E diele, 28.04.2024, 10:15 AM (GMT+1)

Speciale

Broz Simoni: Shqipëria Etnike dhe padronët komunistë ateistë

E shtune, 13.03.2010, 10:58 PM


Shqipëria Etnike dhe padronët komunistë ateistë 
 
Nga Broz Simoni

Çlirimi i Shqipërisë e gjeti vendin tonë të zhvilluar në të gjitha fushat e artit dhe të kulturës, si letërsi shqipe e të përkthyer në të tëra llojet e gjinive letrare. E gjeti me teatër, muzikë e kinematografi, folklor, gjuhësi, etnografi, filateli. E gjeti me biblioteka me literaturë të pasur vendase dhe të përkthyer nga kreyveprat e letërsisë botërore, posaçërisht evropiane perëndimre dhe muzeume arkeologjike nga më të pasurit. Kishim pra një kulturë brilante.
Në të gjithë këto lloje arti e kulture, një meritë të padiskutueshme, për të mos thënë parësore e pati kleri katolik, veçanërisht ai i Shkodrës. Në qoftë se qytetin më verior të Atdheut, Shkodrën, e quajnë dhe është djepi i kulturës shqiptare, vulë të pashlyeshme në shekuj kanë për të pasur klerikët katolikë. As servili më profan s'mundtë belbëzojë të kundërtën. "Janë klerikët ata që vazhdonin të zhvillonin edhe në fushën letraro - pedagogjike një veprimtari të dendur përmes shkollave fetare, të ulëta dhe të mesme, si ajo e Jezuitëve me 1887 dhe ajo e Françeskanëve me 1882".
"Kushdo që e njef historinë e Krishtënimit në Shqipëri, - shkruan z. Sami Repishti, me banim në SH.B.A. - dhe rolin që ka luejtë popullsia e Kleri Katolik në vendin tonë që nga zanafilla..., arrin përfundimin e paevitueshëm se çdo gja që ka të bajë me Shqipninë dhe mbijetesën e popullit Shqiptar, mban në bërthamën e vet elementin Shqiptar Katolik. Aty u ruajt gjuha shqipe, aty u mbrojt toka shqiptare, aty u majtën lidhjet e pandërpreme me Europën". Po ç'qëndrim mbajti ndaj kësaj trashëgimije të pasur kulturore e klerit katolik pushteti?
Filloi shkatërrimet me kulm e themel të objekteve kulturore që u përkisnin françeskanëve e jezuitëve, sepse, sipas tyre, do të "helmonin" mendjet e të rinjve të dalë nga lufta dhe brezit të ardhshëm revolucionar.
Në një shkrim të Lame Kodrës, pseudonim i Sejfulla Malëshovës, lexojmë: "Kam dëgjuar se në disa rrethe (intelektualësh B.S.) ka tendenca që Faik Konica e Fishta të fshihen fare nga defteri... Faik Konica, Fan Noli dhe Fishta janë fytyrat më të mëdha të Shqipërisë në fushën e kulturës". Për këtë thënie të ish ministrit të parë të kulturës shqiptare të cilin më vonë diktatura e la në hije, në "Historinë e Letërsisë Shqiptare të Realizmit Socialist" shkruhet: "S. Malëshova ishte për integrimin e kulturës antipopullore çifligaro - borgjeze në kulturën e re. Letrarët reaksionarë, si: Gj. Fishta, F. Konica etj., ai i vinte barabar përsa i përket rëndësisë për Shqipërinë socialiste...
Dhe dihet si u veprua nga filokomunistët injorantë me eshtrat e Fishtës, të cilat ia zhvarrosën për t'ia hedhur në lumin Drin. Ky veprim makabër sllavo - bizantino - komunist nxiti poeten Tringë Dukagjini që në dhe të huaj, Itali, të shkruajë vargjet:
"Kur të varrosën / edhe gurët kjanë /. Kur të zhvarrosën, / të shkelën e të shanë. / Eshtrat rrugicave, prap i gëlltiti dheu, / dhe ti mbete pa varr, si Skënderbeu."
Citojmë nga shkrimi i profesor Sami Repishtit, i cili konkludon: "Kleri shqiptar katolik asht grupi fetar ma i persekutuem në tanë Europën Lindore. Kleri Katolik ka qenë i vetmi grup i caktuem "Për Asgjësim" nga kriminelët e rregjimit komunist dhe në një masë të madhe ia ka mrritë qëllimit. Ata kanë njoftë për së afërmi jetën dhe vuejtjet e Klerit e popullsisë Shqiptare Katolike, ashtu si e kam jetue unë vetë për vite tëgjata në Shqipëri, kanë krijue përshtypjen e pashlyeshme se rrezistenca antikomuniste në Shqipni ka qenë ma e ndërgjegjshme, ma masive dhe ma pa kompromis në mesin e kësaj popullsie, viktimë e terrorit të kuq." 
*** 
Në letërsinë e "realizmit" socialist vërshuan krijues pa kurrfarë përvoje letrare, mjaftonte të kishin kohë për të zhgarravitur e librat u botoheshin si specat në varg për tu vendosur pastaj nëpër vatrat e kulturës të kooperativave bujqësore, salla leximi reparteve ushtarake, biblioteka të shkollave 8 -vjeçare e të mesme. Shumica prej tyre mbetën stoqe, pa iu lexuar asnjë faqe. Kjo letërsi ishte uniforme, sikur i kishte shkruar një dorë, mjaftonte që ideologjia e partisë dhe "mësimet" e Enver Hoxhës ta përshkonin si "një fill i kuq".
Në një këso librash shkruhej: "Ne s'kemi hall për tokën dhe për mollët, / (Ti Qazo, këtë mirë le ta dish) / Ne duam trutë e zemrat të shartojmë / , në trungun e përbashkët socialist."
Në këtë amalgamë krijimesh bën pjesë edhe libri "Akuzojmë fenë" i Hulusi Hakos që po marrim në analizë, faqet e të cilit mund të jenë shfletura nga ndonjë komisar politik në reparte ushtarake për t'u lexuar rekrutëve të rinj në të ashtuquajturën "orë e punës politike", ose sekretar partie për t'u bërë edukimin "ateist" masave.
Ky librë është botuar pas fjalimit të Luciferrit Enver Hoxha me 6 shkurt 1967. Është një "prozë dokumentare" ku janë montuar materiale të gjuajtura në arkivin e Ministrisë së Brendshme ose të fallsifikuara nga vetë autori. Faqja tre e këtij libri hapet me një citat të K. Marksit: "Braktisja e fesë si një lumturi e rreme e popullit, ishte kërkesa e lumturisë së tij të vërtetë." "Këtë libër "akuzues të fesë" thotë autori se ia kushton rinisë të shkollës së mesme, "N. Frashëri", Durrës. Kuptohet, që këtë dhuratë pa vlerë, ia kushton asaj rinie të pashpresë që për pesëdhjetë vjet nuk mundi të shohë gjë përtej hundës së vet në Shqipërinë - burg, rrethuar me tela me gjemba.
Libri është mbushur me citate tashmë të dalura jashtë kohe, të bracuara nëpër veprat e pluhurosura të marksizëm - leninizmit e thënie të ish - diktatorit. Nëprë faqet e tij, si të kishte dalë nga fundi i ferrit dantesk, shprehet një urrejtje biologjike e mllef mesjetaro - bizantin ndaj klerikëve katolikë, duke i quajtur "veladonzez", të lidhur me gjithfarë armiqsh imagjinar, të fabrikuar me urdhër nga lart dhe të "pasuruara" nga imagjinata e shpërlarë ateiste e autorit. Ky i fajëson klerikët për faje të pabëra, vetëm se ashtu i është mbushur mendja, si: për prapambetjen e gruas shqiptare, të cilën e la të mbuluar e të mbështjellë në branavekë për pesëqind vjet pushtim turk, të cilës diktatura i zhduku rrobën kombëtare dhe i veshi një palë pantallona gjoja se po e "emancipon", mashtron për priftërinjë që gjoja u kërkojnë besimtarëve nga një kokë berre (dele) për ditën e pranverës, për priftërinj që mbajnë ditar vetiak për poshtrësirat që bëjnë si puna e priftit të Kërcinajt në rrethin e Mirditës që shënon, gjithnjë sipas autorit: "10 korrik 1954; 10 babune drith; 31 dhjetor 1954; shuma në arkë 27 985, mirëfort prej zotit..."
Ndërsa me 30 maj 1956, (me siguri "dejshëm" prifti i atij fshati me emër qesharak B.S.) në ditar shënon: "Pagëzova 16 fëmijë, 17 gra në uratë, bekova 260 shtëpi, kungova 172 vetë, por me u shpërblye u shpërbleva pak..." Sipas autorit, të gjithë këtë volum pune prifti e ka bërë brenda një dite. Kësaj i thonë: Shpif, shpif, se diçka mbetet: Të mos kishte qenë prifti, autori, bashkë me shokë, do ta kishte shpallur "Hero të punës socialiste". "Akuzojmë fenë për rolin reaksionar... kuhndër lëvizjes punëtore, kundër demokracisë, paqes së vërtetë dhe socializmit", - përfundon kapitullin e parë akuzuesi.
Në të vërtetë Marksi në "Manifestin komunist" të vitit 1848 u bënte thirrje punëtorëve që të këpusin zinxhirët e robërisë së tyre, por Daniel Robs në "Historinë e Kishës" shkruan se qysh në vitin 1822 (d.m.th. 26 vjet para Marksit B.S.), prifti Lemenais, në dy artikuj, (nënvizimi im), të botuar në "Kujtime të përtej varrit", duke u nisur nga vizioni kristian i shoqërisë... qenë ndër të parët që filluan trajtimin e çështjeve shoqërore. Në vitin 1931, me rastin e 40 - vjetorit të shpalljes së "Rerum NOvarum",Papa Piu XI botoi enciklikën e vet me temë shoqërore të titulluar "Viti 40". Aty trajtoheshin çështje shoqërore në relacion me situatat e reja të krijuara në botë..., por gjithmonë duke marrë si orientim ato që ishin thënë në Enciklikën e Leonit XIII. "Komunizmi, - thekson Papa Piu XI, - është për zhdukjen e plotë të pronës private, zbaton në formën më të egër luftën e klasave dhe është armik i betuar i Zotit dhe i kishës".
Philipe Bucher, në vitin 1829, nëntëmbëdhjetë vjet para Marksit, në emër të parimeve të krishtera, kritikoi rreptë rendin shoqëror të kohës, padrejtësitë, skandalet duke ia kaluar për rreptësi edhe shpirtit luftarak të Marksit. "Feja dhe traditat e përhapura më pas, - shkruan autori, - nuk ishin në gjendje të zhduknin krejtësisht të parat".
Ai, pa dashje, pohon një të vërtetë të padiskutueshme. Tingëllon si paradoksale dhe ishte një nismë donkishoteske e regjimit komunist që festat fetare, si të Krishtlindjeve, Pashkëve, Bajramit, ditëve të shenjtorëve etj, t'i zëvendësonte me hije festash të improvizuara në tavolina heretikësh ku me marrëveshje "unanime", nga frika e njëri - tjetrit, vendosej të festoheshin Dita e formimit të Partisë Komuniste, Revolucioni Socialist i Tetorit, ditëlindja e E. Hoxhës, dita e formimit të kooperativës bujqësore, e shumë marrina të tjera.
Një kapitull në vete në librin prej 179 faqesh "Akuzojmë fenë", zë edhe ky "zbulim". "Feja vegël e pushtuesve, e politikës së tyre reaksionare të armiqve të kombit tonë".
Që fenë e krishterë nuk e solli asnjë pushtues, kjo dihet. Ajo i ka rrënjët në Shqipëri që në fillimet e lulëzimit të saj në Evropë. Rreth vitit 61 pas Krishtit, Shën Pali Apostull, erdhi edhe në Iliri (Durrës) për të përhapur e propaganduar fenë e re të krishtërimit. Ai nuk ishte pushtues, por dëshmues i një feje të vërtetë.
Ismail Kadare shkruan: "Për një habi të pashpjegueshme qartë, dy nga popujt më të moçëm e kokëshkretë të rajonit, shqiptarët në Veri dhe kretasit në Jug bënë kthimet e para në fenë islamike... Askush s'mund të shpjegojë gjer në fund enigmën". Askund Kadareja nuk thotë se pushtuesit turq erdhën në Shqipëri. Historikisht shqiptarët janë autoktonë në trojet e tyre pagane. Konvertimet në fe të tjera i kanë bërë vullnetarisht, sipas preferencave. Në fund të fundit fakti është se janë bërë.
G. Kastelan, në "Historia e Ballkanit", shkruan: "Pati në fillim vendosje kolonësh nga Anadolli... këta turq ishin myslimanë. Por pati edhe konvertime shqiptarësh... të cilët udhëtarët i cilësonin si "turq" dhe që silleshin shpesh si të tillë..., sepse besnikëria e tyre ndaj Islamit kishte bërë që të zhdukej tek ata përkatësia në grupe kombëtare."
Nga të parët tanë ne trashëgojmë cilësi pozitve dhe negative të cilat ua lëmë si atavizma pasardhësve.
Poeti i Rilindjes sonë kombëtare, N. Frashëri thotë:
Mos thuaj se vdes njeriu,
Se është fjalë çilimiu,
Tek i biri jetëgjati
Është fshehur i ati.
Kjo thënie e poetit iluminist po shihet fare qartë tek qëndrimet që millosheviqët e rinj, trashëgimtar të karaxhiqëve po mbajnë ndaj vëllezërve tanë të një gjaku, kosovarëve.
Ashtu si autori akuzues hulumtoi në Arkivat e shtetit dhe i shfrytëzoi ato dokumente për të vjellur vrerë ndaj klerikëve katolikë, edhe zhbirilues të tjerë, për hir të së vërtetës, gërmojnë në fondin e Shtabit të Përgjithshëm për të pasqyruar saktësisht atë që përgojohet ndaj brigatave të ushtrisë nacional - çlirimtare në Kosovë. Citojmë dosjen 447, Fondi i Shtabit të Përgjithshëm, Brigada e Pestë dhe e gjashtë, komisar Ramiz Alia: "Në bashkëpunim me divizionin e tretë e të njëzetedytë Jugosllav, pasi këta na komunikuan urdhërin... vumë në ndjekje të reaksionarëve kosovarë Brigadën e 5 - të (Shevqet Peçin)... Janë asgjësuar 68 "reaksionarë". Pastaj si i mblodhën qindra kosovarë, i mashtruan gjoja se do t'i çonin në "shtetin amë". I tutën pak, i drejtuan nga Shkodra, pastaj i ngjitën prap lart me tortura, i vranë udhës e në Tivar..."
Kësaj i thonë të tradhëtosh e shesësh interesat kombëtare te armiku shekullor serb e jo të akuzohen klerikët katolikë që në unitet predikuan e u përpoqën për një Shqipëri Etnike. Autorit nuk i ka pëlqyer ose ka qenë i udhëzuar të mos ballafaqojë të vërtetën, përkundrazi e ka shtrembëruar atë për t'ua bërë qejfin padronëve komunistë.
Një mendimtar i madh ka thënë: "Kush nuk do të arsyetojë, është një fanatik, kush nuk di të arsyetojë, është njeri i marrë, kush nuk do të arsyetojë, është një skllav."
Ata që kanë bërë historinë sikur futen tek skllevërit.
Nuk ka si të jetë në shërbim të armiqve një klerik katolik që jep kushtrimin: "Çohi, o bij të Skënderbegut, / turq e t'kshtenë, mos t'u ndajë feja! / Çohi e bini në fushë t'bejlegut, / tue gjimue ju porsi rr'feja."
Ishin klerikët katolikë që ngritën zërin lart nëprë diplomacitë e Evropës dhe kryengritjet e parreshtura të popullit shqiptar që e detyruan diplomacinë evropiane t'i vërë gishtin kokës e ta shpallë Shqipërinë të pavarur. Ishte një smirë e diktaturës për klerikët, të cilët kishin bërë shumë më tepër për Atdheun me motivin "Fe e Atdhe" se sa pushtetmbajtësit e rinj.
Gjusti thotë: "Smira është vesi më i prapë, më i turpshëm që ndyn zemrën njerëzore. Smirëziu, duke e parë veten më poshtë se të tjerët e duke mos pasur cilësi për t'u lartësuar, si dëshiron, jeton në një luftë të përhershme me veten e të tjerët."
Citojmë: "postulatin" refren të paprovuar as nga autori akuzues, as nga paraardhësit e tij, dishepull i të cilëve është: "Një nga krerët më reaksionarë të katolicizmit, Gj. Fishta që në vitin 1933 në Hagë do të deklaronte: "E ta dijë bota mbarë se At Fishta s'asht ma shqiptar". Për këtë thënie të Fishtës që gjoja e paska shprehur në Hagë, akuzuesi sqaron në shënimet e tij se e paska marrë nga libri "Historia e Shqipërisë së Re", f. 11, me autor N. Ivanaj. Kjo akuzë një refren i paskrupull i kalemxhinjëve të diktaturës, i ngjan asaj këpuce shkarpë të hedhur në mes të rrugës si e pavlerë,të cilën e kap një qen, e zhungullon dhe duke e kuptuar se është e pavlershme, e hedh pak më larg për ta kapur ndonjë qen tjetër i uritur... Me sa kuptohet, akuzuesi nuk ka njohur ose nuk ka dashur ta dijë një polemikë të Fishtës me M. Ivanaj, ish Ministër i Arsimit në Qeverinë e Zogut, pas Hilë Mosit, për çështjen e mbylljes së të gjitha shkollave private me një dekret të datës 23 prill 1933, ku thuhej: "Shkollat private, çdo kategori qofshin, që kanë veprue deri sot, mbyllen." Shkolla e pater Gjergjit u mbyll dy ditë pas daljes së dekretit, me 25 prill 1933. Fishta përlotshëm tha: "Shqipnia le të rrnojë edhe pa ne".
Me atë dekret u mbyllën edhe shkolla të tjera private, si shkollat private industriale të italianëve, shkollat katolike të Shkodrës, Instituti Qirias, Instituti Kenedy, shkollat e komunitetit muhamedan, etj.
Për sa i përket vargut që cituam më lart, ai është shkëputur nga konteksti i poezisë "Metamorfoza", një poezi satirike botuar në përmbledhjen e stirave të Fishtës "Anzat e Parnasit", botuar në vitin 1909. Komentet e atij vargu janë bërë nga studiues seriozë të jetës e veprës së Fishtës dhe nuk kemi ç'të shtojmë më tej. Por duam të theksojmë se me atë varg, smirëzinjtë janë përpjekur të shpifin e spekullojnë për të zhvlerësuar meritat e Fishtës si atdhetar, i cili vikat: "Urra!, po djelm! Shqyptar kushdo ka le. / N'mos mujtet Shqyptar me metë, Shqyptar t'hijë n'dhe!" Ne, kur flasim për jetën e Fishtës duhet ta kuptojmë se flasim për jetën e Shqipërisë.
Autori, faqe pas faqeje, duke shfrytëzuar Arkivin e Shtetit (Fondi i Klerit), me pikësynim që të rëndojë sa më shumë klerikët, për qëndrimin e tyre antikomunist, citon nga dokumentat e më sipërm: "Klerikët tradhëtarë shfrynin: "Mallkuar qofshin komunizmi dhe partizanët!..., u bënin thirrje besimtarëve për t'u ngritur në luftë..."
Nuk ka si u bëhet më nder klerikëve katolikë, të cilët i bënin thirrje popullit të ngrihej në luftë kundër komunizmit. Ata e dinin shumë mirë se ç'farë e keqe e "dreq i kuq", si e vulos Fishta, ishte komunizmi, metastazat e të cilit kishin filluar të përhapeshin edhe në Shqipëri, si në mbarë Evropën. Në revistën "Hylli i Dritës", organ i klerit katolik që e drejtonte Fishta lexojmë: "Ndodhitë e Spanjës dëftojnë shka asht bolshevizmi: nji rregjim rrënimi, shkatërrimi e gjaksish...". Priftërinjtë ishin të ndërgjegjshëm se retë e zeza të komunizmit të kuq do të mbulonin qiellin shqiptar dhe se viktimat e para do të ishin klerikët katolikë. Dhe vërtetë, për atë që kishin frikë, ajo i gjeti. Filluan menjëherë pas çlirimit arrestimet e pushkatimet në masë të gjerë.
Kur u pushkatua Pater Anton Harapi, Enveri, për servilizëm, i thotë ambasadorit jugosllav në Tiranë: "E pushkatuam Pater Anton Harapin". "Ambasadori i përgjigjet se të gjithë klerikët katolikë janë pater Anton Harapë, prandaj duhen zhdukur."
Përmes këtij dialogu kuptojmë se çdo udhëzim për eleminimin e klerikëve diktohej nga udbashët jugosllavë. Komunizmi, i ulur këmbëkryq në Shqipëri, ishte një rregjim gjaku e urie, i bazuar në gënjeshtra e terror. Një diktator ka htënë për një diktaturë më të egër se e vetja: "Komunizmi është një organizm i çorganizuar në mënyrën më të përsosur dhe nuk është gjë tjetër veçse personifikim i degjenerimit njerëzor".
Akuzuesi orvatet të trajtojë edhe çështje e edukatës në të cilën ndikon feja, kuptohet, për keq. Ai shkruan: "... kur feja lindi dhe vuri dorë edhe në edukatën morale, këtu ajo ka luajtur rolin më shkatërrimtar dhe reaksionar". Është një shpifje e paskrupullt. A është feja ajo që jep një edukim të shëndoshë moral a s'është asnjë lloj shkolle, e aq më pak shkolla jonë e revolucionarizuar që e mbështeste edukatën në mësimet e m - l, të partisë e të E. Hoxhës. Tek fëmijët jepej një edukatë fallco që nuk zuri fare rrënjë tek shoqëria. Moralizime të tilla të thata, si: "të vëmë interesin e përgjithshëm mbi atë personal, prona e përbashkët socialiste është e shenjtë, partia nëna jonë, ishin vetëm një çorientim i fëmijëve për të cilat ato nuk u ndërgjegjësuan asnjëherë. Prona e përbashkët, jo vetëm që nuk u arrit të quhej e shenjtë, por përkundrazi u shpërdorua duke filluar nga masat e rrënuara punëtore e fshatare e deri tek krerët e lartë të pushtetit njeringrënës. Duke hequr edukatën fetare të fëmijëve, u zhduk ajo ndjenjë njerëzore që jepej në familje: Mos e bëj, se është gjynah". U zhduk humanizmi njerëzor dhe u zëvendësua me humanizmin e përgjithshëm proletar, pa adresë të dashurisë për sllavë, rusë e kinezë...
George Kastelan, në librin "Historia e Ballkanit", shkruan: "Edhe ikja dramatike e shqiptarëve 14 - vjeçarë, që donin të shihnin dritat e Brindisit, treguan jo vetëm mangësitë e edukimit në familje, por edhe dështimin e plotë të formimit ideologjik të të rinjve të Enver Hoxhës."
Si mund të edukohet keq moralisht një fëmijë me mësimet e fesë së krishterë kur niset nga këto parime morale: 
"O Zot, më bëj vegël të paqes sate,
Ku është mëria, të sjell dashurinë,
Ku është fyerja, të sjell faljen,
Ku është përçarja, të sjell mirëkuptimin,
Ku është mashtrimi, të sjell të vërtetën,
Ku është dyshimi, të sjell besimin,
Ku është dëshpërimi, të sjell shpresën,
Ku është terri, të sjell dritën,
Ku është pikëllimi, të sjell gëzimin".
(Urata e Shën Françeskut) 
Papa Wojtila, Gjon Pali i Dytë predikon:
"Ideologjia marksiste dhe shthurja morale kanë ndikuar që disa njerëz të mendojnë që të ndërtojnë një shoqëri më të mirë pa Zotin, por përvoja na mëson se shoqëria pa Zot zvetënohet e njeriut i hiqet gjëja më e shtrenjtë." Libri "Akuzojmë fenë", ka një kapitull, i parafundit, që titullohet: "Viti 1967". Në "kokë" citatin: "Revolucioni përmbys një botë të tërë, dhe jo më një traditë" (E. Hoxha. 22).
I gjithë ky kapitull është mbushur me "heroizmat" e rinisë "që me duart e saj prishi kishat dhe xhamitë" dhe i ktheu, kuptohet, me urdhër të partisë, në palestra sporti e salla kinemaje. Shteti i diktaturës së proletariatit nga ky vit e pas, vazhdoi jo akuzat, por një shfarosje totale të klerikëve. Në Shqipëri u ringjall një Holokaust tjetër ndaj tyre, pa i lënë gjë mangut atij të Hitlerit ndaj hebrenjve. Emrat e klerikëve katolikë të terrorizuar, varë e pushkatuar me gjyq e pa gjyq, gjenden në gazetat "Liria" e "Kushtrimi" të vitit 1992 dhe më hollësisht në librin e dr. Pjetër Pepës, "Viktimat e Diktaturës", "Portrete Klerikësh Katolikë" të ipeshkvit të Shkodrës, dom Zef Simonit, etj.
"Viti 1967 do të hyjë në historinë e sotme të Shqipërisë si vit i vendimeve dhe zhvillimeve katastrofike për kulturën shqipëtare, ideologjinë shoqërore dhe prangat shpirtërore që i vuri trurit të kombit".
Pikat kulmore të luftës kundër klerit janë vitet 1944 - 1946 sipas udhëzimeve të jugosllavëve dhe 1967 - 1968, sipas shembullit të revolucionit kinez. As sundimtarët e egjër turq nuk i rrafshuan nga themelet institucionet fetare katolike si veproi diktatura komuniste, por u bë ajo që thotë populli: "Çohu prift të ulet hoxha"; d.m.th. u kthyen në xhami. Ajo që ngjau tek ne në ato vite, kishte ndodhur edhe në Perandorinë Romake, por atëhere ishte fjala për shtet i cili në emër të fesë pagane luftonte atë që mbështetej në Ungjillin e Krishtit. Në Shqipëri shteti zhduku çdo shfaqje fetare në emër të ateizmit të mbështetur në një sistem universal.
"Ndërsa në shqipëri shkatërroheshin kishaat dhe xhamitë me "Kushtetutë ateiste" dhe shpallej shteti i parë pa Zot, në Poloni, Hungari, Rumani, Çekosslovaki, Gjermani Lindore dhe sidomos në Jugosllavi, ku komunizmi ka qenë më i moderuar, priftërinjtë dhe hoxhallarët kryenin shërbimin fetar me vetura nëpër kisha dhe xhami luksoze."
Komunitetet shqiptare donin t'u "jepnin mend" edhe vendeve të Lindjes... Kësaj i thonë: Eja baba, të të tregoj kufinjtë ose të tregohesh më katolik se Papa.
Gjatë vitit 1967 e më pas u botuan me dhjetëra libra ku "demaskohej" kleri. Disa prej tyre, pa pretenduar për cilësinë e sasinë e tyre, ishin: 1. "A ka ekzistuar Krishti?" T. 1967. Libërth anonim, shkruar nga "qoftëlargu".
2. "Mbi fenë", V. I. Leninit, J. V. Stalinit dhe Mao Ce Dunit.
3. "Mbi gruan" T. 1967, broshurëz simë sipër me sitate Co.
4. "Veprimtaria Antikombëtare e Klerit Katolik Shqiptar", autor Rakip Beqaj, pa vit botimi, por, meqë në parathënie shkruhet "Ky botim që po del me rastin e 25 - vjetorit të çlirimit të Atdheut, pohuar nga Prof. Dr. Jup Kastrati, me një llogari të vockël del viti 1969, dy vjet më vonë nga shembja e kishave... "asht rezultat gjurmimesh dhe hulumtimesh, pre disa vjetësh nga ana e autorit", - shkruan parathënësi i parathënies së "veprës". Ky është një libër mbushur me mllef kundër klerit katolik të Shkodrës, pavarësisht se në titull pretendohet për "Klerin katolik Shqiptar".
5. "Gjurmat të çojnë në qelë" T. 1969, tirazhi 12 000 kopje, autor Ilo Bodeci. Është një roman ku priftërinjtë jo vetëm që janë lidhur me agjentura të huaja e banditë, por njëri prej tyre na vuaka edhe nga sëmundja e inçestit dhe kryen marrëdhënie me njeriun që me të ka lidhje gjaku, Luçien, por që një prift tjetër përmes rrëfimit ua fal këtë mëkat...
6. "Cuca e Maleve" T. 1967, (dramë), autor gazetari Loni Papa. "Dramaturgu" me të vetmen dramë, nuk mundi të gjejësubjekt për veprimtarinë e ndonjë popi që helmoi mësuesin që u mësonte fëmijëve gjuhë shqipe, por bëri personazh të veprës së tij priftin katolik, dom Markun, që, sipas autorit, është i lidhur (si të gjithë priftërinjtë e tjerë) me banditë dhe që u vë gurë në shpinë besimtarëve për të larë mëkatet.
7. "Shembja e idhujve" autor Skënder Drini. Përmes këtyre veprave autori mundohet të patjetër të fajsojë priftërinjtë që të justifikohej në turmë e drejta e eleminimit fizik të tyre. Kjo të kujton atë anekdotën që është bërë qesharake, sipas së cilës duhej varur njëri prej tre rrobaqepësve të fshatit, sepse i vetmi kovaç i atij fshati kishte kryer një krim që dënohej me vdekje. 8. Muzeu Ateist i Shkodrës me autor Niazi Vadahi është një shtupë letre me vrerë e helm ndaj klerit katolik...
Autorët e mësipërm, shkrimtarë pa vepra, me krijime të tilla bastardhe, jo vetëm që kërkonin të "shartonin tru e zemra" në "trungun socialist", por kishin përfitime materiale: qëndronin në qytete dhe merrnin leje "krijuese" për të masturbuar nëpër Arkivat e Shtetit, siguronin një dhomë shtëpi më tepër në apartamente ose të drejtë studimi për fëmijët e tyre, pavarësisht nga niveli i dijeve, mjaftonte që dilnin "kuadro besnikë të partisë". Ç'është më e keqja, krijuesit e sojit të mësipërm, me "veprat" e tyre "shkencore" morën dhe tituj shkencorë, që mund t'i gëzojnë edhe tani dhe shteti demokratik mund t'i shpërblejë.
Për priftërinjtë vazhdonte Kalvari i mundimeve, gjyqet e hakmarrjes komuniste më të egra se ato të mesjetës. Javë për javë shpalleshin dënime me vdekje, konfiskime pasurishë dhe bashkë me ta përvetësime vlerash kulturore e shkencore të lëna në dorëshkrim nga priftërinjtë, të cilat ndonj pseudoshkenctar i ka mbledhur si plaga qelbin dhe i publikon pikë - pikë "pa rënë në sy2, pa u hequr asnjë presje, por vetëm duke i kthyer në gjuhën e ashtuquajtur të përbashkët letrare.
Vetëm Fishta la 700 faqe krijime të daktolografuara, ndërsa gjuhëtari Justin Rrota, lajmëronte përmes revistës "Kumona e së Dielës", vj. 5, nr. 45, 8 nëntor, 1942 se do tinte në shtyp pjesën e parë të morfologjisë me titull: "Gramatika e gjuhës shqipe". "Gjer më sot nuk ka asnjë të dhënë të sigurtë që të mund t'na vinte në dijeni se ku ndodhet ky libër në dorëshkrim", - shkruan dr. i shkencave gjuhësore z. Mina Gero.
S'duhet të harrojmë se gjatë revolucionit kulturor u shkatërruan nga themelet kisha të urdhërave katolike, domenikane e françeskane të shekullit të 13 - të, që kur ata u futën në Shqipërinë katolike.
Të tilla ishin: Kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës, me piktura murale origjinale që i shërbenin popullit analfabet të lexonte përmes tyre "Biblën" "thonë se kisha e Dejës (Dagno), kje e ndreqme me shpenzime të Skanderbegut lexojmë në "Historinë e Skanderbegut simas gojëdhanave" të priftit katolik Marin Sirdani. U la në harresë gjatë viteve të diktaturës, megjithëse s'kish ç'të rrafshohej në kishën e Shën Bakut, Shën Shirqit a Shna Prendës, si e quan populli atë kishë 700 - vjeçare të ndërtuar në vitin 1290, në shekullin e 6 - të nga perandori Justinian. Është një ndër tri kishat më të vjetra të Ballkanit. Kishës vazhdon t'i afrohet çdo vit rrjedha e lumit Buna, deri sa një ditë ta rrëmbejë e pasardhësve t'ua tregojmë si legjendë: "Na ishte një herë një kishë në Shirq...".
U gremis nga themelet Kisha e Zojës së Shkodrës, e cila ishte një ndër më të vjetrat në Shqipëri. Kjo kishte edhe vlera të pakrahasueshme arkitektonike. Kandidati i shkencave, Mikel Prendushi shkruan: "Kisha e Zojës së Nju Jorkut, është ndërtuar në ngjasim arkitektural me atë të Kishës së Zojës në Shkodër". Për këto shkatërrime katastrofike nga histeria e shfrenuar komuniste populli i prekur në shpirt thoshte: "Zoti s'ka nevojë me na l'shue tërmetin, se ka prue djalli Enverin e Mehmetin".
Feja në vitet 1967 - 1990, u duk se ishte harruar, por rrënjët e saj të nëndheshme lëviznin dhe i ngjante një ajzbergu që pjesën më të vogël e ka mbi sipërfaqe. Këtë e tregoi thënia e meshës së parë në varret e Rrmajit me 11 dhe me 16 nëntor, pas një heshtjeje të gjatë 23 - vjeçare në të cilën morën pjesë mbi 33 mijë besimtarë të feve të ndryshme që jetonin në harmoni prej shumë shekujsh në këtë qytet.
Fenë e krishterë s'arritën ta zhduknin Perandorët e Romës e as Sulltanët e Stambollës e jo më ta gjunjëzonin liliputët me tru të tredhur, konformistët komunistë shqiptarë.
Nga faqet e fundit të librit autori e ka zgjeruar gjeografinë e akuzës duke gjykuar për "vdekje" vendet Perëndimore, Papët e Romës etj. Citojmë fragmentin: "Prej vetë thelbit të tij Vatikani ka qenë dhe mbetet armik i paqes dhe i klasës punëtore, armik i socializmit dhe i m - l".
Tani autori është shprehur qartë dhe s'ka pasur arsye të pluhroset nëpër qilaret e Arkivave të Shtetit për t'na mbushur mendjen se armiqësia që paskan Vatikani e kleri për socializmin e m - l, qenka shkaku që diktatura i akuzoi, burgosi, internoi e zhduku fizikisht predikatorët e paqes e vllazërimit dhe jo se kanë qenë antikombëtarë të lidhur me armiq të pushtetit e mashtrues të popullit, si është munduar t'na mbushte mendjen akuquesi pa kurrfarë faktesh bindëse. E pse luftuan e luftojnë me fjalë marksizmin si ideologji ateiste, kjo është puna e tyre, ashtu si dogmatiku marksist ka të drejtën e tij që t'i dojë e mos t'i lëshojë aspak mendimet e veta...
Mjafton t'i kujtojmë "bukinistit" Papën e sotëm, Gjon Palin e Dytë që mban "Çmimin Nobel për Paqen" dhënë në vitin 1992 për rolin e madh që ka luajtur për përmbysjen e komunizmit në Evropën Qendrore e atë Lindore e bekimet e Tij për shuarjen e vatrave të luftës në të gjithë globin. Janë më shumë vlerë për të sotmen e të ardhmen e popujve fjalët profete të Papës së sotëm, Wojtila, që thotë: "Një demokraci pa vlera mund të shndërrohet lehtësisht në një totalitarizëm të hapur siç po na e tregon historia".
E përsërisì, se klerikët katolikë u asgjësuan nga diktatura komuniste vetëm e vetëm se kritikuan hapur komunizmin si kundërshtarë të fesë e përhapjes së ideologjisë ateiste në popull. 
E përfundoj këtë analizë modeste të atij libri akuzues të fesë duke shpresuar që rilindja e saj në Shqipëri të ndikojë në ringjalljen shpritërore të këtij kombi të martirizuar në gjithë historinë e ekzistencës së tij e Paqja të mbretërojë në zemrat e të gjithëve.


(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora