Kulturë
Poezi nga Pal Ndrecaj
E diele, 02.05.2010, 07:50 PM
 Pal Ndrecaj u
Pal Ndrecaj u 
Jeton në 
PAL NDRECAJ
REQUIEM PËR MURIN E BERLINIT 
Pas gjithë atyre shirave përmbytjeve 
në qiellin e ndërgjegjes 
më në fund fluturoi një zog 
Anomalia e një gjysmëshekulli 
u copëtua në miliarda thërmija 
u nxor nga ekzistenca 
siç e heqim nga vjersha 
një varg që s`është më me funksion 
Në miliarda grimca 
si në miliarda kokërrza kujtimesh t`idhëta 
do të doja të copëtoja 
çdo mur si ai 
Muret 
thika të harruara gjate operacionit 
ne trupin e nje pacienti 
që në interpejsazh 
si lajtmotiv i keq rrinë... 
Nga vellimi poetik "Lule mbi plagë" (1993)
LOJË NË KATËR AKTET (T)
AKTI I PARË
(Shek. XV,XVI)
Akti i parë nisi
me rrëshqitjen e idesë
nga ajo e Skenarit
Mbi plato u dëgjuan hapa të rëndë
që në prolog bëhej i ditur lloji –
Tragjedi
AKTI I DYTË
(Konferencat ndërkombëtare)
Në aktin e dytë
kërcitën dërrasat
dhe ranë
ranë
ranë
ku s`bihet
(ku na pat rrëshqitur koka)
boka dhe Toka
AKTI I TRETË
(Komunizmi)
Në aktin e tretë
ndërruan aktorët
dekori
Publiku rrahu shuplaka derisa u mpi
Dhe pikërisht kjo u mor si momenti i përshtatshëm
që loja të mund të rrëshqiste
nga rregullat e artit
që kishte premtuar të renë
Vonë dikur
publiku rrahu kokën me shuplaka
kukuuuuuu!
deri sa iu shpi
AKTI I KATËRT
(PASKOMUNIZMI)
Meqë ishte thënë që tragjedia
do mbetej sa më gjatë në skenë
qenë vënë rregullat që të mos bjerë
Ndërsa për rastin kur
edhe akti i tretë
do të mund t`ia lëshojë vendin
ndonjë akti tjetër
u ushtruan sa më shumë langonj
që mundësisht
në polifonitë e reja 
të aktit vijues eventual
të shquhej sa më shumë lehja e tyre
në mënyrë që bashkë me perden
mundësisht
të bie edhe
ideja për
tjetër
lloj
!
(Nga vëllimi poetik “Akti i krijimit”, PR. 1998)
MUNDJA E ATDHEUT 
Ç`hoqa me ty atdheu im 
i vogël 
ç`hoqa nga ti 
të barta tërë jetën mbi supe 
të ledhatoja të lavdëroja mbi gjithë të tjerët 
e mbi gjithçka 
Ty të shenjtin 
kurrë nuk i mjaftove vrapit 
Se ç`mundohem në dilemën e shenjtërisë sate 
tash 
Ndaj ke zënë të shkundesh të rrudhesh 
nga madhështia 
shumë të shenjtëve po u bien kurorat nga koka 
I revoltuar në gjithçka 
dua të dal jasht 
të shpërthej 
Ke zënë të rrudhesh tash shumë 
je bërë ashtu si të ka hije 
po ende nuk mund ta vë foton tënde në Ëall 
miqtë në FB do më qortojnë 
do më anatemojnë 
do më quajnë tradhtar 
se të kam rrudhur shume nga ajo madhështi 
atdheu im i vogël 
në synimin për të bërë atdhe timin 
tërë Planetin
NJERIU MBI TË GJITHA 
Zoti e bëri njeriun në një çast dashurie 
pasi s`kishte kë të donte në vetmi 
Pastaj njeriu krijoi njerëz të tjerë 
tjera çaste, kritere, tjera dashuri 
dhe në mes të njerëzve që i krjioi vetë 
i futi ato: çastet, kriteret 
Në zgripc të të qenurit e ka vënë tash vetin 
kishte pak peshën njeri 
pa i vënë barrë edhe shtetin! 
PRISHJA E TRAKTATIT ME FRIKËN 
dhe nuk do të pranoj ftesë 
për asnjë lloj renovimi 
“Së paku një herë në jetë 
njeriu duhet të marrë një vendim të guximshëm!” 
Do bëj si e çka më teket 
“Çdo ditë nga një gjë që më frikëson” 
s`do çaj kokën për ata që ua masin dimensionet kuptimeve 
sipas kallëpeve të tyre 
(ata që thyen kallëpë
bënë kallëpë të ri) 
Më pëlqen të provoj 
si thyhen krandet e kritereve 
si futet mendimi
aty ku shkruan: “Nuk guxon!” 
dhe si hyhet pastaj pa trokitur fare 
e dilet pa kërkuar falje 
Më pëlqen t`i shoh të tjerët 
të dyshojnë tmerrësisht në mua 
dhe sipas masës së atij dyshimi 
t`i shtojnë t`i heqin a t`i ndryshojnë nuansat 
në portretin tim 
asaj paqeje të vdekur 
që më kujtonte mëkatin e rrjedhshëm 
sa herë ngrisja krye…

 Facebook
 Facebook Twitter
 Twitter Google+
 Google+ Digg
 Digg










