë mobilje. Nëpër kënde është shtrirë ndonjë mutaf ose ndonjë lëkurë deleje, andej-këndej, sheh shkaminj trekëmbëse e të shkurtëra, ndonjë fron të moçëm të skalitur dhe
fort bukura e ndonjë sënduk të vjetër të gdhendur. 

Diku në qoshen e këndit mund të vësh re ndonjë "cung" (trup druri), i cili përdoret në vend të jastekut. Në të dyja anët e oxhakut dhe në mur mbi dy këndet janë kamaret të mbyllura në dërrase të skalitur, kanë pamje të bukur dhe i zoti i shtëpisë vë takëmet e kafesë. Kafen taze mirditasi e ka alla minut. 

Dritaret janë të vogla dhe pa xhama, mbyllen me
kanata dërrase të trashë, muret të lyer me gëlqere dhe pa dekoracion, diku shikon ndonjë pushkë të varur (kur kanë leje prej Qeverisë), ndonjë çifteli, ndonjë kryq a ndonjë fotografi të të zotit të shtëpisë që mund të ketë dalë në Shkodër a Tiranë. 

Pakëz nën tavan duken disa çengela ku varen
pushkët e trimave, cengela të tillë gjenden edhe tek dera e jashtme.Fshati i kullave alpine, Nënshej E quajnë të tillë se gjendet pak metra poshtë Malit të Shenjtit në bjeshkët më të larta të Mirditës verilindore. 

Fshati i vogël me fare pak shtëpi ndodhet nën krahun e këtij
mali me emër shenjtorësh. Nënshejti dallohet për kullën tipike dykatëshe; numërohen tetë kulla të mëdha, të tjerat janë shtëpi alpine përdhese, ndërsa thuajse tërë kullat mbulohen me fruxha, me përjashtim të njërës që kapërdorur tjegullën. 

Kullat e këtij fshati, veç ndërtimit me gurë të bardhë dhe tavanet karakteristike, të veçantën e kanë patur tek dyert. Ustallarë të përmendur e kanë latuar e gdhendur mjeshtërisht gurin e fortë të këtyre viseve. 

Këtë na e shpjegon dhe Gjet Ndoj duke përmendur ustain legjendë të ardhur nga Fani, Ded Halili, ndërsa na e servir një gotë "raki vendi" në oborrin e jeshiltë të rrethuar me gardhe karakteristike. 

Kullat e Lurës 

Kullat e Lurës kanë shërbyer jo vetëm si fortifikata, por dhe si vende ku gjallon jeta malësore në tërë hapësirën e vet sociale dhe ekonomike.

Ali Koceku i ka studiuar imtësisht ato. Kati i parë i kullës luriane është përdorur si haur bagëtish, ndërsa në katin e dytë ndodhje oda e burrave, si një institucion edukimi.

Luriani e ka shtruar odën e miqve bukur dhe e ka hijeshuar. Në të dy anët shtroheshin hasra thekne dhe mbi to mutafi karakteristik nga leshi i dhisë që blihej në Prizren. Sipër mutafit, në shtëpitë pak më të kamura, vihej dhe sixhade, lëkura delesh e qilima. 

Dyshekë e jorganë herët nuk kishte, ndaj miqtë e ardhur mbuloheshin me postahe që i punonin në vegjë, por përdorej për mbulojë dhe dallamaja (një lloj palltoje e punuar me shajak). 

Dyshekët e parë këtu në Lurë erdhën në kohën e Zogut, ndërsa masivisht u futën pas Çlirimit. Oxhaku duket karakteristik aty, i punuar në gur dhe i futur rreth
25 cm. 

Kati i tretë apo i katërti quhej "kullë" 

Aty kishte dy a tre sharishene me frëngji, këtu rrinin burrat për verë. Kishte dhe dollapë qorr me dy tri frëngji. Në një qoshe ishte Çakmani, një dollap rreth një metër dhe i mbyllur me oxhak, ku mbaheshin vegla armësh. Nga jashtë Çakmani ishte pak i dalë e me gur të gdhendur. 

Gurët e derës, qoshet e sharishenet nxirreshin vetëm në disa vende të caktuara, zakonisht nga mermeri i kuq, i cili merrej në Fushë Krejë, në Rusvesh etj, dhe transportohej me argatë
20 a 50 veta njëherësh, të cilët në mbrëmje gostiseshin me mish e gjëra të tjera. Kullat e Lurës kanë shërbyer edhe si fortifikata për luftë. 

Austriakët kur kaluan këndej e qëlluan me top kullën e Hakik Menës, po kështu kulla e Bajram Cukut u bë fortesë lufte midis vëllezërve Cuku e nemcellinjëve
(austriakëve). Lura e ka përftuar një simbol në trajtën e monumentit, "kullën Limpreht".

Për të shkuar tek ajo, kalojmë një rruge kalldrëmi mespërmes fshatit për t'iu avitur asaj. Nuk ka njeri brenda dhe si shumë kulla të tjera, edhe ajo përjeton heshtjen e madhe.

Është e rrethuar nga një gardh me hunj të gjatë të mprehtë në maje, nga ata që rrethojnë dhe livadhet gjithandej. Asgjë nuk pipëtin aty brenda,
bari i rritur deri në afërsi të derës, pemët që i kanë shtrirë degët deri në muret e saj dhe ferrnajat që duket se i kanë bërë shoqëri prej kohësh, tregojnë se ajo është e pabanueshme. 

Pyetja përse pikërisht këtë kullë e ka zgjedhur diplomati amerikan, për ta shënuar si "kullën e tij", e merr përgjigjen që në pamje të saj, është vërtetë tipike. Këtu kanë banuar prej shekujsh fisi Tollaj brez pas brezi, mosha e ndërtimit, nuk i dihet, madje edhe më i vjetri fshatit, një plak 104 vjeçar nuk na thotë gjë. Kjo është kulla e parë e braktisur në Lurë, pasi ka më se 30 vite që këtu nuk banon njer

NË EPILOG...

Një studiues shtegtar i ketyre viseve shkruan me jo pak dhimbje: "Një burrë i moshuar me duart që i dridheshin e kyçi derën e jashtme të kullës që i kapërcente të 200 vjetët
për ta lënë në mëshirë të fatit. Iku kjo familje nga Selita e Mirditës dhe u vendos në Bathore në një shtëpi dërrase, atje "ku gjendet qytetërimi" e një mundësi më shumë për të jetuar. 

Prapa la të bëhet gërmadhë një tjetër qytetërim, ai i vjetri, tradicionali. Kushedi si i është dridhur zemra e atij 70- vjeçari tek shikonte derën e kullës me të cilën ishte e lidhur fëmijëria e tij, jeta, këngët, baladat, doket, historia ekzistenca mijëvjeçare. E pra kulla e tij është Monument i Kulturës kombëtare tashmë e harruar dhe braktisur nga të gjithë, edhe nga shteti edhe nga i zoti i saj". 

Kështu ka ndodhur dhe me kullën tjetër 115 vjeçare të Zajsit po në Selitë, ku
trekatëshja Monument i Kulturës pritet të shembet. Është plasaritur kulla trekatëshe e Lajthizës në Orosh. 

Pritet të shemben kullat kompleks të Mashtërkorit ashtu si fadromat rrafshuan katër kulla tejet të moçme për mosdevijim të autostradës. Janë braktisur e mund të rrëzohen kullat e Perlatit e Spacit.
Po shemben kullat tona monumente të kulturës ndër këto anë. Po shemben bashkë me qoshet e tyre të gdhendura, bashkë me historinë e tyre. 

Po shemben sepse njerëzit e këtyre anëve s'kanë me se të jetojnë, s'kanë rrugë e mundësi jetese pse janë harruar e ndjehen pa përkrahje. Ikin e i lënë të gjitha, kullat e moçme bashkë me arkitekturën e tyre tipike, tavanet e gdhendura, qoshet e kullës, oxhakët, qemerët e derës, mullinjtë e blojës, të fundit relike të një kohe të shkuar, punishtet tradicionale, toponominë tradicionale,gjithcka nga memoria historike. 

Me heshtjen e tyre ato kulla presin rigjenerim permes asaj qe më normale se "han" do ishte turizmi i kullave! 

Vizitorët e huaj teksa gjurmojne gjithandej këtë trashëgimi të pallogaritshme kulturore, thonë se do të ishte e nevojshme që trashëgimia e pakët kulturore që la pa prishur komunizmi, të vihet sa më parë në dispozicion të popullsisë së vet, por gjithashtu të bëhet e dukshme për sytë e Europës, si dëshmi e njërit prej popujve më të vjetër të kontinentit tonë. 

Është e nevojshme që kjo pasuri, që për fat të mirë i ka ende njerëzit brenda me frymën e tyre në këto kulla, nuk ka nevojë për një administratë muzeale, të ruhet, nesër do të jetë tepër vonë.

 



(Vota: 2 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora