E diele, 28.04.2024, 07:01 PM (GMT+1)

Speciale

Nikollë Kërhanaj: Historiku i shkollave të Hasit

E marte, 23.03.2010, 10:57 PM


Historiku i shkollave të Hasit

 

Zymjanët janë “nxehur” por edhe janë “djegur” nga pushtetet e ndryshme

Në këtë kronikë do të veçojmë emëra të punëtorëve të arsimit që nuk kanë humbë nga kujtesa e popullësisë në Has

 

Shkruan Nikollë Kërhanaj

nikollekerhanaj@hotmail.com

 

Padyshim se puna e punëtorëve të arsimit në procesin edukativo-arsimor duhet të lexohet së pakut në dy pamje: Pamja e parë e medaljes shënon vlerën e punës me të cilën paguhen arsimtarët, ndërsa pamja e dytë apo ajo e prapme e medaljes pasqyron personatitetin e tyre, dhe, duke vënë vulën personale, lënë gjurmë me veprimtarinë e tyre  për shoqërinë në mesin ku jetuan e vepruan, përkatësisht ku jetojnë dhe veprojnë.

Në këtë kronikë do të veçojmë emra të punëtorëve të arsimit që nuk kanë humbë nga kujtesa e popullsisë në Has.

 

Dokumenti për vendlindjen e Bogdanëve

 

Për të ardhur deri te hapja e shkollës (1949) dhe shënimi i 60-vjetorit të hapjes së shkollës (10 nëntor 2009) dhe punës së saj në Kushnin të Hasit, do të kthehemi prapa për dy shekuj e gjysmë, pikërisht te Gjon Nikollë Kazazi (1702-1752).

Ishte ky gjakovari që zbuloi “Masharin” e Gjon Buzukut. Ishte ky ai që ishte përkujdesur për kishën e “Shëne Prenës” në vendin e quajtur “Tri Rrasat”, në Kushnin. Në këtë kishë, Gjon N. Kazazi atëherë organizonte këtë rit: Organizohej darka për mbledhjen e bereqeteve ku, besimtarët luteshin me qirinj të ndezur në dorë (qirinj prej dylli që i siguronin nga rrëshina e breut në Pashtrik).

 

Gjon Nikollë Kazazi, përveç shumë vendeve tjera ku kishte shërbyer, ishte edhe kryeipeshëv i Ipeshkvisë Shkup-Prizren, që ishte e strehuar në Zym (1702-1752), të cilës i përkiste edhe Famullia e  Kabashit dhe e Kushninit. Nga ky shënim është i rëndësishëm raporti i tij dërguar Kongregatës me 24 shkurt 1750, ku përveç tjerash thuhet:  “Kryripeshkvinjtë e mëhershëm Andrejë dhe Pjetër Bogdani u linden në Has, në rrethin e ngushtë të Zymit” (dok.ACPF, SOCG, vëll.741, f.319, shkruar në Romë).

Edhe në Amzat e të lindurve, të kurorëzimeve e të vdekjeve për këto fshatra janë ruajtur në kishën e Zymit, nga viti 1842 e këndej, të tjerat më herët janë djegur.

 

Zymi celulë e pushtetit lokal

 

Duke ditur se pushteti dhe shkolla përbëjnë forcën e dijes për t’u përballuar peripecive të kohës, si për t’u ruajtur identiteti fetar e kombëtar, ashtu edhe ai familjar, u dasht që Zymi të krijojë në vete një celulë apo të bëhet strehimore e pushtetit dhe shkollës për ta mbijetuar kohën. Në vazhdën e kohës, banorët e këtij lokaliteti shpesh e përserisnin fjalën e urtë popullore se “kush është afër pushtetit nxehet por edhe digjet”, andaj edhe banorët e këtij komuniteti i kanë përjetuar të gjitha këto, duke qenë me kishën e përherëshme në qendër dhe pushtetin apo eprorin “mbikëqyrës” të përgjithëshëm i popullësisë, megjithatë, ata nuk u janë afruar për t’u “nxehë” as nuk u janë larguar për t’u “ftohur”, por kanë qëndruar në një distancë të caktuar, andaj quhen edhe “të ftohët” (gjakftohtë), si ndaj fesë ashtu edhe ndaj pushtetit.

Në përbërjen e këtij historiku të shkurtër, do të japim të dhëna për “qelulat” apo “strehimoret” e punëtorëve administrativë dhe arsimorë, që kanë banuar në shtëpitë e këtij komuniteti.

Thuhet se ushtria e Turqve të Rinj rreth vitit 1902, rrinte apo fushonte në vendin e quajtur “Fushë e Madhe” nën çadra. Paria e Zymit kishin marrë përsipër furnizimin e tyre me mish bagëtish shtëpiake, pasi që buka ishte me “ket”. Ushtarët deklaronin se në vendet tjera ku fushonin, nuk u kanë dalë në ndihmë(?). Zymjanët këtë e bënin për humanitet e solidaritet, duke thënë se buka “ose të vret ose të shpëton”.

Në vitin 1912/13, detyrën e mësuesit e kryente shkodrani Franë Gaspër Lufi (i cili e mbante edhe nënën e vet që e quanin halla Nine, që rrinte në shtëpinë e Hilë Lazër Prekpalajt e pastaj të Frrok Gegë Kolëgjerajt - Berishës).

Në vitin 1914 e 15, në shtëpinë e Tomë Lukë Lumezit u vendos postkomanda e Austro-Hungarisë për rajonin e Hasit, prej nga ka kaluar në Zhur, në të cilën administratë punonte Pal Lumezi (me prejardhje nga Zymi), i cili kryente edhe detyrën e mësuesit në shkollën shqipe. Meqenëse përmes kësaj kronike po bëjmë një shtegtim në historikun e gjatë të shkollës shqipe dhe mësuesëve të saj, njëherit kemë për qëllim që të bëjmë publike edhe njërën prej karakteristikave më tipike që kanë bërë dhe lënë mbresa kujtimesh në këto mese, të cilat përcjellen me gojë nëpër breze dhe vazhdojnë të bëhen “hite”. Për këtë do të përmendim se kishte qenë mësues serioz, i ashpër por që e quanin me epitetin “babë i historisë” si dhe astronom. Asokohe, vajzat që ndiqnin mësimin në shtëpinë e Gegë Nokë Prekpalajt, me të cilat punonte më shumë shoqja e tij, Gjyste Dedë Gjevelekaj -  Lumezi (vajzat e quanin: halla Gjyste), e çmonin për edukatore të mirë për amvisni dhe punëdore, sepse i përgatiste, i mësonte dhe i ushtronte vajzat për qëndisje dhe punë në vek (vegjë, avlëmend, tezgjah).

 

Ministria Austro-Hungareze paguan qira për shkollën në Zym

 

Ndërkohë, kishin organizuar një ekskursion njëditësh me Balë Zefin, me dy kuaj, pra së bashku me Pal Shkollarin për të vizituar gjithë pasurinë tokësore të tij që kishte në Zym, Tërravë të Pulës, Mulli të Vakëfit, Ramajë, Lukini, Krushë të Vogël, Piranë e gjetiu. Me t’u këthyer në Zym, Balë Zefi e pyet Pal Shkollarin për përshtypjet e tij dhe vlerën e përgjithëshme të kësaj pasurie të patundëshme, duke shtuar se ka një furrë buke edhe në Nish. Pal Shkollari e nxjerr lapsin nga xhepi e i përgjigjet: “Gjithë atë çka pashë e vërejta për një ditë udhëtim, nuk e ndërroj me lapsin tim”, ndaj edhe mbeti thënia: “Pasuria e Bal Zefit-sa lapsi i Pal Shkollarit”.

Po në të njejtën shtëpi-shkollë, me dekretin (nr. 320/2 të datës 9 nëntor 1917) të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, rekomandohet që shkolla në Zym të vazhdojë punën, të paguhet qeraja për shtëpinë-shkollë, si dhe për mësuesin e emëruan  Nokë (Ndue) Tupecin. Për mësimin që mbahej në dy shtëpia-shkolla (të Tomë L. Lumezit e të Hilë Lazrit), u pagua qeraja, kurse mëpastaj shkolla kaloi në një objekt të vaçantë, në oborrin e kishës dhe se qeraja prej 168 koronësh për një vit, iu pagua prej 1 tetor 1917 deri më 30 shtator 1918, për të vazhduar deri në vitin 1921, ndërsa drejtor shkolle ishte  emëruan famullitari i vendit patër Marjan Prëla.

Në vitin 1925/6 në katin e dytë të shtëpisë së Gjekë Tunë Kërhanajt, u vendos stacioni i xhandarmërisë së SKS-së (ndërsa familja e tij rrinte në katin e parë), me një minipushtet, ku qëndruan deri në sigurimin e objektit tjetër të pavarur. Në vitin 1925/6, në shtëpinë e Ndue Kërhanajt u hap dhe u vendos shkolla (parashkollorja), në të cilën shtëpi banonte edhe një mësues me bashkëshorten, që të dy nga Leskovci, që banonin në këtë shtëpi, pasi që një pjesë e kësaj familje filloi të dislokohej në lagjen Berishë.

 

Shkolla shqipe në Zym e dekretuar nga Ministria e Arsimit të Mbretërisë Shqiptare

 

Me ndërprerjen e shkollës në gjuhën serbe, në vitin 1939/40, nga Ministria e Arsimit të Mbretërisë Shqiptare të Tiranës, u lëshua Dekreti nr. 223/09.I./41 për t’u hapur shkollat në gjuhë shqipe.

Asokohe, në shtëpinë e Hilë Lazër Prekpalajt, ndërmjet viteve 1928/33, shkolla kaloi atje ku edhe ishte një pjesë e pushtetit (njëherit edhe burgu) të Rrethit të Hasit. Në atë situatë  e pështjellim të pushtetit, filluan peripecitë e kundërshtimet e pushtetit me patër Shtjefën Gjeçovin, deri në likuidimin e tij, më 14 tetor 1929, në vedin e quajtur Rrezinë të Zymit.

Në kohën e lirisë së artë (1941/44) dhoma e Simon Noc Pecollajt u bë çerdhe e strehimit, në rend të parë e mësuesëve të asaj kohe, si të Nikollë Prekë Veselit, Prekë Mirëditës e më vonë të Matejë Rodiqit etj., por edhe në shtëpitë e Lazër Sebë Prekpalajt. Duhet përmendur se në Dhomën e Burrave të Simon N. Pecollajt ishte mbajtur, përveç tjerësh, edhe takimi i Shtabit të Marije Shllakut me shokë. Po në këtë shtëpi janë takuar dhe kanë bërë konak edhe shumë personalitete të Lëvizjes N.Ç., grupe Ballistësh e në mes tyre edhe Perlat Gjoleka, por edhe në familjet tjera, të cilin e likuidoi OZN-a në vitin 1946.

Me ndërprerjen e shkollës në gjuhën serbe, në vitin 1939/40, nga Ministria e Arsimit të Mbretërisë Shqiptare të Tiranës, u lëshua Dekreti nr. 223/09.I./41 për t’u hapur shkollat në gjuhë shqipe. Në Zym mësimin e filloi mësuesi Nikollë Prekë Veseli (i cili edhe u bë dhëndërr i Zymit) në vitin shkollor 1941/42. Këtë e dëshmojnë ditarët dhe Verbali i Inspektimit nga Ministria e Arsimit të Mbretërisë Shqiptare, nr.1, datë 18 qershor 1942, përpiluar e nënshkruar nga inspektori Beqir Spahiu. Dhe, nga ky vit, shkolla nuk ka bërë ndërprerje, ndërsa kuadri arsimor ka banuar sa në një familje në tjetrën, por edhe në vetë objektin e shkollës së Zymit.

 

Sebë Matejë Rodiqi (1923-1949)

 

Banorët e Zymit, kolegët e tij dhe nxënësit, e kishin një mirëkuptim ndaj tij për shumë aspekte. Banonte te Simon Pecollaj (në Lagjen Berishë). Ai në  Zym rrinte e shoqërohej kryesisht me anëtarët e “Ballit…” nga kjo edhe thuhej se është mbushur me “mëkate” e “Faje politike”(?), andaj edhe disa njerëz shprehnin rezervë ndaj tij. Ishte situata kur mësuesit shqiptarë ishin nën përcjelljen e vazhdueshme të OZN-ës, megjithëse, shqiptarët ndiqeshin edhe ndërmjet vete…

Në përcjelljen e gjykimit të grupit të Marije Shllakut ishin të pranishëm edhe disa zymjanë, të cilët kur vërejtën se në këtë gjykim ishte edhe mësuesi Matejë, menjëherë u kujtohen fjalët: për - “Faje politike”?

 

Fehmi Sinella (1923)

 

Ishte dhe mbetet figurë apo personalitet i përsorur në kujtimet e nxënësvet për inskenimin e skeçeve e të dramave, që i bënte në një dhomë mësimi të shndërruar në teatër. Çka është edhe më me rëndësi, se ai ishte ndër shkrimtarët e bashkëpunëtorët e revistave letrare e kulturore të viteve 1948 e ‘49. Nga përshtypjet që ka lënë, shumë nxënës të tij e kanë vizituar edhe Kavajën (ku jeton), si Tomë Filip Lekaj, Azem e Ramë Çollaku, Ndrekë Mark Kajtazi, Nikollë Kërhanaj (autor i shkrimit), si dhe të tjerë nga Kosova si: Bajram Shatri, Ismail e Riza Gashi e Qerim Gashi, Isuf Talaku, Daut Krasniqi, nga Universiteti i Kosovës, etj. Ai, Fehmi Sinella, ka në dorëshkrim një roman autobiografik për kohën kur ka shërbyer në Kosovë me titull “Kur më, kur?”, të cilin roman me këmbëngulësi dëshiron ta botojë në Kosovë, por ende nuk ka kush ta merr mbi vete nismën e sponzorimin.

 

Haxhi  Krasniqi (1928-2002)

 

Ishte arsimtar i gjuhës shqipe, njëherit edhe drejtor shkolle mdërmjet viteve 1950/53. Ishte i dashur si për nxënës ashtu edhe për banorët e Zymit dhe të Hasit në përgjithësi dhe njihej si mbledhës i zellshëm i folklorit popullor. Bisedën e parë që e hapte e fillonte me fjalë të urta popullore, siç thotë populli, si dhe ai vetë: “qit një kashtë, e dalin gjashtë”.

Arsimtarin Haxhi e kujtojnë edhe për shprehjet frazeologjike-humoristike, fjalë të urta e që në fillim të bisedës shprehej: ”Po pijmë kafe e po bëjmë llafe”, pastaj me “Xumpa-xumpa”; “Tra-la-la”, “Halla Nepë”, “Ditët e javës”, “Kash’e lash e t’thash’e t’thana e rrokopendla”, etj.

Nga këto rezulton se ishte personalitet i afërt dhe i këndshëm si për nxënës, për arsimtarë e për vendas, ndaj ku jetonte e punonte gëzonte rrespekt.

 

Planejë

 

Në mesin e arsimtarëve që kanë lënë gjurmë e kujtime të pashlyeshme ndër vitët 1946/47 në Planejë, padyshim se është Matejë K. Rodiqi, i cili me kënaqësinë më të madhe bashkëpunonte me prindërit e nxënësve dhe banorët tjerë të fshatit. Të gjithë flisnin fjalë të mira për mësuesin-qytetar, siç e quanin atëherë. Edhe diçka: Aty, pranë lagjës Shehu gjendej një fushëgropë e vogël (hurdhë) në formë rrethi, e cila përfundonte me një fushë  të blertë që quhet “Kërkele”.

Mësuesi Matejë, me të gjithë nxënësit e shkollës, kishin marrur një aksion për pastrimin e rrethit të hurdhës nga shkurrat, therrat, kaçat, manëzat e bimët tjera dushku që kishin kapluar atë “krater”. Me të pastruar, gropa mori pamje të bukur, me një fushë të ulët në rrafsh, në formë rrethore në thellësi me bar ndërsa përreth me gurë të renditur në formë shkallësh.

Me të rregulluar fushëgropën, ajo mori pamjen e një amfiteatri të cilën mësuesi Matejë e shfrytëzonte për realizimin e orëve mësimore të lendëve të shkathësisë, kryesisht për: arsim teknik (punë dore), edukatë fizike (fiskulturë), art figurativ (vizatim), muzikë e aktivitete tjera shkollore.

Dhe, këndo ta pyesnim për punëtorët e vjetër, padyshim se që në fillim të bisedës do ta veçonin mësuesin Matejë, i cili kishte formuar një amfiteatër natyral për aktivitetet e nxënësve por edhe për takime tjera të të rinjëve.

Kjo Hurdhë, që më parë quhej “Kërkelja e Shehëve” që nga ajo kohë filloi të quhet “Teatri i Matejës”, “Teatri i mësuesit Matejë” ose “Kërkelja e mësuesit Matejë”.

Ishte pra kjo një parandjenjë apo një prirje e mësuesit për art që mëtej mësuesi Matejë do të studiojë dhe kryej Akademinë e Artit Aplikativ, i cili gjatë karrierës së vet hapi shumë ekspozita figurative.

 

Në vend të përfundimit

 

Kjo kronikë në shikim të parë do të duket si “dokrra”, por shikuar më në thllësi është ndihmesë që do të shënojë hapat e parë e vendimtar të bërë në trasimin e rrugës për historikun e dritës, e të diturisë së shkollës në një pjesë të rajonit të Hasit.

Poashtu, do të shërbejë si udhërrëfim, sepse ky brum është i dobishëm për monografi si të emrave që përmenden në këtë shkrim publicistik, ashtu edhe për shkollat për t’i inkorporuar e kompletuar me të dhëna të nevojëshme.

Është me rëndësi se për shkollën shqipe në Has ekzistojnë dy periudha të lulëzimit: I. Periudha e viteve 1915-1918 dhe II. Periudha e viteve 1941-1944, si dhe periudha e tashme që po vazhdojnë.



(Vota: 3 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora