E premte, 24.05.2024, 11:06 AM (GMT+1)

Faleminderit

Nderim për mësuesin veteran Mahmud Bulica

E diele, 02.05.2010, 09:58 PM


Më 27 prill 2010, u nda papritmas dhe përgjithnjë nga jeta, në kryeqytetin Tiranë, mësuesi veteran Mahmud Bulica. Në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit, kishin ardhur familjarë e të afëm, bashkëkrahinas nga rrethi i Kukësit, mësues veteranë, “Mësues të Popullit” e “Mësues të merituar”, personalitete të arsimit, kulturës e shkencës dhe tjerë.

Pranë arkivolit me trupin e të ndjerit,  për jetën dhe veprimtarinë e tij, si arsimtar veteran dhe veprimtar i shquar, foli  bashkafshatari Azis Bulica. Mbi  varrin e tij u vendosën kurora e buqeta me lule. Një buqetë me lule  të freskëta, në shenjë nderimi e respekti për të, vendosi  dhe znj. Yllka Beçi, në emër të  Shoqatës së Arsimtarave të Shqipërisë, ku ajo është kryetare.

                                                            X   X   X

Mahmund Bulica lindi  në vitin 1932, në fshatin e njohur atdhetar e  arsimdashës Kolesjan, në rrethin e Kukësit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe  kishte mësimdhenës “Mësuesin e Popullit” Riza Spahiu.  Në vazhdimësi, përfundoi shkollën unike në fshatin Bicaj të atij rrethi dhe degën e biologji-kimisë, në Institutin e Lartë Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit.

Me ëndrra e dëshira të shumta për të përçuar dritë e dituri në malësitë e Veriut të Shqipërisë,  shërbeu mësues në shkollat e fshatrave Turaj, Topojan, Bicaj e Kolesjan, të rrethit të Kukësit.  Duke qenë përherë i përkushtuar për detyrën e mësusit dhe të edukatorit, shpejt fitoi dashurinë e respektin e  kolegëve, si  dhe të nxënësve dhe prindërve të tyre arsimdashës. Me natyrën e tij të qetë,  të butë, korrekte dhe dashamirëse , iu gjend përherë pranë atyre, në nevojat e shqetësimet e ndryshme, që patën. Kështu, u dallua si veprimtar shoqëror dhe ndihmoi në gjallërimin e jetës kulturore-artistike e  sportive, për futjen e mënyrës së re të jetesës dhe për emancipimin shoqëror dhe përparimin e përgjithshëm.

Mahmud Bulica (në këmbë), në mes të kolegëve. Nga e majta: Murat Gecaj, Isa Halilaj e Dritan Spahiu
Mahmud Bulica (në këmbë), në mes të kolegëve. Nga e majta: Murat Gecaj, Isa Halilaj e Dritan Spahiu
Në procesin mësimor-edukativ, Mahmundi u dallua si  arsimtar i suksesshëm. Në konkurset e ndryshme, që zhvillonin nxënësit e shkollës së tij, ata përherë zinin vende nderi. Sigurisht, kjo gjë ishte dhe meritë e padiskutueshme e punës së tij të palodhur, e pasionit për detyrën e shenjtë të edukatorit e mësimdhënësit.

Në vitin 1987, pasi doli në pension, Mahmund Bulica u vendos familjarisht në Tiranë. Në vazhdim të  kujdesit dhe të dashurisë për shkollën e diturinë, kulturën e shkencën, sigurisht duke u përballur dhe duke kaluar vështirësitë e jetës ekonomike, arriti që të rrisë, edukojë dhe pajisë me arsim të lartë, katër djemtë (Korabin, Ylberin, Bujarin e Dëfrimin) dhe tri vajzat e tij (Florën, Fitnetin e Fifjen). Kjo ishte dhurata më e çuar e tij dhe e bashkëshortes, Lazimes, për fëmijët e tyre.      

Në vitet e fundit, duke e vazhduar punën e tij shoqërore, ishte kryetar i degës së Shoqatës së Arsimtarëve të rrethit të Kukësit, me qendër në Tiranë. Sa e sa kolegë, mësues dhe ish-nxënës  të tij, do t’i kujtojnë veprimtaritë e  bukura dhe mbresëlënëse, që ai organizoi e zhvilloi në vite me radhë, sidomos me rastin e festave të 7 Marsit, Ditës së Arsimit Kombëtar Shqiptar.

Mahmudi ishte në disa vjet dhe kryetar i Shoqatës së Kolesjanit. Me pasion e vullnet, ai iu përkushtua punës për mbledhjen e sistemimin e dëshmive, kujtimeve, fotove etj., për hartimin e historikut të kësaj krahine atdhetare e arsimdashëse, por fatkeqësisht, nuk arriti ta përfundonte e ta publikonte.

Për punë të mirë si edukator e mësimdhënës i dalluar, Mahumd Bulica ka marrë dekorata të ndryshme dhe nderime të tjera.

Kujtimi i tij do të mbetet i paharruar për familjarët, kolegët dhe brezat e nxënësve, për dashamirësit dhe të njohurit e shumtë të tij

Prof.as.Dr. MURAT GECAJ,

sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë

ISA HALILAJ

“Mësues i merituar”

 

Tiranë, 30 prill 2010

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora