E enjte, 25.04.2024, 01:09 AM (GMT+1)

Faleminderit

Pesë vjet më parë, Pashkët e Gjon Palit II, Papës që i dha Shqipërisë hierarkinë kishtare pas komunizmit

E hene, 05.04.2010, 06:58 PM


Në të Premten e Madhe të 2010-s përkujtohet Papa aq i dashur për shqiptarët, por gazeta publikon edhe refleksionet e kësaj dite nga Ati i Shenjtë Benedikti XVI si dhe kardinali Kamilo Ruini

 

Mbushen plot pesë vjet nga vdekja e Papës Gjon Pali II, më 2 prill 2005, kur përfundoi një nga papnitë më të jashtëzakonshme në historinë e Kishës. Shërbëtori i Zotit, që pritet të shpallet i Lumë në tetor të këtij viti, do të mbahet mend si Papa i luftës kundër komunizmit deri në rënien e perdes së hekurt, që e ndante Evropën më dysh. E tija është shprehja “Mos kini frikë!”, moto e papnisë, që e shoqëroi në meditimet mbi argumente nga më të ndryshmet, në përpjekjen për të dhënë kontributin e Kishës Katolike në përmirësimin e botës. Shqiptarët nuk e kanë harruar vizitën e tij në Shkodër e në Tiranë, më 25 prill 1993, gjatë së cilës u dha katolikëve hierarkinë kishtare dhe i nxiti të shohin me guxim të ardhmen.

Sivjet, përvjetori i vdekjes së Gjon Palit II përkon me të Premten e Madhe, prandaj po e kujtojmë duke u kthyer pas në prillin e vitit 1979, në Pashkët e para të kremtuara nga Papa Vojtila.

Kush është Krishti? Është 5 prilli i vitit 1979, kur Gjon Pali II u drejton këtë pyetje universitarëve romakë, të cilët marrin pjesë në Meshën për përgatitjen e Pashkëve. Papa i ardhur nga larg, është prej gjashtë muajsh timonieri i Barkës së Shën Pjetrit e, që prej një muaji, ka publikuar “Redemptor Hominis”. Enciklika e tij e parë, ku përvijohet programi i papnisë. Një program që mund të përmblidhet me një fjalë të vetme, në një Vetje: Krishti. Karol Vojtila u kujton të rinjve të Romës se Jezusi, Biri i Zotit, pranoi të vdesë si njerëzit, duke na mësuar si ta kuptojmë jetën: “Na tregoi se jeta është kalim, jo vetëm i kufirit të vdekjes, por kalim në një jetë të re. Kështu, Kryqi për ne është bërë katedra më e lartë e së vërtetës së Zotit e të njeriut. Të gjithë duhet të jemi nxënës - “të vonuar ose jo” të kësaj katedre. Vetëm atëherë do ta kuptojmë se Kryqi është edhe djepi i njeriut të ri”. Mbi atë Kryq e ngul vështrimin Papa polak, që vjen nga një tokë martire, më 13 prill në “Udhën e Kryqit” në Koloseum. Duke parë këtë Kryq, kryqin e fillimeve të Kishës, tha ai, duhet të ndjejmë e të shprehim solidaritetin e thellë me vëllezërit tanë në fe, të cilët janë objekt persekutimi e diskriminimi në epokën tonë: “Duke parë Kryqin në Koloseum, t’i kërkojmë Krishtit që të mos u mungojë atyre – ashtu si personave, që dikur janë martirizuar në këtë vend – fuqia e Shpirtit Shenjt, për të cilën kanë nevojë”.

Sigurisht, pranon Gjon Pali II në Natën e Pashkëve të 1979-s, fjala “vdekje” shqiptohet me një lëmsh në fyt. Ajo është gjithnjë diçka tronditëse. Por i krishteri e di se Krishti, përmes Kryqit, fitoi mbi vdekjen. E që gjatë natës mund të shohim dritën e agimit: “Ja nata e Pritjes së Madhe. Presim me fe, presim me krejt qenien tonë njerëzore Atë, që në agim e bëri copë-copë tiraninë e vdekjes dhe zbuloi Fuqinë Hyjnore të Jetës: ai është Shpresa jonë”.

E pikërisht këtë Shpresë, Shpresën e vërtetë, Gjon Pali II ia shpall botës më 15 prill 1979 në Mesazhin Urbi et Orbi të Pashkëve: “Sa shumë na flet kjo Ditë, na flet me krejt të vërtetën e zanafillës. Guri i këndit i krejt ndërtesës është vetë Jezu Krishti. Ky gur, i hedhur nga ndërtuesit, që Zoti e ka rrezatuar me dritën e ringjalljes, vendoset në themelin e fesë sonë, të shpresës e të dashurisë sonë”. Në Ditën e të Ngjallurit, në Ditën e shpresës universale, Karol Vojtila i fton të gjithë të rizbulojnë thirrjen, që secili e merr me Pagëzimin. Një mision, nënvizon Papa, i gjallëruar nga gëzimi i Ringjalljes. E përfundon me thirrjen për shpresë, që jehon akoma sot, si atëherë. Dita e Pashkëve është fillimi i një kohe të re: “Njeriu nuk mund ta humbë kurrë shpresën në fitoren e së mirës. Kjo ditë u bëftë sot për ne fillimi i shpresës së re”.

E paharrueshme, vizita e Gjon Palit II në Shqipëri, më 25 prill 1993. I paraqiti popullit të sapodalë nga komunizmi, ipeshkvijtë e rinj, u përqafua me Nënë Terezën, njohu vuajtjet e Kishës e martirizimin e bijve të saj, nxiti krijimin e një shoqërie të drejtë e demokratike. Po e kujtojmë me porosinë e tij për popullin shqiptar, thënë në Tiranë, në sheshin Skënderbej, pikërisht para vendit, ku më parë ngrihej shtatorja e diktatorit Enver Hoxha: “Popull shqiptar, ec përpara me guxim drejt shtigjeve të solidaritetit. Është një rrugë e vështirë kjo, por në të janë të mbjella farat e shpresës. Le të të shoqërojë forca e martirëve të tu, dëshmitarë gjithmonë në rojë të lirisë, në vitet e pafund të shtypjes së regjimit totalitar. Le t’i ndrisë hapat e tu dashuria për familjen, shpirti i vëllazërimit, mikpritja për të huajin dhe vetitë që e dallojnë popullin tuaj, veti këto, që përbëjnë pasurinë më të çmuar shekullore shqiptare. Le ta ushqejë guximin tënd feja e besimtarëve të tu në një Zot të vetëm, të cilët sëbashku me çdo njeri vullnetmirë do t’i përkushtohen shërbimit ndaj drejtësisë e paqes”.

Kronika e meshës së mbrëmshme “Udha e Kryqit 2010” në Koloseum/ E Premtja e Madhe, që nisi në orën 21.15, me Udhën tradicionale të Kryqit në Koloseum, u shpërfaq me tekstet e përgatitura nga Kardinali Kamilo Ruini. Kardinali Ruini propozon temat e dhimbjes e të shpresës.

Së pari autori i Udhës së Kryqit fton të kujtojmë se Jezusi u kryqëzua për shkak të mëkateve tona, si na e shpjegojnë Shkrimet e Shenjta, rrëfimet e të cilave i ndjek e gjithë kjo Udhë Kryqi. Prej këndej buron ftesa tjetër: duhet të pranojmë se e keqja e mëkati banojnë në shpirtin tonë e se nuk duhen harruar. E edhe ftesa për ta përshkuar Udhën e Kryqit si shtegtim pendese, dhimbjeje e kthese, që në çastin kur Krishtit ia zhveshin rrobat, e deri kur e gozhdojnë mbi Kryq. Na takon ne të zhvishemi aty, te këmbët e Kryqit: të zhvishemi nga përpjekja e kotë për t’u dukur më të mirë se jemi, të zhvishemi nga hipokrizia, që na shoqëron në udhën tonë të përditshme, të zhvishemi nga gënjeshtra, që i ngatërron keqas rrugët njerëzore, të ecim me sinqeritet së paku në këtë Udhë, që kërkon shumë, por edhe premton shumë: premton jetën e pasosur, ëndrra më e bukur e njerëzimit në shekuj.

Udha e Kryqit përshkohet në Koloseum, duke ndjekur 14 Stacionet tradicionale. Nis me ‘Hyrjen’: “Kur Filipi Apostull iu lut: “Zot, na e trego Atin”, Jezusi iu përgjigj. “Jam prej kohe me ju e nuk më ke njohur ende? Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin”. Ndërsa shoqërojmë me zemër Jezusin, që ecën nën peshën e rëndë të kryqit, nuk duhet t’i harrojmë këto fjalë. Edhe kur mbart Kryqin, edhe kur vdes mbi kryq, Jezusi është Biri i Zotit, është një gjë e vetme me Hyjin Atë. Duke parë fytyrën e tij të tjetërsuar nga goditjet, nga lodhja, nga vuajtja shpirtërore, ne shikojmë fytyrën e Atit. Madje pikërisht në këtë çast lumnia e Zotit, drita e tij tepër e fortë për çdo sy njerëzor, bëhet gjithnjë më e dukshme mbi fytyrën e Jezusit. Në këtë qenie të mjerë, të cilën Pilati, duke shpresuar se do ta mëshironin, ua tregoi Judenjve me fjalët: “Ja njeriu” (Gjn 19,5) duket madhështia e vërtetë e Hyjit, ajo madhështi misterioze, të cilën asnjë njeri nuk mund ta përfytyronte.

Por në Jezusin e Kryqëzuar zbulohet edhe një madhështi tjetër, madhështia jonë, madhështia, që i përket çdo njeriu, thjeshtë sepse ka një fytyrë e një zemër njerëzore. Shkruan Shën Andou i Padovës: “ Krishti, që është jeta jote, rri i varur para teje, që t’i të shikohesh në Kryq , si të ishe para një pasqyre. Në se do t’ia ngulësh sytë, do të shikosh menjëherë sa i madh është dinjiteti yt e vlera jote. Në asnjë vend tjetër njeriu nuk mund të kuptojë sa vlen, më shumë se kur shikon vetveten në pasqyrën e Kryqit” (Sermone Dominicales et Festivi III ff. 213-214).

Po, Jezusi, biri i Zotit, vdiq për ty, për mua, për secilin nga ne, e kështu na dëshmoi konkretisht sa të mëdhenj e të çmuar jemi para syve të Atit, të vetmit sy që, duke depërtuar përtej dukjes, shikojnë deri në thellësi të zemrave e të sendeve e na zbulojnë të vërtetën njerëzore e hyjnore. Duke marrë pjesë në Udhën e Kryqit, t’i lutemi Zotit të na dhurojë sytë e tij, për ta parë me ta dashurinë e të vërtetën. E kështu, duke u bashkuar me Të, të bëhemi të lirë e të mirë.

Pas Shenjës së Kryqit e një heshtjeje të thellë, vijoi Lutja e Papës:

“O Zot Hyj, Atë i gjithëpushtetshëm, ti di gjithçka, ti e shikon nevojën e pamasë për Ty, që fshihet në zemrën tonë. Na e jep të gjithëve përvujtërinë ta pranojmë se kemi nevojë për Ty, shumë nevojë! Çliroje mendjen tonë nga pretendimi i gabuar e qesharak, se mund ta sundojmë, pa Ty, misterin, që na rrethon anembanë.

Çliroje vullnetin tonë nga fodulleku, foshnjarak e i pathemeltë, që na shtyn të besojmë se mund ta ndërtojmë vetë, pa Ty, lumturinë tonë e kuptimin e jetës sonë. Bëje depërtues e të sinqertë syrin e zemrës sonë, për ta parë, pa hipokrizi, të keqen që kemi në shpirt. E, në dritën e Kryqit e të Ringjalljes së Birit tënd të vetëm, jepnae edhe sigurinë se, të bashkuar me Të edhe ne mund të fitojmë mbi të keqen, duke i shpallur luftë me të mirën.

O Zot Jezus, na ndihmo të ecim me këtë shpirt, pas Kryqit tënd. Amen”.

Ndërsa ndjekim Krishtin në udhën e dhimbjeve, shpalosen para nesh faqet ungjillore të Mundimeve. Na kujtojnë se e kaluara lidhet ngushtë me të sotmen, se tallja e përbuzja, me të cilën ushtarët e trajtojnë Krishtin, vijojnë në mijëra faqe të historisë njerëzore e të kronikës së përditshme, përplot me dhunë e shpërdorime. Na kujtojnë mizorinë e njeriut, që është i zoti të bëjë krime të shëmtuara, të pabesueshme, kur mbrapshtia e zemrës e shndërron dritën e së mirës, që banon në shpirtin e tij, në terrin e dëshirave të parrëfyeshme, të shfrenuara, që fyejnë arsyen dhe dinjitetin njerëzor.

Njerëzimi vijon të pësojë, si Krishti në kryq.

Atë e shanë dhe e pështynë, sepse e quajtën të mundur. E kjo i ka ngjarë e i ngjet çdo të munduri, që nga Krishti e këndej. Krishti mbeti vetëm, me kurorën e gjembave mbi krye, si mijëra njerëz që ecin në gjurmët e Tij, në hapësirë e kohë.

U mohua e u tradhtua nga një dishepull, duke e ditur se do të mohohej e do të tradhtohej. Prej këndej, shpirti iu torturua më shumë se korpi. Tufani fizik përgatiste atmosferën e tufanit të brendshëm, të mundimit shpirtëror, të torturës psikike të të mohuarit

Ai ecën drejt Kalvarit, i rrethuar me një atmosferë dhimbjeje, torture, pritjeje, nervoziteti, në të cilën ka pak, fare pak mëshirë.

Në këtë çast Krishti është Mjeshtër i dhimbjes. Ecën e rrëzohet, i përtallur, por jo tallës; i mohuar, por jo mohues; i akuzuar, por jo akuzues. I paditur e i dorëzuar nga Juda e i mohuar tri herë nga Pjetri. E pas çdo mohimi, i thellohet dhimbja e tortura, për ligështinë e brendshme të njeriut. Deri te kënga e këndezit, simbol i mirëfilltë i mohimit e i tradhtisë. Këtu ndahen dy botët: bota e Kryqit - e bota e jetës pa ideale të larta, fisnike, e cila e përjashton dhimbjen, sepse e banuar nga skllevër e bij skllevërish, që nuk e meritojnë lirinë, meqë nuk e duan e nuk janë të zotët ta fitojnë, pasi të jenë mbërthyer në kryq. Këtu ndahen dy botët: bota e të gozhduarve, nga ajo e gozhduesve!

Për kardinalin Ruini, t’i meditosh Mundimet e Krishtit, do të thotë të kuptosh edhe se Jezusit iu desh të duronte dhimbje të forta fizike, dhimbje të tmerrshme, të padurueshme, deri në frymën e fundit. E kjo nuk mund të mos e tmerrojë edhe njeriun, që i mediton, që e shikon veten në vend të Zotit, të gozhduar. Por nga kryqëzimi buron një ngushëllim i madh për njeriun që ka dhimbje, të cilat nuk mund t’i lehtësojë as me metodat e sotme të mjekësisë moderne.

Jezusi e pranoi dhimbjen fizike, duke u bërë solidar me gjithë familjen njerëzore, posaçërisht me njerëzit, që e dinë mirë ç’do të thotë dhimbje. Na fton kështu, ta pranojmë dhimbjen, edhe kur e bën jetën të padurueshme, e ta lehtësojmë, kur e kemi pranë njeriun, që përpëlitet prej saj.

Duke e parë sa rëndon Druri i mundimeve mbi supet e Jezusit, nuk mund të mos mendojmë se kryqi ka një mori formash, se edhe ne gozhdohemi mbi të në njëmijë mënyra, se e mbartim mbi supe gjithë jetën, se secili nga ne, do s’do, e nis çdo ditë duke marrë mbi supe kryqin e vet. Shumëkush këto kryqe i quan dënim, fatkeqësi, mjerim, ndërsa i krishteri, që dëshiron të ecë pas Krishtit, duke mohuar vetveten, duhet t’i shikojë si porta, që i hapen para e i japin forcë të ecë drejt një së mire më të madhe. E kur zemra pshon, shpirti vuan, vdekja troket në trup e në shpirt, vetëm një mendim mund ta shpëtojë njeriun e tronditur nga pafuqia e vet para vdekjes: “Krishti nuk e përballon vetëm muzgun e jetës! Krishti e mund vdekjen. Ndonëse duke e pirë deri në fund të fundit kelkun e vrerit, që e hidhëroi aq, sa të lartonte drejt Atit britmën: “Hyji im, Hyji im, pse më lëshove dore!” E pikërisht kjo britmë duhet të na ngjallë besim se Zoti nuk do të na lëshojë kurrë dore, se duhet t’i besojmë deri në fund të fundit, Atij që e ngjalli të Birin prej së vdekurve.

Shpaloset, kështu, para nesh, pamja më e errët e më misterioze: vdekja e Birit të Hyjit i cili, së bashku me Atin, është burim jete. Por njëkohësisht edhe pamja më e ndritshme, sepse në të shkëlqen lavdia e Hyjit, lavdia e dashurisë së gjithëpushtetshme e të gjithëmëshirshme. Përballë vdekjes së Jezusit, përgjigjja jonë është heshtja e adhurimi. Duke parë Marinë tek këmbët e Kryqit, heshtja na bën të kuptojmë se i krishteri i vërtetë, duhet të jetë një gjë e vetme me Jezusin, me mend, me vullnet, me zemër, në punë të vogla e të mëdha, në gaz e në helm, në mort e në lavdi. Se nuk duhet të vrapojë për ta takuar Zotin, vetëm atëherë kur ka nevojë për të, kur i troket në portë sëmundja, mjerimi, vdekja. Duhet ta lëshojmë plotësisht vetveten në duart e tij, në çdo çast, duke iu lutur të na ndihmojë që asgjë, në jetë as në vdekje, të mos na ndajë kurrë më prej Tij. (cfr Rom 8,38-39).

E, duke vijuar deri në fund Udhën e dhimbshme, shikojmë sesi Jezusin e zbresin nga Kryqi e ia dorëzojnë Nënës së tij e më pas, edhe gurin e madh që mbyll grykën e varrit. E na duket se gjithçka mbaroi. Se Zoti ynë vdiq, se s’do ta shohim kurrë më. Por a mund të rrijë aty, në atë gropë të errët, i burgosur nga vdekja, Autori i jetës? Prandaj varri i Jezusit, asokohe e në të gjitha kohët, është jo vetëm vend devocioni, por edhe vend që ndan mendje e zemra: këtu ndahen rrugët e atyre, që besojnë në Krishtin e rrugët e atyre, që nuk besojnë, ndonëse shpesh mendojnë se ai ishte njeri i mrekullueshëm.

Këtu Krishti vijon të kryqëzohet çdo ditë, për mëkatet tona. Çdo ditë në botë përhapet zhurma tragjike e gozhdave, që ngulen në mish të gjallë. Zemra e Krishtit shporohet çdo ditë e Zoti ecën çdo ditë në shtigjet e spërdredhura të botës, duke lënë pas gjurmë gjaku. Kurora e gjembave ia shtrëngon rishtas ballin hyjnor, e vijon të sulmohet nga tallja e ligë, nga mohimi, nga tradhtia. Ndërsa Pilati vijon t’i lajë pambarim duart, sepse paguhet për të kryqëzuar e për t’u shfajsuar në shtigje shekujsh. Në sa i Pamëkati vijon të ulet në ferrin e mëkateve tona, për të na ngjallur shpresën e Parrizit. Çdo ditë Krishti përsërit pambarim kryqëzimin, për të zbutur çdo ditë ferrin e jetës mbi tokën, që vijon ta mohojë e ta tradhtojë, por edhe ta dojë me dashuri të madhe, deri në kryqëzime të reja. Prandaj, o njeri, mos ia moho një vend në zemrën tënde të Vetmohuarit, të rrahurit, të pështyrit, të kryqëzuarit për ty, që kthehet çdo ditë tek Ti.

E kjo Udhë e dhimbshme, mbyllet me fjalët plot besim e shpresë: “Nëse para Varrit të Jezusit udhët e besimtarëve nuk ndahen, kur është fjala për Ngjalljen, edhe sot e kësaj dite për të krishterët, lajmi i madh që Maria Magdalenë u sjell Apostujve, sipas rrëfimit të Ungjijve, është ai që e shndërron udhën e Kryqit, në burim jete! Para varrit të Jezusit gjunjëzohemi në heshtje, duke iu lutur Hyjit të na ndihmojë ta ndjekim Krishtin edhe në Ngjallje, ashtu si e ndoqëm në Mundime. E në sa lutemi, toka merr një hije të lehtë, të butë, e zemrat e ngashëruara nisin të rrahin ndryshe. Në errësirën e hijeve të natës, depërton rrezja e jetës. Krishti u ngjall, e ne, shtegtarë të udhëve pacak, e shikojmë përsëri cakun!

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora