E enjte, 18.04.2024, 08:26 AM (GMT+1)

Faleminderit

Fritz Radovani: Papa Gjon Pali II, mbylli vetëm sytë..!

E hene, 05.04.2010, 07:57 PM


PAPA  GJON  PALI  II,  MBULLI  VETËM  SYTË..!

 

Nga Fritz RADOVANI

 

Dishka po ngjante në botë... Ishte e pabesueshme për të gjithë shqiptarët se në një kohë aq të shkurtë historia e mbetun pezull përsa shekuj kur Papa donte me ardhë në Shqipni, në kohën e Skenderbeut, do të rrokullisej si ortek i fuqishëm tue sjellë me vete zhvillime që askuj në botë nuk kishte si me ia marrë mendja. Në Vatikan, me datën 16 Tetor 1978, në ora 17.15’, “tymi i bardhë” i oxhakut do të lajmonte ardhjen e Papës polak Karol Vojtila, i 284 Papë i parë i Kishës Katolike Polake. Ardhja e Gjon Palit II solli edhe lajmin e papritun për shtetin ma të afert që kishte Vatikani, për Shqipninë e mbyllun hermetikisht nga perdja e hekurt komuniste, e cila, nuk dinte me mendue sesi një Papë, madje, edhe i ardhun nga larg, kur vizitoi Grotta Ferrata pranë Romës, në 1979, deklaroi se: “Unë lutem përditë për Shqipninë dhe, e due shumë ate..!”.

Nga ndonjë rasë e prishjes së zhurmuesve tv, mujshim me pa momente të vizitave të Tij në katër anët e globit. Aqsa ishim afer në distancë km. me Vatikanin, aq larg ishim në të gjitha mardhanjet që mund të kishim me Te, mbasi çdo ecje e jona kushtëzohej me politikën e vendeve shoveniste sllavo – komuniste të Lindjes afërme e të largët, që nga viti 1944.

Më tregonte aty nga vitët 1980, Prof. Nush Radovani, kur ishte në hetuesi në 1946, një ditë para se të delte në gjyq e kishte marrë në zyre oficeri Kadri Hazbiu dhe, i kishte thanë: “Tani do dënohesh dhe do shkosh në Burrel...kujdes, mos u shoqëro me klerikë, mbasi edhe po u lirove do vishë prap në duart tona. Ne nuk kemi frikë nga asnjë grup politik dhe shtet armik i yni. I vetmi shtet që mund të përmbysi pushtetin tonë popullor, është Vatikani. Vetëm Papa i Romës është armiku më i rrezikshëm për komunizmin, të tjerët as nuk i kemi frikë fare...” – Tashti, më thonte Nushi, më asht kujtue kjo thanje e atij “injoranti” që, koha, më duket se po e vërteton..!

Natën e Shen’Federikut, me 17 Korrik 1989, Polonia lidhi mardhanje diplomatike me Shtetin e Vatikanit. Evropa Lindore ishte zgjue nga gjumi gjysëm shekullor. Shqipnia si gjithnjë, vazhdonte me hapa “të sigurta” rrugën e saj drejtë “socializmit”...me në “krye” Rmiz Alinë.

Me datën 9 Nandor 1989, Muri i Berlinit ra! Gjon Pali II, Regan dhe Gorbaçov hapin faqen e ndritun të historisë botnore, me paqë, vllaznim dhe demokraci pa gjakderdhje, pikërisht, ate që, në vitin 1946, para trupit gjykues profetizonte frati shirokas At Anton Harapi OFM.,:

Shqipnia u fitue me gjak; me gjak dhe po mbahët e robnueme.

Do të vijë dita e me Paqë e Drejtësi do të fitohët”.

 

Me 25 Prill 1993, Papa Gjon Pali II viziton Shqipninë!

Ishte viti 1974, kur, Enver Hoxha del për të fundit herë nga “Pallati i sportit”, ku, po, zhvillohej Kongresi...i BGSH, për mos me u kthye kurrma n’ atë vend...ashtu, si, me 11 Prill 1985, që vdiq përgjithmonë, për mos me u kthye kurrma në “burgun” e Popullit Shqiptar...

Ndërsa, me 25 Prill, kur, Karol Vojtila hynte triumfues në Kathedralen e rindertueme të Shkodres, dhe ishte Papa i Parë që kishte puthë Tokën Shqiptare, Atë Tokë të lame me Gjakun e Shenjtë të Mijra Martirve Shqiptarë, të ramë nën diktaturën ma të mënershme komuniste që ka mujtë me pa njerzimi në Shekullin XX, atëditë, na dukej e pabesueshme se jemi tue pa me sytë tonë Zëvendsin e Krishtit në Tokë, tue i dhanë Bekimin e Tij Apostolik  mbarë Popullit Shqiptar, e, po, Atëditë, në balkonin e Pallatit të Argjipeshkvisë Metropolitane të Shkodres, Papa Gjon Pali II, tue Bekue Shkodranët e Tij besnikë, mes dy Flamurve Miq, Atij Shqiptar të Gjergj Kastriotit Skenderbeut, me Shqipen Dykrenare e, Atij të Miqve të Përjetshëm të Shqiptarve, të Vatikanit...

Zani i Tij Burrnor  po  trandte Tokën Ilire e, Rozafa, e mahnitun veshtronte:

“...Ajo që ka ngja në Shqipni, Vëllazën e Motra s’ ishte pa kurr në historinë e njerëzimit. ..Kurse, këtu, shteti asht përpjekë të shuej çdo shprehje fetare në emen të një ateizmi radikal të mbështetun në një sistem universal dhe përgjithësues...

            E gjithë kjo, ngjante në një kohë kur askush nuk mund të ndërhynte për me mbrojtë dinjitetin e njerëzve, të cilve, u ishte mohue gjithshka, tue i çveshë deri nga ma “njerëzoria”, liria e tyne. Drama e Juej, Shqiptarë të dashtun, zgjon interesin e mbarë Kontinentit Evropjan dhe asht e domosdoshme që Evropa mos t’ju harrojë. Dhe, në fakt ky duhet të jetë piksynimi sot, të kthejë shpejt fletën, tue harrue ate që ka ekzistue, për me shikue përpara. Pikpamje kjo që në një prizem vështrimi asht e drejtë e madje, e domosdoshme, por me një kusht, që të mbetët përgjithmonë në kujtesën tonë, ajo që ngjau në të kaluemen. Në të vërtetë ky asht kusht i domosdoshëm  për mos me u rikthye tek të njejtat gabime të përlotuna dhe asht shtegu ma i mirë për një proces pajtimi të vërtetë.” (Buletini Katolik Shqiptar, Vol.XIV, fq. 172, 1993, San Francisco USA.

            Melbourne (me 3 Prill, ora 05,37’ ora këtu...), pra, me 2 Prill 2005...në Vatikan, ishe tue ndjekë në tv gjendjen e randë shndetsore të Papës, dy rrëkajë lotësh më bane me kuptue se, Gjon Pali II, kishte mbyllë vetëm sytë...Po, Zemra e Madhe e Tij vazhdonte me rrah në të gjitha Kontinentët e Botës, në të gjitha skajet e Saj, ku, vazhdon edhe sot me ushtue Zani i Tij... E, në atë moment aq të dhimbshëm për mue...mu duk, sikur, po thonte: “Shqipni, qendro në lartësinë e kësaj beteje të madhe! Rruga që do të bash nuk asht aq e lehtë. Ende ka plagë të pambylluna. E kaluemja le të shërbejë si mësim, por kurr mos të të shtyjnë në hakmarrje mllefesh. Tashti asht koha me shkue me besim drejtë s’ardhmes.

Le t’ ushqejë guximin tand feja e besimtarve të tu në një Zot të vetëm, të Cilit, së bashku me çdo njeri vullnetmirë, do ti përkushtohën sherbimit ndaj drejtësisë dhe paqës...

Vëllazën e Motra Shqiptare fort të dashtun! Zoti e ruejt Atdheun Tuej. Zoti e mbrojtë Popullin Shqiptar në mbarë Botën! Në Emen të Zotit Ju përqafoj dhe Ju bekoj të gjithve!

Mirupafshim. Ju uroj me gjithë zemër : Gjithë të mirat!”

            Dhe,...vazhdoi rrugën e Tij...

            Po,  persëris një frazë që Shqiptarët nuk duhet ta harrojnë kurr:

            Ai ishte Papa Gjon Pali II, Papa ma i Madh që ka njohtë njerëzimi me veprat e Tij, me guximin dhe matuninë e Tij prej Burri Polak, që mposhti me armët e Tij të Pathyeshme: Me Kryq dhe Ungjillë, mbretninë komuniste të djallit në tokë, tue ringjallë Fenë Katolike, në të gjitha ata vende ku, dyertë e ferrit kishin ndërtue perden e hekurt të sistemit ateist komunist, të cilën, Ai e rrëzoi me tri fjalë:

  “NON ABBIATE PAURA!”, “MOS KENI FRIKË!”...

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora