E enjte, 25.04.2024, 05:43 PM (GMT+1)

Faleminderit

Halil Gashi: Kjo është krenaria me krijuesin...!

E marte, 30.03.2010, 09:59 PM


Rrëfim në vehtën e parë me rastin e veprimtarisë dyzetvjeçare letrare dhe kulturore të shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA

 

KJO ËSHTË KRENARIA ME KRIJUESIN...!

 

Nga Halil GASHI

 

Ti takosh një gjenerate që ka lënë dhe po lë gjurmë të pa shlyera, dhe të shtegtosh së bashku më te shtigjeve të jetës më shumë të pa njohura, drejt një qëllimi sublim, të ëndërruar nga shumë breza ndër shekuj dhe të arrish në cakun e duhur, do të thotë të bëhesh pjesë e  historisë. Ndërkaq, të jesh bashkëpjesëmarrës i atyre ngjarjeve dhe ato të mos i shënosh, të mos ua lesh si dëshmi kohe brezave që vijnë pas, është njësoj  sikurse të mos kishe jetuar fare.

Shkrimtari, publicisti dhe punëtori i mirëfilltë i kulturës, Sejdi Berisha, zgjodhi rrugën për të dëshmuar se e jetoi ketë kohë, të cilën edhe e përjetësoi në mënyrë më të veçantë, e të cilën e sublimoi për këto katër dekada në njëzetë e dy vepra të krijimtarisë se tij letrare.

Përderisa i shkruaj këta rreshta, për asnjë moment nuk jam vetëm. Me mua je ti Sejdi, e tërë gjenerata jote dhe imja, me mua ishin të gjithë miqtë dhe krijuesit e artit skenik edhe të teatrit të Pejës, të kësaj skene, ku për më së tri dekada e ngritëm zërin e fjalës shqipe të artit skenik edhe atëherë kur donin të na ulnin zërin, e them me plotë të drejtë u rritëm në këtë skenë, këtu shijuam magjinë e artit dhe ajo të mori përgjithmonë.

 

Dikur moti, pata lexuar veprën e Kadaresë „Kronikë në Gurë“, pa ditur edhe aq mirë të kuptoj mesazhin e saj, por tani e kam gjithnjë e më të qartë se ky brez i yni, vërtetë ka shkruar kronika ndër më të ndryshmet, në veçanti, ata që iu rrekën shkrimeve. Mbi këto kronika ngritën edhe piramida, kush më të mëdha e kush më të vogla. Por, kronikat e tilla të shkruara nuk i fshijnë dot as furtunat më të forta të kohës, dhe se ato, me kokëfortësi u rezistojnë përplasjeve në të gjitha kohërat. Ato, do të mbesin dëshmi për breza që vijnë pas. Pra, dua të them se të jesh bashkudhëtar i një krijuesi për më shumë se katër dekada, është nderë dhe mburrje gjithsesi, por është fat dhe madhështi. Më Sejdiun, rrugëtuam shtigjeve të jetës më ngritje e rënie për më shumë se katër decenie. Ai, që në bankat e shkollës së mesme, më dukej se nga njëherë e vranëte mendjen me shumë se ne, hynte jo rrallë dhe mbyllej, atje në botën e tij, atje ku filloi të merret me vargun e të shoqërohej më te, të rrugëtojë me te. I pëlqente ndijimi dhe forma melankolike e vargut, magjia e tij për ta shpjerë në një rrugë më të veçantë, dhe vërtet, që atëherë vargu e rrëmbeu. Më dukej se vërtetë ishte i lumtur kur shoqërohej me te.

Ndoshta, veprat e Sejdiut unë i përjetoj në një mënyrë më të veçantë se sa të tjerët. Jo që kam ndonjë afinitet më të madh, por për vetë shkakun se jemi bashkudhëtar për tërë këtë kohë të krijimtarisë së tij, andaj, në krijimtarinë e tij e gjej dhe e ndiej një pjesë të madhe të vetvetes sime. Për atë, edhe njoh më mirë se sa të tjerët, edhe atë pjesën e vetë Sejdiut, në këto vepra ku unë mund ta dalloj më lehtë se të tjerët që e njohin më pak. Në krijimtarinë e tij i shoh ato brenga, ato gëzime, ato zhgënjime që i përjetuam nëpër periudha të rrugëtimit tonë së bashku, por edhe më tërë gjeneratën tonë. Më është mirë i njohur shpirti i tij krijues, më janë të njohura shumë nga shqetësimet e prezantuara në veprat e tij, më është i njohur çdo lëndim i tij, i cili e dërgon deri në rebelim, dhe dua të them se të gjitha shqetësimet, ato përplasjet e tij prej krijuesi, janë, jo për vetveten e tij, por për të gjithë atë që ndodh rreth tij e që as atë nuk e lënë anash.

Dua ta parafrazoj mjeshtrin e madh të vargut, Azem Shkrelin, i cili patë thënë “se nëse nuk je i gatshëm të vdesësh për vargun, më mirë mos u merr me të„. Sejdi Berisha, jo vetëm që ishte i gatshëm të vdesë për te, por ai jetoi për vargun, jetoi për këto dhe më këto vepra. Futja e tij në vorbullën e fushës së krijimtarisë letrare, e cila përkon me zhvillimin e ngjarjeve reale të një vendi dhe kohe por në shumë rrafshe, duke paraqitur po aq besnikërisht edhe rrethanat e shoqërore dhe bartësit e atyre proceseve, kërkon padyshim një punë të madhe, një imagjinatë të thellë krijuese dhe diapazon të gjerë njohurish, një durim të veçantë. Tërë arsenali krijues letrar prej njëzetë e dy veprash i Sejdiut, mendoj se ka pasur dhe ka të vetmin qëllim renditjen e ngjarjeve besnikërisht e sipas kohës së zhvillimit të tyre, duke jetuar me vetë personazhet dhe duke i dhënë secilit në çfarëdo momenti pozicionet e tyre të fiksuara e duke mos i ngatërruar mes vete për asnjë veçori edhe nga më e vogla, por gjithnjë duke dhënë mesazhin ndër më të vakët, më sublim, pedagogjik mbase edhe filozofik.

Andaj, me të drejtë krijuesit i gëzohen veprës së vet, sikurse krijesës natyrale të tyre. Këtë kënaqësi, e ndiejnë muratori i kullës së gurit që ka ngritur me duart e veta, arkitekti i urës që ka ngritur mbi lum, filozofi i saktësisë së mendimit dhe mesazhit të thellë, piktori i përsosmërisë dhe i harmonisë së ngjyrave me plot performansë, skulptori për shkrirjen e madhështisë së heroit në bronz duke i dhënë atij dritë përjetësie, krijuesit e letrave në gjininë e poezisë, prozës, dramës, romanit, komedisë, satirës dhe humorit etj. I tillë është, por edhe përtej vetvetes, miku im i jetës, shkrimtari dhe publicisti, Sejdi Berisha. 

Ai, me sukses e dashuri e ka kurorëzuar krijesën e vet në jetë dhe krijimtari, kështu që për te, meritueshëm kam të drejt të gëzohem dhe mburrem unë, miqtë e tij dhe i tërë kombi. Duke e nxitur lexuesin që të krijojë konceptin e tij real dhe të paanshëm mbi ngjarjet e ndodhitë që kanë hapëruar së bashku me ne viteve që lëmë pas, qofshin ato të hidhura apo edhe heroike e legjendare për kombin, janë realitet i cili na ndoqi  këmba këmbës deri në ditët e sotme. Por, përmes veprave të Sejdi Berishës, ato do t'i ndiejnë edhe ata që nuk i përjetuan deri me tash, por edhe ata që do të vijnë pas nesh! Personazhet e mikut tim janë në të vërtetë, ata që jetuan, ose shumë nga ta ose sot janë në këtë jetë. Kështu që, ata i takojnë reales të së djeshmes, të së sotmes, do të jenë me shkrimtarin e dashur dhe të afërt, por edhe me ne, edhe nesër edhe më gjatë, edhe gjithnjë.

Në njëzetë e dy veprat e tij, është jeta, jeta e atyre para nesh dhe e atyre që janë me ne. Kjo është ajo krenaria dhe gjithherë lumturia e krijuesit. Por, miku im dhe Juaji ka shumë shqetësime, brenga, pikëllime, hidhërime, ka, edhe pse më pak, edhe gëzime, ngase e tillë ishte jeta e brezit tonë. Përgjithësisht, por edhe kur shkruan në kushte e rrethana të tilla historike të njeriut dhe vendit, vlerat krijuese janë të mundimshme, dhe se ato nuk janë gjëra që sa herë të teket mund t’i marrësh dhe t’i shprushësh sikur kur do të varësh në mur pikturën sa herë të teket dhe ku të duash, apo edhe t’i ekspozosh si mall për shitje! Jo...!

Nuk dua të flas për krijimtarinë e këtij krijuesi, ngase këtë dikush e ka bërë dhe do ta bëjë edhe sot edhe nesër më me shumë kompetencë, por këtë e ndjej për obligim ta them si shok dhe mik i tij, që rrugëtuam së bashku gjatë, shumë gjatë. Nuk dua ta përmend sa! Por, mua  ky rrugëtim më bënë nderë, ani pse të kesh shok dhe mik një krijues nuk është edhe aq  e lehtë, ngase gjithmonë do përballësh edhe me ato shqetësimet, të cilat, ndoshta nuk do t’i vëresh po të mos ishe së bashku me krijuesin. Në këtë, mu kujtua Kadareja, kur njëherë kishte thënë se në Ballkan ka aq shumë egërsi dhe injorancë, dhe pikërisht këto e fyejnë thellë intelektualin. Egërsia e klimës, përjashton diskutimin normal, klima e egër dhe injoranca e refuzojnë mendjen dhe këto, nëse i lexoni me përkushtim veprat e Sejdiut, ai i mbarështron besnikërisht, siç është rasti edhe në njërin nga esetë e tij: „Refuzimi i mendjes...!“.

Përderisa i shkruaj këta rreshta, për asnjë moment nuk jam vetëm. Me mua je ti Sejdi, e tërë gjenerata jote dhe imja, me mua ishin të gjithë miqtë dhe krijuesit e artit skenik edhe të teatrit të Pejës, të kësaj skene, ku për më së tri dekada e ngritëm zërin e fjalës shqipe të artit skenik edhe atëherë kur donin të na ulnin zërin, e them me plotë të drejtë u rritëm në këtë skenë, këtu shijuam magjinë e artit dhe ajo të mori përgjithmonë. Po ashtu, gjatë këtij shkrimi, me mua janë edhe shumë nga shokët tuaj dhe të mi, të cilët mburrem me veprën dhe punën tënde, tek të cilët gëzon respekt të veçantë. Në këtë shkrim, më kujtohen edhe shumë miq dhe shokë që do të dëshiroja t’i kam pranë, të jemi së bashku, por që mjerisht, ata përgjithmonë na mungojnë fizikisht.

Na mungojnë shumë shokë të cilët ishin synonim i së mirës, i bujarisë, i sinqeritetit dhe i flakës së atdhetarisë. Me qëllim e theksova këtë, sepse, miku im, shkrimtari edhe kronisti, Sejdi Berisha, mungesën dhe dhembjen për ta e përjetësove me shkrime, ua ngrite nga një piramidë të vogël kujtimi, kështu që ata edhe tani janë në mendjen tonë, sepse gjenden në zemrën e veprave tuaja, në librat tuaj. Me shkrime të tilla  jo vetëm që i ke përkujtuar dhe përjetësuar ata, por edhe i ke begatuar vlerat shpirtërore dhe kulturore të kombit, me personalitet siç ishin: Melihate Ajeti, Istref Begolli, Muharrem Qena, Frederik Rreshpja, Ibrahim Kodra, Dr. Musa Haxhiu, Faruk Begolli, Xhevdet Lila, e shumë e shumë të tjerë. Kjo formë e përjetësimit shquhet në shumë shkrime, siç është shkrimi me një metaforë dhe statikë të përkryer, “Harresa shqiptarçe...!”.

Me këto shkrime, ke thënë e shumëçka tjetër, duke prezantuar edhe anën tjetër të shpirtit tënd të ndjeshëm, me të cilën shpreh në mënyrë të veçantë dhembjen dhe ndjesinë, por edhe zërin e nevojën e shumë të madh për ndërgjegjësim dhe vetëdijesim të njeriut. Dhe, nuk dua ta zgjasë, por, nuk e thash më kot se nuk është e lehtë të kesh shok dhe mik, një krijues me shpirt të ngarkuar me të gjitha ato që e bëjnë jetën, të ngarkuar me rebelizëm aq të lezeqtëm e të preferuar. Por, ç’të bësh. Sikur të të thosha diçka për të bërë, ti sërish do ta vazhdosh me tënden. Andaj, vazhdo,... thuaja edhe më tutje atë që të del nga zemra e shpirti, sepse kështu të gjithëve na ushqen dhe na kënaq, miku im shkrimtar, Sejdi Berisha!



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora