Faleminderit
Halit Bogaj: Ekrem Kryeziu
E hene, 29.03.2010, 08:57 PM
EKREM KRYEZIU
E përgatiti: Halit Bogaj
Ekrem Kryeziu u lind më 1943 në Pejë. Është regjisor shumë i njohur kosovar i cili realizoi disa vepra të rëndësishme me tematika nga vendi ynë.Ne Televizionin e Beogradit ishte profesionist i vërtet që nga viti 1966.Pas shkollimit në Akademinë e filmit në Beograd, ai luajti një rol me rëndësi në aftësimin dhe përkujdesjen artistike të punës me kamerë të xhiruesve të Redaksisë shqipe gjatë viteve 1967-1973. Në vitin 1967 mori pjesë në realizimin e filmit të parë në gjuhën shqipe me titullin’’Uka i Bjeshkëve të Nemura’’/1967/ si asistent i regjisorit Miki Stamenkoviq. Kryeziu dinte ta përdorte kamerën e filmit dhe në shumë raste ka xhiruar dhe ka kryer punët e montuesit në montimin e kronikave për lajme dhe emisione te ndryshme.
Në fillim studioi drejtësinë në Zagreb ,kurse më vonë dramaturgjinë në Beograd, ku diplomohet në vitin1970. Pas studimeve nis një karrierë të gjatë e të pasur, si prozator, autor dramash, skenarist, regjisor e producent.Një karrierë që i jep edhe shumë çmime. Përveç si shkrimtar e artist i angazhuar, është edhe publicist e analist politik, i botuar brenda dhe jashtë Kosovës. Që kur ishte student, filloi të punojë në Televizionin e Beogradit, si skenarist, redaktor dhe regjisor. Pas demonstratave të vitit 1981, burgoset dhe dënohet me tetë vjet heqje lirie, për veprimtari “irredentiste dhe kundër-revolucionare, me qëllim të rrëzimin e sistemit në Jugosllavi”,por lirohet më 1985. Themelon kompaninë e prodhimit të filmit dhe muzikës “Labia” dhe i rikthehet punës si producent, skenarist e regjisor. Më 1996 themelon degën e Dramaturgjisë në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, të cilën e drejton për tre vjet. Me fillimin e luftës së Kosovës, në prill 1999 dëbohet nga regjimi serb për në Maqedoni, prej nga emigron në SHBA. Pas tri vitesh përvoje pune në media dhe industrinë e reklamës amerikane, rikthehet në Prishtinë, ku jeton edhe sot. Vazhdon të punojë në Fakultetin e Arteve si profesor i dramaturgjisë. Merret edhe me publicistikë dhe analiza politike. Lista e titujve të veprave të Kryeziut, si autor dhe regjisor, është shumë e gjatë. Ajo përmban njëmbëdhjetë filma dokumentarë, nga të cilët “Një lindje” ka fituar çmimin ORWO, më 1973; dy seriale
televizive (“Po e zëmë, po e zëmë”/ 1971/, skenarist e regjisor /dhe “Pranvera në Prishtinë” /2001/, skenarist); tri teledrama (“Të ngujuarit”/ 1972/, “Epoka para gjyqit”/ 1978/ dhe “Xhani Ballkaneze”/ 1980/; tetë filma televizivë (“Buka” /1974/, “Por” /1974/ - regjia më e mirë në Festivalin e Filmit në Portorozh, “E kafshoja terrin” /1977/ - filmi më i mirë dhe regjia më e mirë në po atë Festival/1978 /dhe çmimi i tretë në Festivalin ndërkombëtar “Prix d’ Italie”, në Milano, “Kur pranvera vonohet”/1978/ - Version kinematografik dhe televiziv me katër pjesë, “Gjurmë të Bardha” /1979/ - Version kinematografik dhe televiziv me katër pjesë, “Një jetë e tërë” /1980/ “Gjurmë të Bardha”/1980/ - “Arena e Bronztë” për regjinë në Festivalin e Filmit të Jugosllavisë, në Pula, “Viktimat e Tivarit”/1993/ dhe “Rruga Pa kthim”/1994/; dy videokomedi “Pa pardon” dhe “Sherif Patrioti”/1995/; dy filma artistikë “Buka e hidhur” dhe “Dashuria e Bjeshkëve të Nemura”/1997/; ndërsa në fushën e teatrit, ai ka nënshkruar tekstet dhe regjinë e disa dramave të suksesshme, si “Të ngujuarit”/1971/ Prishtinë, “Epoka para gjyqit”/1978-2003/ Teatri Popullor, Gjakovë, Teatri Popullor, Tiranë, “Korridoret e Tmerrit”/ 2002/, Teatri Kombëtar, Prishtinë, “Lulekuqet”/2004/, Teatri Kombëtar Gjakovë, “Teuta ose qerrja e fitores”/2004/. Në dramat e tij Kryeziu merret kryesisht me temën e dhunës politike dhe rebelimin ndaj saj, ndërgjegjësimin e individit dhe komunitetit për çastin historik.
Ekrem Kryeziu
Filmografia: Rruga pa kthim /1998/ regjisor ,Dashuria e bjeshkëve të nemura /1997 / , regjisor dhe skenarist,Viktimat e Tivarit/1996/, regjisor dhe skenarist, E tërë jeta për një ditë /1980 / /TV/, regjisor dhe skenarist, Gjurmë të bardha/1980/ , regjisor dhe skenarist , Kur pranvera vonohet /1980/ (mini), regjisor Epoka para gjyqit /1978/TV/,regjisor dhe skenarist,E kafshoja terrin 1977/TV/, regjisor dhe skenarist, Piktori Muslim Mulliqi 1976/TV/, regjisor dhe skenarist, Dita e mërgimtarëve /1975/, regjisor ,Pikë e gur/1975/, regjisor dhe skenarist , Brigada e shtatë e Kosovës/1974/, regjisor dhe skenarist , Kosova/1974/, regjisor dhe skenarist, Por/1974/TV/, regjisor dhe skenarist, Pajtoni i moçëm i Prishtinës’’1974/TV/, regjisor dhe scenarist, Buka/1973/TV/, regjisor, Në lindje /1973/, regjisor dhe skenarist, Kullat e Junikut/1973/TV/, regjisor dhe skenarist , Gjenerata e parë e baletit/1972/TV/, regjisor dhe skenarist, Shkëndia/1971/TV/, regjisor dhe skenarist , Të ngujuarit/1971/TV, regjisor dhe skenarist, Kronika nga Shqipëria/1971/TV/, regjisor dhe skenarist, Sofra/1971/TV/, regjisor dhe skenarist, Po e zëmë, po e zëmë/1970/mini TV seri/, regjisor dhe scenarist, Dasma/1969/TV/, regjisor dhe scenarist dhe Pasqyrë televizive/1966/ Serial televiziv.