E merkure, 01.05.2024, 12:40 PM (GMT+1)

Kulturë

Ireshtansi: Demushi i bjeshkës

E hene, 19.07.2010, 08:38 PM


Shkruan:  Ireshtansi

 

Demushi i bjeshkës

 

Demushi nuk e mbante mend kontaktin e tij të parë me bjeshkën.Atë qysh në djep e kishin marrë në bjeshkë, ku gjatë muajve të verës bartej pothuaj i tërë fshati. Për fshatarët bjeshka me kullosa të shumta e ujë të bollshëm ishte një grazhd i mirë për bagëtinë. Ata ndërtonin shtëpiza prej druri, prej llamarine a prej çkado tjetër të fort që mund tu hynte në punë, dhe për muaj të tërë jetonin atje bashkë me kafshët e tyre e kafshët e bjeshkës. Në atë bjeshkë të bukur, që mund ta shijosh e t’i zbulosh hiret vetëm po hyre në të, jetonin bashkë njerëz e kafshë, si në kohët e lashta, si në kohën kur njeriu nuk e dinte që rrafshinat që shtriheshin poshtë mund t’i hynin diçka në punë. Dhe po t’i shikoje nga lart këto rrafshina të rrethuara gjithëandej nga malet që formonin një lugë, të krijohej përshtypja që këtu ndonjë liqen ka braktisur shtratin e vet. Nga lartë mund të shihen edhe qytetet e fshatrat, ato që janë afër e larg. Nga atje shihen vendbanimet e njeriut të sotëm, ndërtimet kuturu që ndjekin bregun e rrugës së asfaltuar e që duken si vagona të një treni të madh e të palëvizshëm, që edhe ashtu lidh njërin qytet me tjetrin. Kur shikon këto mund të të duket që këtu në bjeshkë ka rregull më shumë se atje në rrafshina.

 

Drunjtë në bjeshkë përveq lartësisë janë aq të drejta sa të habisin. Të duket sikur dikush ka shpenzuar vite të tëra për t’i drejtuar ashtu. Pastaj laramania e tyre dhe e bimëve të tjera, krojet e shumta, pjerrinat, rrafshnaltat luginat e lëndinat me barishte të ndryshme, ajri e freskia gjithmonë e pranishme, e sa gjëra të tjera të pakujtuara përbëjnë brendësinë e kësaj pikture të gjallë të natyrës. Shumë kafshë, mbase të ndjellura nga këto kushte, e kanë bërë këtë bjeshkë strehën e tyre. Edhe aty ku bëjnë shtëpizat fshatarët ka kafshë. Ka arinjë për të cilët fshatarët kanë mendim të mirë. Ata thonë që arinjtë janë të parrezikshëm për njerëzit. Ka edhe ujqër, por prania e arinjëve tregon që ata janë më larg. Arinjtë bezdisen nga takimi me ujqërit, prandaj ata thjesht shkojnë diku tjetër. Bjeshka është e madhe dhe ka vend për të gjithë.

 

Dhe megjithëse në bjeshkë ka kafshë të rrezikshme, Demushi asnjëherë nuk e kishte mësuar frigën nga bjeshka. Ai si i vogël kishte bërë gjithë ato gjurmë nëpër bjeshkë.Kishte hyre në pyje të dendura e të pjerrëta e ishte ngjitur edhe andej kah nuk ngjitet as dhia e egër. Edhe bagëtitë kah s’e kishin çuar. Ato me ecje të pakontrolluara i kishin mësuar vende të cilat ai vetë zor se do t’i mësonte.

 

Kështu ishte rritur Demushi, në bjeshkë.Asnjeherë s’i ishte ndarë asaj, e as që kishte dëshirë t’i ndahej. Atij i pëlqente të rrinte me bjeshkën, ta dëgjonte e ta njihte atë, e tani kur ishte bërë rojtar i pyllit edhe të kujdesej që njerëzit të mos e dëmtonin. Dhe ndonëse të ardhurat nga kjo punë nuk mund t’i siguronin ndonjë jetesë kushedi çfarë, ai kurrë nuk do ta ndërronte këtë punë.Për të s’kishte punë më të mirë se të kujdesej për bjeshkën, të endej bjeshkëve e ta shikonte çdo ditë se si ajo gjallonte.Por kjo punë jo rrallëherë e kishte futur edhe në telashe, e kishte përballur me të njohur e të panjohur, e kishte futur në luftë me të të tjerët e me vetëveten, i kishte sjellë jo pak kokëqarje, megjithatë mendimit se nuk do të bënte asgjë në kundërshim me dëshirat e bjeshkës ai i mbeti besnik deri në fund. Edhe fshatarët e kësaj ane pak e nga pak filluan të lëshojnë pe e t’i binden. Nuk rrëzon dot lisin pa rrëzuar Demushin, thoshin fshatarët të cilëve Demushi u dukej si i ndonjë planeti tjetër.Ata habiteshin kur dëgjonin që Demushi ta kishte zënë e paditur edhe ndonjë fare të afërmë. Jo po ky s’është në vete, thoshin ata ,të tjerët lëshojnë edhe të afërmit e të afërmëve, njerëz që kurrë s’i kanë parë e as kanë ditur që egzistojnë e ky shkon e lajmëron mikun e vet.Dhe për çka, se ky preu një lis.Punë i thua ti kësaj, arsyetonin ata me njëri-tjetrin. Dhe vërtet, Demushi ishte shumë kategorik,ishte vetë ligji që endej nëpër pyje. Por nuk ishte i vetmi, kishte edhe shtatë a tetë rojtar të tjerë të cilët njëjtë si Demushi kishin për detyrë ta ruanin bjeshkën, e të cilët meqë nuk kishte ndonjë kontroll hierarkik të mirëfilltë,e kryenin detyrën në varësi të asaj se si ishin gatuar e pjekur.Këta i raportonin drejtorit pyjor të qarkut, i cili në një farë mënyre ishte prijës i tufës së dhive që ruante arën me lakra. Ne jemi çudia vetë, thoshte Demushi, të formosh ekip të rojeve, të shpenzosh para për të ruajtur pyjet, edhe pse ato do të dukeshin më mirë pa këtë angazhim, kjo është e çuditshme. Ai disa herë kishte kallëzuar tek drejtori keqpërdorimet e kolegëve,por drejtori thuajse ishte avokat i tyre.

 

-Shiko drejtor, i kishte thënë një ditë në zyrën e tij. Unë dëgjova sharrën në bjeshkë dhe shkova të shoh.Kur shkoj atje shoh njërin që rrëzonte një lis dhe rojtar Shabanin që i ndihmonte. Çka i thua ti kësaj?.

 

-Prit, prit pak, e di ktë, më ka treguar Shabani. Edhe ai kishte dëgjuar sharrën dhe kur kishte shkuar kishte hasur një të njohur. Tani njerëz jemi dhe do ta kuptojmë.

 

Demushi e dinte që Shabani nuk e kishte dëgjuar sharrën por kishte shkuar bashkë me të. Njerëzit i kishin treguar që ata të dy, para disa orësh ishin ngjitur maleve me kamion dhe ai kur kishte arritur, bashkë i kishte gjetur, por drejtori assesi të bindej për këtë. Ai arsyetohej thuajse Shabani ishte maskuar si drejtor dhe mbronte atë tjetrin, e në fakt s’bënte gjë tjetër veqse mbronte veten. Demushi kishte jo pak dyshime edhe për drejtorin por e ndjente që atij duhet treguar këto gjëra. Ky vërtet si njeri s’vlen pesë para, por këto gjëra duhen bërë me dije drejtorit, mendonte.Por edhe ky duhet të bëjë diçka. Si është bërë bjeshka, më vjen turp nga vetja kur e shoh. T’i presësh lisat si misrin, këtë s’do ta bëja as në malet e armikut. Jo, po ç’prerje, këtu po bëhet qethja e pyjeve. Kafshët po ikin, bile edhe krojet po shterren,bluante mendimet për bjeshkën tek shëtitej nëpër bjeshkë. Këtë bjeshkë që ai s’e mbante mend kur e kishte takuar, s’e kishte parë asnjëherë në këtë gjendje.Lisa të prerë ku i ka ardhur më lehtë njeriut. Fusha të tëra pyjore të shkretuara, të lëna pa një lis, ndërsa po të hyje më thellë, andej kah s’hynë mjeti motorik, dendësia e lisave të pengonte ecjen. Po të kishte njëfarë kontrolli në prerjen e drunjëve, mendonte Demushi,do të mund të pritej pothuaj sasi e njëjtë pa u dëmtuar pylli. Por këtu duhet të ndërhyj shteti, sepse ai që e vjedh nuk hynë në ato pjerrtësira kur drunjtë mund t’i marrë në një vend shumë më të përshtatshëm. Por këtu shteti, thuajse nuk është bërë që t’i zgjidh problemet.

 

Një ditë tek po ecte në një nga fshatrat e rrëzës së bjeshkës, dikush e thirri. Ktheu kokën dhe pa njërin që nga tarraca e një kafeje, ia bënte me dorë.Ai e njihte atë djal, ishte Valoni, një nga zullumqarët e pyllit. Shkoi në drejtim të tij dhe u ulën bashkë.

 

-Si je baci Demë? – e pyeti ai që dukej se iu bë qejfi që po e shihte.

 

-Mirë, po ti ç’bënë këtu, unë prisja të të takoja në mal, e ngacmoi Demushi, i cili ishte i sjellshëm e i afërt me të gjithë, por po ti takonte në mal ndryshonte puna. Fshatarët ia njihnin mendjen dhe e nderonin për këtë.

 

-Jo, mor’ se nuk po merrem më me malin, kam zënë një punë tjetër. Po hajde gëzuar, dhe i cakërruan gotat.

 

- Pse ç’u bë, ti ke fituar me malin, apo nuk ti jepte mali paratë?, e shpoi prap Demushi.

 

-Eh mor’ baci Demë, tjetërkush ka fituar nga mali, unë kam qenë vetëm hyzmeqar i tyre, hyzmeqar me mjetet e mija e me djersën time, derisa më lodhën ....

 

- Si hyzmeqar i tjetërkujt. Se s’po të marrë vesh, ndërhyri Demushi.

 

-Tani, tani do t’i tregoj, por mos mendo që mi nxore fjalët. Unë kam dashur vet, por ja që s’të shihja. Unë njëherë kam punuar me Shabanin, e pastaj edhe me drejtorin. Shabani më ka njohur me të.

 

-Edhe me drejtorin, bëri sikur u çudit Demushi.

 

- Bash, me të. Ti me Shabanin më ke parë shpesh, por me drejtorin jo, se pinim tjetërkund me të, sigurisht me paratë e mija që i fitoja nga mali që ata e konsideronin si pronë e tyre. Dhe bartja dru unë, gjithëmonë në marrëveshje me ta, sidomos me Shabanin që më siguronte rrugën. Ti je i sigurt por edhe në të ndaltë kush, drejtoria nuk do të bëjë padi për ty, kështu që flije mendjen, më thoshte Shabani. Kështu dalngadalë fillova të bart dru më shumë për ta se për vete. Shumicën e ngarkesave i kisha për ta. Ata më tregonin se ku t’i dërgoja, e pastaj a i merrnin para atij apo ia dërgonin bakshish, unë nuk e di...

 

-Shiko shiko, kështu qenka puna ë. Po atyre për vete a u dërgoje?

 

-Drejtorit dimrin që shkoi ia kam dërguar katër kamionë dru.

 

-Katër kamionë?, pyeti i çuditur Demushi.

 

-Po, po, katër. Ndoshta ata që i kanë falas hargjojnë më shumë.

 

-Shiko, shiko, u zhyt në mendime Demushi. Por... nëse vie puna për dëshmi, a do t’ishe në gjendje ta bëje?, dhe mendja i shkoi tek ministri i sapoemëruar, i cili sa herë dilte në televizor zotohej se do të luftonte keqpërdorimet, e u bënte thirrje njerëzve të japin informata, qoftë edhe atij direkt, dhe në zyrën e tij.

 

-Po,po. Patjetër, dhe kudo. Unë kam qenë i shfrytëzuar, kam qenë i peshkuar enkas për këtë punë.

 

Të nesërmen, qysh herët në mengjes, Demushi kishte marrë udhën për kryeqytet.Në ministri e kishin pyetur se përse donte ta takonte ministrin. Ai u kishte shpjeguar që donte t’i tregonte disa keqpërdorime që bëhen në qarkun e tij , e që janë në kompetencë të kësaj ministrie. Në rregull, i kishin thënë, prisni pak, dhe pastaj i kishin caktuar një takim për në ora tre pasdite.

 

Demushi kishte qenë i përpiktë. Në ora tre dikush e kishte shoqëruar deri në zyrën e ministrit, i cili ishte treguar shumë i përzemërt me të dhe e kishte lavdëruar gadishmërinë e tij për të dhënë informata.Dhe pas një bisede të shkurtër për gjëra të tjera, Demushi i kishte treguar fije e për pe për çka kishte shkuar. Ai i tha që keqpërdorimet mund t’i dëshmojnë njerëzit, por edhe bjeshka. I tregoi për bisedën që kishte pasur me Valonin dhe gadishmërinë e tij për të dëshmuar. Ministri dëgjonte i ngrysur e i çuditur.

 

-Mor’ po ky drejtori qenka për burg, e jo vetëm për largim nga puna, kishte thënë ministri, pasi që Demushi kishte mbaruar. Më ke bërë një shërbim të madh që më tregove, kishte shtuar ai. Unë do t’i rregulloj shpejt këto punë dhe për disa njerëz nuk do të ketë vend në institucione.

 

I kishte dhënë dorën duke e falenderuar e duke ia bërë me dije që këtë derë do ta kishte të hapur dhe ishin ndarë. Demushi kishte mbetur shumë i kënaqur. Këtij ministri ai i kishte besuar edhe më herët, e tani që e kishte takuar edhe më shumë. Më në fund bjeshka do të trajtohej siq duhet dhe punët do të vijnë në vijë, thoshte me vete.

 

Ishte në pritje se si do të rregullohen punët, kur pas dy ditësh e kishin thirrur në drejtorinë e qarkut.Aty pa ndonjë ceremoni kishte marrë vendimin për largimin e tij nga puna. Ishte quditur, por s’kishte bërë fjalë. Po kjo, kishte thënë me vete dhe i ishte kujtuar biseda me ministrin. Kujtoi fjalët e tij, se për disa nuk do të ketë vend në institucione, dhe se si i erdhi, edhe inat edhe për të qeshur. Ai qeni e paskësh pasur për mua kur thoshte kështu tha me vete. Tani iu kujtua një mik i tij polic, të cilit gjithëmonë i qeshej kur tregonte ndodhinë e dy policëve që kishin zënë një kamion me mall kontrabandë. Atyre iu ishte dhënë mirënjohje. Komandanti i qarkut i kishte pritur e i kishte mbuluar me lavdata. Pastaj u kishte thënë që në qarkun tjetër ka mungesë të policëve, dhe ata kishin vendosur të dërgonin policët më të mirë. Ju të dy do të shkoni atje. Dhe punoni si këtu, na e zbardhni fytyrën, u kishte thënë ai i ngazëllyer. Dhe i kishin transferuar aq larg sa atyre mezi iu dilte rroga vetëm për udhëtim.

 

Solli në mend këtë histori dhe e vuri përballë të tijës. E kishte të qartë përse e kishin larguar, por nuk ishte penduar për veprimet e veta. Ai përsëri do të bënte të njëjtin veprim. Ai e kishte bërë atë punë, jo për pagën që merrte, se atë pagë mund ta merrte kudo tjetër, por kjo punë i pëlqente.I pëlqente bjeshka e gjërat që lidhesshin me të.

 

Dhe tani megjithëse i larguar, Demushi në kohën e lirë është përsëri në bjeshkë.Atë e sheh duke u endur bjeshkëve si gjithëmonë, sepse ndonëse i kishin marrë vendin e punës, bjeshkën nuk mund t’ia merrnin...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora