E marte, 16.04.2024, 04:52 PM (GMT+1)

Faleminderit

Mehmetali Rexhepi: Flijimsublima

E enjte, 01.04.2010, 10:00 PM


FLIJIMSUBLIMA

(JASHARAJVE)

                          

Nga Mehmetali Rexhepi

 

Trajtat e pandalshme te dhunës serbe trashën akullin e robërisë mbi jetën e shqiptarëve. Politika e vajtimit dhe konstatimit nuk arriti t’ua fshinte nënave lotët e ngrirë.

Pas kuvendeve të mençurisë së pajtimit, si ai i Karaçevës e i Verrave të Llukës në vitet e nëntëdhjeta në kapërcyell të mijëvjeçarit, pritej të ringritej guximi i organizuar, priteshin të ringriteshin akullthyesit e robërisë.

Domosdoshmërisë së një morali të tillë, për habi, vjedhurazi me përvuajtërinë e dinakërisë, i shmanget politika e ankimit, në emër të ruajtjes së qenies kombëtare nga asgjësimi. Kësisoj, po frenoheshin energjitë e fjetura të kombit, gjumëprishja u shpall inkriminuese e rrjedhave të filozofisë së pritjes! Bari shërues i durimit mori përmasa të një vlere kombëtare e ndërkombëtare! Natyrisht, ai ilaç ishte afatgjatë dhe shëronte një nga sëmundjet e pashërueshme: frikën.

Për habinë tonë: ne po bëheshim zbuluesit e një bari, që nuk e kishin zbuluar dot të tjerët, pohonin idhulltarët e shumëzuar të durimi!

Përditshmëria e mllefit të frenueshëm pasoi kapsin kronik.

Në teatrot tona të përgjueshme shfaqej tragjedia jonë kombëtare, tragjedia e pritjes së shpëtimit nga dikush… Por nga kush? Nga “Godoja” i teatrit të absurdit të Samjuel Baketit?!

Në rrethana të një shterpësie morale ishte mbjellur frika, e cila rritej, andaj nuk mund të korrej guximi nga ata që kishin shpërndarë farën e frikës.

Filozofisë së pritjes gjithnjë po i zgjerohej këneta dhe mushkonjat helmuese të saj. Mes amullisë së pritjes e durimit të rrëzbitur shpërthen guximi në trajtën e Adem e Hamëz Jasharit, Fehmi e Xhevë Lladrocit, Zahir Pajazitit…

Çfarë force magjike i mbajti Jasharajt të paepur? Ata ngërthyen gjenin e tëholluar, por të pakëputur të guximit e të pastërtisë së etnisë, përkundër shartimeve të një qytetërimi me hibride të shpifura.

Një familje e tërë mëtoi dhe u bë strumbullar i ngulitjes dhe i shtrirjes së rrathëve koncentrikë të lirisë.

Një gjeometri e sintaksës së guximit dhe e besimit te vetvetja, një digë e ngrehur në vërshimet më zhbirëse të asgjësimit, një zjarr i ndezur për shkrirje, për ngrohje deri në përflakje, për shumëzim koresh të krismave, betim dhe bekim i brezave, një kërkim i lirisë, jo atje ku nuk ishte e ku nuk buronte, por aty ku buron, aty ku e kishte gjetur Gjergji dhe që ishte në zemra dhe gjakun e popullit.

E veçanta e Jasharajve nuk ishte vetëm ngërthimi i gjenit të pastërtisë morale, por zbërthimi i atij gjeni madhor, pa asnjë fije pendese e mallkimi, pa asnjë shmangie as nga flijimi i të gjithë brezave tok: për të domosdoshmen, për më të çmueshmen, për më të shejtën vlerë të gjakuar…

Një zbërhtim i ngërthimit kësisoj arriti përmasën e së madhërishmes e të legjendës bashkëkohore dhe, gjithsesi shqeu perden e “paqes kriminele”. Kështu, kjo bëmë gjëme shënoi kohën dhe mori përmasën e një embleme, të cilën e bartin duke mëtuar të identifikohen: të përvuajturit e të përvëluarit, të mirëfilltët dhe të shpifurit, të sprovuarit edhe ikanikët, të gjymtuarit dhe të paprekurit, frikacakët dhe përfituesit…

 

* * *

 

Jasharajt përmbysën historinë që shkruan të tjerët për ne. Ata me aktin e tyre vulosën një histori autentike, aq shpesh e shtrembëruar, e paragjykuar nga buletinet cirilike që parashikonin vetëtima, barutbubullima e mjegullnaja ciklike.

Flijimsublima e Jasharajve e kapur në thellësi e gjerësi, pse të mos ishte lëndë për shkrimqëmtime të lartësisë së Nobelit?

Të mos lajthitemi: kjo trajtë e madhështisë njerëzore pret që të tjerret edhe nga nobelistët e ardhshëm.

Para nobelistëve indiferentë, të pamotivuar, për t’i vënë Jasharajt në kapitujt e romaneve të ardhshëm, nxituan djajtë shumëngjyrësh. Ngase për shëmbëllyesit e Jasharajve, cinizmi i drejtësisë së Hagës përnxiu mijëra faqe shkrimshpifjesh!

Edhe para madhështisë, injorancës sonë i del parësore ana meskine e jetës materiale, dhe nuk shihet Prekazi si Jeruzalemi ynë!

Jasharajt mbollën flijimsublimën që të korret fryti i guximit. Megjithkëtë, ata  nuk mund të prehen të qetë pa u shtuar fara e gjenit të tyre.

Andaj, t’i ruhemi shartimit të saj nëpër laboratoret e specializuar të shpërfytyrimit…

Jasharajt thanë: lufta vazhdon në trajta të tjera…

Të përgjasuarit e shartuar thonë: liria po lulëzon mbi gjakun e dëshmorëve tanë!

Para kësaj madhështie bukurshkruesve sikur u janë topitur penat…    

 



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora