E hene, 24.06.2024, 02:16 AM (GMT+1)

Faleminderit

Agron Gashi: Sali Çekaj, figurë shumëdimensionale e historisë së Kosovës

E marte, 20.04.2010, 09:59 PM


SALI  ÇEKAJ, FIGURË SHUMËDIMENSIONALE  E HISTORISË SË KOSOVËS

 

Nga Mr. Agron Y. Gashi

 

(Fjalë e mbajtur me rastin e ngritjes së monumentit në vendlindjen e tij,  Broliq, 18 prill 2010)

 

Sot po nderojmë figurën e madhe të historisë më të re të Kosovës, figurën e luftës dhe rezistencës së armatosur, intelektualin, politikanin dhe ushtarakun e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, heroin Sali Çekaj.

Sot, pas njëmbëdhjetë vjet të rënies heroike, Broliqit po i kthehet në bronz Sali Çekaj i Kosovës. Pas njëmbëdhjetë vjet të rënies heroike, Sali Çekaj i historisë po i kthehet familjarëve, miqve, bashkëfshatarëve dhe bashkëluftëtarëve të tij, me të cilët ndau mundin dhe gjakun.

Po, po i kthehet në monument vendlindjes së tij, ashtu siç dëshironte vetë ai. Po kthehet në bronz, këtu, ku bëri fëmijërinë dhe pjekurinë e parakohshme. Ku bëri jetë të ngutshme prej idealisti, i brumosur në frymën kombëtare.

Po i kthehet vendlindjes liberatori, jo si dikur kaçaku që kapërcente natën bjeshkë e male, por  ditën për diell si një triumfues i madh.

Sali Cekaj ishte bir i një familje atdhetare me origjinë nga fshati Belle, fshat ky  i cili ishte djegur e pjekur disa herë nga forcat serbo-malazeze, sidomos në vitin 1912,  ku u vranë mizorisht 22 fshatarë. Po në këtë kohë, kur kryekrimineli serb, Savë Lazereviq Batarja, kishte marrë krye, Broliqit iu vranë edhe shumë burra të tjerë, vetëm pse ishin shqiptarë, si: Rexhë Hasan Shala, Brahim Selim Imeraj, Smajl Selim Imeraj, Lah Miftar Imeraj, Himë Zeqir Lulaj, Selman Tahir Gashi, Ali Ozmon Gashi, Beqir Bekë Gashi dhe bashkë me ta u pushkatua edhe Hasan Nezir Papiqi.

 Sali Cekaj, ishte rritur me këto rrëfime të trishta.

Dhe s’kemi sesi të mos e kujtojmë Sali Çekajn e urtë dhe besnik, intelektualin dhe njërin ndër konstitucionalistët e parë të Republikës së Kosovës. Ai ishte i pari që provoi edhe ligjërisht ta kundërshtojë pushtetin e dhunshëm serb në Kosovë, sprovë kjo e pjekurisë politike, e përgjegjësisë profesionale dhe kombëtare. Kjo ndodhi gjatë kohës që ishte zyrtar i komunës së Deçanit.

Zhvendosja në botën perëndimore, edhe pse një zgjidhje kjo e dhimbshme, ishte një strategji e re prej nga do t’i bënte provat e fundit si njeri i politikës paqësore.

Me përgjegjësinë më të madhe, morale dhe intelektuale duhet thënë se, Sali Çekaj, ishte njëra ndër figurat intelektuale që, krahas rreshtimit politik paqësor, tregonte karakterin e vërtetë prej militanti. Këtë e deshi dhe  kjo iu imponua.

Në këtë mënyrë, Sali Cekaj, jashtë bënte politikën, brenda bënte luftën.

Shtëpia e tij dhe e bashkëpunëtoreve të tij u bënë baza prej nga armatoseshin njerëzit e idealit si ky. Sali Çekaj tashmë herë luante rolin e një përfaqësuesi politik, herë të instruktorit të aksioneve guerile, e herë të diversantit të vërtetë.

 Të thuhet kështu dhe të ngjajë kështu, në fillim të viteve 90-të, kur të gjithë i takonin Lëvizjes së madhe paqësore, është një ftesë për ta  parë formatin e tij në mënyrë më objektive seç është parë deri më sot.

Kemi të bëjmë me modelin e njeriut kryengritës dhe të heshtur kur e kërkonte nevoja, modelin e guerilit të rreptë, diversantit të regjur, strategut dhe komandantit trim e të paepur.

Kështu, fillimi i luftës së hapur në Kosovë në vitin 1998, ishte vetëm vazhdimësi e aksioneve të tij. Si bir besnik i këtij vendi, më i vendosur se kurrë më parë, iu rikthye luftës, ndaj nuk ishte e rastit edhe nofka e tij “veterani”, sepse i tillë ishte.

Pas një pune të madhe në mërgim dhe pas një sërë aktivitetesh ushtarake kundër forcave serbe, të cilat prej vitesh i bëri së bashku më bashkëluftëtarë të tij, herë në grupe më të vogla, e herë më të mëdha, e nëntëdhjetë e teta ishte vendimtare për të.

Kësaj here më fort së kurrë më parë, grykëholla jepte kushtrimin në Drenicë, përderisa tjetra përgjigjej në Dukagjin, për të jehuar rrufeshëm në të gjitha viset e Kosovës.

Sali Çekaj ishte zëri dhe gishti i saj.

Krenaria e tij më e madhe ishte, kur në vendlindjen e tij, djemtë e Broliqit e pritën me armë në krah, ashtu si  të parët e tyre, të cilët duke ia thënë këngës malësorçe e tytë në faqe, u vërsulën si luajë në mbrojtje të trojeve etnike. Kështu brezi i ri iu përgjigj njëzëri kushtrimit të atdheut, qoftë në furnizimin me armë, qoftë në vijën e frontit kudo e kërkonte nevoja. Sekush  mori plagë të lehta e të rënda, duke u dëshmuar në disa beteja, si ajo në Sukë të Cerrmjanit,  në Kryshec dhe Strellc, Carrabreg dhe Logjë të Pejës.

Gjatë luftë së fundit, Broliqit iu shtuan edhe dy dëshmorë: Nysret Shala dhe Ekrem Lulaj. Po gatë kësaj periudhe, ranë edhe viktima të tjera, si Hysen Gashi, Rexhep Gashi, Shake Gashi dhe Fane Gashi.

Sidoqoftë, ky do të ishte edhe një motiv më i madh për atdhetarin Sali Cekajn, për t’i shkuar deri në fund misionit të tij prej  çlirimtari dhe atdhetari të përjetshëm.

Pas sfidash dhe përpjekjesh, rënieve dhe ngritjeve, e që janë pjesë e çdo lufte, Sali Çekaj ia kishte vënë syrin kufirit shqiptaro-shqiptar. E para, pse për një shekull na ndau, e dyta sepse ishte njëra ndër strategjitë më të mira për zhvilluar një luftë të suksesshme, dhe e treta, për t’ju dalë në ndihmë  luftëtarëve më të rreptë të Zonës Operative të Dukagjinit dhe mbarë Kosovës.

Kosharja kurrë më parë nuk kishte njohur zjarr më të fortë. Kufiri dridhej. Prilli nuk njihte pranverë më të vështirë. Sali Çekaj dhe Agim Ramadani me komandantë dhe ushtarë trima, po  e përmbushnin misionin e tyre prej luftëtarësh; ata shemben kufirin. Por kjo kishte një çmim të madh. Vetë jetën, rënien e Sali Çekajt dhe Agim Ramadanit dhe rreth 200 dëshmorë të tjerë.

Në këtë mënyrë, nga Rrasa e Koshares e deri në Llap, rënia kishte hijeshinë e vet: rënie me pushkën e Zahirit e të Luanit, rënie me pushkën dhe këngën e Mujës e të Hamzës, rënie me heroizmin e Abesë dhe guximin e pashoq të Tahir Sinanit. Karvani i tyre është i gjatë..... Brigada e tyre është e lavdishme dhe e përjetshme.....Ajo kishte një emblemë: UÇK-në! Ajo kishte një qëllim: Pavarësinë e Kosovës!

Të nderuar bashkëluftëtarë të Sali Çekajt,

Ju që nga afër e njohët trimërinë dhe burrërinë e tij,

Sot jemi para  monumentit dhe veprës së tij heroike, i cili u ngrit me kontributin e bashkëfshatarëve të tij nga diaspora, si dhe miq të tjerë. Monumenti dhe vepra e tij përherë duhet të na bashkojë, ashtu siç diti t’i bashkojë vëllezërit në dy anët e kufirit.

Sot, Salihu ynë është model i identitetit tonë kombëtar, është fryma, djersa dhe gjaku i shtetësisë së Kosovës.

Përjetë i falemi jetës dhe veprës së dëshmorit  Sali  Çekaj!



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Neki Lulaj: Përkujtimore kushtuar Sali Çekajt, Agim Ramadanit dhe 114 dëshmorëve të Kosharës Neki Lulaj: Nëna nuk e priti që ta shohë shtatoren e të birit në Broliq Milazim Kadriu: U përkujtuan dëshmorët Adem Gashi, Jusuf Pollomi, Mirsad Gashi, Fazli Fetahu dhe Nexhat Fetahu Fehmi Ramadani: Përkujtim me rastin e 11 vjetorit të rënies së dëshmorit të kombit Ismet Mustafa Shefik Sadiku: 11 vjet nga rënia e Dëshmorit të Kombit, Ramadan Kastrati Ramiz Dërmaku: Studimet shkencore tërësisht i janë dedikuar Rilindjes Kombëtare Shqiptare Nuri Abdiu: Akademiku Bedri Dedja - mësues i mësuesve dhe profesor i profesorëve të fushës së tij Mustafë Rugova: 11 vjet nga rënia heroike e Dëshmorit të Kombit, Harun Beka Ramiz Dërmaku: Ali Hadri me seriozitetin më të madh u mor me çështjen kombëtare Xhevat Muqaku: Portret i mësueses në Kosovë - Shyhrete Zogaj Bedri Tahiri: Plumbat e ‘’demokracisë’’ përgjakën rrugët e Prishtinës Neki Lulaj: Trimave të Kosharës Milazim Kadriu: Bekim Mani e Ferat Aliu, ranë në kufi në roje të atdheut Jahë Sadrija: Gjashtë dëshmorët e rënë për lirinë e Kosovës nga fshatrat, Gegaj dhe Kamenicë, të Tropojës Ramiz Dërmaku: Shëmbëlltyra dhe vepra e Smajl Hajdarit, e shndërroi atë në pishtarë të lirisë Nait Hasani: Dëshmori i Kombit Vezir Jashari Fritz Radovani: Papa Gjon Pali II, mbylli vetëm sytë..! Pesë vjet më parë, Pashkët e Gjon Palit II, Papës që i dha Shqipërisë hierarkinë kishtare pas komunizmit Sadik Jashari: Metush Krasniqi- Dajkoci Milazim Kadriu: Pushkët e Babatincëve dhe Tahir Stubllës fuqishëm jehuan

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora