Faleminderit
Milazim Kadriu: U përkujtuan dëshmorët Adem Gashi, Jusuf Pollomi, Mirsad Gashi, Fazli Fetahu dhe Nexhat Fetahu
E hene, 19.04.2010, 09:59 PM
Në 11-vjetorin e rënies
U PËRKUJTUAN DËSHMORËT : ADEM GASHI, JUSUF POLLOMI, MIRSAD GASHI, FAZLI FETAHU DHE NEXHAT FETAHU
Nga Milazim KADRIU
Me një varg manifestimesh llapjanët përkujtuan pesë dëshmorë të UÇK-së të ZOLL të cilët ranë para 11 vitesh në frontet e luftës. Kështu u përkujtuan dëshmorët : Adem Gashi,Jusuf Pollomi, Mirsad Gashi, Fazli Fetahu dhe Nexhat Fetahu. Në 11 vjetorin e rënies është përkujtuar dëshmori i kombit, Adem Gashi- Blini nga Analalpi (ish Bajqina) e Besianës. Dëshmori i kombit Adem Gashi ra heroikisht duke luftuar fyta-fyt me pjesëtarë të forcave okupatore në Fushën e Pajtimit derisa ai tentonte të hyj në Prishtinë që edhe aty ta luftoi armikun ashtu si bëri në betejat e zhvilluara anekënd Llapit. Blini ishte shef i logjistikës në Brigadën 152 "Shaban Shala" të UÇK-së të ZOLL. Ai ra pas një qëndrese heroike dhe një lufte të ashpër me forcat armike që numerikisht ishin të shumta. Ndërkaq gjatë dy ditëve të fundit u përkujtuan dëshmorët që ranë në luftimet e zhvilluara në fshatrat e Galabit. Ata arën në mbrojtje të popullatës civile që aso kohe ishin përqendruar në këto anë. Kështu herticasit kanë shënuar 11-vjetorin e rënies së dëshmorit të kombit Jusuf Pollomi,i cili heroikisht kishte rënë në fushëbetejë në dyluftim me paramilitarë serbë duke lënë të vrarë edhe disa prej tyre në një betejë shumë të përgjakshme. Po këtë ditë herticasit me qytetarë të Llapit e Galabit, kanë përkujtuar në të njëjtën kohë edhe shumë martirë të vrarë dhe të ekzekutuar gjatë këtyre ofensivave të ndërmarra nga forcat paramilitare serbe të zhvilluara në rejonin e Galabit që përfshinte fshatrat Herticë, Surdull, Turuqicë, Rakinicë e Muhazob. Forcat kriminale serbe të cilat ishin të pajisura me teknikë të madhe luftarake të revoltuara dhe të irrituera nga humbjet që pësuan aso kohe nga njësitet guerile të UÇK-së,kishin filluar hakmarrjen në popullatën civile e cila ishte e përqendruar në rejonin e Herticës. Ofensivat serbe për të thyer rejonin e Herticës dhe të Surdullit kanë zgjatur për disa ditë rresht duke u përballur me njësitet e fortifikuara mirë të UÇK-së, ku luftimet ishin zhvilluar në afërsi. Kështu në betejën e 15 prillit 1999 heroikisht bie në Herticë Jusuf Pollomi. Ndërkaq më 16 prill u përkujtuan dëshmorët që ranë po në këtë rajon në fshatin Surdull, Mirsad Gashi-Shpici dhe Fazli Fetahu. Mirsad Gashi - Shpici nga Buzëllapi(ish Dobërdoli) dhe Fazli Fetahu nga Besiana ishin pjesëtar të Brigadës 152 “Shaban Shala” të ZOLL-it,të cilët shquheshin për trimëri dhe heroizëm të rrallë. Ata kanë marrë pjesë në shumë luftime dhe beteja të përgjakshme ndaj okupatorit, në gjithë territorin e Llapit e të Galabit duke dalur gjithnjë ngadhënjimtarë. Ndërsa në Laberion (ish Sveqël) është përkujtuar dëshmori Nexhat Fetahu që ra në luftë kundër paramilitarëve serb që tentonin të depërtojnë tek popullata civile në këto anë. Duke evokuar kujtime shokët e luftës për dëshmorët e kombit thanë se ata nuk kanë vdekur, ata gjithherë janë në mesin tone, janë në kujtimet tona. Me ta ne bashkëbisedojmë sikur atëherë kur ëndërronim se si do të jetë Kosova e lirë dhe si do të përkundnim djepat e jetëve të reja. Dëshmorët që ranë anekënd Kosovës nuk u përkulën para rrebesheve të plumbave , por shqiptarisht përqafuan vdekjen fizike dhe ringjalljen e përjetshme. Në përkujtim të këtyre dëshmorëve u bënë homazhe dhe u vendosën kurora lulesh tek vendet e rënies së dëshmorëve dhe tek varret e tyre. Në nderim të dëshmorëve merrnin pjesë familjarë të dëshmorëve,bashkëluftëtarë të dëshmorëve dhe shumë qytetar liridashës të Llapit, Galabit e më gjerë.