E merkure, 30.04.2025, 10:58 AM (GMT+1)

Speciale

Kujtim Mateli: Urat e miqësisë kanë në themel sinqeritetin dhe barazinë

E shtune, 20.02.2010, 10:56 PM


Urat e miqësisë kanë në themel sinqeritetin dhe barazinë

”Shqiptarët dhe grekët”, një vepër dinjitoze e Nuri Dragoit

Nga Kujtim Mateli

Libri i ri i Nuri Dragojt, “Shqiptarët dhe grekët”, është një sintezë e marrëdhënieve midis dy popujve tanë, që herë kanë qenë të trazuara dhe herë kanë qenë të mira. Veçse, duhet theksuar që, vetëm momentet e marrëdhënieve të mira kanë kontribuar në zhvillimin e miqësisë midis dy popujve tanë. Këto marrëdhënie miqësie vazhdojnë edhe sot, kur shqiptarët dhe grekët lidhin martesa midis tyre, pa pasur asnjë paragjykim dhe janë me mijëra çiftet që kanë formuar familje të qëndrueshme, duke lënë pasardhës që u përkasin të dy kombeve. Këto kanë qenë të theksuara midis minoritetit grek që jeton në Shqipëri dhe shqiptarëve, por me zhvillimet demokratike që ndodhën në vendin tonë, këto martesa janë kryer edhe midis banorëve të dy vendeve, po të kemi parasysh që në këto vitet e fundit, mbi një gjysmë milioni shqiptarë punojnë dhe banojnë në Greqi. Popujt e çajnë vetë rrugën e bashkëpunimit midis tyre. Detyra e qeverive është, që këtyre marrëdhënieve të mira, t’u hap rrugë për t’i përsosur më tej. Me këtë libër, Nuri Dragoj ka dashur t’u drejtohet qytetarëve shqiptarë dhe grekë, që vlerat pozitive të krijuara të ruhen më tej, sepse vlerat që sjellin popujt në historinë e njerëzimit janë pika orientuese, ku qeveritë duhet të caktojnë piketat, për të ndërtuar një politikë të jashtme, që të jetë në përputhje me këtë frymë miqësore. 
Ura e parë e miqësisë midis dy vendeve tona janë këto martesa të shumta që kryhen midis qytetarëve të dy vendeve, pa pasur asnjë lloj paragjykimi.

Gjuha shqipe dhe besimi fetar

Në libër jepet historia e marrëdhënieve midis dy popujve, që nga kohët më të hershme deri në ditët e sotme. Në marrëdhëniet midis shteteve, deri në kohët e sotme, shteti më i madh e ka konsideruar veten të privilegjuar dhe ka shkelur e mohuar të drejtat e më të vegjëlve. Me shtetet nuk ndodh ajo që ndodh në jetën njerëzore. Më të rriturit ndihmojnë më të vegjlit, duke u dhënë gjithë mjeshtërinë që ata kanë fituar në jetë, edhe kur këta nuk janë fëmijët e tyre. Fëmijët mësohen me dashuri, që të përvetësojnë atë që ka krijuar mendja njerëzore.
Por shtetet, deri tani, janë sjellë ndryshe: u kanë shkatërruar popujve më të vegjël, atë që ata kanë gjënë më të shtrenjtë: u shkatërrojnë kulturën dhe u rrënojnë ekonominë. Këtë autori e vë në dukje që me pushtimin osman. Nën këtë pushtim, Shqipëria përjetoi një dhunë të dyfishtë: Nga Porta e Lartë dhe nga Patrikana greke e Stambollit.
Në shekujt XIV-XV, Ballkani u pushtua prej Perandorisë Osmane. Po cilat qenë pasojat për popujt që jetuan nën këtë perandori? Sigurisht, pasojat më të rënda i patën shqiptarët. Shqiptarët i pritën turqit me shpatë, me në krye heroin tonë kombëtar, Skënderbeun. Pas kësaj, për cilindo Sulltan, ishte e qartë që shqiptarët duheshin mbajtur të përçarë, ndryshe mund të përsëritej një epokë tjetër, si ajo e Skënderbeut, që dhe mund të ishte fundi i kësaj perandorie. Kjo luftë ka qenë aq e egër dhe sistematike, sa shqiptarët nuk u lejuan të shkruanin gjuhën shqipe dhe të zhvillonin kulturën e tyre, derisa kjo perandori u shkatërrua.
Në mbështetje të Portës së Lartë u vu Patrikana e Stambollit. Ja si shkruante Shën Kozma Etoli: “Pushteti turk është më i mirë se çdo pushtet tjetër. Turqia na la të lirë fenë dhe vetëqeverisjen, na la tregtinë dhe shkollat, gjë që nuk e bënë francezët dhe venecianët. Prandaj Zoti ua hoqi pushtetin të krishterëve dhe ua dha turqve, për të mirën tonë.” (fq. 46)

Këto fjalë entuziaste të këtij kleriku, tregojnë mjaft qartë bashkëpunimin e grekëve me turqit, kur këta të fundit u lejuan mjaft favore grekëve, gjë që, për shqiptarët, ishte e ndaluar. Frika se mos përsëritej historia dhe perandoria do të ndodhej para një kryengritjeje shqiptare të përmasave si ajo e Skënderbeut, Porta e Lartë i la dorë të lirë Patrikanës së Stambollit, që të punonte nëpërmjet kishës për “greqizimin” e shqiptarëve. Në kishë flitej vetëm greqishtja, edhe pse popullsia ishte shqiptare. 
Ky presion ushtrohej jo vetëm në Epir, ku popullsia në shumicë ishte shqiptare, por edhe në pjesë të tjera të Shqipërisë, ku shqiptarët nuk e ndërruan besimin fetar, por mbajtën atë të krishterë, ashtu sikundër e kishin para pushtimit.
Në drejtim të shqiptarëve vinin dy goditje të fuqishme. Goditja turke kërkonte nënshtrimin dhe gjunjëzimin e shqiptarëve. Ajo e Patrikanës së Stambollit kërkonte asimilimin e shqiptarëve nëpërmjet helenizimit të tyre. Shqiptarët, gjatë gjithë periudhës së pushtimit osman, janë ngritur si kundër njërës, ashtu edhe kundër tjetrës. 
Koto Hoxhi i përbuzte ata që gjuhën shqipe e flisnin të përzier me fjalë turke dhe greke. Po një ditë e goditën dhe u gjend i vdekur.
Naum Veqilharxhi botoi abetaren shqipe. Po vdiq i helmuar.
Petro Nini Luarasi përktheu në shqip librat e kishës dhe mesha filloi të bëhej shqip. Fshatarëve të krahinës së vet u jepte mësime në gjuhën shqipe. Po edhe Petro Nini vdiq i helmuar.
Pandeli Sotiri luftoi pareshtur për mësimin e gjuhës shqipe, por me intriga e detyruan të shkonte në Stamboll, ku dhe e vranë.
Papa Kristo Negovani u masakrua me sëpata e thika. 
Babë Dudë Karbunara u kërcënua me vdekje, gjersa i dogjën shtëpinë.
Parashqevi Qiriazi botoi një abetare dhe iu përkushtua mësimit të gjuhës shqipe.
At Stath Melani, në kishën e Përmetit, meshonte vetëm në gjuhën shqipe. Po kundër këtij patrioti të madh, kishte kohë që ngriheshin kurthe. Pasi e vranë, i prenë kokën për t’ua çuar porositësve në shenjë besimi.
Po nuk ishin vetëm këta. Qindra dhe mijëra të tjerë janë persekutuar, helmuar dhe vrarë për mësimin e gjuhës shqipe.
Kështu e dhanë jetën këta heronj të kombit tonë. Të përndjekur nga Porta e Lartë dhe nga Patrikana e Stambollit. 

Znj. Edith Durham shkruante: Njeriu i fisit, në Shqipërinë e Veriut është, së pari, shqiptar. Krishti dhe Muhamedi janë për të si “dy zogj magjik”, të mbinatyrshëm, secili në gjendje të bëjë mrekulli. Ai nuk i kushton më shumë vëmendje hoxhës së tij nga ç’i kushton priftit të tij. Me përjashtim të rasteve kur është ose në xhami, ose në kishë, unë s’e kam parë kurrë të thotë lutje apo të bëjë falje.”
Ndërsa Faik Konica është shprehur: “Unë jam i bindur se dihet gjithkund që shqiptarët janë tolerantë për besimet e tjera dhe ndoshta, ky është i vetmi vend në Evropë, ku nuk ka pasur luftëra fetare.” 
Nga ana e tij, Hugo Adolf Bernatzik, pasi ka vizituar Shqipërinë, në vitin 1929, ka shkruar: “Katolikë, ortodoksë dhe myslimanë, jetojnë në paqe, në këtë vend të vogël, madje shpesh edhe në fshatra jetojnë së bashku. Luftërat fetare janë të panjohura dhe të pakonceptueshme për shqiptarin.” (f. 352 dhe 355.)

* * *
U përmendën këto fakte, jo për të vërtetuar nëpërmjet të huajve harmoninë tonë fetare, por për të vërtetuar, se habia e tyre, buronte nga fakti që, në vendet prej nga ata vinin, nuk ekzistonte harmonia fetare. Kjo është e vërtetuar edhe nëpërmjet ngjarjeve të shumta që ndodhin edhe sot në ditët tona.
Pyetja shtrohet, si për të huajt ashtu edhe për ne: Pse ka ndodhur një gjë e tillë? Në tërë rruzullin tokësor, pse ne shkaktojmë habi me harmoninë tonë fetare? Kësaj pyetje, i jep përgjigje Noli ynë i madh, kur deklaronte në parlamentin e viteve ‘20-të, se janë katër fe të ndryshme, që nuk kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan. Pra, ishte besimi i vjetër i shqiptarëve, i cili përbënte besimin kryesor të tij, që nuk i lejonte shqiptarët të përplaseshin midis tyre. Shqiptarët në mijëvjeçarë i janë drejtuar Zotit, sipas fesë së tyre, në mënyrë të drejtpërdrejt dhe kjo ishte ajo që i bashkonte. Ata ruanin si gjënë më të shtrenjtë ritet e vjetra fetare, që i kishin trashëguar në mijëvjeçarë nga paraardhësit e tyre dhe kjo ishte kryesore për ta.
Megjithëse Noli deklaronte se besimi i shqiptarëve ishte pagan, ai, me një energji të jashtëzakonshme, bëri të gjitha përpjekjet, që besimi ortodoks të ishte pjesë përbërëse e besimit të shqiptarëve, gjersa ia arriti qëllimit. Krijoi Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Në të do të meshohej shqip dhe kisha do të kryesohej nga klerikë shqiptarë. 
Mbas shpalljes së pavarësisë dhe krijimit të shtetit shqiptar, krijimi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, ka qenë ngjarja më e rëndësishme në historinë e popullit tonë. 
Megjithëse, edhe shteti shqiptar i viteve 20-të, e njihte paganizmin e popullit të vet dhe e dinte që, shqiptarët nuk mund të konfliktoheshin për fe, prapëseprapë, ai nxori ligje për të bërë harmonizimin midis besimeve fetare, që ishin atëherë prezent në Shqipëri.

* * *
Le të shohim se si ishin rregulluar institucionet fetare midis tyre në vitet 20-të.
I- Statuti legal i komuniteteve fetare, i datës 3 qershor 1923, ku thuhet:
”Paria fetare e shkallës më të lartë, duhet të ketë këto cilësi: nënshtetas shqiptar, të dijë gjuhën shqipe, të gëzojë të drejtat civile dhe politike, të jetë prej racës shqiptare ose fëmijë prej tre brezash në Shqipëri.”
II- Artikulli 7, i dekret-ligjit për “Formimin e Komuniteteve Fetare”, datë 9 korrik 1929, thekson: ”Kryetarët e feve, ashtu dhe vartësit direkt të tyre, duhet të jenë shtetas, prej fisit dhe gjuhës, shqiptarë.”
Mos vallë, këto masa, që merrte shteti shqiptar i atyre viteve, ishin të tepërta dhe nuk janë të domosdoshme për të ruajtur harmoninë midis komuniteteve? Për këtë le të shohim dhe përvojën e vendeve të tjera, për institucionet fetare
III- Në Greqi, paragrafi 2, i nenit 12, thotë:
“ Kryepeshkopi i Athinës dhe i Greqisë duhet të jetë me kombësi dhe shtetësi greke (fq. 403 dhe 411)
Pra, edhe vendet fqinje i rregullojnë marrëdhëniet midis besimeve me ligje të njëjta si ato të shtetit shqiptar të viteve ‘20.
Po tek ne, çfarë ndodhi mbas viteve 90-të?
U gjallëruan përsëri besimet fetare të katër komuniteteve kryesore në Shqipëri. Po në këto vit,e ne kemi edhe dhjetëra shkolla të tjera, që predikojnë edhe ato besime fetare dhe që, në më të shumtën e rasteve, janë variante të feve kryesore. Në krye të këtyre komuniteteve dhe shkollave janë shqiptarë, po janë dhe të huaj. Nuk dihet se çfarë predikojnë, pasi ende nuk ka një ligj fetar. Mund të përmendim faktin, se rreth dy vjet më parë, brenda një periudhe të shkurtër, fëmijë të moshës 11-12 vjeç, u gjenden të varur në të njëjtën mënyrë dhe u tha se ata ishin anëtarë të një sekti fetar.

* * *

Po, a mund të lindë një përçarje fetare që nesër mund të rrezikojë ekzistencën e kombit shqiptar?
Ne sot, nuk mund të themi ashtu siç thoshte Noli tetëdhjetë vjet më parë, se besimet fetare nuk kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan. Shkatërrimi total, që iu bë fesë në Shqipëri, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, e shkatërroi edhe fenë e vjetër të shqiptarëve. Në ditët e sotme, simbol i asaj feje të vjetër, ka mbetur vetëm mali i Tomorrit, ku shqiptarët i kanë besuar atij mali, siç i beson prindi fëmijës, ndaj dhe e thirrën me emrin e njërit prej prindërve. E thirrën: Baba. Po, a është në gjendje ky Mal i Shenjtë, Baba Tomorri, t’i bëjë ballë përçarjes së shqiptarëve, që mund të vijë nga kjo anarki fetare, që ekziston në Shqipëri? 
Është mirë që këto dukuri t’i dijë çdo shqiptar, për të parë më mirë se çfarë ndodh rreth vetes së tij. Të mos ndodhet para të papriturash, si ajo e ‘97-ës. Por, nëse 97-a pati për protagonist borxhlinjtë dhe politikanët, zgjidhja ishte brenda asaj kornize dhe brenda territorit shqiptar. Politikanët morën përsipër borxhin për t’ua kthyer borxhlinjve dhe çështja u mbyll. Nuk është e njëjta gjë, nëse ndodh një përplasje fetare. Ata që do të kthejnë borxhin, ndodhen jashtë Shqipërisë. Është në dorë të tyre se si do ta zgjidhin çështjen.
Ne nuk bëjmë përjashtim nga raca njerëzore, që mbulon lëmshin e dheut. Derisa përvoja botërore vërteton se popujt kanë zhvilluar luftëra fetare, kjo ka ndodhur se ata popuj kanë besuar vetëm në njërën fe, duke mos e pranuar fenë tjetër.
Deri dje, me shqiptarët ka ndodhur ndryshe: Ajo që i bashkonte shqiptarët dhe që ishte besimi i tyre i vjetër fetar, ishte shumë herë më i madh se ajo që i ndante. Dhe ndarja midis tyre ishin besimet e tjera, që praktikoheshin në vendin tonë.
Sot është ndryshe: Ajo që i ndan dhe që janë besimet e ndryshme që praktikohen në vendin tonë, ka filluar të ketë peshë më të madhe se sa besimi i vjetër i shqiptarëve që i bashkon. 

* * *

Ndërrimi i besimit tek një pjesë e shqiptarëve është një nga problemet më të diskutuara dhe që ende nuk e ka marrë një përgjigje të plotë. Duhet të shihet mirë konteksti historik në të cilën u bë ky ndërrim. Duhet të marrim parasysh edhe atë që thotë Noli, në vitet ‘20-të të shekullit të kaluar: “Katër fe të ndryshme nuk kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan”. Aq më tepër, këto rrënjë nuk ekzistonin në shekujt XV-XVI. Po ajo që Noli e quan si paganizëm, nuk është gjë tjetër, veçse feja e vjetër e shqiptarëve. Ishte një besim që kishte një përpunim të plotë teologjik, ndoshta dhe më të përsosur se ajo e feve të mëvonshme. Nëse të parët tanë përcaktuan Diellin dhe Tokën, si dy nga perënditë e tyre më kryesore, më vonë përcaktuan, se këta dy planete, ishin fryt i punës së Krijuesit të Gjithësisë. Vendi i këtij Krijuesi, të cilën e thirrën me emrin Zot, ia caktuan atje në malin e Tomorrit. Për shqiptarët dy vende kanë qenë të shenjta: Dodona që përpunoi besimin e shqiptarëve dhe mali i Tomorrit, si seli e shenjtë e Zotit. Lufta e Perandorisë Romake dhe asaj Bizantine, u drejtua në këto dy vende, për të çrrënjosur besimin e shqiptarëve. Dodona u shkatërrua në shekullin e katërt dhe të nëntë pas Lindjes së Krishtit. Po shenjtëria e malit të Tomorrit dhe besimi i vjetër i shqiptarëve nuk mund të asgjësoheshin. Krahas besimit të tyre të vjetër, shqiptarët praktikuan edhe besimin e krishterë. Periudha e pushtimit osman e ka gjetur Shqipërinë, duke praktikuar të dy llojet e besimeve dhe ndoshta disa vende kanë qenë ishuj të besimit të vjetër në hapësirën mbarë shqiptare. Kjo ka qenë një nga arsyet që shqiptarët e ndërruan besimin e krishterë me atë mysliman. 
Arsyeja tjetër ka qenë se Perandoria Otomane, qysh prej periudhës së Skënderbeut e në vazhdim, asnjëherë nuk u ka zënë besë shqiptarëve edhe pse një pjesë e tyre ka qenë në administratën e kësaj perandorie. Kjo shihet qartë, po të shohim raportet që kishin shqiptarët e grekët me këtë perandori.
Grekët lejoheshin të mësonin gjuhën e tyre. Shqiptarët përndiqeshin, deri me vrasje apo helmime, nëse kapeshin me abetare të gjuhës shqipe.
Edhe pse Shqipëria ishte nën Perandorinë Osmane, Greqisë i lejohej që nëpërmjet kishës, të realizonte shkombëtarizimin e shqiptarëve, duke i asimiluar nëpërmjet gjuhës dhe besimit.
Në këto kushte, nga të dy armiqtë e tij: turqit që kërkonin ta mbanin të pushtuar dhe grekët që kërkonin ta asimilonin nëpërmjet kishës dhe gjuhës, shqiptarët panë më të rrezikshëm asimilimin, që po ndodhte kryesisht në jug të vendit.
Ndaj dhe e braktisën besimin e krishterë. Veç jo pa dhimbje, por qenë të detyruar. 
 Historia e mëvonshme vërtetoi, se stërgjyshërit tanë, kanë pasur të drejtë. U duhej të kishin përballë vetëm një armik. Të kishin përballë vetëm turkun si pushtues. Duke shkuar në institucionet e besimit mysliman u shmangeshin betejave me grekët, që i kishin kthyer institucionet fetare, mjet për asimilimin e shqiptarëve. Në institucionet myslimane flitej shqip. Kështu mund t’i drejtoheshin Zotit në gjuhën e tyre. Duke folur gjuhën shqipe, do të mund të ruanin identitetin, edhe pse nën pushtim. Ajo pjesë e shqiptarëve, që vazhdoi të ruante besimin ortodoks, nuk doli pa pasoja nga kjo përleshje me grekët. Shembull i kësaj arene është Çamëria. Shqiptarët ortodoksë, kanë të ruajtur në këto momente një pjesë të gjuhës, po duke mos e shkruar, ajo vazhdimisht vjen duke u rrënuar. Shqiptarët, që bënë ndërrimin e besimit, të paktën e ruajtën gjuhën dhe identitetin e tyre. Një komb, që nuk e zhvillon gjuhën e vet, rrezikon të asimilohet. Me mençurinë e tyre kolektive arritën që t’ia dalin mbanë edhe kësaj sfide. Në raportin se cilin duhej të zgjidhnin, gjuhën apo besimin, shqiptarët zgjodhën gjuhën dhe kështu zgjidhën një nga problemet më të vështira historike. Në sajë të këtij veprimi të guximshëm të tyre, kombi ynë gjallon midis kombeve të tjerë, po aq dinjitoz sa edhe ata. Pikërisht për këtë argument, libri i z. Dragoj, merr vlera të veçanta. Pa gjuhën, do të kishim humbur dhe nuk do të dinim se çfarë ishim. Sa e ashpër ka qenë dhe ende vazhdon kjo luftë, le të kujtojmë fjalët e Kolë Boçarit, profesor historie në Universitetin e Kuislandit në Australi, i cili në vitin 1996, bëri një replikë me ministrin grek për çështjet evropiane, në gazetën britanike “The Evropeans”, në të cilën u shpreh: “Unë dhe familja ime, jemi një nga viktimat e këtij represioni shekullor. Ju na ndaluat me forcë, që ne arvanitasit, ta ushtronim meshën në gjuhën shqipe, të flisnim publikisht në gjuhën e nënës, madje na përgjonit që të mos flisnim lirisht edhe në shtëpi. Për këtë shkak, kemi ikur nga fshati i lindjes në Peloponez, për të gjetur lirinë, këtu në Australi.” (f. 326)
Dhe ata që u ndodhën para kësaj të papriture, nuk qenë pak. Janë me miliona shqiptarë që ruajtën besimin, por humbën gjuhën, ose më saktë, janë duke e humbur atë. Në kushtet që u krijuan, ishte e vështirë që të ruheshin të dyja. Këtë na e sqaron profesori i nderuar, Kolë Boçari, në vazhdim të replikës së tij me Ministrin grek për çështjet evropiane, në gazetën britanike “The Evropeans”, në të cilën u shpreh: “Mësova për deklaratën tuaj, z. ministër, në të cilën ju pohuat, se në Greqinë e sotme nuk ka minoritete. Ju, ose e keni humbur lidhjen me realitetin, ose ju ka verbuar fare nacionalizmi… Në Greqi, jo vetëm që ka minoritet, por atje ekziston një minoritet i madh, mbi 2 milionë banorë, që kanë pushtuar Peloponezin, Athinën, Thrakën, Livadhianë… gjë të cilën Greqia e ka mohuar gjithmonë. (f. 326)
Nëse të parët tanë nuk do të kishin vepruar me zgjuarsi dhe mençuri, sot ne shqiptarët do të ishim të gjithë si Profesori i nderuar Kolë Boçari, dinjitoz kudo që të shkonim, se kështu jemi nga raca që trashëgojmë, por do të kishim humbur gjënë më të shenjtë, që është kombi dhe gjuha. Nëse do t’i humbnim këto, do të kishim humbur gjithçka dhe nuk do të kishte vlerë asgjë tjetër që do të trashëgonim. Prandaj, duhet të jemi krenar për ato zgjidhje dinjitoze dhe të mençura. Të parët tanë vepruan kështu, se historia i kishte mësuar, që pushtuesit, sado që kishin ngritur perandori të mëdha e të rënda, një ditë e kishin pasur një fund. Kështu do të ndodhte dhe me Perandorinë Osmane.
Autori na jep një mori faktesh, të cilat tregojnë se Greqia, sidomos pas çlirimit të saj prej perandorisë otomane, nuk i ndërpreu përpjekjet për helenizimin e Shqipërisë. Ajo e vazhdoi këtë luftë në dy fronte: Duke mos u penguar nga perandoria, ajo bëri të gjitha përpjekjet që fshatrat myslimane, sidomos në Shqipërinë e Jugut t’i këmbente me grekët e saj që ndodheshin në Turqi. Atje ku ende shqiptarët nuk ishin kthyer në myslimanë, por vazhdonin besimin e krishterë, me të gjitha mënyrat që ka një luftë, kërkonte t’i kthente në grekë, duke u mohuar gjuhën shqipe. Edhe sot, në fshatrat çame, nuk zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe. 
 Dhe në të dyja rastet, pjesërisht, Greqia ia arriti qëllimit. Mijëra shqiptarë u këmbyen për turq dhe shkuan në Turqi, duke ardhur që andej mijëra të tjerë, që zunë vendin e të parëve. Nëpërmjet kishës ortodokse shqiptarëve u bëheshin ritet fetare në gjuhën greke dhe mallkoheshin e shkishëroheshin të gjithë ata shqiptarë, që nuk e flisnin atë. 
Në këtë betejë shekullore, ku njeri krah përfaqësohej nga Shqiptarët dhe krahu tjetër i betejës nga Perandoria Osmane, që favorizoi Patrikanën e Stambollit. Kjo e fundit, në Jug nxiti grekët dhe në Veri serbët, për të rrudhur kombin shqiptar. Dhe, po t’i shtojmë këtij fakti, mbështetjen që vendet fqinje me Shqipërinë kishin nga Rusia dhe vende të tjera evropiane, kuptohet pse kjo betejë e pabarabartë, është një nga më të përgjakshmet në historinë e njerëzimit. Me miliona shqiptarë janë flijuar në mbrojtje të trojeve të tyre.


* * *
Gjeografi grek, Skimni, i cili jetoi në shekullin e III-II, para lindjes së Krishtit, shkruan: 
“Thonë se rreth detit Adriatik/ banojnë një shumicë e madhe barbarësh (ilirët)/ pothuaj një milion e pesëqind mijë banorë/ dhe kanë një tokë shumë të mirë dhe pjellore/ se aty, si thonë, edhe bagëtia pjellin binjak”. (Ilirët dhe Iliria te autorët antikë. “Toena” 2002). 
Siç e shohim, para 2300-vjetësh, Shqipëria vetëm rreth detit Adriatik numëronte një milion e pesëqind mijë shqiptarë (ndërsa në vitet ‘30-të, të shekullit të kaluar, rreth detit Adriatik nuk ishin as 500 mijë banorë). Në një kohë kur disa rreth nesh erdhën sa një lagje qyteti dhe u bënë shtete. Këta shqiptarë nuk u shumuan, se fati u vuri shpatën në dorë. Ajo aleancë ogurzezë përgjatë shekujve të kaluar, ka qenë një arenë beteje nga më të përgjakshmet. Edhe lufta e Trojës do të dukej e zbehtë para masakrave që janë kryer në hapësirën shqiptare. Arenë e kësaj lufte ka qenë edhe ajo pjesë e Shqipërisë, që quhet Çamëri. Shumëkush mendon se Çamëria u shkatërrua përfundimisht si dhe Troja. Po nuk është ashtu: Atje banojnë me mijëra çam, që e flasin gjuhën shqipe, por nuk mundet ta shkruajnë. Po meqenëse ekziston dhe dëshira e çamëve të dëbuar, për t’u kthyer në vatrat e tyre, kjo gjë do të ndodhë një ditë. 
Ura e dytë e miqësisë midis dy vendeve tona do të realizohet, kur edhe Greqia të hapë shkolla shqipe, atje ku shqiptarët janë në trojet e tyre, si në Çamëri dhe gjetkë, por edhe për arvanitasit që dëshirojnë ta flasin e ta shkruajnë atë. Në ndërtimin e kësaj ure miqësie, një kontribut të veçantë e ka dhënë Shqipëria. Janë të shumta shkollat greke në Shqipëri dhe jo vetëm në Jug, por ato shtrihen gati në të gjithë Shqipërinë, atje ku ka minoritarë dhe atje ku nuk gjenden minoritarë. Ndërtimi i kësaj ure miqësie, nuk është i pamundur. Shqipëria e ka përfunduar pjesën e saj.

Çamëria

Çamëria, e banuar kryesisht me popullsi shqiptare, u çlirua nga pushtimi osman në vitin 1912, atëherë kur u çlirua dhe e gjithë Shqipëria.
Faik Konica, për të vërtetën dhe fatin e Çamërisë, u referohet studiuesve të huaj. Kështu, ai i referohet senatorit Cabot Lodge, kur thotë: “Popullsia e Çamërisë, më 1913 ka qenë 96 për qind shqiptare. Ky përpjesëtim, tani është ulur me akte dhune. Janë shumë çamë që derdhin djersën në fabrikat e Amerikës, të cilët i kanë pasur prindërit pronarë të lulëzuar në Çamëri, më pak se një vit më parë. Megjithatë, ende shqiptarët përbëjnë 80 për qind të popullsisë së Çamërisë. Por ka edhe më. Shumë larg nga Shqipëria historike, në Greqinë e brendshme, ka pothuaj një milion shqiptarë, gati gjysma e të cilëve ende flet gjuhën e vet të lashtë. Këta njerëz kanë një mall të madh për Shqipërinë dhe në të kaluarën kanë nxjerrë dëshmorë të çështjes shqiptare” (“Shqiptarët dhe grekët”, f. 335)
Kjo ishte Çamëria e vitit 1913, e përcaktuar nga studiuesit e huaj dhe jo nga studiuesit shqiptarë: 96 për qind e saj ishte popullsi çame. Po si rrodhën ngjarjet, kur sot autoritetet greke na deklarojnë se nuk ekziston çështja çame?
Helenizimi i Epirit dhe i gjithë Çamërisë, ka nisur që me pushtimin osman, kur Patrikana e Stambollit u vu në shërbim të pushtuesve. Synimi i Patrikanës së Stambollit ishte që, nëpërmjet kishës ortodokse, të helenizonte të gjithë shqiptarët. Edhe në Çamëri, shqiptarët në një pjesë të konsiderueshme u kthyen në myslimanë, jo si nënshtrim ndaj osmanlinjve, por si sfidë ndaj synimeve të helenizmit në këtë pjesë të Shqipërisë. Ndaj, me rrëzimin e perandorisë osmane, Greqia vuri në zbatim planin e saj të hershëm: të helenizonte sa të ishte e mundur jugun e Shqipërisë duke praktikuar dy mënyra për realizimin e planeve të saj. Greqia nuk donte, sidomos në Epir, ku pjesa dërmuese ishin shqiptarë, të bashkëjetonin grekë edhe shqiptarë ashtu sikundër kishte ndodhur edhe në mijëvjeçarë më parë. Shqiptarët myslimanë, nuk mund të asimiloheshin nëpërmjet besimit fetar, ndaj sapo iu krijuan kushtet e favorshme dhe me ndihmën e faktorit të jashtëm, ajo filloi genocidin ndaj shqiptarëve: I dëboi me dhunë, deri në masakra çnjerëzore nga trojet e tyre. Për shqiptarët ortodoksë zbatoi një plan tjetër: t`i helenizonte nëpërmjet gjuhës dhe besimit fetar. Në kisha dhe në shkolla do të mësohej vetëm greqishtja.
Me caktimin e kufijve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë të vitit 1913, mbi popullsinë shqiptare në Epir dhe në të gjitha trojet shqiptare, që iu dhanë Greqisë, për popullsinë shqiptare filloi një ferr i vërtetë. Çdo fshat apo qytet me popullsi shqiptare që ndodhej jashtë kufijve të Shqipërisë, përjetoi një terror të pashembullt. Kush nuk bindej, ekzekutohej në vend.
“U dogjën dhe u shkatërruan tërësisht fshatrat: Gardhiq, me 300 shtëpi; Dhragomia, me 200 shtëpi; Minina, me 65 shtëpi. Në kazanë e Filatit u shkatërruan ndër të tjera Ninati, me 120 shtëpi; Markati, me 120 shtëpi, Janjari, me 150 shtëpi etj.” (“Shqiptarët dhe grekët”, f. 287)

* * *
“Faik Konica kujton se në fillim të shekullit XIX, një anëtar i kishës së Anglisë, me emrin Stjuart Hjuz, bëri një udhëtim në Shqipëri dhe la shënime për vëzhgimet e veta. Ai ka vizituar dhe qytetin tim të lindjes, Konicën, për të cilën studiuesi francez, Pukëvili, shkruante, se në mesjetën e hershme, ka qenë kryeqytet i Ilirisë Jugore. Hjuzi ka shënuar se qyteti i Konicës kishte 800 shtëpi, prej të cilave 600 ishin shqiptare dhe 200 greke.” (f. 77)
Po çfarë ndodhi me Konicën, që shqiptarët në mesjetën e hershme e kishin kryeqytet të tyre? Çfarë ndodhi me Konicën, që një shekull më parë nxori një nga përfaqësuesit më në zë të letrave shqipe: Faik Konicën? 
 Me fakte të nxjerra nga arkivat dhe nga studiues të huaj dhe vendas, autori na tregon gjendjen reale të asaj pjese që mbeti jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë në vitin 1913. Është një masakër që nuk i gjendet shëmbëlltyrë. 
”Më 1938, prefekti grek në Çamëri, Andonaqis, e ndaloi zyrtarisht përdorimin e gjuhës shqipe në këtë krahinë. Të gjitha këto plane shfarosëse përgatitën tragjedinë e madhe, në vitet 1944-1945, ku shovinistët grekë vranë me mijëra çamë dhe shpërngulën me dhunë popullsinë shqiptare të besimit myslimanë prej trojeve të veta autoktone.” (f. 327)
Greqia ka pasur një plan të përgjithshëm për asimilimin e shqiptarëve. Jo vetëm në territoret jugore të Shqipërisë, ku bën pjesë dhe Çamëria, por edhe në pjesën e brendshme të saj. Arvanitasve, nuk u është lejuar përdorimi i gjuhës shqipe. 
I lind e drejta shtetit shqiptar, që për këta banorë të hershëm me origjinë shqiptare, të ngrejë zërin e saj në plotësimin e të drejtave njerëzore të tyre. Shqipëria në bashkësinë evropiane nuk shpie më pak vlera se popujt e tjerë. Një nga këto vlera janë dhe këta shqiptarë që jetojnë në Greqi dhe që sipas shumë autorëve shifra është me miliona. Çfarë vlere do të përcjellë kjo bashkësi shqiptare, kur asaj i mohohet gjuha shqipe? Kultura e një populli rrënohet, nëse nuk e zhvillon atë në gjuhën e tij. Askush nuk ka të drejtë të tjetërsojë kulturën e tjetrit. Kjo është e pafalshme, si për qeverinë greke që i lë pa arsimuar minoritet në gjuhën e tyre, ashtu dhe për qeverinë shqiptare, që hesht në mënyrë të pakuptimtë. Qeveria shqiptare mban në territorin e saj disa qindra mijëra çamë dhe flet me gjysmë zëri për t’i kthyer ata në trojet e tyre. Shpresojmë dhe kështu do të ndodhë. Çamët do të kthehen një ditë në trojet e tyre dhe kultura arvanitase dhe ajo çame të zënë vendin e merituar në kulturën evropiane.


* * *
Po çfarë ndodhte në anën tjetër të kufirit, në ato vite të para dhe të pas Luftës së Dytë Botërore? “Ndërsa çamët në Greqi shpronësoheshin dhe tokat e tyre i përfitonin grekët, në Shqipëri u merrej toka bejlerëve shqiptarë dhe u jepej bujqve minoritarë grekë. Zëvendës shefi i Misionit të UNRA-s, në Shqipëri, pohonte se “bujqit grekë të Bularatit po përfitonin nga reforma agrare e komunistëve dhe po merrnin tokat e bejlerëve të Libohovës, që më parë i kishin punuar si bujq” (f. 333).
Ky veprim i shtetit shqiptar të atëhershëm, mund të ketë habitur edhe vetë Greqinë, se ishte një veprim i kundërt me natyrën e saj. 
Ky veprim i shtetit shqiptar mund t’i ketë habitur përsëri, kur mbas viteve ‘90, në bazë të ligjit 7501, edhe minoritarët e morën tokën që kishin në përdorim nga shteti komunist në pronësi të tyre. Shqipëria nuk ka bërë dhe nuk bën dallim në ligjet e saj për shtetasit e vet. Pavarësisht nga kombësia, ata gëzojnë të gjitha të drejtat si dhe shqiptarët. Ky humanizëm i shtetit shqiptar duhet të ishte mësim për qeveritë greke, por kjo nuk ka ndodhur deri tani. Kthimi i pronave të shqiptarëve në shtetin helen dhe arsimimi në gjuhën shqipe i gjithë popullsisë shqiptare që jeton atje, i ka kapërcyer limitet e zgjidhjes së këtij problemi. 
Po edhe brenda shtetit grek kanë filluar zërat që thonë të vërtetën. Mjaft historianë grekë po e shpërndajnë mjegullën që hodhën për shqiptarët e shpërngulur me dhunë, se gjoja ishin bashkëpunëtorë të nazizmit. Këtyre zërave duhet t’ua vërë veshin shteti shqiptar dhe të mos rrijë i heshtur. Çamët e bashkë me ta dhe gjithë shqiptarët e tjerë, që nuk i përkasin krahinës së Çamërisë, presin të kthehen në vatrat e tyre. 
Ura e tretë e miqësisë shqiptaro-greke, nuk është e pamundur për t’u ndërtuar. Derisa Shqipëria nuk bën asnjë dallim për minoritetet, për çështjen e pronave dhe të drejtave njerëzore, por i ka përkrahur ata, kjo gjë do të ndodhë edhe për çamët dhe gjithë shqiptarët e tjerë, që nuk i kanë përkitur krahinës së Çamërisë, por që padrejtësisht janë dëbuar nga trojet e tyre. 
Zërat e studiuesve dhe të historianëve grekë, që po shpërndajnë mjegullën e hedhur mbi çamët, janë sinjale që tregojnë, se edhe Greqia do të fillojë së shpejti të ndërtojë pjesën e asaj ure miqësie, që ndodhet në shtetin helen. Këto embrione të progresit dhe të frymës evropiane një ditë do të bëhen sunduese edhe në Greqi. Historia po ecën e sigurt në kahun pozitiv dhe Shqipëria pret të zgjidhen të gjitha padrejtësitë e bëra, sidomos në shekullin e kaluar. Ata që sot paguhen nga shteti shqiptar për t`u dhënë një zgjidhje pozitive gjërave, por që bëjnë sikur nuk shohin, sikur nuk kuptojnë, nuk i shërbejnë miqësisë midis dy vendeve. Miqësia i ka themelet tek drejtësia. Nëse mendon në mënyrë primitive në marrëdhëniet midis shteteve se e forcon miqësinë duke bërë lëshime apo dhuruar diçka, njësoj si në një kafene, që për ta afruar dikë i paguan kafenë, kjo mënyrë drejtimi e shtetit i përket periudhës së Perandorisë Otomane. Qëndrimi me dinjitet në marrëdhëniet midis shteteve është e vetmja mënyrë për të ndërtuar ura miqësie.


(Vota: 15 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx