Faleminderit
Halit Bogaj: Vdiq rapsodi ynë i njohur Xhemajl Burniku (1928-2010)
E marte, 27.04.2010, 10:00 PM
VDIQ RAPSODI YNË I NJOHUR XHEMAJL BURRNIKU/1928-2010/
Nga Halit Bogaj
Më 24 prill 2010 morëm lajmin e hidhur mbi vdekjen e rapsodit Xhemajl Burrniku, i cili, bashkë me vëllaun e vetë Islamin, me vite të tëra kënduan në valët e Radio dhe televizionin shqiptar të Prishtinës..Edhe Xhemajl Burniku kishte adhurues të shumtë nga të gjitha viset shqiptare ngase zëri i tij melodik dëgjohej gjithkund ku depërtonte jehona e këngëve të tij të fuqishme. Duhet theksuar faktin e pamohuar se në Prishtinë kishte shumë pak njerëz që nuk e njihnin, sidomos në ato vite kur qyteti ishte më i vogël. Kishte prirje për bamirësi të shumta dhe ishte një person i paisur me atribute të rralla njerëzore, duke mos ia menduar askujt të keqen dhe duke dashur që t’i shihte të gjithë njerëzit në rrugë të mbarë dhe në përparim e sipër.Si të gjithë ne edhe ai ishte i etur për lirinë tonë definitive dhe kurrë nuk mund ta harroj ditën kur u shpall Pavarësia kur qante si një fëmijë i vogël nga gëzimi, duke na i evokuar kujtimet e veta të shumta që i mbante mend nga e kaluara jonë e dhembshme dhe tragjike se sa shumë njerëz ishin vrarë, ndjekur dhe përsekutuar për atë ditë.Na tregonte se sa shumë shokë dhe miq të tij kishin shkuar në Turqi nga zullumi serb , ndaj dita e Pavarësisë për të/si edhe për të gjithë neve/ishte dita më e lumtur të cilën e përjetuam.
Në vitet ’50-ta dhe ’60 Xhemajl Burrniku ishte në kulmin e veprimtarisë së tij muzikore, kurse ndonjëherë kishte kënduar edhe me bardin Qamili i vogël të cilin e çmonte shumë dhe ia dinte vlerën e vërtetë të cilën e posedonte ai virtuoz i rrallë i këngës shqiptare.Xhemajl Burrniku e çmonte në superlativ vlerën e këngëve tona origjinale, kurse e urrente kiçin, bastardhimin dhe shëmtimin e këngës së sotme popullore shqipe e cila’’Ia vriste veshin’’dhe ia shponte zemrën nga sikleti,sepse nuk mund t’i duronte të gjitha ato prezentime aq negative në muzikë.Shpeshherë nevrikosej dhe thoshte se’’Duhej ndaluar këto këngë’’por ne i thoshim jemi në demokraci,’ babo’ ngase ia kishim dhënë epitetin dhe të gjithë e thirrnim ‘’Babë’’.Për bastardhuesit ai thoshte: Mjerisht që marrin guxim të këndojnë dhe nuk skuqen fare , bile bile edhe e quajnë veten’’Këngëtarë’’, për çka kishte të drejtë absolute, ngase vërtet shumë prej tyre na janë bërë të irituar/sidomos disa femra që me gjysmëlakuriqësinë e tyre përpiqen të na bindin se posedojnë ndonjë vlerë si këngëtare/!.
Se çfarë rëndësie të madhe kishte Xhemajl Burrniku si ‘’shahir’’, mund ta dinë vetëm të vjetrit dhe gjenerata jonë që është pak më e re se ata, të cilët patën fatin e lumtur ta përjetonin dhe ta dëgjonin këngën e tij të ëmbël dhe melodike e cila na ka mbetur në kujtesë të përhershme dhe si një jehonë e pashterrshme që kumbon e paprekur dhe e freskët në shqisat tona dëgjimore.Përkitazi me personalitetine tij muzikor, në një rast është shprehur edhe Sabri Fejzullahu/i cili ka jetuar dhe është rritur në lagjën e tij/, duke thënë se ‘’Sikur mos të ishte Xhemajl Burrniku dhe ndikimi i tij në mua, nuk do të bëhesha as unë këngëtar, ngase isha i inkurajuar prej tij’’/..
Xhemajl Burrniku e kishte pasion ta këndonte’’Vajtimin e Avdisë’’ nga ‘’Lahuta e Malcis’’, për interpretimin e të cilit në superlatv , ishte shprehun në një rast edhe Salih Krasniqi i cili kishte thënë se Xhemajli e mahniste kur këndonte për Avdi Hysën, të cilin e kishin vrarë cubat e Malit të Zi , por hakun e të cilit e kishte marrë kolosi ynë Oso Kuka/siç na përshkruan Gjergj Fishta në veprën e tij monumentale, duke e ngritur kullën e Vraninës në ajër bashkë me cubat që e kishin rrethuar atë/.Pra’’Vajtimi i Avdisë’’/nga Xhemajl Burrniku /ishte një interpretim i fuqishëm elegjiak të cilin e mbajmë në mend si një ‘’eho’’të paharruar deri në ditët e sotme, i cili të bënte kurreshtar dhe të shtynte ta dëgjoje vazhdimisht si një e arritur e lartë artstike nga një rapsod i formatit të tij.Kënga , ashtu si edhe ngjarja e njohur nga epopea e Fishtës, na shkaktonte dhembje të shumta për djaloshin e vrarë nga bandat e egra dhe mizore malazeze të cilat një ditë prej ditësh e kishin paguar shumë shtrenjtë nga Titani Oso Kuka , duke u vrarë edhe vetë me Kerni Hilën e ri dhe duke mbetur si njëri ndër rastet më të rralla të historisë botërore që kishte përjetuar një vdekje të tillë aq heroike dhe legjendare.
Mëtej duhet theksuar se përveç Avdisë, ndër personazhet e tij më të dashura ishte edhe Haxhi Gashi të cilit i këndonte me dashuri të madhe, por edhe Minirja e sëmurë nga tuberkulozi e cila kishte vdekur e re nga sëmurja e pashëruar e asaj kohe.
Ai këndonte edhe nëpër odat tona tradicionale në dasma dhe ahengje të ndryshme.Ishte i mirëpritur gjithkund dhe shpeshherë u ndihmonte njerëzve që kishin vështrësi materiale, duke mos u marrë kurrfarë shpërblimi për këngët e veta.Atij i interesonte argëtimi, gëzimi dhe mbarëvajtja e njerëzve tanë, e në asnjë mënyrë begatia personale.Ai mbeti i tillë tërë jetën , por i rrethuar gjithmonë me njerëzit e tij të dashur dhe të afërmit, të cilët kishin dëshirë që përherë t’i dëgjonin fjalët e tij filosofike, të dobishme dhe herëherë edhe profetike të cilat ua fliste të rinjve nëpër lokale të ndyshme publike.
Përveç me këngët popullore, të cilat i kishte kënduar dhe sajuar dikur Isuf Myzyri nga Elbasani, ai na mahniste edhe me këngët e ndryshme folklorike kosovare siç ishn:Kamer Loshi, Selman Kadria, Osman Pasha n’Pleme t’vogël dhe shumë të tjera.