E enjte, 29.02.2024, 09:46 PM (GMT)

Faleminderit

Besim Muhadri: Tafë Përvizi - besnik i devotshëm i nacionalizmës shqiptare

E hene, 22.03.2010, 09:59 PM


Në Romë të Italisë, në moshën 91-vjeçare, ndërroi jetë atdhetari dhe anëtari i fundit i Komitetit “Shipnija e lirë”

 

Tafë Përvizi - besnik i devotshëm i nacionalizmës shqiptare

 

Nga Besim MUHADRI

 

Romë, 17 mars 2010: Të dielen, më 14 mars, në moshën 91-vjeçare, ndërroi jetë atdhetari i shquar i kauzëz sonë kombëtare, Tafë Përvizi, duke lënë pas vete një veprimtari të shquar në fushën e angazhimit për lirinë e Kosovës dhe të bashkimit kombëtar. Ai është anëtari i fundit që deri më tani ishte gjallë, i Komiteti “Shipnija e lirë”, të cilin Komitet e udhëhiqte profesor dr. Rexhep Krasniqi. Në vitin 1946, bashkë me shumë atdhetarë ishte detyruar të lërgohej nga Kosova dhe të emigronte në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, si Turqi, Siri dhe në vitin 1949 të vendosej definitivisht në Romë, ku edhe zhvilloi aktivitetin e tij patriotik, gjitmonë në përpjekje për çlirimin dhe lirinë e Kosovës, ndërkaq, ëndërr e tij e përjetshme qe dhe mbeti Bashkimi Kombëtar. Për meritat e tij atdhetare, në vitin 1996 nga presidenti i atëhershëm i Shqipërisë, zoti Sali Berisha, u dekorua me medaljen “Për veprimtari patriotike” si dhe “Organizator dhe luftëtar në luftën për pavarësinë e Kosovës e bashkimin kombëtar” 

 

Mospajtimi me ripushtimin e Kosovës dhe largimi nga atdheu

 

Tafë Përvizi, apo Mustafa Pervizi rrjedh nga një familje e madhe e Përvizëve të Krajkut të Hasit të Kosovës, të njohur për bujari dhe mikëpritje. Ai kishte lindur më 1919. Ishte nxënës i Shtjefën Gjeçovit, nga i cili pati fatin tw mwsonte ABC-nw e atdhetarisw..

Gjatë Luftës së Dytë Botërore inkuadrohet në radhët e LNÇ-së, përkatësisht në Brigadën e Pestë Sulmuese Shqiptare, ku shquhet për guxim dhe trimëri, por në përfundim të kësaj lufte, në shenjë mospajtimi me tradhëtinë që iu bë popullit shqiptar të Kosovës, së bashku me shumë djemë të tjerë, do të rrokë armët kundër regjimit antishqiptar serbosllav, që dhunshëm ripushtoi Kosovën. “U ngjesha mirë me armë e municion dhe u betova se do të luftoja deri në pikën e  fundit të gjakut për Kosovën”, deklaronte në një rast Tafë Pervizi. Pas kësaj atij i bashkohen edhe shumë shokë të tij të pushkës dhe idealit. Fillimisht vendosen në bjeshkën e Pashtrikut, përkatësisht në Hasin e Kosovës dhe për gjashtë muaj me radhë, së bashku me dhjetëra djem të Kosovës dhe të Shqipërisë përballen me bandat çetniko-komuniste, por edhe me ato të sigurimit shqiptar, që ndihmoheshin fatkeqësisht edhe nga renegatët

Në vitin 1946, së bashku edhe me dhjetëra burra të Hasit, të Lumës dhe të Kosovës, në mesin e të cilëve edhe Muharrem Bajraktari, definitivisht detyrohen të lëshojnë atdheun dhe të vendosen fillimisht në Greqi e më pas edhe Turqi, Siri e së fundi në Itali. Por edhe pse larg atdheut, ai së bashku edhe me emigrantë të tjerë politikë, emra të njohur edhe për historinë shqiptare, asnjëherë s’e ndali luftën, tash politike, që një ditë të kthehej në atdheun e lirë.

Për meritat e tij atdhetare, në vitin 1996 nga presidenti i atëhershëm i Shqipërisë, zoti Sali Berisha, u dekorua me medaljen “Për veprimtari patriotike” si dhe “Organizator dhe luftëtar në luftën për pavarësinë e Kosovës e bashkimin kombëtar”. Tafë Pervizi, i cili që nga viti 1949 jetoi dhe veproi në Romë të Italisë, shkeli në tokën e lirë të Kosovës në vitin 2000, pas pesëdhjetë e katër vjet jetë mërgimi.

 

Pas Greqisë në Stamboll dhe Siri dhe definitivisht në Romë

 

Në vitin 1946, pas arritjes në Greqi, Tafa dhe shokët e tij do të ballafaqohen me agjenturën e sigurimit grek dhe me organizatën famëkeqe të “Vorio Epirit”, në të cilën grekët  tentojnë t’i rekrutojnë për qëllime antishqiptare. “Kjo ishte e papranueshme për ne dhe binte ndesh me idealet tona kombëtare. Nëse ne kishim ikur nga atdheu, sepse nuk duronim dot regjimin që ishte ardhë në pushtet dhe që kishte rënë në kundërshtim me idealet e luftës për liri dhe demokraci, ne assesi nuk mund të binim në një grackë të tillë, çfarë mund të ishte regjistrimi në atë organizatë, të cilës ia dinim fort mirë qëllimet e saj antishqiptare. Prandaj, asnjëri prej nesh nuk pranoi që të anëtarësohej në atë organizatë. Dhe përpjekjet e agjentëve grekë për të bërë presion ndaj nesh, në çfarëdo forme, i konsideronim si një diçka e natyrshme, sepse e njihnim mirë fytyrën e grekëve dhe pretendimet e tyre ndaj Shqipërisë prej kohësh. Kjo nuk na befasonte, por duhej qëndruar deri në fund”, deklaron në një rast Tafë Pervizi, i vetëdijshëm për punën dhe qëllimin e tij jetësor dhe kombëtar.

Pas kësaj kohe Tafë Pervizi detyrohet të ikë nga Greqia dhe të shkojë në Stamboll, ku njoftohet edhe me personalitete të shquara, siç ishte Mit’hat Frashëri etj. Tafë Pervizi në Turqi nuk qëndroi shumë gjatë, pasi që iu desh të merrte prapë rrugët e mërgimit. Një kohë qëndroi në Damask të Sirisë, ku kishte rastin të njihej dhe të vepronte bashkë me shumë shqiptarë emigrantë politikë të asaj kohe, siç ishin prof. Rexhep Krasniqi, Xhelal Bushati, Isa Manastirliu, Ludevik Deda etj. Në Siri qëndrimi i dukej më i vështirë, sepse i mungonin njerëzit me të cilët mund të punonte për atë që e kishte lënë në gjysmë të rrugës, pra për lirinë e Kosovës së ripushtuar nga Serbia.
Prandaj vendosi të linte Sirinë dhe të shkonte në Itali. Në vjeshtën e vitit 1949 zbret për të parën herë në qytetin e amshuar të Romës. Kontakti i tij i parë në këtë qytet ishte me Said Kryeziun, i cili atij i flet në vija të përgjithshme për situatën e atjeshme dhe punën që bënin emigracioni shqiptar që ishte vendosur aty. Said Kryeziu i propozoi që të anëtarësohej në Partinë Katundare, të cilën e udhëhiqte ai. Një ofertë të tillë Tafa e pranon, duke menduar se kështu ndoshta do të ishte më mirë që të njihej nga afër me gjendjen. Partia që u anëtarësua sapo ishte formuar dhe gjatë asaj kohe ai merret me veprimtari të dendura dhe për asnjë çast nuk u largua nga Roma. Kjo punë zgjati disa vjet me radhë. Por, para se të arrinte në Romë, ai kishte dëgjuar për formimin e Komitetit “Shqipnija e lirë”, i cili Komi-tet drejtohej nga njerëz me emër si Mit’hat Frashëri, Abaz Kupi, Said Kryeziu e Muharrem Bajraktari, të cilët edhe e kishin ftuar që të shkonte nga Siria, në mënyrë që të gjithë së bashku të zhvillonin aktivitetin e nisur më herët për realizimin e idealeve të lirisë dhe të çlirimit kombëtar. Kjo punë zgjati për disa vite me radhë, përkatësisht deri më 1954, kohë kur ky Komitet u detyrua të ndërpriste aktivitetin e tij për shkak të krijimit të rrethanave të reja ndërkombëtare, të cilat vazhdimisht, siç shprehet Tafë Pervizi, ishin në disfavorin e kësaj organizate.

 

Besnik i devotshëm i nacionalizmës shqiptare

 

Pas kësaj kohe shumica nga anëtarët e Komitetit “Shqipnija e lirë” u detyruan të largoheshin nga Roma, por edhe nga Italia. Tani nisi një tjetër emigrim, një tjetër braktisje. Një shkaparderdhje hu-tuese në drejtime të ndryshme të Evropës dhe botës në përgjithësi. Meqenëse shumica nga shokët iu larguan, Tafë Pervizi pothuajse mbeti i vetmuar, por i vendosur që përfundimisht të qëndronte në Romë. Tashmë ishte futur në jetën politike, prandaj vazhdoi të mbetej besnik i devotshëm i nacionalizmës shqiptare.
Edhe pse shokët iu kishin shpërndarë pothuajse anekënd globit, ai mbeti në Romë për të punuar dhe vepruar duke mos u ndalur asnjëherë në qëllimet dhe idealet e tij. Edhe pse fizikisht larg, ai kurrë nuk i ndërpreu kontaktet me shokët kudo që ndodheshin ata. Mungesa e lirisë së atdheut, e sidomos e Kosovës prej nga edhe ishte, kurrë nuk e la të qetë. Angazhimet e tij ishin të shumëfishta. Ndonëse larg atdheut, ai i përcillte me shqetësim, por edhe me shpresë zhvillimet në Kosovë. Ngjarjet e vitit 1968 e sidomos ato të vitit 1981 tek ai zgjuan shpresën dhe bindjen se diçka e rëndësishme po lëvizte në trojet shqiptare, në tokën e tij, nga e cila ishte larguar prej vitesh e nuk mund të shkonte dot. “Jetova për gati njëgjysëm shekulli në mërgim dhe asnjëherë brenda meje s’u shua  dëshira dhe zjarri i shpirtit për të ndih-muar kauzën tonë kombëtarë”, shprehet Tafë Pervizi, i cili gjatë asaj kohe, me një entuziazëm, por edhe me një trishtim të thellë në shpirt do të ndjekë të gjitha ngjarjet e Kosovës. Lëvizjen e famshme të vitit 1981 e përjetoi si një shpërthim të fuqishëm të rinisë kosovare, e cila i dha goditje të madhe atij burgu kombesh që quhej Jugosllavi.

 

Jemi të lirë sa për të marrë frymë pak më shlirshëm

 

Se Tafë Pervizi ishte një njeri që tërë jetën punoi për kauzën kombëtare, këtë e dëshmojnë faktet e pamohueshme dhe meritat e tij. Edhe pse bukur në moshë, ai në vitet tetëdhjetë të shekullt të kaluar i bashkohet zërit të protestës së ngritur nga rinia dhe intelektualët shqiptarë të asaj kohe. Kur i kujtohen ato vite dhe ngjarje, ai me pietet flet për Jusuf Gërvallën e Kadri Zekën, me të cilët pati një bashkëpunim të ngushtë dhe mjaft të frytshëm. “Këta djem, thotë Tafë Pervizi, iu drejtuan botës mbarë me një Memorandum të nënshkruar në “Zëri i Kosovës”. Siç pohon Tafë Pervizi, kjo thirrje arriti edhe në Romë ku ishte ai dhe të tjerë shqiptarë. “Nuk ishte vështirë ta kuptoje këtë rini intelektuale e të ditur që kishte vendosur që me energjinë e vet të pashtershme me i dalë zot Kosovës. Më vinte mirë për idealin e kësaj rinie që ishte e gatshme të jepte gjithçka nga vetja. Nuk e di pse përpjekja e këtyre djemëve më kujtonte përpjekjen tonë shumë vite më parë, për ta larguar një-herë e përgjithmonë pushtuesin sllav nga viset tona”, thotë Tafë Pervizi, i cili duke parë rëndësinë e kësaj lëvizjeje dhe qëllimin e saj për çlirimin e Kosovës nga kthetrat e robërisë serbosllave, i bashkohet duke luajtur një rol tejet të madh atje në Romë dhe përgjithësisht në Itali ku jetonin dhe vepronin shqiptarët. Ndonëse në moshë, megjithatë ai mori pjesë aktive, duke mos kursyer asgjë nga vetvetja. Vrasjen e atdhetarëve dhe ideatorëve të kauzës kombëtare, në janar të vitit 1982, Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe të Kadri Zekës nga UDB-ja jugosllave, Tafë Pervizi, si shumica e shqiptarëve anekënd atdheut dhe jashtë tij, do ta përjetojë si një goditje të rëndë. Ai ishte i bindur se UDB-ja jugosllave ata i vrau vetëm fizikisht, sepse ideali i tyre, siç shprehet ai, u bë një flakadan i pashuar për liri, deri kur në skenë doli Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe armikut të përbetuar të popullit shqiptar, siç ishte Serbia iu dha një grusht i fuqishëm.
Më 30 korrik të vitit 2000, në ditën kur Tafë Përvizi pas 54 vitesh po shkelte në tokën e mohuar të Kosovës, duke prekur lirinë e vendit të tij, e kishte të vështirë t’i përmbante lotët, që ishin lotë gëzimi dhe malli njëkohësisht. I lumtur që arriti të përjetojë këtë ditë, ai ishte i vetëdijshëm që këtë ditë kaq të pritur po e përjetonte vetëm falë gjakut dhe sakrificave të mijëra djemëve e çikave të Kosovës. “Unë erdha tani pas 54 vitesh në tokën time të lirë, në Kosovën e lirë, por duhet ta dijmë se ne jemi të lirë vetëm sa për të marrë frymë më shlirshëm dhe për të pushuar pak, sepse ne ende kemi punë në rrugën e madhe të realizimit të idealeve tona. E ky është bashkimi i trojeve tona. Bashkimi ynë kombëtar, që është një e drejtë e pakontestueshme e jona”, shprehej Tafë Pervizi, i bindur se vetëm bashkimi kombëtar do të na ruajë dhe të na avansojë si popull e si komb.

Edhe pse u largua nga kjo jetë në një moshë të shtyrë, vdekja e tij megjithatë është një humbje për familjen dhe historinë tonë kombëtare, të cilës ai  dhe shokët e tij, shumica prej të cilëve vdiqën nëpër botë, me mallin e pashuar të atdheut, i ndhanë gjithçka patën nga vetja e tyre. Tafë Përvizi do të kujtohet përherë si një burrë i urtë i Hasit dhe i Kosovës dhe si një atdhetar i shquar i kauzës sonë kombëtare.



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora