Kulturë
Vullnet Mato: Zef Serembe
E enjte, 15.07.2010, 09:05 PM
Vullnet Mato
ZEF SEREMBE
Në zemër i skuqnin dy dashuri njëherësh,
njëra me dhembje,
tjetra me derte -
Arbëria e mjerë matanë një deti
dhe arbëreshja që mërgoi ku mbaronin detet.
Zemra e tij si zogu gushëkuq,
nëpër degët e gjakut ngjirej prej këngëve.
Dhe rendnin këngët arave të Kalabrisë,
njëra me derte,
tjetra me dhembje.
Kur këngët e vona të dashurës i vanë,
ajo
por ai u
tek mbarojnë detet, t’i këndonte pranë
këngët e mallit mbi varr të dashurisë.
Ikte ai, ikte, po varri i saj qe larg.
Herë me këmbë,
herë me galera.
Krahët e bardhë të këngëve të tij
nëpër oqeane i shtynte era.
Këndoi vajtimin
sa zemra iu lodh,
po e këputi malli për dashurinë që i mbeti.
Dhe u kthye prapa,
duke udhëtuar mbi botë,
për te dashuria e vetme matanë një deti.
Kthehej ai, kthehej prej varrit të largët,
herë me këmbë,
herë me galera.
Sillte me vete pak vargje në trastë,
që udhës një nga një ia hante era.
Këndoi dhe rendi për dy dashuri,
sa kënga e fundit
buzë brigjeve i mbeti.
I brengosur për bregun e shqipeve vdiq,
me sytë lëshuar matanë një deti...