Faleminderit
Jahë Sadrija: Dy heronj me pushkë e me penë për mëmëdhenë - Bajo e Çerçiz Topulli
E marte, 30.03.2010, 09:59 PM
“Lufta e Mashkullorës” u bë për lirinë e Shqipërisë
Dy vëllezër- Dy heronj me pushkë e me penë për mëmëdhenë- BAJO E ÇERÇIZ TOPULLI
Nga Jahë Sadrija
I bindur se po të harrohet e kaluara e hidhur dhe krenare e popullit tonë, nuk mund ta ndërtojmë të ardhmen, vendosa që të shkruaj dhe të përkujtoj me një ndjenjë të thellë respekti për vëllezërit e lavdishëm Bajo e Çerçiz Topulli.
Ishin dhe janë dy figura të shquara të Rilindjes Kombetare Shqiptare dhe të periudhës së luftrave për pavarësi, të viteve 1908-1912, Heronj të Popullit. Bajua, vëllai i madh, ishte organizator dhe propagandist i shquar, i idealeve kombëtare, në atë periudhë të historisë së popullit tonë. Mësues i gjimnazit në Selanik e në Janinë, ai ishte organizator i Komitetit ”Për lirinë e Shqipërisë” dhe organizator komitetesh edhe në qytetet të tjera të vendit tonë.
Bajo Topulli u shqua, gjithashtu, edhe si pjesëmarrës në luftën me armë kundër pushtuesve osmonë. Në vitin 1906 ai organizoi çetën e armatosur në Jug të Shqipërisë. Kjo çetë veproi në sanxhaqet e Korçës dhe të Gjirokastrës, duke zhvilluar veprimtari propagandiste atdhetare për luftën me armë kundër pushtuesve të huaj dhe veglave të tyre.
Vëllai i tij më i vogel, Çerçizi, u ndikua nga Bajua dhe ndoqi rrugën e tij.
Në vitin 1907 ai u vu në krye të çetës. Nën komandën e tij kjo çetë, zhvilloi veprimtari politike dhe luftarake në të gjithë Jugun e Shqipërisë, në mënyrë të veçantë në Korçë e Gjirokaster. Me guxim, trimëri dhe aftësitë e shquara komanduese , Çerçizi u bë legjendë . Edhe sot pas 95 vjetësh, për të këndohen këngë. Në këto këngë bëhet fjalë për vrasjen e bimbashit në qytetin e Gjirokastres dhe për luftën heroike në Mashkullorë.
Me shpalljen e pavarsisë, Çerçizi u vu në shërbim të Qeverisë së Vlorës, të Ismail Qemalit dhe u angazhua për mbrojtjen e tërsisë territoriale të Atdheut. Ai, edhe në fund të jetës së tij, kur pushtuesit malazezë e vunë para plotonit të ekzekutimit, së bashku me atdhetarin e njohur Muço Qullin, atje në fushen e Shtojit në Shkodër, u sul si një tigër mbi këtë ploton.
Bajo dhe Çerçizi, edhe pasi u ndanë nga jeta, i kanë shërbyer dhe i sherbejnë atdheut me emrin dhe veprën e tyre. Kjo është logjikë e historisë. Tradita atdhetare e luftarake është burim historik i atdhetarizmit ndër breza. Mbi bazën e kësaj logjike, gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, u përkujtuan figurat e ndritura historike, u evokuan me pathos emrat e tyre. Më propagandën dhe shtypin e saj, udhëheqja e kësaj lufte, ftoi popullin të frymëzohej nga shembulli i tyre. Një nga çetat e para partizane të zonës së Gjirokastrës, mori emrin “ Çeta e Çerçiz Topullit”. Një pjesë e konsiderueshme e formacioneve partizane mbanin emrat e atdhetarëve të shquar.
Emri dhe vepra e vëllezërve Topulli e të gjithë atdhetarëve të tjerë, mbetën gjithnjë aktuale dhe shumë të rëndësishëm për brezat e sotëm e të ardhshëm të popullit shqiptar, si burim frymëzimi dhe përkushtimi atdhetar.
Çerçizi e Bajo Topulli, për merita të medha atdhetare janë të shpallur Heronj të Popullit.