Faleminderit
Fehmi Ramadani: Përkujtim me rastin e 11 vjetorit të rënies së dëshmorit të kombit Ismet Mustafa
E diele, 18.04.2010, 07:59 PM
Ismet Mustafa në Brigadën “138-Agim Ramadani”
Përkujtim me rastin e 11 vjetorit të rënies së dëshmorit të kombit Ismet Mustafa
Ismeti ra për Kosovën, por edhe për Kumanovën dhe bashkimin kombëtar
Ismet Mustafa (1970-1999)
Nga Fehmi Ramadani
Eh, të mos më zëntë vdekja!
pas Komandant Kumanovës,
edhe një pikë gjaku,
nga trungu i Shqipërisë Lindore,
për tokën e shenjtë arbërore
(f.r)
“Trimat shihen në ditë të vështirë”- thotë një fjalë e urtë e popullit tonë. Me të rënë kushtrimi i UÇK-së për luftë kundër armikut barbar serb, i cili bënte kërdi dhe masakra të mëdha në popullatën e pambrojtur shqiptare të Kosovës, këtij kushtrimi pa dyshim iu kishin përgjigjur shumë djem dhe vajza nga trojet etnike shqiptare. Këto masakra serbe në Kosovë kishin trazuar shumë shpirtra shqiptar brenda dhe jashtë Kosovës dhe ata nuk ndenjët duarkryq. Një shpirt i trazuar ishte edhe Ismet Mustafa, një djalë i ri kumanovarë, i cili nuk mundi të duronte një gjendje të dhunës që ushtrohej mbi popullatën shqiptare të Kosovës, e të mos i dilte në ndihmë. Këtë vendim e kishte marrë vetë dhe në muajin shkurt të vitit 1999 iu kishte bashkuar radhëve të UÇK-së dhe luftës së saj për çlirimin e Kosovës.
Ahmet Mustafa, vëllai i dëshmorit tha se, i kujtohet ajo natë e muajit shkurt të vitit 1999, kur Ismeti kishte ardhur në shtëpi dhe i kishte treguar se do të shkonte në luftë për t’iu bashkangjitur luftëtarëve të lirisë. Ai tha se, ne e dinim se Ismeti ishte më herët në kontakt me djemtë e luftës, por nuk kishim menduar se do të merrte një vendim të tillë kaq të shpejtë. Më pastaj, Ismeti kishte përgatitur rrobat që do t’i merrte me vete, ndërsa para se të nisej në luftë kishte përqafuar dhe puthur për herë të fundit djalin e tij të vogël dhe të vetmin Beratin. Padyshim, ky ishte një moment mjaft tronditës, por ai mbahej i fortë dhe nuk dëshironte të dukej se është i mërzitur. Para se të ndahemi më kishte dhënë një porosi që të kujdesem për Beratin e vogël, sepse në luftë nuk i dihet. Familja kishte dhimbje dhe shqetësim, por ai vlonte nga krenaria që po i bashkohet luftëtarëve të UÇK-së dhe rrugës së lirisë së Kosovës. Ismeti ishte përshëndetur me babanë e tij Esatin, vëllanë Sametin dhe motrën Feriden, ndërsa me nënën e tij Kadrijen nuk ishte përshëndetur, sepse nuk dëshironte t’i krijonte ndonjë shqetësim, për shkak se ajo nuk ishte mirë me shëndet, tha Ahmeti.
Ismet Mustafa kishte lindur më 22 dhjetor 1970 në fshatin Çerkez të Kumanovës, nga babai Esati dhe nëna Kadrije. Ai rrjedh prej një familje të varfër, por shumë bujare dhe me tradita patriotike. Babai i tij kishte tre djem, Ahmetin, Ismetin, Sametin dhe një vajzë, Feriden, të cilët i donte shumë, sa që punonte punë mjaft të rënda vetëm të përkujdeset për familjen e tij. Trimat dhe veprimtarët që kishte dhënë kjo tokë shqiptare, padyshim kishin ndikuar në ngritjen e vetëdijes kombëtare të kësaj familje. Frymëzim i madh ishte edhe vepra e heroit kombëtar dhe Komandantit legjendar Ismet Jashari-Kumanova, i cili në vitin 1998 në Kleçkë të Drenicës kishte rënë dëshmorë. Ai ishte një idil për shumë të rinj e të reja të Kumanovës dhe rrethinës së saj, se si duhet luftuar kundër armikut. Vepra e tij kishte ndikuar shumë edhe te Ismet Mustafa, i cili pa i shijuar të tridhjetat kishte rënë në altarin e lirisë.
Varri i Ismet Mustafës në fshatin Çerkez të Kumanovës
Ismet Mustafa merë rrugë të mundimshme, së pari futet në Shqipëri, për t’iu bashkuar Brigadës “138 Agim Ramadani”. Ai së bashku me shumë shokë tjerë zhvillojnë përgatitjet e duhura ushtarake dhe luftarake dhe më pastaj hyjnë në front kundër armikut. Alpet shqiptare dhe rrugët e thepisura nëpër të cilat kalonte nuk paraqitshin ndonjë vështirësi, edhe pse Ismeti kishte jetuar në një ambient të rrafshët dhe krejt tjetër. Por, dashuria ndaj atdheut dhe lirisë së saj e bënin granit dhe kurrë nuk dinte të lodhej. Ai kishte një moral të fortë dhe shpesh gjatë ndonjë problemi në front dinte t’ia thoshte edhe këngës. Ai nuk dinte të kthehej mbrapa, vullneti dhe dëshira për të hyrë në tokën e Kosovës për të zhvilluar beteja me armikun ishte e madhe. Dëshira e tij e madhe ishte që armikut t’i shkaktohet dëm i madh. Ai bashkë me shumë shokë tjerë të lirisë mori pjesë nëpër beteja të ndryshme që zhvilloheshin për rreth kufirit shqiptaro-shqiptar. Pas çdo fitore shtohej gëzimi dhe krenaria e tij për luftën e lavdishme të UÇK-së, kësaj ushtrie të lavdishme, e cila po luftonte me një armik më të fortë, por edhe shumë barbar.
Ëndrra e tij e madhe ishte liria e Kosovës, por edhe bashkimi i trojeve shqiptare në një shtet të përbashkët, mirëpo më 17 Prill 1999 gjatë një beteje në vendin e quajtur Koshare të Rrafshit të Dukagjinit, kjo ëndërr ishte shkëputur për një moment. Ai në betejë ballë për ballë me armikun kishte rënë heroikisht, duke ujitur këtë tokë edhe me një pikë gjaku më shumë. Trupi i tij i ri ra në altarin e lirisë, por ai mbeti përgjithmonë i pavdekshëm, sepse vepra e tij do të jetë mësim për gjeneratat e ardhshme. Tani, trupi i tij prehet në varrezat e fshatit Çerkez të Kumanovës, aty ku kishte lindur, rritur dhe edukuar për dashurinë ndaj atdheut. Ai pushon i qetë, sepse liria e Kosovës tanimë është realitet, por mbetet që brezat e rinj të vazhdojnë të punojnë për realizmin e amanetit të dëshmorëve të atdheut për bashkim kombëtar. Lavdi dëshmorëve të kombit, qoftë i lehtë dheu dëshmorit të kombit Ismet Mustafa!
“Liria është më e shtrenjta, sepse ajo nuk ka çmim, e flijove jetën për te, prandaj pusho i qetë se dëshira jote tani është realitet”- shkruhet mbi varrin e dëshmorit Ismet Mustafa.