Mendime
Gëzim Zilja: Klanet dhe ekranet që paraqesin Ramiz Alinë, si demokrat
E diele, 13.06.2010, 05:28 PM
''Demokrati'' Ramiz Alia së bashku me bashkëpunëtorët e tij: Bamir Topi, Rexhep Mejdani, Alfred Moisiu
Klanet dhe ekranet që paraqesin Ramiz Alinë, si demokrat
Nga Gëzim ZILJA
Ka 20 vjet, sidomos pas vitit 1997, që Ramiz Alia, Nexhmie Hoxha e disa udhëheqësve të lartë të diktaturës u kërkohen intervista, fotografi, kujtime, dhe ftohen nëpër disa TV.
Fotografitë e tyre në revista e gazeta jepen si fotografi shenjtorësh gati të ngjashëm më Gandin e Madh apo Nënë Terezën. Në intervista televizive ata paraqiten shpesh si fitimtarë, si patriotë, u kërkohet mendimi mbi pluralizmin në Shqipëri, mbi politikën, zhvillimet demokratike, ekonominë, u kërkojnë të japin mendime edhe për njerëz të veçantë të politikës që nuk kanë asnjë lidhje me diktaturën. Madje i trajtojnë sikur kanë bërë ndonjë “gabim të vockël”, diku aty këtu.
Qysh në datën 21.11.1998, në një intervistë të gjatë dhënë gazetës “Shekulli”, Ramiz Alia, ka bërë të qartë qëndrimin e tij në raport me të kaluarën dhe urrejtjen e pashembullt ndaj njerëzve që drejtuan Shqipërinë në periudhën 92-96. Ai paraqitet i palëkundur në bindjet e tij si markisist-leninist dhe nuk ndjen (e deklaron) asnjë brejtje ndërgjegje për periudhën e diktaturës. Megjithatë, në muajin maj 2010, Ramizin e pamë përsëri në dy intervista, ku ai për të disatën herë (sa herë u thuhet ta thërrasin në ekrane) mbajti qëndrimin e tij të njohur.
Në intervistën e fundit, gazetari dukej i kënaqur madje hera-herës i lumtur që e kishte në studio Ramizin, madje një herë i kërkoi ndjesë me dorë në zemër që ia ndërpreu fjalën pa dashur. Pastaj pati edhe batuta, edhe të qeshura ashtu si në intervistën para saj, në një TV tjetër. Në një çast gazetari e pyeti për figurën e Enver Hoxhës, duke i kërkuar miqësisht nëse kishte Enveri, ndonjë të metë, gjë që Ramizi e mohoi i çuditur. Për ta ndihmuar, se edhe Enveri do ta kishte pasur një ndonjë të metë, i tha që …. Ja edhe Çurçilli i madh kishte një të metë se ishte pijanec por kjo….
Ramizi u vrenjt dhe u përgjigj se, ”…E po kishte (Enveri.Shënimi im) edhe ndonjë të metë. Nuk i bëri të gjitha ato që morëm përsipër…”. Gazetari vazhdoi duke qeshur ëmbëlsisht: Shyqyr që the një të metë për të (për Enverin. Shënimi im).
Personalisht, mendoj që gazetari që po e intervistonte diktatorin e fundit të shqiptarëve, mëkëmbësin e Enver Hoxhës, një njeri që edhe për pesë vjet që ndenji në majën e pushtetit komunist, vazhdoi si më parë gjyqet, dënimet, vrasjet e internimet politike, luftën e klasave etj, kishte një shans historik, të na nxirrte para syve figurën e një krimineli, e një vrasësi, që pa iu dredhur qerpiku, edhe në moshën 82 vjeçare, vazhdon të mbetet i tillë.
Ishte plotësisht e mundur që ne dëgjuesit e shikuesit e TV-së, ta shikonim atë natë të vënë me shpatulla për muri një njeri të tillë, pjesëmarrës direkt në krimet e treguara më sipër.
Mirëpo atë mbrëmje na u ekspozua një “Ramiz babaxhan, demokrat, patriot, i dashur”, që së bashku me Enverin dhe të tjerë, na paskëshin bërë aq shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Aq i “larë” doli Ramizi në intervistën në TV, sa brezit të sotëm 20 vjeçar, mund t’i nxitej iniciativa, edhe t’i kërkonin presidentit aktual Topi, që ta dekoronin dhe me medalje “Mirënjohjeje”?! Gjë më të neveritshme, më të poshtër e më të papërgjegjshme se këto lloj intervistash nuk më kanë zënë sytë e dëgjuar veshët në këto njëzet vjet.
Dalja në gazeta e revista e Ramiz Alisë, Nexhmie Hoxhës dhe ndonjë tjetri në këto forma është një ogur jo i mirë për shoqërinë shqiptare. Rruga drejt lirisë, demokracisë dhe lumturisë njerëzore, po shihet qartë, që është një rrugë e gjatë, e vështirë e plotë zigzage, por ajo nuk arrihet duke rehabilituar kufomat politike të komunizmit, as duke i toleruar, as duke bërë gallatë nëqoftëse dikush do të ngrinte këto teza.
Për mendimin tim (sepse mendjelehtësi nuk është) veç dobësisë për figura të tilla, kjo bëhet për të justifikuar dhe një grup të madh njerëzish që janë pasardhës, ose trashëgimtarë të drejtpërdrejt të diktaturës, që i kanë shërbyer asaj në nivele të larta e janë riaktivizuar sot kudo: në diplomaci, ushtri, drejtësi, parlament, prokurori e gjetkë. Në strukturat e larta qeveritare dhe shtetërore gjen me qindra njerëz që gjatë diktaturës kanë vrarë, dënuar, spiunuar e internuar të pafajshëm.
Por është dhe një kategori tjetër që është e interesuar për rehabilitimin e “ramizëve”, që nuk kanë vrarë e dënuar drejtpërdrejt, por janë përpjekur sistematikisht të gjymtojnë trurin e shqiptarëve. Kjo është kategoria e ish-dekanëve, ish-profesorëve, ish-gazetarëve, ish-shkrimtarëve, ish-ideologëve, po aq e rrezikshme dhe kriminale sa ata të parët. Këta kanë botuar e prodhuar me miliona libra, tekste shkollore, revista, gazeta, filma, drama, piktura etj, etj, ku hyjnizonin diktatorin e diktaturën, duke u rrekur t’i mbushnin mendjen shqiptarëve që nga djepi e deri në pleqëri, që ka vetëm një ideologji, ka vetëm një njeri-perëndi, ka vetëm një teori sunduese në botë, ajo e luftës së klasave dhe e diktaturës së proletariatit. Edhe këtë grup jo të vogël ideologësh të diktaturës, jemi “të dënuar” t’i shohim përditë (mos po mësohemi vallë me ta?) në ekrane e gazeta, tashmë si kryetarë partish, politikanë, analistë, historianë, deputetë, duke dhënë leksione për demokracinë. Medet ku kemi arritur!
Por le të merremi me Ramizin dhe me ata që na e servirin si demokrat, si hokatar e popullor e jo si një kriminel. Historia moderne jep shembuj të panumërt në trajtimin e këtyre figurave që edhe në buzë të varrit qëndrojnë po aq të poshtër, po aq gjakatarë sa edhe në ditët e sundimit e të tyre.
***
Gjyqi i Nurembergut që u zhvillua për 24 kriminelët më të mëdhenj të luftës së dytë botërore zgjati një vit. Midis tyre ishin Ribentrop, Rozenberg, Keitel, Dentitz, etj. Pesë milion faqe me fakte e prova zinte procesi. Ishin vrarë miliona njerëz të pafajshëm dhe për këtë duhet të përgjigjeshin shkaktarët. Julius Shtajner, ndjekësi më i madh i çifutëve, kur po shkonte drejt trekëmbëshit thirri: Hajl Hitler: Geringu deklaroi që ishte një njeri paqësor dhe human, por i vënë me shpatulla pas muri vrau veten. Shumica e të njëzetekatërve deklaruan se nuk janë fajtorë e se kishin zbatuar thjesht urdhrat, se nuk ndjenin ndonjë pendesë (shih librin Procesi i Nurembergut). Pavarësisht atyre që ata thanë ose nuk thanë, pavarësisht se u penduan ose jo, gjykata ndërkombëtare e mbështetur në fakte dhe dokumente, i dënoi të gjithë, me pushkatim, varje në litar ose burgim të përjetshëm. Po të kthehemi te të vrarët, të pushkatuarit e të internuarit nga diktatura në Shqipëri: ne e dimë, që ka disa fajtorë dhe midis tyre nga kryesorët është dhe Ramiz Alia.
Nëqoftëse në Shqipëri, nuk u zhvillua e nuk do të zhvillohet me sa duket një gjyq për kriminelët e diktaturës, fatkeqësisht po ndodh fenomeni i kundërt dhe kjo është akoma më zi. Ndërsa kupola e diktaturës, duhet të përfundonte për krimet e kryera në plumb, ose e pakta në burg të përjetshëm, sipas ligjit, sot njerëz të veçantë po mundohen të na i imponojnë ata si shenjtorë ose si njerëz të civilizuar, duke na i vënë madje në rolin e gjykatësit, të moralizuesit dhe të demokratit. Më keq nuk ka ku shkon.
Të jetë lajthitje, shërbim apo papërgjegjshmëri? Për mua nuk ka fare rëndësi. Të paraqitësh një kriminel si Ramiz Alia, me ose pa dashje në TV ose gazetë, me fotografi, si një shenjtor, si një njeri të paqes, si demokrat, si luftëtar të lirisë, si analist të politikës së sotme shqiptare, të bësh me të batuta e gallatë në studio ose gazetë, është një krim i shumfishtë moral që dëmton rëndë ndërgjegjen dhe historinë kombëtare. Sepse krimi po shitet për mirësi, sepse po mashtrohet, sidomos ajo pjesë e shoqërisë që nuk e ka jetuar diktaturën, se po glorifikohen plehrat e historisë diktatoriale dhe kjo është më se e turpshme. Nxjerrjen dhe prezantimin publik të këtij krimineli, si një njeri pozitiv nëpër revista e ekrane televizive edhe 20 vite pas rënies së diktaturës që ai përfaqësonte, unë e konsideroj si një cinizën të qëllimtë, si një provokim dhe sulm të rëndë të ndërgjegjes njerëzore, një shërbim të pastër anti-shqiptar.
Nëqoftëse nuk kemi prokurorë e gjykatës që t’i gjykojnë për krime kundër njerëzimit dhe t’u japin dënimin e merituar, nëqoftëse nuk kemi gazetarë që me intervistat e tyre të jenë në gjendje që më fakte e dokumente, t’i venë me shpatulla këta kriminelë, atëherë le t’i lemë aty ku janë, të gëzojnë pleqërinë e lumtur me nipa, mbesa, stërnipa e stërmbesa, e të mos iu ngremë nervat e të tallemi me shqipot e shkretë, që edhe kështu si janë kanë një thes me halle.
Bilanci i viktimave të diktaturës
Të pushkatuar: 5487, gra 450
Të burgosur politikë: 34135 burra dhe 8367 gra
Të Internuar: 59009, gra 10792
Të vdekur në burgje: 995, gra 7
Gjithsej: 32 burgje dhe 27 kampe përqendrimi.
Informatorë të sigurimit të shtetit 460.000 njerëz.