Faleminderit
Jahë Sadrija: Gjashtë dëshmorët e rënë për lirinë e Kosovës nga fshatrat, Gegaj dhe Kamenicë, të Tropojës
E marte, 06.04.2010, 08:59 PM
Luftën e lavdishme të UÇK-së e ndimuan vëllëzer e motra nga Shqipëria
Gjashtë dëshmorët e rënë për lirinë e Kosovës nga fshatrat, Gegaj dhe Kamenicë, të Tropojës
Nga Jahë Sadrija
Fshatra të tëra të Tropojës, Btyçit, Hasit, Krumës e deri të Bjeshkët e Pashtrikut, ishin bërë baza të fuqishme të formacioneve ushtarake, fillimisht për furnizim me armë e më vonë, shtabe të UÇK-së dhe zona lufte.
Trimat dhe dëshmorët e kombit, që u vranë për lirinë e Kosovës, këtej e andej kufirit, duhet nderuar.
Mu për këtë vendosëm, që përmes ketij shkrimi të perkujtojmë pavdeksinë e 6 dëshmorëve të fshatrave, Gegaj e Kamenicë, të Tropojës.
Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve e Rrafshit të Dukagjinit, në vitin 2005 ka mbajtur një ceremoni organizimi me Organizatën e “Dëshmorëve të Atdheut” nga Dega e Tropojës, pikërisht në fshatin Baballoq të Deçanit, për t’i ndarë Simbolet e Dëshmorëve të UÇK-së, për Arif e Qazim Dautaj, nga fshati Gegaj.
Qazim Dautaj i lindur më 1959, Arif Dautaj i lundur më 1959, në vitin 1998, u bënë pjëstar të UÇK-së. Ata morën përsipër detyrën shumë të vështirë të furnizimit me armë, duke e kaluar kufirin Kosovë-Shqipëri, i ruajtur në çdo pëllembë nga forcat e shumta serbe, të pajisura me të gjitha mjetet luftarake dhe teknikë moderne të vrojtimit, të përgjimit e të kontrollit të vijës kufitare, të cilën kudo e kishin minuar.
Më 25 qershor 1998, pas kryerjes me sukses të detyrës, në kthim, te Rrasa e Zogut, në Koshare, në erresirën e kësaj nate ranë në pritën e armikut.
Luftëtarët trima, luftuan tri orë në një rrethim të hekurt, përballë forcave speciale serbe, të armatosura me të gjitha llojet e armëve. Qazimi dhe Arifi, duke mbajtur frontin, u dhanë mundësi shokëve të tjerë të tërhiqeshin. Kurse vetë ranë në fushën e nderit, për të mos vdekur kurrë.
Më 11 maj 2005, organizata për dëshmorët në Tropojë, organizoi një ceremoni tjetër të madhe për dorëzimin e statusit “Dëshmori i Atdheut”, familjarëve të dëshmorëve: Man Arif Sallahi, Xhemile Makel Sallahi, Ramë Rexhep Sallahi dhe Hyre Mehmet Demiri, që ranë gjatë Luftës për lirinë e Kosovës.
Shtëpi e granatuar nga forcat serbe në fshatin Kamenicë
Gjatë Luftës fshatrat: Kasaj-Kamenicë, Gegaj, Padesh etj., të ndodhura në buzë të kufirit u shnëdrruan në baza të UÇK-së.
Këtu luftëtarët e lirisë kishin shtëpitë e tyre: laheshin, ushqeheshin, pushonin dhe armatoseshin. Prandaj serbët i goditen pandërprerje me artileri.
Më 11 maj 1999, forca të shumta speciale serbe, depërtuan nga kufiri dhe u futën në thellësi, deri në lagjen “Sallah”, të fshatit Kamenicë, me qellim shkatërrimin e bazave të UÇK-së dhe shpinëmarrjen e forcave tona, që e mbanin hapur korridorin e Koshares, përmes të cillit furnizohej UÇK-ja.
Duke përfituar nga errësira, serbët u futën në disa shtëpi, kryen masakra barbare. Burra dhe gra zunë pozicionet e luftimit.
I pari, ra duke luftuar me automatik në dorë, Man Sallahi, i lindur më 15.04.1934.
Menjëherë serbët, goditën për vdekje nënën trimëreshë, Xhemile Sallahi, e cilla ndonëse kishte mbushur të 72 vjetët, nuk kishte pranuar të largohej nga shtëpia, dhe kur nisi lufta, ajo kapi automatikun, mbushi çantat me fishekë dhe duke qëlluar me automatik, u nis të furnizonte burrat në pozicione.
Me aktin e saj, Xhemilja ia ngriti edhe më lart lavdinë luftës dhe nipit të saj Ramë Sadria-Hero i Popullit si dhe fisit të sallahëve.
Në pozicionin e luftës, nga fisi sallahëve, ra edhe Ramë Sallahi, i lindur më 1941. Ra duke luftuar, gjithashtu, edhe Hyrë Demiraj, bijë burrëreshë e fshatit Markaj , e lindur më 1933 dhe e martuar në lagjen “Sallah” të Kamenicës.
Katër dëshmorë të një fisi, katër yje të pashuara u rënditen në altarin e kombit.
Lavdi dëshmorëve të fshatrave Gegaj e Kamenicë të Tropojës!
Lavdi gjithë atyre që ranë për lirinë e Kosovës!
Tropojë, 05.04.2010